Pikëpamje | Politika

Lamtumirë, qeveria PAN! Ja momentet e juaja ‘më të mira’…

Nga - 23.08.2019

Të ndalemi për t’i festuar disa ‘arritje’.

Të enjten, pa befasinë e askujt, më në fund i dhanë fund epokës së fundit politike të Kosovës.

Ndonëse kryeministri, dhe me sa dukej edhe qeveria e tij, teknikisht dhanë dorëheqje para një muaji, ata qëndruan në postet e tyre plot zell për t’i kryer edhe një apo dy lëvizje për publicitet parazgjedhor. 

Por derisa Gjykata Kushtetuese merret me çështjen se çfarë do të thotë saktësisht “dorëheqja”, vetëm 712 ditë pasi hyri në pushtet koalicioni PDK-AAK-Nisma me AKR-në, tani është konfirmuar që mandati qeveritar i Kosovës përsëri po kryhet para kohe, meqë partnerët e koalicionit u pajtuan me partitë opozitare që është më mirë për të gjithë që t’i japin fund këti formacioni. 

Nuk mund të themi që u prit ky fund i hershëm.

Meqë Dhomat e Specializuara gjithnjë më shumë afroheshin rreth kokave të “liderëve” të mbledhur, nga fillimi ishte çështje e kohës ajo se kur do të ftoheshin nga prokurorët, dhe kë do ta ftonin ata, e jo nëse a do të ndodhte kjo gjë. Gjithashtu, dega ekzekutive pati përçarje të mëdha në unitetin e supozuar të saj pak a shumë prej ditës së parë; mbase çudia më e madhe ishte që interesat personale arritën t’i mbajnë të bashkuar për një kohë kaq të gjatë.

Por pavarësisht paralajmërimit, si kur i vjen fundi një marrëdhënies së keqe apo kur del nga gara një garues i talentuar, kur e humb dikë që ka qenë i pranishëm gjithnjë në jetën tënde, e përjeton si tronditje pa marrë parasysh rrethanat.

Pra për ta lehtësuar tranzicionin, derisa kësaj epoke, pa dyshim të shkurtër, po i vjen fundi, ne i kemi përmbledhur disa prej momenteve “më të mira” të qeverisë PAN, duke analizuar trashëgiminë që do ta lënë pas.

  1. Transparenca dhe qeveria e hapur

Fakt është që të gjithë e dinë që Kosova ka pasur probleme me korrupsionin për një kohë të gjatë. Kriza e klimës në botë mund të ishte zgjidhur deri me tani po të mos ishte dashur të shtypim letër për mijëra raportet për korrupsionin në Kosovë dhe po të mos ishte prodhuar aq shumë ajër i nxehtë në konferencat e nivelit të lartë në të cilat është diskutuar se çfarë duhet të bëjmë.

Pra ishte mirë ta kemi një qeveri me një qasje të re ndaj kësaj çështje – një qasje e transparencës.

Përderisa qeveritë e kaluara kishin bërë përpjekje tinëzare për t’i fshehur korrupsionin, nepotizmin dhe interesat personale, kjo qeveri i nxorri në shesh, pa marre; si një autostradë e re, për të mos dalur jashtë rrugës si paraardhësit e tyre, pak a shumë.

Në një frymë të re të qeverisë së hapur, një nga veprimet e para të kryeministrit ishte përpjekja e tij për ta rritur rrogën e tij – ai deshi të merrte pak më shumë para prej xhepave të qytetarëve për përfitime personale, kështu që ua tha drejt. Në fund të fundit, ka shumë shpenzime për udhëtime jashtë vendit dhe darka luksoze, dhe të gjitha ato kravata duhet të mbulohen disi. 

Këta burra të mençur - dhe janë pothuajse ekskluzivisht burra të fuqishëm - e kuptuan që ishte koha për një “qeveri të madhe”.

