Në thelb | BiH

Kush e kontrollon hapësirën publike në Banja Llukë?

Nga - 04.05.2020

Shoqëria civile ka frikë nga çfarë mund të sjellin kohët pas Koronës.

“Mund të na blesh në dyqan lodrash, por jo në zgjedhje!” 

“Tung ministër, dua ta luaj një lojë!” 

“Sheshi u përket të gjithëve, jo vetëm lodrave tua!” 

Këto ishin mesazhet e shkruara pranë lodrave të vendosura në sheshin kryesor të Banja Llukës në fund të nëntorit të vitit 2019. Kur filloi kjo protestë e pazakontë, të gjitha lodrat u “sekuestruan” nga policia, të cilët më vonë e arrestuan organizatorin e supozuar, Stefan Blagiq.

Sa ishin duke e arrestuar, policët nuk e lejuan të fliste me gazetarët. Vetëm i thanë se janë duke e mbajtur në arrest për shkak se ai dhe aktivistët të cilit ishin mbledhur nuk i ishin bindur urdhërit për t’u shpërndarë, dhe nuk i kishin informuar paraprakisht autoritetet për planet e tyre për tubim publik.

Pasi u mbajt në arrest dhe u mor në pyetje, Stefan Blagiq do të gjykohet për shkeljen e Ligjit për Tubime Publike dhe Paqe Publike të Republikës Serbe në Bosnjë e Hercegovinë. Foto nga ReStart Srpska.

Blagiq protestoi me disa anëtarë tjerë të organizatës Drejtësi për Davidin, një grup që u organizua pas vdekjes së David Dragiçeviq në rrethana të dyshimta në mars të 2018-tës. Synimi i tyre ishte t’ua kujtojnë bashkëqytetarëve kufizimet që i kishte bërë qeveria e entitetit të Republikës Serbe (RS) në mënyrë që të parandalohen tubimet kundërqeveritare. 

Sot — përveç që po pret të kalojë emergjenca e COVID-19 – Blagiq po e pret edhe gjykimin. Por ai nuk është i vetmi në Banja Llukë që është thirrur në gjykatë për mosbindje civile. 

Dhunë në rrugët e Banja Llukës

Blagiq, kreu i OJQ-së ReStart Srpska, dhe anëtarët e lëvizjes Drejtësi për Davidin, ende janë të vendosur për ta vazhduar rezistencën e tyre. Gjatë dy vjetëve të fundit, ata janë bërë të njohur në Bosnjë dhe Hercegovinë (BiH) për kritikat e ashpra ndaj Milorad Dodik, kreut të Aleancës së Pavarur të Social Demokratëve (SNSD) — partia politike më e fuqishme në RS.

Nga viti 1998, Dodik i ka mbajtur disa pozita qeveritare si në nivel të entitetit ashtu edhe në atë kombëtar, duke shërbyer si kryeministër dhe president i RS; aktualisht ai është një nga tre anëtarët e Presidencës së shtetit. 

Me kalimin e kohës, politikani që dikur konsiderohej i moderuar u bë burim i frustrimit për shoqërinë civile në RS, anëtarët e së cilës kanë përdorur aktivitete të ndryshme për ta ngritur zërin në kundërshtim të qeverisë së entitetit në 10 vjetët e fundit. 

Protestat dhe thirrjet publike janë intensifikuar edhe më shumë me vdekjen e 21 vjeçarit David Dragiçeviq.

Dragiçeviq u zhduk më 18 mars 2018. Pas 6 ditëve, trupi i tij u gjet në lumin e cekët Cërkvina, jo larg qendrës së qytetit. Sipas deklaratave fillestare policore, vdekja e tij ishte rrjedhojë e një aksidenti. Megjithatë, polciia pranoi se trupi i kishte disa lëndime të cilat aludonin se diçka mund të ketë ndodhur para vdekjes së tij, dhe prokurorët më pas e nisën një hetim.

Familjarët e Davidit besojnë që ai është vrarë.

Ata e punësuan një ekip të avokatëve dhe e akuzuan policinë dhe prokurorinë me pretendimin se janë duke e mbuluar krimin, dhe e nisën një lëvizje me protesta anembanë vendit, duke marrë mbështetje jo vetëm prej qytetarëve, por edhe prej zyrtarëve të lartë ndërkombëtarë, përfshirë Përfaqësuesin Special të BE-së në BiH.

Në dhjetor 2018, protestat u shuan me forcë nga policia.

