Në thelb | COVID-19

Lavjerrësi i qeverisë — mes pandemisë dhe ekonomisë

Nga - 22.04.2021

Polemika e kritika për mbylljen 12-ditore të gastronomisë — çfarë efekti mund të ketë?

Përgjatë mesditës, të paktën gjysma e tavolinave në “Krip’ e Zemër” janë zakonisht të mbushura me myshterinj që drekojnë. Në orët tjera të ditës, qarkullimi në restorantin e Ahmet Bylykbashit është i zbehtë. 

Të hënën e 18 prillit, ora e drekës në restorant s’po gëlonte si zakonisht, edhe pse ishte dita e parë e punës pas një pushimi të detyrueshëm 12-ditor. 

Më 5 prill, Kryeministri Albin Kurti doli në konferencë për media krah për krah me Ministrin e Shëndetësisë Arben Vitia. I pari i qeverisë tregonte se “duke parë trendin e frikshëm të rritjes së infeksioneve”, pjesëtarët e kabinetit të tij ishin marrë vesh të vendosin masa të reja kundër COVID-19 për ta ngadalësuar përhapjen e tij “ashtu që kapacitetet e shëndetit publik të mos përmbyten përtej limiteve”. 

Vartësi i tij Vitia tregonte se i kishin kërkuar Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKShP) një analizë të situatës epidemiologjike, dhe nga të dhënat e hulumtimit të tyre kishin dalë disa kategori “me potencial të lartë të shpërndarjes së infeksionit”.   

Bylykbashi e dinte se kurdo që të merrej vendimi për shtrëngim të masave, lloji i biznesit të tij do të ishte i pari në listë për mbyllje.

Këto kategori përfshinin restorantet, kafenetë, institucionet publike e private me punë në zyra të përbashkëta, qendrat tregtare, ahengjet e ndryshme dhe grumbullimet familjare, me theks të veçantë rastet e vdekjes, pastaj universitetet e shkollat, si dhe ardhja e personave nga vendet e jashtme. Kështu ato u mbyllën, respektivisht u kufizuan për 12 ditë me vendim qeveritar. 

Por edhe para kësaj ishin përhapur fjalë se qeveritarët e rinj mund ta çojnë vendin në izolim duke parë numrin e rritur të të infektuarve, të pacientëve nëpër spitale dhe të vdekjeve të raportuara. Kjo valë e fundit e infektimeve me COVID-19 erdhi pas fushatës zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme të 14 shkurtit, ku në grumbullimet partiake nuk respektohej distanca dhe masat tjera mbrojtëse e shpeshherë tejkalohej dhe numri i pjesëmarrësve të lejuar nëpër ambiente të mbyllura.

Bylykbashi e dinte se kurdo që të merrej vendimi për shtrëngim të masave nga qeveria e re, lloji i biznesit të tij do të ishte i pari në listën e atyre që do të mbylleshin. “Mbajshim shpresë bile deri n’6 pasdite mos po na lënë me punu”, thotë 33-vjeçari që si të gjithë gastronomët e tjerë, deri atëherë lejohej ta mbante hapur biznesin deri në orën 22:00.

Pronari i një restoranti në Prishtinë, Ahmet Bylykbashi, ka pasur vështirësi financiare për ta mbajtur biznesin tash e disa muaj. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Shpresa e tij u zbeh dy-tri ditë para konferencës së Kurtit dhe Vitisë, kur, edhepse jo zyrtarisht, Bylykbashi thotë se u kuptua që “po na mshelin”. Ai thotë se vendosi që për ato dy javë ta mbyllte restaurantin plotësisht, ndonëse vendimi i qeverisë lejonte shërbimet “merre me vete” dhe “dërgesë me porosi”.  

“Ne jemi biznes i ri dhe gati hiç nuk punojmë me delivery“, thotë ai, duke shtuar që s’kishte llogari të punonte nën ato kushte pasi shpenzimet e ditës së punës s’do t’ia mbulonte shitja, plus që me gjasë do t’i prisheshin mishërat dhe produktet e tjera ushqimore në mungesë të porosive të mjaftueshme. 

Mbi të gjitha, duke ia vënë drynin restorantit do t’i hiqte edhe shpenzimet e pagave të shtatë punëtorëve të tij. “Veç po e shohin [punëtorët] që s’po ka aq punë, edhe u pajtuan [me mbylljen 12-ditore], thotë ai, ndërsa tregon se tash e ca muaj është duke pasur aq shumë vështirësi financiare saqë qiranë e lokalit nuk e ka paguar prej janarit, gjë që ka filluar t’i shkaktojë probleme me qiradhënësin.

Goditje një pas një

Gastronomia vazhdimisht është konsideruar si sektor me rrezikshmëri të lartë për shpërndarjen e COVID-19 dhe përgjatë vitit pandemik është goditur drejtpërdrejt nga vendimet për shtrëngim masash kundër përhapjes së virusit nga qeveritë e njëpasnjëshme. Mbylljet dhe kufizimet e punës janë përcjellë me humbje të mëdha financiare për sektorin që punëson dhjetëra-mijëra punëtorë.

