Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur në favor të kërkesës së Vetëvendosjes (VV) për ta pezulluar përkohësisht dekretin e presidentit që do t’i hapte shteg krijimit të qeverisë së re pa përfshirjen e partisë ngadhënjyese në zgjedhjet e vjetme.
Me shumicë votash, gjykata pezulloi zbatimin e dekretit, i cili do të mandatonte kandidatin për kryeministër nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) Avdullah Hoti për ta formuar një qeveri të re, deri më 29 maj.
Hashim Thaçi nxori dekretin presidencial të enjten (më 30 prill) vetëm disa minuta pas orës 16 — mu në kohën kur institucionet po i mbyllnin dyert për tri ditë pushimi.
Rreth asaj kohe, kreu i grupit parlamentar të LDK-së Arben Gashi i kërkoi Kryesisë së Kuvendit ta caktojë një seancë të jashtëzakonshme të shtunën (më 2 maj) për ta votuar qeverinë e re. “I kemi numrat; kërkesa është bërë me 61 nënshkrime të deputetëve”, kishte thënë në një konferencë për shtyp pas dorëzimit të kërkesës.
Shtrirja kohore e hapave të bërë nga Thaçi dhe udhëheqësia e LDK-së është parë nga Vetëvendosja si përpjekje për t’i anashkaluar proceset e rregullta demokratike.
Meqë e premtja (1 maji) ishte festë zyrtare për Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, VV-ja u ngut për ta dorëzuar dekretin pranë Gjykatës Kushtetuese për shqyrtim, duke i kërkuar asaj të shpallë masë të përkohshme për pezullim. Pasi që ishte e vetëdijshme se VV-ja planifikonte ta sfidonte kushtetutshmërinë e secilës përpjekje për të formuar një qeveri pa ta, si fituesit e zgjedhjeve të fundit, gjykata vendosi të punojë pas orës 16 në mënyrë që ta pranonte kërkesën, e cila u dorëzua pas një ore.
Shtrirja kohore e hapave të bërë nga Thaçi dhe udhëheqësia e LDK-së është parë nga Vetëvendosja si përpjekje për t’i anashkaluar proceset e rregullta demokratike.
Kreu i grupit parlamentar të VV-së Rexhep Selimi u foli gazetarëve pas dorëzimit të kërkesës të enjten pasdite: “jo rastësisht në këtë kohë, kur po përfundon java e punës, kur dihet që nesër është festë zyrtare dhe pastaj pason edhe vikendi, presidenti është kujdesur bashkë me bashkëpunëtorët e tij të cilët po ia kërkojnë këtë dekret, që qoftë Gjykatën Kushtetuese, qoftë administratën ta zë të pushuar”.
Hoti ka thënë të enjten në një postim në Facebook se votimi i qeverisë së re do të ndodhte “në mënyrë demokratike” dhe se “asnje shkronjë e Kushtetutës nuk do të cenohet, përkundrazi, ajo do të respektohet e lartësohet”.
Në një konferencë për shtyp të mbajtur më vonë, Hoti ka thënë se “në cilësinë e mandatarit, gjatë tri ditëve të fundit”, ai i ka përmbyllur të gjitha marrëveshjet me partnerët e koalicionit.
“Kabineti i ri do të ketë 16 ministri — ende nuk është caktuar kabineti qeveritar,” ka thënë ai. “Kemi bërë një riorganizim të ministrive, te pjesa e ministrisë së ekonomisë i kemi bërë disa ndryshime”.
Qeveria në detyrë e udhëhequr nga VV-ja ka zvogëluar numrin e ministrive prej 21 në 15 pas hyrjes në detyrë më 3 shkurt, para se të rrëzohej me kalimin e një mocioni të mosbesimit të inicuar nga partneri LDK vetëm 52 ditë më vonë në vlugun e kundërveprimeve ndaj pandemisë së COVID-19.
Ndërsa vendi po hyn në fundjavën e fundit të kufizimeve të rrepta kundër pandemisë para një lehtësimi shkallëzor që pritet të nisë të hënën, tash publiku përballet me paqartësi të mëtutjeshme lidhur me zhvillimet politike.
Tensionet e shtuara politike
Mosmarrëveshjet publike mes liderëve janë shkallëzuar në nivele të reja ditëve të fundit pasi që u bë e qartë se Thaçi mësynte t’ia jepte mandatin për formimin e qeverisë së re LDK-së, e cila doli e dyta në zgjedhjet e 6 tetorit.
