Blogbox | Politika

Kush o ma i forti?

Nga - 25.07.2018

Popujt në Ballkan janë më të ngjashëm sesa që mendojnë.

Hapësira jonë gjeografike, Ballkani, nuk është një territor edhe aq i madh, por ka karakteristika të theksuara demografike, gjuhësore e etnike të cilat, mbase, e bëjnë këtë pjesë të Europës mjaft interesante. Dhe, mbase fatkeqësisht, po ashtu mjaft ekzotike.

Në këtë turli tavë (melting pot?!) ballkanike, secili prej grupeve etnike përpiqet të dallohet prej tjetrit, t’i nxjerrë në pah ato veçori të cilat atë e bëjnë më të mirë, më fisnik, më të parë, me më shumë të drejta historike – dhe rrjedhimisht edhe politike megjithëse kjo rrjedhë argumenti në vetvete është e qelbur.

Për t’u theksuar këto dallime të mëdha janë zhvilluar luftëra të shumta, si në kuptimin klasik të fjalës ashtu edhe në rrafshin shkencor, intelektual, politik, me qëllimin e vetëm që këto dallime të mëdha të bëhen dallime edhe më të mëdha. Por kur njëri grup etnik korrte fitore në këtë rrafsh të spikatjes së dallimeve, tjetri nuk vonohej ta kopjonte dhe t’ia kalonte me theksimin e dallimit.

Në këtë pikë definitivisht kemi nevojë të japim disa shembuj, që kjo orvatje të mos tingëllojë shumë shkencore.

Nëse pyetjen në shqip: çka s’kemi mësuar nga fqinji e mbarojmë me një pikëçuditëse, ajo na kthehet në një fjali habitore, që deri diku e ka kuptimin: s’lëmë gjë pa mësuar nga fqinjët tanë ose në të folmen tonë të përditshme: çka s’nin njeri. E shihni si bën shqipja mrekullira? Shqipja gjuha, jo shpendi.

Kemi mësuar si t’i glorifikojmë humbjet. Serbët (dhe këtu e kam fjalën për një narracion zyrtar, ose politik dhe jo për një popull të tërë) e tjerrë Betejën e Kosovës e cila kalon në mitomani. Na tregon për një Millosh Obiliq (ose Millosh Kopiliqi, pse jo?!) i cili kalon shumë roje të sulltanit pushtues, shkon te tenda e tij dhe e vret.

Tregimin besoj e dimë të gjithë. Popujt e Ballkanit nën flamurin e carit ballkanik e humbin betejën, luftën dhe gjithçka por kjo është njëra prej fitoreve më të lavdishme të popullit serb. E njëjta gjë përsëritet përgjatë historisë, megjithëse mitet zbuten sa më shumë që i afrohemi kohëve moderne, dhe kjo është e kuptueshme.

Në vend se të konsiderojmë se: humbja nuk është diçka e mirë, humbjet nuk glorifikohen, e vërteta është e dobishme qoftë edhe në disfavorin tonë, ne mësojmë nga fqinjët tanë dhe e bëjmë të njëjtën gjë. Fillojmë me faktin se Millosh Kopiliqi ka qenë shqiptar, vazhdojmë përgjatë historisë (me nja 400 vjet terr informativ gjatë Perandorisë Osmane) dhe vijmë te betejat e fundit të Kosovës. Te epopetë.

Dhe meqë unë jam dashamir i gjuhës, e shfletoj fjalorin siç i shfletojnë fëmijët librat me vizatime.

Fjalori i gjuhës shqipe:

EPOPE f.

  1. Lloj i letërsisë epike, poemë e madhe epike ose vepër e madhe tregimtare ku përshkruhen ngjarje e punë legjendare historike, që kanë të bëjnë me jetën e një populli a të një kombi. Epopetë e Homerit. Shkruaj një epope.
  2. fig. Ngjarje ose varg ngjarjesh heroike e me rëndësi historike në jetën e një populli. Epope e lavdishme. Epopeja e Luftës Nacionalçlirimtare. Epopeja e Krujës.

Ne kemi aq shumë epope të luftës së fundit saqë mund të themi me plot krenari se edhe njiqind vjet s’do t’na e kalojë asnjëri në rajon në këtë rrafsh. Për fatkeqësinë tonë, këto epope përcillen me vrasjet makabre të civilëve, që në një luftë burrërore, frontale, nuk konsiderohen fort gjëra me të cilat njeriu krenohet.

Megjithëse nuk kam shumë informata për epopetë e Bosnjës, për Kosovë gjithashtu e di që e kemi një shifër fiktive të 20,000 të dhunuarve të luftës. Ky numër kurrë nuk është mbështetur në ndonjë të dhënë empirike. Mbase këtë numër e kemi marrë nga Bosnja ku kanë ndodhur dhunime të tmerrshme sistematike. Këtu jemi në avantazh.

Kosova : Rajoni 1 – 0

Temë e rëndë. Po kalojmë pak të programi argëtues.

Çdo sport, madje edhe aktivitetet artistike, duhet të përcillen me krenari kombëtare, duhet të përcillen me spikatjen e superioritetit ndaj tjetrit. Ndeshja e futbollit në kampionatin botëror ndërmjet Serbisë dhe Zvicrës (a bën ta përsëris; ndërmjet Serbisë dhe Zvicrës) nuk do ta kishte pasur hirin që e kishte sikur Gjaka dhe Shaqiri të mos e bënin shqiponjën pas golave të shënuar.