Fushatat e fundit zgjedhore premtuan edhe krijimin e vendeve të punës – qeveria e zbatoi. Ndoshta jo në përgjithësi, sipas masave tradicionale, por për ata që ishin të mençur ose janë familjarë të ndonjë personi në pozitë pushteti, kjo periudhë ishte e bollshme. Nëse nuk ka qenë një “qeveri për të gjithë”, atëherë ka qenë të paktën për ata që janë të rëndësishëm për ta.

Të gjitha këto vende të reja të punës nuk krijohen vet. Natyrisht, kjo punë kërkon të mendosh në mënyrë inovative. Për ta thyer modelin e “qeverisë së vogël” që mund të pritet nga një koalicion qeverisës i përbërë kryesisht prej partive që pretendojnë të jenë të qendrës së djathtë sa i përket orientimit, këta burra të mençur – dhe janë pothuajse ekskluzivisht burra të fuqishëm – e kuptuan që ishte koha për një “qeveri të madhe”. 

Përsëri, jo në kuptimin tradicional të zhvillimit të një sistemit mbështetës shtetëror për t’i ndihmuar ata që janë më të prekshëm në shoqëri, por për të drejtuar nga fronti e për të krijuar pozita ministrore të reja. Shumë prej këtyre roleve mbase ende nuk janë definuar saktësisht, por mos harroni, ata i kishin vetëm dy vjet për ta kryer këtë punë, dhe më me rëndësi është ta kemi një qasje që thjesht i prioritizon vendet e reja të punës, pa i hyrë detajeve.

Edhe kur qeveria kishte nevojë për pak ndihmë me qasjen e saj për transparencë, ajo punoi me shpejtësi për hir të kohës së humbur.

Prokurori Special Elez Blakaj i provokoi disa figura duke dhënë dorëheqje dhe duke folur për presionin që ishte ushtruar kundër tij nga Kryeprokurori dhe Kryeministri gjatë hetimeve. Por kur u bë publike, Kryeministri u tregua i shpejtë për ta konfirmuar që me të vërtetë kishte ndërhyrë tek gjyqësori duke kërkuar nga ish-prokurori t’i raportojë atij drejtpërdrejt, dhe për të mos lënë dyshime duke treguar saktësisht çfarë mendonte për “frikacakun” i cili guxoi t’i hetonte figurat e larta politike.

  1. Zgjatja e muskujve

Rambo. Kë tjetër më mirë ta kemi duke e drejtuar qeverinë se heroin muskuloz e flokëpak që nofkën e morri nga një karakter i filmave aksion të Sylvester Stalone?

Në frymën e natyrës së liderit të saj, qeveria Rambo nuk i humbi mundësitë që i kishte për t’i zgjatur muskujt e demonstruar se kush është në krye. Arrestuan ministra serbë dhe i ekspozuan në rrugët e kryeqytetit, e goditën armikun e vjetër me një taksë masive dhe kryen bastisje me forcë në veriun e vendit.

Por këto janë vetëm elementet sipërfaqësore.

Sigurisht, e keqja e gjithë këtij përqendrimi në një shoqëri të burrave të fortë është që nuk shkon gjithmonë mirë për ata që nuk janë “burra të fortë”.

Harrojeni ligjin – shkrepja me armë zjarri në odë është traditë e vjetër shekullore që është e shkruar në kanun.

Mos u bëj tradhëtar – sigurisht që Kosova mund ta themelojë një Gjykatë Ndërkombëtare për Krime të Luftës në mënyrë unilaterale nëse ka dëshirë.

Dhe mos harro, Kosova tani e ka ushtrinë e vet!

Sigurisht, e keqja e gjithë këti përqendrimi në një shoqëri të burrave të fortë është që nuk shkon gjithmonë mirë për ata që nuk janë “burra të fortë”. Gratë që i rrahin dhe i vrajnë burrat e tyre, vajzat që (thuhet se) përdhunohen nga mësuesit e tyre dhe policët tek të cilët shkojnë për t’i raportuar rastet, fëmijët e komuniteteve pakicë që përdhunohen e pastaj vrahen deri sa presin drejtësinë, ata që kanë nevojë për pak shëndetësi, fëmijët që duan pak arsimim të mirëfilltë, familjet që duan të punojnë për bukën e gojës, e jo ta planifikojnë arratisjen nga shteti i tyre…

Por mos u shqetësoni për këto detaje të parëndësishme, sepse në tokën e Rambos, ata i treguan krejtve se kush është bosi – Taksa! Taksa!