Pas mocionit të mosbesimit ndaj koalicionit qeveritar mes LDK-së dhe VV-së më 25 mars, Thaçi i dërgoi disa letra liderit të VV-së dhe kryeministrit në detyrë Albin Kurtit, duke i kërkuar ta përzgjedh një kandidat të ri për kryeministër. Kurti u përgjigj duke e pyetur presidentin përse këmbëngul për krijimin e një qeverie të re gjatë emergjencës shëndetësore të shkaktuar nga COVID-19 dhe duke nënvizuar se mënyra e vetme për të dalë nga kriza kushtetuese është me shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme kur të kryhet pandemia.
VV-ja konsideron se lëvizja për t’ia dhënë mandatarin LDK-së është kundër Kushtetutës dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014, i cili thotë: “Presidenti është i autorizuar dhe i obliguar, sipas nenit 95, paragrafi 1, të Kushtetutës: Presidenti i Republikës së Kosovës i propozon Kuvendit kandidatin për Kryeministër, në konsultim me partinë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën e nevojshme në Kuvend për të formuar Qeverinë”.
Në një takim me përfaqësuesit e partive më 22 prill, Thaçi ka thënë se do t’i ofrojë mandatin për formimin e qeverisë së re cilësdo parti ose koalicion “që siguron shumicën parlamentare”, pasi të gjitha partitë përveç VV-së theksuan vullnetin për ta formuar një qeveri të re pa nevojën e zgjedhjeve të parakohshme.
Përfaqësuesja e VV-së që ishte e pranishme në takim, Ministrja në detyrë e Drejtësisë Albulena Haxhiu kishte thënë: “nuk mund ta formoni qeverinë pa partinë fituese”.
Kthimi në të ardhmen
LDK-ja e konfirmoi gatishmërinë për ta formuar një qeveri të re, dhe prej asaj kohe ka mbajtur bisedime me shumicën e partive parlamentare — përpos PDK-së, lideri i së cilës, Kadri Veseli, ka thënë se nuk do të jetë pjesë e qeverisë së re.
Pa votat e VV-së dhe PDK-së — të cilat kanë 29 dhe 24 deputetë në Kuvend respektivisht — LDK-së i duhet mbështetja e partive të vogla në mënyrë që t’i sigurojë 61 votat e nevojshme për ta formuar qeverinë; në praktikë, kjo do të përfshinte Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) me 13 deputetë, Nismën me katër deputetë, Aleancën Kosova e Re (AKR) me dy deputetë, 10 deputetët e Listës Serbe dhe së paku katër vota nga 10 deputetët e komuniteteve pakicë joserbe të grupit parlamentar 6+.
Marrëveshja e parë që arriti LDK-ja ishte me AAK-në e Ramush Haradinajt — AAK-së i janë ofruar katër ministri dhe pozita e një zëvendëskryeministri.
Dy ministra të propozuar nga AAK-ja janë pritur me kritika të rënda publike.
Meliza Haradinaj-Stublla ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë për mosdeklarimin e një biznesi në Agjencinë Kundër Korrupsionit.
Propozimi i Ramë Likajt për drejtues të Ministrisë së Arsimit është denoncuar publikisht nga ORCA, një OJQ që përqendrohet në proceset akademike të arsimit të lartë, e cila nënvizon se Likaj ishte “një nga profesorët e avancuar përmes plagjiaturës dhe mashtrimit akademik” në “skandalin më të madh të Universitetit të Prishtinës”.
Propozimi tjetër ministror i AAK-së që është pritur me kritika të shumta është ai i Meliza Haradinaj-Stubllës për Ministre të Punëve të Jashtme. Si këshilltare e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, ajo ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë për mosdeklarimin e një biznesi në Agjencinë Kundër Korrupsionit. Mediat po ashtu kanë raportuar se Haradinaj-Stublla kishte paguar “room service” (shërbim në dhomë të hotelit) me para publike, si dhe shpenzime të tjera të tepruara.
Është raportuar për nënshkrimin e një marrëveshjeje qeverisëse edhe me Nismën e Fatmir Limajt, e cila do t’i merrte dy ministri dhe një zëvendëskryeministër — emrat e propozuar nuk janë shpallur.
LDK-ja po ashtu ka konfirmuar se ka arritur marrëveshje me Listën Serbe, dhe se kjo parti e mbështetur nga Beogradi do ta merrte pozitën e një zëvendëskryeministri.
Ky veprim është ballafaquar me kundërthënie pas rishfaqjes së një deklarate zyrtare të LDK-së nga viti 2018 në mediat sociale, ku komentohet dalja e Listës Serbe nga qeveria e atëhershme: “Asnjë qeveri e Kosovës nuk mund të jetë stabile, kur shumica e thjeshtë prej 61 votave në Kuvend varet nga deputetët e Listës Serbe, të cilët, fatkeqësisht, janë bërë instrument i Beogradit dhe nuk sillen si përfaqësues të interesave të qytetarëve të Kosovës, nga të cilët janë votuar”.
