Pikëpamje | Ngacmimi Seksual

Kush i përfaqëson studentët e Universitetit të Prishtinës?

Nga - 21.11.2023

Organizatat studentore i bashkohen heshtjes së universitetit për ngacmimet seksuale.

Në fillim të nëntorit, KOSOVO 2.0 botoi një hulumtim të hollësishëm që dëshmon se ngacmimet dhe sulmet seksuale janë edhe të pranishme e edhe të vazhdueshme nëpër fakultetet të Universitetit të Prishtinës (UP).

Hulumtimi ofron një pamje të qartë rreth kësaj çështjeje, teksa tregon rezultate të një ankete të realizuar me mbi 300 studente e studentë, 100 prej të cilave/ëve thanë se kanë përjetuar ngacmim seksual. Po ashtu, shpalos përvoja të hollësishme të të mbijetuarave të abuzimit seksual në UP, përfshirë studente dhe ish-studente. 

Hulumtimi vë në pah jo vetëm shpeshtësinë alarmante të rasteve të ngacmimeve seksuale, por sidomos pasivitetin, heshtjen dhe mosgatishmërinë e UP për të vepurar kundër ngacmimit. 

Siç ma merr mendja ka ndodhur për shumë studente/ë të tjera/ë, gjetjet e këtij hulumtimi janë qenësore, por jo befasuese. Si studente e UP, jam dëshmitare e ngacmimeve të ndryshme seksuale, verbale e joverbale, që ndodhin brenda hapësirave të universitetit. Rrëfimet e shpeshta nga koleget e mia rreth sjelljeve të profesorëve, të cilët ngacmojnë sistematikisht studentet, më janë bërë pjesë e trishtueshme, por e pashkëputur e jetës akademike tash e tri vjet. 

Në këto rrethana, është veçanërisht shqetësuese të di se kundrejt këtyre akteve të përsëritura të ngacmimit seksual, ndaj autorëve nuk janë marrë masa serioze ndëshkuese, duke shfaqur se nuk ka drejtësi për të mbijetuarat/et e rrjedhimisht as siguri për mua e studentët/et tjerë/a. 

Sot, më shumë se kurrë, është e nevojshme të flasim haptaz për (pa)sigurinë në UP. Kjo, sidomos kur dihet se niveli institucional dhe menaxherial i UP vazhdimisht ka treguar mungesë të vullnetit për të ndërmarrë hapa konkretë për të trajtuar këtë problem, duke tentuar t’a anashkalojnë dhe refuzojnë ekzistencën e tij. 

Ky boshllëk që universiteti lë duke refuzuar të pranojë ekzistencën e ngacmimit seksual dhe duke lejuar normalizimin e tij do të duhej të ishte mbushur nga organizatat studentore, të cilat në vend se ta refuzonin heshtjen, iu bashkuan asaj.

Organizatat studentore të heshtura

Organizatat studentore janë grupe të strukturuara të studentëve brenda UP. Ato janë formuar me qëllimin e përfaqësimit, mbrojtjes dhe përparimitt të interesave dhe të drejtave të studentëve. Antarësimi në këto organizata është i hapur për të gjithë studentët e UP, duke u ofruar atyre mundësinë të marrin pjesë aktivisht në jetën studentore dhe të kontribuojnë në ndryshimet pozitive në mjedisin e tyre akademik. 

Çdo dy vjet, organizatat studentore garojnë në zgjedhje për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në Parlamentin Studentor (PS) dhe në Këshillat e Studentëve në njësitë akademike të universitetit.

Ato ushtrojnë ndikim nëpërmjet dy mekanizmave kryesorë. Së pari, të zgjedhurit nga këto organizata në PS, kanë mundësinë të votojnë në Senat, organin më të lartë akademik të universitetit. Brenda Senatit, studentët zotërojnë shtatë vota, duke i bërë ata zë me ndikim në vendimmarrje. Së dyti, këto organizata veprojnë si urë lidhëse mes personelit akademik e administrativ dhe studentëve, nëpërmjet Këshillave të studentëve, në çdo fakultet. Këto Këshille janë forume ku studentët mund të shprehin shqetësimet dhe sugjerimet e tyre, të diskutojnë çështje të rëndësishme dhe të ndikojnë në politikat dhe praktikat e fakulteteve respektive.

