Gjatë një pasdite së voni, tre pensionistë, Ljubo, Miladin dhe Vlado, po rrinin në sheshin e qytetit të Foča-s, duke marrë rrezet e fundit të diellit para dimrit të gjatë. Një mace bashkohet. “Bëja një foto edhe koteles, po ashtu. Edhe ajo është pensioniste. Sikur ne. Është e varfër”, tha Miladin.
“Macja i ka punët më mirë se ti dhe unë”, tha njëri nga miqtë e tij. “Të paktën çdo ditë ka diçka për të ngrënë”.
Foča është qytet me 40,000 banorë në Bosnjën lindore. Entiteti në të cilin Foča ndodhet, Republika Srpska, ka pothuajse të njëjtin numër të punëtorëve dhe pensionistëve — 275,000 punëtorë dhe vetëm 2,000 më pak pensionistë.
Shumica e vajzave, djemve dhe nipërve të Miladin dhe shokëve të tij janë shpërngulur në Serbi. “Sigurisht, më mungon mbesa ime, por nuk do të kthehet. Të gjitha vajza nga këtu që ishin studente të mira sot janë në Beograd apo Novi Sad. Dhe do të martohen atje”, tha Ljubo, duke shtuar se varfëria dhe çështjet politike po i largojnë njerëzit.
Ljubo kapi armët në luftë si 35-vjeçar. Ai thotë se ishin vitet më të mira të jetës së tij, kulmi i tij. “Tani jam me aftësi të kufizuara. Çfarë të pres?”
Ljubo, Miladin dhe Vlado, veteranë të luftës nga Foča, sot mbijetojnë me pensione të vogla. Shumica e familjeve të tyre u larguan nga Bosnja në kërkim të një jete më të mirë. Foto: Adi Kebo.
Më tepër se 25 vite që nga përfundimi i luftës, përsëri po dëgjon për luftë, konflikt dhe urrejtje. “Por njerëzit që përhapin thashetheme të tilla nuk luftuan as në luftë”, tha Ljubo. “Nuk ishin luftëtarë, nuk e mbrojtën vendin, nuk ishin ata. Janë dezertorët dhe kriminelët, që të gjithë, nuk ka nevojë t’i thërrasim emër për emër”. Gjërat duhet të kishin shkuar ndryshe, thanë të tre burrat, por dijeni, ata nuk kanë pushtet.
“Kush ka pushtet?” pyeti njëri prej tyre përpara se t’i përgjigjej vetë pyetjes. “Burrat e pasur. Njerëzit e pasur. Dezertorët që diktojnë këtu në Foča. Gjithçka u përket atyre. Një pjesë të asaj që posedojnë e kanë fituar, një pjesë e kanë vjedhur”.
Që të tre pajtohen se nuk ka trazira në mes të banorëve të Foča-s, por se kërcënimet me luftë u përshtaten vetëm politikanëve në pushtet. “Pse të frikësohem? Mendoj që njerëzit nuk duan të kenë një tjetër luftë. Dhe politikanët nuk mund ta luftojnë atë. Krejt kjo është vetëm interes personal. Duan t’i mbulojnë hajnitë e tyre. Do t’ju duhet ta justifikojnë shumën e madhe të parave që e kanë vjedhur”, tha Ljubo.
Fëmijët e këtyre tre pensionistëve janë një pjesë e vogël e ushtrisë së njerëzve që janë larguar nga Bosnja dhe Hercegovina (BeH). Sipas të dhënave zyrtare, më shumë se gjysmë milioni njerëz emigruan në gjashtë vitet e fundit. Pandemia e ngadalësoi eksodin gjatë vitit 2020, por jo edhe për shumë kohë. Këtë vit trendi vazhdoi. Në gjashtë muajt e parë të vitit 2021, 85,000 njerëz u larguan nga vendi.
Eksodi
Teksa BeH demografikisht po vdes, zyrtarët e qeverisë po fokusohen në temat e luftës dhe flasin për shpërbërjen e vendit. Milorad Dodik, anëtar i presidencës trepalëshe boshnjake dhe udhëheqësi më i fuqishëm në Republikën Srpska, në mesin e këtij viti përsëri filloi të fliste për fitimin e pavarësisë së entitetit. Agjitacioni i tij më i fundit për pavarësinë filloi pasi përfaqësuesi i lartë i atëhershëm për BeH, Valentin Inzko, miratoi një ligj që ndalonte mohimin e gjenocidit në BeH.