Në fund, Behgjet Pacolli i AKR-së njoftoi të premten se partia e tij do ta votonte koalicionin e propozuar qeverisës por nuk do të bëhej pjesë e tij.
Rrëfenja e Presidentit dhe Pacollit
Vetë Pacolli ka shkaktuar trazime ditët e fundit, meqë veprimet dhe komentet e tij, si dhe të Presidentit Thaçi, janë bërë objekt i spekulimeve, i thashethemeve, i akuzave dhe i kundërakuzave në një dramë publike që herë-herë i ngjante një farse.
Pacolli është një nga dy deputetët e AKR-së në Kuvendin e Kosovës dhe është pjesë e grupit parlamentar gjashtë-anëtarësh me Nismën. Ky koalicion — i cili e kaloi pragun për t’i siguruar deputetët pas sfidave ligjore që ndoqën zgjedhjet e tetorit — tash është pjesë kyçe e aritmetikës parlamentare për formimin e qeverisë së re.
Biznesmeni multimilioner, i cili bëri pasuri në industrinë ndërtimore në vende sikur Rusia, Kazakistani, Uzbekistani dhe Italia, po e kalonte periudhën e ngujimit në rezidencën e tij luksoze në Alpet Zvicerane. Sidoqoftë, ditët e fundit vendosi të kthehet në Kosovë për t’u bërë pjesë e formimit të qeverisë së re.
Të martën (më 28 prill), Pacolli nxori një Tweet ku thoshte se qeveria në detyrë po e pengon kthimin e tij për të marrë pjesë në punën e Kuvendit të Kosovës, para se t’i akuzonte diplomatët evropianë për mbështetje të heshtur ndaj “veprimeve kundërdemokratike dhe kundërkushtetuese”.
Ministria e Shëndetësisë u përgjigj duke thënë se askush nuk po e pengonte Pacollin të kthehej, por nëse vendos të kthehet duhet të vendoset në karantinë ose të vetizolohet detyrimisht për 14 ditë sikur çdo person tjetër që hyn brenda kufijve të shtetit.
Kur u pyet rreth udhëtmit të tij të shkurtër në Shqipëri gjatë kufizimeve ngujuese, Thaçi u përgjigj se kishte shkuar “veç për qejf”.
Po atë ditë, Pacolli vendosi të shkonte me avionin e tij privat në Tiranë, ku po ashtu ka një rezidencë luksoze.
Sidoqoftë, kishte thashetheme se Pacolli ishte futur ilegalisht në Kosovë nga Thaçi pasi presidenti i vendit bëri një vizitë të paparalajmëruar në Shqipëri të martën mbrëma. Ministri i Brendshëm në detyrë Xhelal Sveçla kishte thënë gjatë një konference për shtyp se Thaçi kishte hyrë në Shqipëri në orën 18 dhe ishte kthyer në Kosovë pas një ore e 20 minutash.
Sveçla i kishte kërkuar presidentit të japë përgjigje se përse nuk e kishte lajmëruar zyrën e protokollit për udhëtimin e tij — siç kërkohet nga ligji për të gjitha udhëtimet që presidenti i bën jashtë Kosovës, qofshin zyrtare apo të tjera — dhe më tej kishte thënë se Pacolli duhet “ta lajmërojë menjëherë vendndodhjen” ose policia do të ndërmerrte masa “sipas ligjeve në fuqi” në daljen e tij të radhës në publik.
Kur u pyet nga gazetarët të enjten rreth udhëtmit të tij të shkurtër në Shqipëri gjatë kufizimeve ngujuese, Thaçi u përgjigj se kishte shkuar “veç për qejf”.
Në ndërkohë, Pacolli kishte publikuar një foto ku shihet duhet e soditur natyrën nga ballkoni i rezidencës së tij në Tiranë, duke shtuar: “askund në Evropë dhe në një demokraci nuk mund që një Ministër në detyrë ta kërkojë lajmërimin e vendndodhjes së një deputeti”.
Të enjten mbrëma, lideri i AKR-së mbërriti me avionin e tij privat në aeroportin e Prishtinës. Pasi që u konfirmua se i kishte kryer testimet e nevojshme mjekësore dhe e kishte dorëzuar dokumentacionin e nevojshëm, ai u shoqërua në rezidencën e tij në Hajvali për ta kryer vetizolimin.