Më shumë se dy vjet më vonë, hetimi zyrtar ende është duke vazhduar dhe Prokuroria në Banja Llukë — qendra administrative e RS — refuzon të komentojë, duke thënë se rasti është ende i hapur. K2.0 e kontaktoi policinë lokale, por ata thanë se nuk kishin çfarë të shtonin përveç asaj që ishte thënë më parë. 

Babai i Davidit, Davor Dragiçeviq, filloi të organizojë protesta në fund të marsit të vitit 2018 dhe vazhdoi me muaj të tërë. Ndonjëherë iu bashkuan dhjetëra mijëra nga e gjithë Bosnja e Hercegovina. Protestat e përditshme u mbajtën në sheshin kryesor në Banja Llukë, i cili simbolikisht u bë i njohur si “Sheshi i Davidit”. Përveç të vërtetës për vdekjen e tij, protestuesit gjithashtu po bënin thirrje për ta respektuar ligjin dhe të drejtat e njeriut në përgjithësi.

Në dhjetor 2018, protestat u shuan me forcë nga policia. U prezantua edhe një orar jozyrtar i izolimit brenda shtëpive, i cili ndalonte çdo formë të tubimit publik në sheshin kryesor me më shumë se tre njerëz.

Pas protestave që zgjatën disa muaj, policia e përdori forcën për ta larguar këdo që mblidhej për ta kërkuar të vërtetën për vdekjen e David Dragiçeviqit. Foto nga e-trafika.

Sidoqoftë protestat vazhduan, ndërsa policia i largou të gjitha objektet e vendosura në hapësira publike për ta kujtuar Davidin. Ata gjithashtu nuk e lejuan një grup të qytetarëve të mbjellin fidane të ftonjve aty ku ishte gjetur trupi i tij. 

Në fund, më 7 prill 2019, dita që shënonte përvjetorin e varrimit të parë të Davidit (prindërit e tij më vonë e zhvarrosën trupin e tij dhe, në shenjë proteste, e larguan nga shteti), një përmendore e madhe në formë zemre u largua nga vendi ku ishte gjetur trupi i tij. 

Këto masa dekurajuese nuk i ndaluan protestat apo vetë lëvizjen, vetëm e detyruan sektorin civil të bëhet më kreativ. Pa mundësi për t’i ftuar njerëzit të mblidhen në sheshin kryesor të qytetit, Blagiq solli lodra dhe i vendosi në karrigen që dikur ishte stolisur me disa gjëra të cilat ua kujtonin qytetarëve të Banja Llukës të ndjerin David Dragiçeviq.

Aktivistët arrestohen dhe gjobiten

Posaçërisht nën presion janë pjesëtarët e lëvizjes Drejtësi për Davidit apo mbështetësit e saj.

Me muaj të tërë, ata mbajtën protesta të përditshme në sheshin kryesor në Banja Llukë. Më 25 dhjetor, 2018, policia u mundua t’i ndalë protestat me forcë, dhe disa anëtarë të lëvizjes u arrestuan. Por protestuesit u kthyen të nesërmën, dhe ditën pas saj.

Një protestë tjetër u organizua në qendër të qytetit më 30 dhjetor, por protesta u shua me forcë me një operacion të koordinuar policor. Zyra e Avokatit të Popullit më vonë i hetoi akuzat për sjelljen e policisë gjatë protestave dhe raportoi se një polic e kishte rrahur një person në turmë që ishte i shtrirë në tokë; ai përfundoi me brinj të thyer dhe shkoi në spital me gjakderdhje të brendshme.

Një koncert i Vitit të Ri që pritej të mbahej nga administrata e qytetit atë natë u anulua; sipas zyrtarëve lokalë, anulimi i ngjarjeve të planifikuara kushtoi 180,000 marka të konvertueshme (MK) (90,000 euro). 

Aleksandar Gluviq veçse është dënuar me 20 ditë burg ose me gjobë prej 700 eurosh.

Atë ditë u lëshua një urdhër arresti për tre organizatorët e protestës.

Autoritetet e qytetit thonë se fajtorët kryesorë janë Pavle Knezheviq, Bojana Gajanoviq dhe Anja Grubaçiq, të cilët e lajmëruan zyrtarisht protestën e tyre duke plotësuar një raport të regjistrimit — siç kërkohet nga ligji. Knezheviq ua shpjegoi mediave se protesta ishte organizuar në emër të të gjithë të rinjve të Banja Llukës që duan ta shfrytëzojnë mundësinë për ta mbështetur familjen e David Dragiçeviqit.

Megjithatë, kryetari dhe administrata e qytetit e mohojnë se ishin të vetëdijshëm që këta tre të rinj janë të lidhur në ndonjë mënyrë me lëvizjen Drejtësi për Davidin. Ata thanë se për ta Knezheviq, Gajanoviq dhe Grubaçiq  janë organizatorët formalë të tubimit që e parandaloi festën.

