Duke qenë se kam studiuar fushën e ekonomisë edhe dëshira ime për ndryshim lidhet me këtë fushë. Ndryshimi që do doja të shihja në Kosovë ka të bëjë kurrikulat në arsim, respektivisht përditësimin e tyre dhe me ndërlidhjen e këtyre të fundit me tregun e punës dhe nevojat e ekonominë, gjë që do çonte në zhvillim ekonomik të vendit.
Dije të reja janë prodhuar dhe po prodhohen vazhdimisht, kështu ndryshimi në sistemin arsimor –– në Kosovë dhe përtej saj –– duhet të jetë konsistent.
Përparimi teknologjik ka krijuar të ashtuquajturën ‘epokën e informacionit’ dhe u ka mundëusar studentëve të ndërveprojnë me studentët e tjerë në të gjithë botën dhe të shohin se si mësohet përtej kufijve. Ky zhvillim teknologjik ka ndikuar që në një farë forme mësimdhënësit të mos i kenë informacionet e përditësuara në lëndët që ata ligjërojnë. Po ashtu, kjo ka bërë që metodat e mësimdhënies të ndërrojnë, duke sjelliur nevojën që mësimdhënësit të bartin rolin e trajnuesve kritikë, që përpos që i mësojnë nxënësit, i orientojnë drejt zgjedhjeve në karrierë, punojnë me ta dhe i inkurajojnë të trajtojnë informacionin në mënyrë kritike.
Edhe pse në Kosovë nuk ka hulumtime të mjaftueshme lidhur me sistemin arsimor publik edhe efektivitetin e tij, një gjë që secili mund ta vërejë është që ky sistem është mjaft i vjetër, tradicional. Kështu, lirisht mund të thuhet se ky sistem nuk i plotëson nevojat e studentëve dhe nuk orienton fuqinë punëtore kah kërkesat e tanishme të tregut të punës.
Drejt përmirësimit të sistemit arsimor
Pa dyshim, sfidat që vijnë me përmirësimin e standardeve dhe kurrikulave mësimore janë të mëdha, sidomos për shkak të dallimit të madh që midis nivelit publik dhe privat të shkollimit në Kosovë. Për shembull, në shkollat fillore dhe të mesme publike ende mbizotëron sistemi i vjetër arsimor ku kuadrot orientohen kryesisht drejt sektorëve primarë dhe sekondarë, si dhe mungon përgatitja e kuadrove për sektorin terciar apo për ‘lëndët e së ardhmes’, veçanërisht lëndët mësimore që kanë të bëjnë me teknologjinë informative (IT) dhe atë komunikuese.
Në shkollat publike, zakonisht nxënësit deri në klasën e gjashtë janë të përqendruar më shumë në lëndë natyrore dhe mësime teorike, të cilat janë të pamundura të praktikohen. Kuptohet që në disa shkolla private (zakonisht të nivelit të mesëm), ekzistojnë drejtimet që merren me fushën e lëndëve që nxisin përgatitjen e kuadrove në fushën e IT-së apo programimit, mirëpo për shkak të nivelit të varfërisë jo çdokush ka qasje në to.
Një tjetër problem i madh me të cilin ballafaqohen nxënësit është edhe sistemi i notimit, i cili gjykon inteligjencën e një nxënësi në bazë të disa pyetjeve në formën e fletëve të provimit. Kjo është shumë e padrejtë për nxënësit që janë të mirë në performancën e tyre të përgjithshme, por jo aq të mirë në lëndët specifike apo në ndonjë pyetje të caktuar.
Efektet negative të kësaj forme të notimit mund të vërehen në të ardhmen ku shumica e nxënësve fokusohen më shumë në nota, qoftë përmes mësimit teorik përmendsh apo kopjimit, sesa në të kuptuarit e materialit që mësohet.
Për më tepër, sistemi arsimor në Kosovë përqendrohet më shumë në teori dhe shumë pak në praktikë. Forma më e mirë e ndërrimit të këtij sistemi është të shtohen lëndët që lidhen me teknologjinë informative apo lëndët tjera profesionale, mundësia e praktikimit të të cilave është shumë më e madhe krahasuar me lëndët tjera.
Një sistem arsimor i përditësuar do të nxiste vetëpunësim të të rinjve, sidomos duke marrë për bazë shkallën e papunësisë që i përcjell rininë pas përfundimit të shkollimit.
Prandaj, është e domosdoshme që kurrikulat mësimore të orientohen drejt sektorit terciar që do të sillte ide të reja inovative dhe do të krijonte qendra të reja për kërkim dhe zhvillim. Kësisoji, do të rritej punësimi dhe do të inkurajoheshin bizneset e reja (start-ups) të vogla vendore ku të rinjt e të rejat do të mund të zhvilloheshin tutje dhe do të mund të vendosnin në praktikë idetë e tyre.
Si përfundim, sistemi arsimor në Kosovë duhet të ndryshojë. Ky sistem duhet t’u japë nxënësve dhe studentëve mundësi të barabarta për të shkëlqyer në të ardhmen. Kosova duhet të heqë dorë nga mënyrat e vjetra dhe tradicionale të të mësuarit, si dhe të përmirësojë standardet e mësimdhënies në mënyrë që të rinjt dhe të rejat të mund të punësohen kur përfundojnë shkollimin dhe të realizojnë ëndrrat e qëllimet e tyre.
Imazhi i ballinës : Arrita Katona / K2.0