Foča dikur si qytet kishte gjallëri, por shumica e popullsisë së saj u dëbua gjatë luftës. Shumë prej të mbeturve janë të varfër. Foto: Adi Kebo.
Më shumë se 25 vite pas luftës, vendi mbetet një gjysmë-protektorati i krijuar përmes Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit. Bosnja përbëhet nga dy entitete: Federata e BeH dhe Republika Srpska, gjithashtu Distrikti i Brčko. Secila njësi ka presidentin e vet, kuvendin, ministrat e kështu me radhë. Edhe pse ndodhet në demokraci përfaqësuese, përfaqësuesi i lartë ka fuqinë t’i anulojë vendimet e zyrtarëve të zgjedhur. Posti vazhdimisht është mbajtur nga diplomatë të BE-së, të cilët emërohen nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së.
Bosnja u gjend përsëri në titujt ndërkombëtarë.
Inzko u largua nga vendi pasi prezantoi ligjin për mohimin e gjenocidit. Pastaj një përfaqësues i ri i lartë u emërua dhe politikanët, vendas dhe ndërkombëtarë, filluan të flasin për një luftë të re, një vit para zgjedhjeve të përgjithshme. Bosnja u gjend përsëri në titujt e gazetave ndërkombëtare dhe diplomacia e negociuesve filloi së bashku me bisedimet për ndryshime të mundshme në Kushtetutë dhe Ligjin Zgjedhor.
Teksa politikanët po negociojnë, njerëzit po emigrojnë. Ata që qëndrojnë luftojnë për mbijetesë.
Shkatërrimi i shoqërisë boshnjake mund të shihet në numrat e fundit të regjistrimeve në shkolla. Për shembull, krahasuar me tetë vite më parë, në vitin e fundit shkollor, 3,498 nxënës më pak kanë hyrë në klasën e parë të shkollës fillore. Në Modriča, një komunë në BeH verilindore me 25,000 banorë, as edhe një nxënës nuk u regjistrua në shkollën e mesme lokale vitin e kaluar shkollor. Pesë studentë u regjistruan, por mësuesit i këshilluan të mendonin të regjistroheshin në shkolla profesionale apo shkolla të mesme në ndonjë qytet tjetër.
Rënkimi për të kaluarën është harxhuar
Tijana dhe Tamara jetojnë në Foča dhe janë ndër të pakët të rinjtë që dalin në rrugë gjatë një pasdite. Tani për tani nuk e kanë në plan të emigrojnë. Të dyja 18 vjeçe, janë maturante në shkollën e mesme të gjuhës në Foča.
“Çdo gjë është në rregull, por nuk jemi vërtet mirë me gjuhët dhe gjuhët janë gjëja më e rëndësishme”, qeshën ato. Kur u pyetën pse e zgjodhën shkollën e mesme të gjuhës, thanë se mundësitë për arsim të mesëm në Foča janë të kufizuara. Është shkolla e mesme e përgjithshme, shkolla e mesme e gjuhës dhe shkolla profesionale për pylltari, mjekësi dhe inxhinieri mekanike.
Tijana dhe Tamara, të dyja 18-vjeçare, duan të qëndrojnë në Foča. E kaluara nuk duket e rëndësishme apo interesante për to. Foto: Adi Kebo.
Ato thanë se tema që i brengosë brezat e vjetër në Foča, pra e kaluara, nuk ka rëndësi për to. Njësoj si adoleshentët e tjerë, janë të dhënë pas muzikës, filmit dhe modës. “Rënkimi për të kaluarën është harxhuar”, tha Tijana. “Vetëm dikujt që i intereson historia do të dëshironte të merrej me të, por ne nuk duam”.
Ambicia e tyre është ta ndërtojnë një jetë për vete në Foča, ndoshta të fillojnë universitetin në Pale dhe më pas të kthehen në vendlindjen e tyre.
"Askujt nuk i intereson më politika. Njerëzit fokusohen tek vetja dhe jetesa e tyre".