Përderisa ata aktualisht po presin të thirren në gjykatë, Aleksandar Gluviq veçse është dënuar me 20 ditë burg apo me gjobë 1,400 MK (700 euro) — 100 MK më pak se gjoba maksimale ligjore për këtë shkelje. 

Ai ishte një nga njerëzit e përfshirë në protestën e Vitit të Ri, dhe u ndjek penalisht pasi e refuzoi një urdhër policor për t’u larguar nga Sheshi i Krajinës 20 minuta para mesnatës në mbrëmjen e Vitit të Ri. Duke qëndruar në shesh, Gluviq dhe miqtë e tij po bërtisnin slloganet “Drejtësi” dhe “Drejtësi për Davidin!”

Gluviq thotë se është e qartë që procedurat gjyqësore kundër disidentëve politikë u nisën nga “dikush lart” dhe se kjo e shpjegon arsyetimin kapriçioz për akuzat. Qëllimi është, vazhdon ai, t’i frikësojnë njerëzit nëpërmjet gjobave të majme dhe burgut, në mënyrë që çdo formë e shprehjes së lirë të mendimit të mbytet apo reduktohet në minimum.

Zyrtarët i kanë mohuar të gjitha akuzat kundër tyre, si dhe pretendimet që ka ndonjë komplot për ta shuar disidencën. 

Megjithatë, shumë aktivistë në Bosnjë, posaçërisht në Banja Llukë, besojnë se të paktën një pjesë e masave të rrepta që u prezantuan për shkak të pandemisë nga qeveria e Republikës Serbe kanë për qëllim censurimin e kritikave dhe parandalimin e protestave. Disa prej masave janë shfuqizuar, por mbetet frika se ligjet do të rivendosen dhe mund të çojnë deri te dënimi i njerëzve për atë që e shkruajnë apo flasin.

Veprimet e policisë veçse kanë arritur t’i heshtin shumicën e aktivistëve nëpërmjet një morie masash dhe dënimesh edhe para përhapjes së Koronavirusit.

Më 31 dhjetor 2018, autoritetet policore lëshuan urdhër arresti për Stela Milanoviq, banore e Banja Llukës që dyshohet ta ketë kryer të njëjtën shkelje si Gluviq. Milanoviq nuk doli nga shtëpia për shtatë muaj, duke besuar se do të ballafaqohej me një gjykim në publik. 

Ajo u dorëzua në polici më 14 korrik 2019, dhe u mbajt në departamentin e policisë para se të lirohej pa ndonjë seancë në zyrën e prokurorit. Milanoviq pretendon se inspektorët donin ta lironin pas katër orëve, por se e kishin marrë një telefonatë në të cilën u kishin thënë ta mbajnë në arrest.

"Sistemi e ka shtypur qartazi tubimin e një grupi të caktuar të qytetarëve për të shprehur kundërshtitë dhe pakënaqësitë e tyre.”

Milica Pralica, Oshtra Nula

Më herët gjatë vitit, më 24 shkurt, Gjykata Primare në Banja Llukë e liroi Vedran Beriqin nga akuza për prishje të rendit më 25 maj të vitit të kaluar; atë ditë — gjatë parakalimit të gjimnazistëve të Banja Llukës — ai qëndroi në oborrin e Katedrales së Krishtit Shpëtimtar dhe bërtiti “Drejtësi!” dhe “Drejtësi për Davidin!” me dorë të ngritur lart. 

Beriq thotë se nuk u ndalua apo identifikua atë ditë, dhe shtoi se nuk ka ndonjë xhirim ku shihet që i ka kryer veprimet për të cilat është akuzuar. Sipas dëshmisë së tij në gjyq, ai u akuzua për kundërvajtje në bazë të të dhënave fotografike të mbajtura nga policia nga një datë e mëhershme — përveç kësaj, ai thekson se rreth 100 njerëz po ballafaqohen me akuza identike.

Milica Pralica, kryetare e asociacionit të shoqërisë civile Oshtra Nula i cili promovon të drejtat e njeriut, thotë se masat policore ndaj protestuesve në dhjetor 2018 shënuan një moment të rëndësishëm sa i përket lirisë së fjalës dhe tubimit. 

“Prej atëherë, sistemi e ka shtypur qartazi tubimin e një grupi të caktuar të qytetarëve për të shprehur kundërshtitë dhe pakënaqësitë e tyre”, thotë ajo.