  1. Fleksibiliteti

Ahhh, kjo cilësi e nënvlerësuar. Pak fleksibilitet.

Për një qeveri kaq muskuloze, s’mund të themi që s’janë treguar të zhdërvjellët si gjimnastët olimpikë atëherë kur e kërkoi situata.

A ju kujtohet kur Rambo ishte në opozitë dhe gjuante harta andej e këndej duke thënë që askush, kurrë – KURRË – nuk do të dorëzonte pjesë të tokës së Kosovës së tij të dashur? Një lider, një kryeministër madje, sigurisht që duhet të jetë pragmatik. Brenda 6 muajve prej kur hyri në pushtet… punë e kryer.

Fleksibiliteti i Haradinajt për këtë çështje parimore që ishte aq e rëndësishme për të doli të jetë, pasi reflektoi pak, i këmbyeshëm pasi që definitivisht do t’ua mundësonte kosovarëve të udhëtojnë pa viza në Evropë deri në fund të vitit 2018. Afati i fundit për këtë ishte i garantuar. (Duhet të themi që këtu ja lehtësoi pak vetës, pasi që para se të zgjedhej kryeministër, Haradinaj kishte premtuar udhëtime pa viza brenda 3 muajve prej hyrjes së tij në pushtet). 

Kur u erdhi koha afateve që i caktuan vet, Kryeministri dhe ministrat e tij me plot mirësi i dhuruan qytetarëve njohuri të reja.

Por siç pritet prej liderëve të vërtetë, ata vazhdimisht mësojnë dhe i shfrytëzojnë ato mësime për të marrë vendime më të mira. Kur u erdhi koha afateve që i caktuan vet, Kryeministri dhe ministrat e tij me plot mirësi i dhuruan qytetarëve njohuri të reja: Doli të jetë që njerëzit të cilët janë në pozitë për të marrë vendime për liberalizimin e vizave ishin shtetet dhe institucionet evropiane – e jo qeveria e Kosovës. Qysh nuk e kemi ditë më parë…

Fleksibil nuk u tregua vetëm Kryeministri.

Dhomat e Specializuara për themelimin e të cilave avokoi PDK-ja për një kohë aq të gjatë? Pse të mos i japim fund vitit duke e mbyllur një kapitull të së kaluarës duke vendosur që ato në fakt nuk janë fare të nevojshme.

Dhe një qeveri që kurrë nuk kishte frikë të ja provojë fatit, pa bërë shumë përpjekje dhe brenda disa javëve, kaloi nga një politikë e re që kishte për synim t’i lehtësojë kufizimet mbi lojërat e fatit në emër të zhvillimit ekonomik, deri te mbyllja e të gjitha kazinove në vend.

  1. Mbështetja e miqve

Sa i përket marrëdhënieve ndërkombëtare, diplomacia sigurisht se është biznes i ndërlikuar dhe me nuanca. Kurrë nuk funksionon një qasje e njëtrajtshme në skenën ndërkombëtare, dhe ndonjëherë mantra “t’i tregojmë kush është bosi” duhet të ndryshohet.

Kur trokiti Axha Erdogan, institucionet e vërejtën se kishin mundësinë për të lënë shenjë në skenën ndërkombëtare. Ndonëse plot shtete tjera në botë u treguan të ngadalshme për ta kapur momentin atëherë kur u erdhi mundësia, autoritetet e Kosovës vepruan menjëherë për të garantuar reagim të shpejtë dhe i eksportuan ata gjashtë arsimtarë që përfaqësuan një rrezik aq të pashmangshëm për sigurinë kombëtare të Kosovës.