Nebojša, Foča
Babai i Tijanës, Nebojša, tha se do t’i pëlqente nëse ajo dhe vëllai i saj do të qëndronin në Foča. Kur mbaroi lufta në BeH, qyteti ishte i rrënuar, nuk kishte punë. Nebojša punonte në ndërtimari, si kamarier dhe gjatë verës punonte në bregdetin malazez. Tani i punësuar në Institucionin Penal dhe Korrektues të Foča-s, mendon se rrethanat janë më të mira se 20 vite më parë. Kjo është arsyeja pse Nebojša dëshiron që fëmijët e tij të qëndrojnë te familja. “Është më mirë për ta”, tha ai, “duhet të luftojnë sikur ne”.
Nebojša dhe gruaja e tij Milena mbetën të papunë pasi u martuan. Sot të dy janë të punësuar; kanë shtëpinë e tyre dhe një makinë. Thonë se janë të kënaqur. “Askujt nuk i intereson më politika. Njerëzit fokusohen te vetja dhe jetesa e tyre”, tha Nebojša.
Por lufta ende diskutohet në pëshpëritje. Një fqinj i afërt i familjes, i cili nuk deshi ta tregonte emrin, tha se kishte qenë pjesëtar i Ushtrisë së Republika Srpska, por se nuk do të luftonte për një luftë tjetër. Të gjithë do t’ua thonë këtë”, tha ai.
“Pse? Sepse është plotësisht absurditet. Dikush të kthen kundër dikujt tjetër dhe kështu vetëm do të përfundoni duke i humbur të dashurit tuaj. Isha i ri dhe nuk dija më tepër, thjesht duhej të bashkoheshe. Ishe aty, ndaj edhe të duhej. Pastaj e kuptova se ishte një gabim, një budallallëk, dhe tani jemi ne ata që po e paguajmë çmimin”, tha ai.
Ballafaqimi me të kalurën
Para luftës, deri në vitin 1992, Foča ishte shtëpia e më shumë se 20,000 boshnjakëve. Pas një sërë krimesh brutale të luftës, sot vetëm 15 familje boshnjake jetojnë në qytet, ndërsa 137 të tjera në fshatrat e afërta. Vetëm tetë fëmijë boshnjakë ndjekin shkollën në zonën e Foča-s. Vetëm tre prej tyre ndjekin shkollën në qytet, prej të cilët që të gjithë janë fëmijë të klerikëve islamikë vendas.
Vendi kryesor i tubimit të boshnjakëve gjatë festave dhe lutjeve është xhamia Aladža, e cila u shkatërrua gjatë luftës. Xhamia u rindërtua dhe u rihap në vitin 2019. Fadil Arifović, imami i xhamisë, tha se vendasit mbështeten tek njëri-tjetri pa asnjë paragjykim apo tension. “Problemet kryesore këtu janë ekonomike”, tha ai, duke shtuar se nuk e di se si njerëzit po arrijnë t’ia dalin mbanë.
“Foča ndodhet në pjesën e pasme të Bosnjës lindore. Kemi pak turizëm gjersa të zgjasë sezoni, ka pak rafting, kampe dhe ngjitje në malet Maglić dhe Zelengora. Por dimrat janë të tmerrshëm”, tha ai. “Përpos mungesës së të kthyerve boshnjakë, ka mungesë edhe të serbëve”. Shumica e njerëzve shkojnë në Serbi apo diku në perëndim sepse nuk shohin prosperitet në Bosnje, tha Arifović.
Imami Arifović tha se një pjesë e banorëve vendas besojnë se retorika që tani po mbizotëron në BeH është vetëm pjesë e fushatës parazgjedhore dhe një mashtrim që po përdoret për ta fshehur krimin dhe korrupsionin.
Pasi kishte jetuar më parë në Jeleč, një fshat i afërt, Arifović u zhvendos në Foča 14 vite më parë për të punuar si imam. Ai tha se imamët ofrojnë mbështetje në forma të shumta, veçanërisht tek komunitetet e të kthyerve; imamët punojnë duke shërbyer si psikologë, shoferë dhe mjekë.