Siç e vë në pah hulumtimi, një çështje që pengon drejtpërsëdrejti dhe kaherë jetën studentore është ngacmimi seksual. Ai është aq i shpeshtë dhe aq i njohur, sa do të ishte thjesht e logjikshme që kundërshtimi i ngacmimit seksual të jetë pjesë përbërëse e të të menduarit e secilës organizatë. Ky do të ishte minimumi.

Por, kjo nuk ka ndodhur as para botimit të hulumtimit e nuk ndodhi as pas botimit të tij. Në zgjedhjet e fundit studentore, mbajtur në maj të vitit 2022, organizatat studentore nuk e kanë përmendur fare këtë çështje. Fushatat e tyre zgjedhore u përqendruan kryesisht në çështje si digjitalizimi (një çështje që nuk është direkt nën kontrollin e studentëve) dhe në adresimin e kërkesave të tjera si organizimin e konferencave dhe vizitave studimore në rajone më gjerë. 

Për gjetjet e hulumtimit që shpërfaqin se sa i pasigurt është UP për studentet/ët, PS, që prej dy vitesh është udhëhequr nga koalicioni i organizatave Reforma dhe Studim Kritikë Veprim (SKV), nuk bëri zë. Postimi i fundit, i datës 7 nëntor (gjashtë ditë pas botimit të hulumtimit), në faqen zyrtare të PS është njoftimi për formimin e koalicionit të ri udhëheqës, tash midis organizatave SKV dhe UDS-USPE-OPS. Asnjëra prej gjashtë organizatave që kandiduan në zgjedhjet studentore të vitit 2022 nuk reaguan.

Prej fillimit të vitit, PS poston komunikata të ndryshme për hapje konkursesh e shpallje rezultatesh, pjesëmarrje të përfaqësuesve të tyre nëpër konferenca e panaire nëpër botë e ndeja për pritjen e studentëve të rinj. Por, jeta studentore nuk është kaq e pasur e me kaq shumë mundësi për plot prej studenteve që kanë përjetuar ngacmim seksual ndër vite. Prapëseprapë, as edhe një postim të vetëm lidhur me ngacmimin seksual. 

Studentët/et e UP kanë parë se sa të gjalla mund të jenë këto organizata, kur ato duan. Ato kanë organizuar marshe e aksione simbolike për gjithfarë çështjeje. Ka pasur organizime për shënimin e përvjetorit të demonstratave studentore, përzgjedhjen e rektorëve, emërtimin e universitetit e deri te marshi kundër formimit të asociacionit të komunave me shumicë serbe. 

Për ngacmimin seksual, heshtje. Pos Lëvizjes Feministe Studentore që, me të botuar të hulumtimit, realizoi një varg aksionesh simbolike, asnjë nga organizatat tjera studentore nuk e prishën rehatinë e universitetit, që tash e sa kohë hesht edhe vetë përballë ngacmimit seksual. 

Çdo ditë që kalon me heshtje, këto organizata dështojnë të përmbushin funksionin e tyre themelor. Secila ditë që kalon pa asnjë reagim, deklaratë e solidaritet për viktimat e ngacmimit e sulmit seksual është ditë ku këto organizata pajtohen me fshehjen e ngacmimit. 

Heshtja, si ngacmimi seksual janë të pajustifikueshme.  

Organizatat studentore duhet të sillen si të tilla

Organizatat studentore janë struktura të rëndësishme të universitetit në veçanti dhe shoqërisë në përgjithësi. Ato thirren si përfaqësuese të një grupi qenësor të shoqërisë dhe si të tilla duhet të sillen. Mobilizimi i thellë kolektiv i një grupi kaq të madh shoqëror, qëmoti na ka dëshmuar se ka fuqi jo vetëm për të ngritur zërin kundër padrejtësive e për të sfiduar normat ekzistuese, por edhe për të shtyrë përpara çdo kauzë brenda a jashtë universitare.