Këto masa mbrojtëse të mbivlerësuara për të drejtat e njeriut ndonjëherë i pengojnë politikat e prera “shkatërroja jetën tani, bën pyetje më vonë”.

Më shumë se 80 përqind të të deportuarve ishin në fakt ata persona që po kërkoheshin! Nuk është punë e vogël kjo duke marrë parasysh proceset e mundimshme burokratike të kontrollimit të letërnjoftimit të personit që po e fut në aeroplan e po e çon në një shtet me histori shumë problematike në lidhje me të drejtat e njeriut – nuk ka gjithmonë kohë për t’i kryer të gjitha ato punë të rënda me letra.

Dhe të paktën dy agjenci dukej se ishin deri diku të koordinuara për këtë operacion, edhe pse kryeministri nuk ishte i informuar dhe ndodhën rreth 30 shkelje të ligjeve dhe procedurave përgjatë procesit; këto masa mbrojtëse të mbivlerësuara për të drejtat e njeriut ndonjëherë i pengojnë politikat e prera “shkatërroja jetën tani, bën pyetje më vonë”. 

Në fund të fundit, s’ka dyshim që Kosova është vend më i sigurtë pasi hoqi dorë nga të gjitha parimet dhe iu përkul autokratit.

  1. Shenja e fundit

Të gjithë ata që kanë shikuar seria komike me tema politike apo i kanë përcjellur zgjedhjet presidenciale në SHBA e dinë që administratat politike definohen nga trashëgimitë e tyre. Për ta realizuar një imazh thelbësor të dëshiruar, figurat e larta politike duhet të punojnë me vite.

Shpeshherë këto çështje mund të jenë mjaft sipërfaqësore, të projektuara për t’i mbuluar vitet e dështimit apo mosveprimit. Megithatë, për të lënë shenjë për gjeneratat e ardhshme duhet një qeveri me të vërtetë e talentuar. 

Askush nuk mund ta mohojë që qeveria PAN ka lënë shenjë.

Në vitet e ardhshme, shenja e tyre do të shihet në rentgene të mushkërive të qytetarëve që janë helmuar duke marrë frymë në ajrin toksik të Kosovës.

Lehtë ka mundur të ju ikë mundësia për ta lënë këtë shenjë të trashëgimisë, të zhduket në ajrin e mbushur me mikrogrimca. 

Me këtë qasje të veprimit krijohet trashgëimi.

Kur Banka Botërore lajmëroi që po i tërhiqte fondet për termocentralin e ri të thëngjillit në Kosovë për shkak se alternativat me burime të ripërtërijshme tani ishin më të lira, për një qeveri më të paaftë kjo do të kishte qenë gozhda e fundit në arkivolin e këti plani. Por jo për këtë qeveri.

Kjo qeveri i pa raportet e kualitetit të rrezikshëm të ajrit që rregullisht e rendisin Prishtinën në mesin e qyteteve më të ndotura në botë, i pa ndryshimet që po ndodhin në pjesët tjera të botës ku po investohet në energji më të gjelbërt, i pa protestat e qytetarëve të saj që kërkuan të mendohet për një zgjidhje tjetër për këtë çështje, dhe tha “Jo!”

Jo, ne prap se prap do të mundohemi të gjuajmë miliona në shkaktarin e kancerit. Ne do të vazhdojmë t’i dëbojmë njerëzit prej shtëpive të tyre pa proces të mirëfilltë në mënyrë që të kemi qasje në thëngjillin e ndritshëm që gjindet nën shtëpitë e tyre. Ne do t’i shpërfillim ndërlikimet financiare që vijnë me ndjekjen e alternativës më të shtrenjtë. Me këtë qasje të veprimit krijohet trashgëimi.

Transparente. E fuqishme. Fleksibile. Miqësore. E qëndrueshme.

Lamtumirë qeveria PAN – vështirë e kemi ta paramendojmë se si do të krahasohen me juve qeveritë e së ardhmës.K

Foto kryesore: Atdhe Mulla / K2.0.