‘Jo mirë politikisht, etikisht ose ligjërisht’
Pavarësisht përpjekjeve të përbashkëta edhe nga Thaçi, edhe nga liderët e LDK-së dhe AAK-së për ta theksuar kushtetutshmërinë e hapave të bërë për ta formuar qeverinë e re, ekspertët kushtetues dhe analistët kanë paralajmëruar se situata nuk është fare e rregullt.
Eksperti i drejtësisë kushtetuese profesor Riza Smaka ka thënë për Koha.net të enjten mbrëma se Gjykata Kushtetuese do të duhej të nxirrte masa të përkohshme për ta ndaluar një veprim ligjërisht të kontestuar që të zbatohet “në rrethana skajshmërisht të jashtëzakonshme… vetëm për ta zënë një afat në mënyrë fort të përshpejtuar dhe të ngutshme për të cilën nuk ka nevojë”.
“Kjo nuk është mirë as politikisht, as etikisht, as ligjërisht”, ka shtuar ai.
Ndërkaq, profesori i drejtësisë kushtetuese Mazllum Baraliu ka paralajmëruar se po krijoheshin situata “jostabile dhe madje të rrezikshme” përmes përpjekjeve për ta paraqitur një qeveri të re me ngut përmes “zgjedhjeve të improvizuara” dhe se pa vendimin e gjykatës për ta pezulluar përkohësisht dekretin e presidentit, ekziston rreziku që Kosova të përfundojë me dy qeveri.
Analistët politikë Agron Demi dhe Donika Emini thanë për emisionin Desku të KTV-së të enjten mbrëma — para lëshimit të vendimit nga Gjykata Kushtetuese — se shpresonin që vendimi do të sjellë qartësi e jo më shumë paqartësi për situatën.
“Formimi i përshpejtuar i qeverisë së re gjatë pandemisë së Covid19 rrezikon t’i minojë më tej institucionet e brishta të vendit.”
Letra e 15 deputetëve evropianë
Emini ka thënë se nëse gjykata do ta lejonte formimin e qeverisë së re pa fituesen e zgjedhjeve të fundit, vendi do të hynte në një “krizë të thellë kushtetuese”.
Demi ka thënë se gjykata duhet ta ndalonte formimin e një qeverie deri në nxjerrjen e vendimit përfundimtar, dhe “sado që të duket i drejtë apo jo, të gjitha palët ta respektojnë”.
Në ndërkohë, 15 deputetë evropianë kanë nënshkruar një letër të hapur me titullin “Thirrje ndërkombëtare për respektimin e vullnetit demokratik të Republikës së Kosovës”, ku u kërkojnë të gjithë palëve të përfshira “të jenë të qetë dhe të matur” dhe të mos bëjnë manovra politike në një situatë që “ka rrezik të lartë” të shkallëzimit.
“Formimi i përshpejtuar i qeverisë së re gjatë pandemisë së Covid19 rrezikon t’i minojë më tej institucionet e brishta të vendit”, thuhet në letër.
Prej shpalljes së planeve për të formuar një qeveri të re pa shkuarjen në zgjedhje të parakohshme nisën të shfaqeshin postime në mediat sociale që shtynin qytetarët të protestojnë. Kurti, i cili para se të bëhej kryeministër i kishte udhëhequr shumicën e protestave të mëdha politike në Kosovë për më shumë se dy dekada, ka thënë se as ai, as partia e tij nuk qëndron prapa organizimit të ndonjë proteste dhe se nuk i mbështet ato.
“Si kryeministër në detyrë, unë nuk jam person që organizon protesta”, kishte thënë ai për RTK-në para se të thoshte se qytetarët e Kosovës “s’kanë qenë kurrë më të zemëruar”.
“Unë s’i ndaloj dot të protestojnë, mirëpo nuk mund të them që kjo protestë është organizuar nga ne”, ka thënë ai.
Ndërkaq, Ministria e Shëndetësisë ka shpallur se prej të hënës (më 4 maj), ajo do ta nisë lehtësimin e shkallëzuar të masave kufizuese. Dita e 30 prillit ishte e treta me rend kur pati më shumë të shëruar sesa infektime të reja me COVID-19
“Tani jemi në një situatë ku lakorja e virusit dhe mesatarja e infektimeve ditore na lejon që të relaksojmë kufizimet, por assesi dhe në asnjë mënyrë të neglizhojmë rrezikshmërinë”, ka thënë Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia. “Pakujdesia dhe neglizhenca do të na kthejnë prapa duke rrezikuar jo vetëm jetën dhe shëndetin e të gjithëve por edhe mirëqenien ekonomike”.K
Imazhi i ballinës: K2.0.