Imam Arifović tha se një pjesë e vendasve besojnë se retorika që po mbizotëron tani në BeH është vetëm pjesë e fushatës parazgjedhore dhe një mashtrim që po përdoret për ta fshehur krimin dhe korrupsionin. Megjithatë, shumë po frikësohen. “Ka disa njerëz që po frikësohen, praktikisht janë histerikë. Po bombardohen me të gjitha llojet e informacioneve dhe kjo pastaj ndikon”, tha ai, duke shtuar se është i shqetësuar. “Megjithatë, mund ta zbus këtë. Ata që kaluan në kampe burgu dhe tmerre të tjera, është e vështirë të bisedosh arsyeshëm dhe qetësisht me ta. Disa mendojnë se është tërësisht e padëmshme, të tjerët do të largoheshin sot nga Foča nëse do ta kishin mundësinë”.
Imami Fadil Arifovic është shumë më tepër se vetëm një prijës fetar për komunitetin e vogël të boshnjakëve që u kthyen në Foča. Foto: Adi Kebo.
Shumica e boshnjakëve në Foča janë të moshuar dhe e kujtojnë se çfarë ndodhi aty pothuajse tri dekada më parë. Në qytet ka shumë gjëra për t’ua kujtuar, përfshirë edhe fragmentet e gurëve origjinalë të Xhamisë Aladža që tani ekspozohen në oborrin e saj. Gurët u shpëtuan pasi Instituti për Persona të Zhdukur u informua për një varr masiv në lumin Drina.
Me gërryerjen e parë të ekskavatorit në lumë u gjetën menjëherë gurë nga xhamia e shkatërruar. Gërmimi u ndalua shpejt, por gurët u kthyen në xhami. “Shumica prej tyre janë ende në Drina, për të mos dalë më kurrë”, tha Arifović.
Një kuzhinë popullore për bebet
Dikur në Foča funksiononin shumë fabrika të sharrave. Mijëra punëtorë dhe familjet e tyre mbështeteshin nga pagat e fituara aty. Sot këto objekte nuk ekzistojnë më. Banorët e Foča-s tani gjejnë punë në supermarkete, bastore, kafene dhe në disa biznese turistike, po ashtu edhe në sektorin publik, punësim shumë tërheqës në BeH.
Pensionistët që mblidhen në sheshin qendror të qytetit thanë se dyshojnë rreth vlerësimeve që thonë se pensioni mesatar është 500 marka, apo afërsisht 250 euro.
“Pensioni mesatar këtu është 300 marka”, tha njëri nga pensionistët. “Unë nuk bëj pazar, por ky këtu që bën më tha se çmimet janë rritur për 30%, kurse pensionet janë rritur vetëm 2%. Disa po blejnë dhjetë vezë dhe një kilogram bukë me kredi”.
Familjet vijnë nga fshatrat e largëta të zonës së Srebrenicës, që udhëtojnë deri në dy orë për të marrë qumësht, qull, miell misri dhe bollgur.
“Nuk ia kishim idenë më të vogël se sa e nevojshme ishte një kuzhinë e tillë derisa e hapëm”, tha Sadiković Mehonić. “Në qytetet më të mëdha mund edhe të mos jemi të vetëdijshëm për këtë, por është aq vështirë në fshatra”.
Shpesh ajo thotë se pyetet për dinjitetin e përfituesve dhe se si arrin ta mbrojë identitetin e tyre duke mbledhur furnizimet dhe paratë e nevojshme. Përgjigja e saj është se në Bosnje nuk ka mbetur më dinjitet.
“Kemi pasur raste kur njerëzit na luteshin t’i filmonim në mënyrë që të tjerët t’i shihnin dhe potencialisht t’i ndihmonin”, tha Sadiković Mehonić. “Njerëzit duan ta thonë të vërtetën, të thonë se nuk kanë as bukë për të ngrënë, kështu që dita-ditës turpi dhe dinjiteti i njerëzve hiqet, dhe e gjitha si shkak i vendit ku jetojmë”.
Falja është e vetmja zgjidhje
Historitë e vështirësive të përditshme, të ndërthurura me trashëgiminë e luftës, gjenden kudo në Bosnje. Një nga ato histori është ajo e Zijo Ribić nga Tuzla, të cilit i është vrarë e gjithë familja në luftë.
