Në thelb | Politika

Kush po e kërkon çelësin e Prishtinës?

Nga politikanët me përvojë te emrat e rinj, këta janë kandidatët që synojnë ta fitojnë besimin e kryeqytetasve.

Prishtina shihet si trofeu më i madh në garën për pushtetin lokal dhe, si e tillë, merr vëmendjen më të madhe në zgjedhjet lokale. Si qyteti më i populluar në vend, qendra më e madhe institucionale, ekonomike e politike, Prishtina është barometër për matjen e fuqisë politike të një partie. Fitorja apo humbja në Prishtinë mund të jetë tregues i prirjeve më të gjera elektorale dhe ndikimit të një partie në nivel kombëtar.

Edhe partitë politike e trajtojnë garën për Prishtinën si prioritet strategjik. Kalkulimet për kandidaturat nisin shumë herët ndërsa investimet në fushatat për kryeqytetin janë zakonisht më të mëdha se në qytetet tjera.

Për 13 vjet me radhë, që nga paslufta, Prishtina u udhëhoq nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), e cila arriti ta mbajë kryeqytetin për katër mandate rresht. Por, në vitin 2013, besnikëria e kryeqytetit ndryshoi. Lëvizja Vetëvendosje (LVV), me kandidatin Shpend Ahmeti, rrëzoi dominimin e LDK në Prishtinë. Kjo ishte fitorja e parë e madhe e LVV në një komunë kyçe, duke shënuar një moment vendimtar në konsolidimin e saj si forcë politike.

Mbi të gjitha, fitorja e LVV në kryeqytet u interpretua si një tregues se qytetarët e Kosovës ishin të gatshëm për ndryshim, prirje që do të reflektohej më vonë edhe në zgjedhjet në nivel vendi.

Fitorja e Ahmetit fillimisht u prit me entuziazëm, duke e pozicionuar atë si simbol të një modeli të ri qeverisës. Megjithatë, ky entuziazëm u zbeh me kalimin e kohës dhe u përcoll me kritika të shumta, veçanërisht pas largimit të Ahmetit nga LVV në mes të mandatit të tij të dytë dhe rreshtimit me Partinë Socialdemokrate (PSD). Kjo parti ishte formuar pas një përçarjeje të thellë brenda LVV, kur disa prej figurave kyçe u larguan nga LVV. Mungesa e rezultateve në qeverisje, bashkë me kalimin e Ahmetit në PSD, nxiti zhgënjim te një pjesë e elektoratit që më parë e kishte mbështetur fuqishëm, duke shkaktuar rënie të dukshme në mbështetjen publike.

Në zgjedhjet lokale të vitit 2021, LDK u rikthye në pushtet pas një pauze tetë-vjeçare. Ajo garoi me një kandidat jashtë strukturave të saj tradicionale, arkitektin Përparim Rama, i cili ndërtoi fushatën bazuar në reputacionin e tij ndërkombëtar dhe mbi një vizion për të qeverisur një burokraci të ndërlikuar të qytetit, që karakterizohej me ndarje politike, si një urbanist dhe idealist, siç kishte thënë ai, jo si politikan apo pjesë e strukturave të LDK.

Në anën tjetër, LVV kandidoi Arben Vitinë, ish-ministër i Shëndetësisë dhe njëri prej figurave më të profilizuara të partisë. Ai konsiderohej favorit dhe në rundin e parë të zgjedhjeve siguroi një epërsi prej 16% ndaj Ramës. Megjithatë, në balotazh, rezultatet ndryshuan në favor të Ramës. Bashkë me mbështetjen e kundërkandidatit Uran Ismaili nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), i cili i ofroi mbështetje Ramës, ky i fundit arriti ta përmbysë rezultatin dhe të fitojë me 51.06% të votave, duke e rikthyer Prishtinën nën udhëheqjen e LDK.

Katër vite më pas, garës për Prishtinën po i hyjnë fytyra të njohura dhe emra të rinj. LDK po e rikandidon Ramën, ndërsa PDK ka vendosur sërish për Ismailin, i cili në zgjedhjet e vitit 2021 arriti rezultat të paprecedentë për PDK në Prishtinë, me 21.69% të votave të përgjithshme.

LVV ia ka besuar kandidaturën ministrit në dorëheqje të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çekut, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka kandiduar Bekë Berishën, i cili në zgjedhjet e kaluara garoi si kandidat për kryetar të Istogut. Garës i është bashkuar edhe e vetmja grua, Besa Shahini, kandidate e PSD, e cila, pas një periudhe larg skenës publike, e ka nisur fushatën e saj drejtpërdrejt në rrugët dhe lagjet e Prishtinës. Ndërkohë, partia Alternativa ka propozuar Merkur Beqirin, ndërsa garës i është shtuar edhe Fatmir Selimi si kandidat i pavarur.

Kandidatët që i janë futur garës për Prishtinën po ofrojnë propozime për zgjidhje për po të njëjtat probleme që ua rëndonin jetën qytetarëve edhe në zgjedhjet e kaluara. Çështjet të cilat pritet t’i formësojnë programet e tyre politike përfshijnë trafikun paralizues dhe infrastrukturën e pafavorshme për këmbësorë; ndotjen vdekjeprurëse të ajrit gjatë dimrit dhe mungesën thelbësore të hapësirave të gjelbra; bumin e pakontrolluar të ndërtimeve; çmimin në rritje të qirave dhe numrin e madh të banesave të zbrazëta; keqmenaxhimin e vazhdueshëm të mbeturinave dhe qenve endacakë.

Zgjedhjet lokale janë caktuar për 12 tetor, por fushata jozyrtare ka nisur tashmë. K2.0 sjell profilet e kandidatëve që synojnë ta marrin drejtimin e Prishtinës, prapavijën e tyre politike e profesionale, si dhe ofertat që po paraqesin për kryeqytetasit.

Imazhi i ballinës: Ferdi Limani / K2.0

Në Kosovo 2.0, përpiqemi të jemi shtyllë e gazetarisë së pavarur e me cilësi të lartë, në një epokë ku është gjithnjë e më sfiduese t’i mbash këto standarde dhe ta ndjekësh të vërtetën dhe llogaridhënien pa u frikësuar. Për ta siguruar pavarësinë tonë të vazhdueshme, po prezantojmë HIVE, modelin tonë të ri të anëtarësimit, i cili u ofron atyre që e vlerësojnë gazetarinë tonë, mundësinë të kontribuojnë e bëhen pjesë e misionit tonë.