Pralica thekson se tubimet politike nuk po pengohen anembanë Republikës Serbe dhe posaçërisht Banja Llukës, por kjo nuk mund të thuhet për tubime jopolitike. 

“E kemi këtë maskë të demokracisë ku liderët opozitarë mund të protestojnë, por jo qytetarët”, thotë ajo. “Deri tani, tubimet publike, apo më mirë të them përdorimi i hapësirës publike, ka treguar se nuk respektohen të drejtat civile që garantohen nga rregullat lokale dhe ndërkombëtare”.

Masa kundër revolucioneve të ngjyrave

Lista e ndalesave vazhdon. Pasi anëtarët e lëvizjes Drejtësi për Davidin morën pjesë në Marshin për Ditën e Grave më 2019, aktivistët të cilët e kishin regjistruar ngjarjen u kërcënuan nga policia me akuza për kundërvajtje. 

Në fund të nëntorit 2019, Oshtra Nula e organizoi një konferencë të titulluar “Çështja e Lirive në Diskurse Akademike dhe Publike” që planifikohej të mbahej në Fakultetin e Filozofisë të Universitetit të Banja Llukës. 

Pas lajmërimit që një prej folësve ishte anëtar i lëvizjes Drejtësi për Davidin, menaxhmenti i fakultetit ndërruan mendjen dhe refuzuan që fakulteti të jetë nikoqir i ngjarjes. Pralica thekson faktin se në vitet e fundit — kur Oshtra Nula u bë partner me Institutin për Filozofi dhe Teori Shoqërore në Beograd — të gjitha edicionet e kësaj konference të përvjetshme u mbajtën në ndërtesën e fakultetit. 

Ngjarja e vitit 2019 u mbajt prapë se prapë — megjithëse në një hotel privat.

"Kundërshtimet e pashmangshme ndaj kufizimit të demokracisë duhet të kundërshtohen me pohime se Republika Serbe do të marrë forcë dhe do të lulëzojë."

Akademia e Arteve dhe Shkencave në RS, 2014

Drazhen Crnomat nga Qendra Shoqërore e Banja Llukës — ku mbahen një mori aktivitetesh për komunitetin — thotë se kriminalizimi i qartë i  lëvizjes Drejtësi për Davidin po del të përbëjë rrezik edhe për të drejtën për tubim të organizatave tjera. “Edhe përdorimi publik i fjalës ‘drejtësi’ është kriminalizuar nga ministria”, thekson Crnomat.

Ai e thekson presionin ndaj shoqërisë civile në të kaluarën, përfshirë këtu takimin e vitit 2014 “Revolucionet e Ngjyrave si Instrument për Transformim Gjeopolitik”. I mbajtur nga Akademia e Arteve dhe Shkencave në RS, takimi i prezantoi “masat kundër revolucioneve të ngjyrave”, term i përdorur nga mediat për ta përshkruar valën e protestave paqësore që filloi në vitet e 2000-ta në ish-Bashkimin Sovjetik, Kinë dhe Ballkan, që rezultoi me rënien e disa qeverive. 

Sipas përfaqësuesve të Akademisë, revolucionet e ngjyrave duhet të parandalohen me transportues të blinduar, ujë me ngjyrë, helmeta dhe mbrojtëse në gjithë trupin, mburoja për trazira, gazmaska, gaz lotsjellës, plumba të gomës, armë me energji elektrike, sprej piper, qenë, kuaj etj. Akademia e këshilloi Kuvendin Kombëtar të RS ta ekzaminojë ligjin për financimin e sektorit të OJQ-së që është i modeluar sipas legjislacionit të Shteteve të Bashkuara nga viti 1938.

“Kushdo që paguhet nga të huajt duhet të regjistrohet si agjent i interesave të huaja”, deklaroi Akademia, dhe shtoi që edhe pse këto organizata mund t’i vazhdonin aktivitetet e tyre, do të etiketoheshin si “agjentë të huaj’ në media nëpërmjet deklaratave zyrtare të zyrtarëve të RS.

“Kundërshtimet e pashmangshme ndaj kufizimit të demokracisë duhet të kundërshtohen me pohime se — përmes këtij ligji — Republika Serbe do të marrë forcë dhe do të lulëzojë, duke u mbështetur në përvojën dhe praktikat e vendit më demokratik në botë,” përfundoi takimi.

Për më shumë se një vjet, tubimet grupore publike në Banja Llukë praktikisht janë ndaluar. Madje edhe për një grup lodrash. Foto nga e-trafika.