Prindërit, motrat, vëllai dhe të afërmit e Ribić u vranë të gjithë në fshatin Skočić. Asokohe vetëm tetë vjeç, Ribić shpëtoi, edhe pse, siç thotë ai, më mirë të kishte vdekur. U godit me thikë në qafë dhe më pas u hodh në një gropë e cila më vonë u kthye në një varr masiv. Ribić iu rikthye vetëdija para se gropa të mbushej dhe arriti të shpëtonte disi.
Para se të plagosej, Ribić i pyeti kryerësit nëse mund t’i bashkohej nënës së tij nëntë muaj shtatzënë. “Do t’i bashkohesh tani”, i thanë para se ta zbrisnin nga kamioni, ta godisnin me thikë dhe ta gjuanin në gropë.
“Nuk mund ta shtyejmë as edhe një muaj me pagën time, por falë ndihmës që marrim nga miqtë tanë jashtë vendit, ia dalim".
Zijo Ribić, Tuzla
“Zlatija, Ismeta, Zlata, Suada, Zijada, Almasa…”, Ribić i kujtoji emrat e motrave. “Isha më i vogli deri në lindjen e Sabrijes në vitin 1990. E gjithë familja e tij — duke përfshirë babain e tij 33-vjeçar Ismetin dhe nënën 29-vjeçare Ševka — u vra brenda 24 orëve.
Në vitin 2018, Gjykata e Apelit në Beograd i liroi nga akuzat anëtarët e njësisë çetnike të Sima-s të cilët u akuzuan për demolimin e një xhamie dhe vrasjen e 27 civilëve romë në fshatin Skočić afër Zvornik-ut në korrik të vitit 1992. Edhe pse viktimat ishin shtetas boshnjakë dhe krimi u krye në territorin e BeH, udhëheqësia politike e vendit nuk iu përgjigj vendimit të gjykatës.
“Askush në shtetin tim — duke përfshirë pjesëtarë të popullit tim dhe udhëheqësit politikë vendorë — nuk i dënuan vendimet. Në Bosnje, romët nuk njihen. Ne trajtohemi pothuajse si kafshët të cilat mund t’i vrasësh pa u ndëshkuar”, tha Ribić i indinjuar.
Si viktimë e luftës, iu dha një banesë nga shteti. I martuar dhe me një vajzë katërvjeçare, Ribić punon në një kuzhinë kopshti në Tuzla. Gruaja e tij është e papunë, pavarësisht se ka aplikuar në shumë punë ndër vite.
“Nuk mund ta shtyejmë as edhe një muaj me pagën time, por falë ndihmës që marrim nga miqtë tanë jashtë vendit, ia dalim”. tha Ribić. “Nuk është shumë, por është mjaftueshëm që t’i plotësojë gjërat më të rëndësishme për fëmijën tim”.
Ribić shumë shpesh flet për luftën, prandaj shpeshherë ftohet në ngjarje ndërkombëtare si folës. Ai diskuton jo vetëm atë që ka përjetuar, por edhe nevojën për falje dhe luftën kundër urrejtjes.
“Së fundmi isha në Vatikan, ku mbajta fjalim para 200 liderëve botërorë; [Angela] Merkel ishte po ashtu aty”. tha ai. Ai u tha atyre se qëndrimi i tij është se jeta duhet të vazhdojë pa urrejtje “sepse falja është e vetmja rrugë përpara”.
“Nëse nuk do t’i kisha falur, do ta urreja ndonjë grup tjetër etnik dhe këtë urrejtje do t’ia kaloja fëmijës sim, miqve dhe armiqve të mi. Cili do të ishte rezultati? Konflikte dhe luftëra të reja, më shumë mjerim dhe jetimë. Përkundrazi, po përpiqem të shtyj përpara për ndryshim — miku im Almir Arnaut Beli dhe unë po e bëjmë këtë si pjesë të shoqatës sonë ‘Velika djeca’ (“Fëmijët e rritur”)”, tha Ribić. Megjithatë, thotë se kriza e zgjatur dhe e përshkallëzuar në BeH po e rëndon situatën. Por, njëlloj si qytetarët e Foča-s, nuk beson në mundësinë e një konflikti të ri.