Për të qenë të tilla, këto organizata duhet të shkoqiten nga karavani institucional i pushtetshëm i UP, që hesht, e duhet të reflektojnë seriozisht lidhur me arsyen e ekzistencës së tyre, detyrat e përgjegjësitë që kanë dhe të angazhohen aktivisht e vazhdimisht për jetë më të mirë studentore për të gjithë. 

Kështu, organizatat duhet të ndalojnë së imituari UP së pari, e së dyti, duhet të mos sillen si  disa parti politike, që llogarisin vota e çdo lëvizje e bëjnë në emër të afrimit me pushtet. Pushteti nuk duhet të bëhet kauza e tyre, siguria, dinjiteti dhe mirëqenia e studentëve/eve, po.  

Ato duhet të kuptojnë tashmë se lufta kundër ngacmimeve seksuale nuk është shqetësim vetëm i aktivisteve/ëve feminsite/ë në UP, por i gjithë shoqërisë dhe shtetit. Në fund të ditës, universiteti është veç një segment i asaj me çka gratë në Kosovë përballen çdo ditë, në shtëpi, shkollë, rrugë, në punë. Kjo shpërndarje e ngacmimit nëpër gjithë strukturat e shoqërisë kërkon kundërpërgjigje kolektive përmes angazhimit të përbashkët për të krijuar mjedise të sigurta për të gjithë. Organizatat studentore duhet të prijnë në këtë angazhim. 

Si studente e UP nuk ndihem e sigurt kur hesht universiteti. E kur heshtin edhe organizatat studentore, kjo pasiguri bëhet e padurueshme. Tolerimi në heshtje i situatës prodhon normalizim të ngacmimit e sulmit seksual dhe rehati vetëm për ngacmuesit. Heshtja e atyre që supozohet të na përfaqësojnë i kontribuon kulturës së stigmatizimit të të mbijetuarave/ëve të abuzimit seksual. 

Heshtja e tyre nuk më përfaqëson mua e sigurisht, nuk i përfaqëson studentët/ët, së pari ato/a 100 që në anketë thanë se kanë përjetuar ngacmim seksual dhe së dyti, të tjerat/ët, që në një kontekst të heshtjes vazhdojnë të përballen me rrezikun e ngacmimit seksual. UP duhet të bëhet vend i sigurt. Cikli duhet të thyhet.

Imazhi i Ballinës: Atdhe Mulla / K2.0

 

*Shënim i redaksisë: Në versionin origjinal të këtij artikulli thuhej pasaktësisht se organizatat studentore garojnë në zgjedhje çdo katër vjet, kur në fakt, organizatat garojnë çdo dy vjet. Më 23.11.2023 fjala “katër” është korrigjuar dhe është bërë “dy”.

Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi vetëm e K2.0. Pikëpamjet e shprehura në të janë të autorit/es dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e K2.0.

A jeni kurreshtarë ta dini se si financohet gazetaria që prodhojmë? Klikoni këtu për të mësuar më shumë.

  • 22 Nov 2023 - 11:57 | Denis Krasniqi:

    Blenda, fillimisht pergezime per artikullin dhe per raportin e hulumtimit. Me lejo qe te te kundershtoj ne disa pika te ketij artikulli. 1. Zgjedhjet studentore mbahen cdo 2 vite dhe jo 4 ashtu sic e keni shkruar ju. 2. Nese Parlamenti Studentor ka ndihmuar zhvillimin e hulumtimit permes mekanizmave te tij(Shperndarje, thirrje per ta plotesuar anketen) a e konsideroni edhe kete heshtje? 3. Me lejo qe te te njoftoj poashtu qe Senati nuk ka mbajtur mbledhje qe nga data 28.10.2023 rrjedhimisht ka qene e pamundur te ngritet si teme ne Senat. 4. A ka pasur ftese per Organizatat studentor ose PS ne publikim ose a eshte shperndare raporti edhe me to?

KOMENTO