Qeveria e RS i miratoi këto masa me shpejtësi. Aktivistët thonë se rezultat i kësaj është ngritja e niveleve të sigurisë deri në atë masë sa çdo tubim tani kërkon prani policore, edhe për ngjarje që janë vetëm pjesërisht të hapura për publikun.

“Janë vetëm të privilegjuarit dhe të persekutuarit”

Ndërkohë — pasi u ballafaqua me presion politik dhe u arrestua — babai i David Dragiçeviqit, Davor, u largua nga BiH; familja e Dragiçeviqit më pas vendosi ta transportojë trupin e Davidit në Austri, ku jeton nëna e tij, Suzana. Prindërit e Davidit po vazhdojnë ta luftojnë qeverinë e RS, dhe kanë thënë se nuk do të ndalen.

OJQ-të anembanë BiH kanë dorëzuar plot ankesa në të gjitha nivelet e qeverisë dhe në organizata ndërkombëtare në lidhje me brutalitetin policor dhe mohimin e së drejtës dhe lirisë për tubime publike. Megjithatë, asnjëra prej këtyre ankesave nuk ka rezultuar në veprime ligjore. 

“Interesant është që janë hedhur poshtë të gjitha paditë dhe akuzat penale që i kanë dorëzuar aktivistët në institucione ligjore. Kjo ndodh posaçërisht me akuza kundër zyrtarëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme”, thotë Blagiq.

"Gjëja më e rëndësishme është që njerëzit e thjeshtë ta zgjedhin anën — nëse zgjedhin si duhet, edhe ata janë të mbrojtur."

Tanja Topiq, Fondacioni Friedrich Ebert

Tanja Topiq, analiste politike dhe drejtoreshë e Zyrës së Fondacionit Friedrich Ebert në Banja Llukë, thotë se përpjekjet e qeverisë për t’i nënshtruar qytetarët deri sa të dorëzohen janë të suksesshme për shkak të fuqisë edhe më shkatërruese të heshtjes së shumicës.

“Në dy vjetët e fundit, kemi mësuar dhe kuptuar se nuk ka sundim të ligjit këtu — janë vetëm të privilegjuarit dhe të persekutuarit”, thotë Topiq.

Ajo e ilustron poentën e saj duke theksuar një prej kufizimeve të zbatuara si pjesë e reagimit ndaj pandemisë, atë që i ndalon tubimet publike me tre apo më shumë njerëz.

“Ky kufizim në lidhje me numrin e njerëzve që lejohen të takohen u prezantua si masë kufizuese gjatë emergjencës së shkaktuar nga pandemia COVID-19”, thekson ajo, dhe shton se pavarësisht të gjitha kufizimeve dhe ndalimeve të tubimit, të krishterët u mblodhën në kisha për t’i festuar Pashkët, madje gjatë orarit të izolimit brenda shtëpive.

“Thjesht po them që nuk jemi të gjithë të barabartë këtu, rregullat nuk janë të njëjta për të gjithë”, thotë ajo. “Janë disa që shkelin mbi këto rregulla, ndërsa gjëja më e rëndësishme është që njerëzit e thjeshtë ta zgjedhin anën. Nëse zgjedhin si duhet, edhe ata janë të mbrojtur, pa marrë parasysh shkeljet e tyre”. 

Autori dhe aktivisti Srgjan Shushnica, një kritik i kahmotshëm dhe i zëshëm i të gjitha niveleve të qeverisë në BiH i cili u largua nga vendi pasi u kërcënua disa herë, thotë se autoritetet e RS-së e kanë përdorur pandeminë për ta “legjitimuar dhe imponuar formalisht gjendjen e lirive të kufizuara të mendimit, shprehjes, kritikës dhe lëvizjes — gjendje e diktaturës e cila në thelb ka qenë e vendosur me vite të tëra”. 

“Regjimi e ka armatosur dhe militarizuar policinë në RS edhe më parë, duke e përgatitur për konflikt me ‘armiq të jashtëm dhe të brendshëm’”, thotë ai. “Edhe më parë, policia dhe lidershipi politik i RS-së kanë pasur pushtet të pakufizuar dhe të pakontrolluar nga kushtetuta, ligji apo çfarëdo institucioni tjetër”. 

Pas përhapjes së pandemisë, aktivistët në RS po mbajnë profil të ulët. 

Megjithatë, ata kanë frikë se të drejtat dhe liritë e tyre, si dhe ato të të gjithë njerëzve që jetojnë në këtë pjesë të BiH, mund të rrezikohen edhe më shumë kur të kthehen gjërat në ‘normalitet’, ku të gjithë disidentët konsiderohen armiq. Përfshirë edhe lodrat.K

Imazhi i ballinës nga eTrafika.