“Nëse shpërthen një konflikt i ri, kjo do të ndodhë midis të pasurve dhe të varfërve, sepse më shumë se 90% e popullsisë është e varfër”, tha ai. “Pjesa tjetër e atyre në pushtet kanë bërë pasuri, kurse njerëzit e thjeshtë dërgojnë fëmijët në vendet e huaja”.
Fabrika të mbyllura
Fabrikat që dikur garantonin jetesën e familjeve vendase u mbyllën apo u privatizuan pas luftës, proces ky që la shumë të papunë. Medina Alić ka punuar në fabrikën Unis të kushinetave të topit në Vogošća, në periferi të Sarajevës ku jeton edhe sot e kësaj dite. Alić ka dy fëmijë të rritur dhe pesë nipër e mbesa. Prej vitesh vajza dhe dhëndri i saj kanë punuar në anije anembanë globit. Secili udhëtim zakonisht zgjat tre muaj, por dhëndri i Alić-it së fundmi ishte larguar për gati gjysmë viti.
Sipas të dhënave të gjykatës, rreth 135 biznese në BeH janë mbyllur mes 20 tetorit dhe 11 nëntorit këtë vit.
“Fëmijët kanë nevojë për prindërit, natyrisht, por tani kanë gjetur strehë të sigurt tek ne”, tha Alić, e cila kujdeset për nipërit dhe mbesat derisa prindërit e tyre janë larg. “Njerëzit që largohen nga këtu i shohin gjërat racionalisht — është më mirë të punosh si pastruese për 2000 marka sesa për 500”, tha ajo, duke iu referuar faktit se për të njëjtën punë, njerëzit paguhen më mirë jashtë vendit.
Medina Alić, ish-punëtore e fabrikën Unis të kushinetave të topit, kujdeset për nipërit dhe mbesat, prindërit e të cilëve punojnë jashtë vendit. Foto: Adi Kebo.
Mjedisi tashmë i pafavorshëm për biznesit është përkeqësuar më shumë nga vazhdimi i pandemisë. Bizneset e vogla janë posaçërisht të ndjeshme dhe çdo ditë po mbyllen. Ata që mbijetojnë shpesh janë në borxhe dhe ballafaqohen me të ardhme të pasigurt. Sipas të dhënave të gjykatës, rreth 135 biznese janë mbyllur midis 20 tetorit dhe 11 nëntorit këtë vit. Më 31 korrik, Agjencia e Punës dhe Punësimit e BeH publikoi të dhëna që tregojnë se pak më pak se 400,000 njerëz ishin të regjistruar si të papunë — 1,600 më shumë se në qershorin e vitit 2021.
Për shkak të detyrimeve të komplikuara ndaj shtetit dhe mbështetjes së kufizuar, njerëz si Slobodan Bjelović, sipërmarrës nga Sarajeva, kanë pasur vështirësi që t’i paguajnë punonjësit e tyre në kohë çdo muaj, teksa ende përmbushin detyrimet e tjera ligjore.
“Shteti bën gjithçka që të mbajë investitorët potencialë jashtë BeH. Në të njëjtën kohë, qytetarët përpiqen që të largohen nga vendi, apo t’i bindin fëmijët e tyre të largohen”, tha Bjelović. “Thelbi i gjithçkaje është krijimi i skandaleve të ndryshme sepse [politikanët] nuk dinë si ta përmirësojnë standardin tonë të jetës. Të gjitha nivelet e qeverisjes janë të mbushura me njerëz analfabetë që përdorin pozitat e tyre për t’u pasuruar sa hap e mbyll sytë. Kujt i intereson se çfarë do të ndodhë nesër?”
Një ditë, paralajmëron ai, një sistem i tillë detyrimisht do të rrëzohet.
Imazhi i ballinës: Adi Kebo
Ky publikim është botuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian, si pjesë e projektit “Qytetarë Angazhohuni”, që realizohet nga Kosovo 2.0 në partneritet me Institutin GAP. Përmbajtja e këtij publikimi është përgjegjësi e vetme e Kosovo 2.0 dhe Institutit GAP dhe në asnjë mënyrë nuk mund të paraqes pikëpamjet e Bashkimit Evropian