Fitorja nuk është fitore nëse nuk përcillet me urrejtje kombëtare. Ngjarjet para dhe pas kësaj ndeshjeje e mbështesin argumentin e fundit.

Ndeshja e futbollit ndërmjet Shqipërisë dhe Serbisë, në Beograd, u ndërpre pasi një fluturake e Ballistit (emër interesant, me prapashtesën ist) me një hartë interesante fluturoi mbi stadium. Ndeshja u ndërpre. Kush fitoi?

Kosova – Rajoni 0 – 0

Po kthehemi te temat e vështira. Shqiptarët janë pellazgë, ilirë. Bosnjakët janë ilirë. Kroatët janë ilirë. Serbët janë popull hyjnor (nebeski narod).

Nëse makineria kuazishkencore serbe ka bërë çmos ta nxjerrë në pah prejardhjen e popullit të vet me mit(omani) të papara, dhe nëse ne deri vonë nuk kemi qenë në gjendje t’i japim një kundërpërgjigje, dalëngadalë po e marrim veten dhe po korrim suksese në këtë rrafsh.

Megjithëse antifashizmi është vlerë mbarënjerëzore, popujt e këtushëm dalëngadalë i rehabilitojnë kriminelët e regjur të luftës.

Mua më pëlqejnë argumentet që nxjerrin një lidhje logjike ndërmjet pellazgëve-ilirëve dhe shqiptarëve duke u nisur nga argumenti gjuhësor, por problemi është që ka shumë pak fakte të prekshme për të nxjerrë përfundime empirike për këtë. Dhe nuk rreshtohem krah atyre që konsiderojnë se sulmit duhet t’i përgjigjesh me një kundërsulm edhe më të poshtër.

Është mirë që në këtë përplasje të mos e harrojmë edhe Maqedoninë në krye me Aleksandrin e Madh dhe Shkupin 2014 (që në fakt ishte shqiptar? grek? grek i lashtë?)

Edhe këtu, rezultati duhet të jetë i barabartë.

Kosova – Rajoni 0 – 0

Megjithëse antifashizmi është vlerë mbarënjerëzore, popujt e këtushëm dalëngadalë i rehabilitojnë kriminelët e regjur të luftës. Jemi dëshmitarë të rehabilitimit të ustashëve në Kroaci, të çetnikëve në Serbi, dhe ne dalëngadalë po mësohemi nga fqinjët ta bëjmë të njëjtën gjë. Por, neve po na mungon guximi. Na mungon guximi të themi se fashizmi na ka bërë mirë, e partizanët na kanë prerë. Na mungon në nivel zyrtar, jo në nivel odash.

Megjithatë, makineria dhe logjistika e zhvilluar i jep avantazh rajonit në këtë rrafsh. Prandaj:

Kosova – Rajoni 0 – 1

Ne, shqiptarët, njihemi për mikpritje, fisnikëri, bujari, gjakmarrje, gjakfalje e kështu me radhë. Për më tepër, këto i kemi të kodifikuara në Kanunin e famshëm të Lek Dukagjinit. Por, për fatin tonë të keq, me këto veçori mburren edhe popujt në rajon. Këto cilësi (pos gjakmarrjes) janë njerëzore dhe mbase duhet t’i ketë çdo njeri i arsyeshëm. Porse ne i kemi të kodifikuara. Këtu fitojmë bindshëm:

Kosova – Rajoni – 1 – 0

Ka aq shumë aspekte dhe rrafshe sociale të cilat flasin për ngjashmërinë tonë (të papërballueshme). Merreni një kroat, serb, boshnjak, maqedon, shqiptar, malazez (për ta bërë më interesante, merreni edhe ndonjë bullgar e turk) me karakteristika të ngjashme sociale, ekonomike e moshore, dhe shihni se a mund ta dalloni, ta zëmë, maqedonin në atë grup. Nëse s’muneni, diçka nuk është në rregull me ju. Ose me ata.

Po të merrnim gjëra të mira nga njëri-tjetri, t’i sulmonim fuqishëm poshtërsitë brenda nesh (së pari) dhe pastaj te tjetri, po t’i veçonim dhe t’i vlerësonim të mirat që i ka tjetri dhe të punonim për përmirësimin e dobësive brenda nesh, punët do t’i kishim shumë më mirë dhe nuk do të ishim aq ekzotikë. Nuk e di a do të kishte kjo ndikim në turizëm.

Rezultati përfundimtar:

Kosova – Rajoni 1 – 0

Për fund, ju rekomandoj ta shikoni një film dokumentar i cili, besoj, i shkon për shtati kësaj që thashë këtu. Filmi është mjaft i hareshëm dhe quhet: “E kujt është kjo këngë?”.

Shikim të këndshëm!

Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO

Kthehu n'fillim

THANKS FOR YOUR COMMENT

AFTER A QUICK CHECK IT WILL BE PUBLISHED HERE. PLEASE BE PATIENT.

THANKS FOR SUBSCRIBING

THANKS FOR YOUR COMMENT

AFTER A QUICK CHECK IT WILL BE PUBLISHED HERE. PLEASE BE PATIENT.