E për rreth 20,000 biznese të këtij sektori, ndihmat financiare ishin të vonuara dhe të pamjaftueshme. Qeveria e kaluar 10-mujore në krye me Avdullah Hotin, pas gjysmë viti zvarritjeje të Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike në Kuvend, në dhjetor miratoi programin për zbatimin e tij, ndërsa mjetet prej 3 milionë eurove për sektorin e gastronomisë i ndau tek në janar të këtij viti.

Tani kur ka kaluar më se një vit prej mbylljes së parë në fillim të 2020-tës, kjo mbyllje e radhës është përcjellë me humbje të mëdha.

Ndërsa qeveria edhe më jetëshkurtër para saj, e udhëhequr nga Kurti, për tre muajt e parë të pandemisë ua siguroi 50% të pagës punëtorëve që kishin humbur vendet e punës për shkak të masave qeveritare kundër përhapjes së COVID-19. Mirëpo, duke qenë se një numër i madh i punëtorëve të këtij sektori janë pa kontrata pune, shumë prej tyre mbetën pa pranuar ndihmat financiare që u takonin. 

Edhe pronarëve të bizneseve iu pagua gjysma e çmimit të qirave për ata muaj, por duke qenë se shpeshherë ndodh që qiradhënësit dhe qiramarrësit i deklarojnë qiratë më të ulëta se që janë për qëllime të shmangies së tatimeve, në këtë situatë kjo mund t’ia ketë pamundësuar shumëkujt përfitimin e mjeteve financiare të përcaktuara.

Tani kur ka kaluar më se një vit prej mbylljes së parë të gastronomisë në fillim të 2020-tës, kjo mbyllje e radhës është përcjellë me humbje të mëdha. Për 12 ditë sa zgjatën masat e shtrënguara, është raportuar për rreth 30 milionë euro humbje sipas llogarive të Aleancës Kosovare të Bizneseve. 

Në konferencën e 5 prillit, Kurti përmendi që pos ruajtjes së shëndetit, fokusi i qeverisë është që “për aq sa është e mundur të mbahet aktiviteti ekonomik i hapur”. Po ashtu, ai premtoi se do t’i paguajnë 50% të pagave të punëtorëve, si dhe 50% të qirave të bizneseve të prekura nga masat e fundit.

Kryeministri Albin Kurti dhe Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia thanë se shtrëngimi 12-ditor i masave nga qeveria ishte në përputhje me gjendjen e rënduar nga COVID-19. Foto nga Zyra e Kryeministrit.

Më 21 prill qeveria ndau një shumë prej 6 milionë eurosh për ta ndihmuar sektorin e gastronomisë, mirëpo ende nuk ka treguar se kur do të fillojë shpërndarja e mjeteve. Bylykbashi shpreson që kjo të ndodhë sa më shpejt, pasi pret që me ato para të paguhen punëtorët e tij që nuk morën asnjë cent për këto ditë, e po ashtu ta gëzojë me 50% të pagesës qiradhënësin. 

(Mos)menaxhimi i pandemisë

Numrat e të infektuarve me COVID-19 janë rritur dukshëm përgjatë muajit paszgjedhor dhe në periudhën e mbylljes së pjesshme, duke ngarkuar të gjitha kapacitetet spitalore. Kjo situatë e rënduar është duke vazhduar edhe pas lehtësimit të masave, ndërsa sipas raportimeve nga Klinika Infektive në QKUK, shumica e pacientëve janë me simptoma më të rënda si pasojë e infektimit në masë me variantin britanik të virusit. 

Bujar Vitia, gazetar që merret me fushën e shëndetësisë, thekson se kanë qenë të nevojshme masat kufizuese si për qytetarët ashtu edhe për bizneset për shkak të numrit të lartë të të prekurve me COVID-19, sidomos duke pasur parasysh që në shërbimet publike spitalore, përveç tjerash, “nuk ka staf mjekësor të mjaftueshëm, nuk ka shtretër të mjaftueshëm”. 

“Prej janarit nuk ka pasur fare menaxhim të pandemisë; kulmi arriti gjatë fushatës zgjedhore, dhe kushdo që do të vinte në pushtet nuk e kishte legjitimitetin t’i mbyllte qytetarët”, thotë ai.

Mirëpo sipas tij masat kanë qenë drastike pasi kanë dëmtuar tej mase ekonominë “që veçse ka kohë që është e dëmtuar”. “Nuk mundemi me e sakrifiku ekonominë për shkak të papërgjegjësisë totale të politikanëve”, thotë ai.

"Kosova ka nevojë për monitorim të masave — vetëm kështu do të mundemi ta menaxhojmë pandeminë."

Bujar Vitia, gazetar i shëndetësisë

Ai pretendon se qeveria nuk ka marrë parasysh alternativa të tjera për masat dhe nuk është konsultuar me palët hisedare. Të njëjtat kritika i janë adresuar qeverisë edhe nga shoqatat dhe odat ekonomike, të cilët kanë thënë se gjatë takimit me ministrin e shëndetësisë kanë qenë të njoftuar se vendimi për vendosjen e kufizimeve është i panegociushëm, edhepse disa prej propozimeve të bizneseve janë marrë parasysh por në masë të pamjaftueshme. 

Sipas gazetarit Vitia, një prej mundësive që qeveria do të duhej t’i konsideronte është ajo që në vend të mbylljes së bizneseve për një kohë e pastaj ndarjes së ndihmave financiare për to, “mjetet financiare t’i përdorte për staf shëndetësor, që do t’i ndihmonte kapaciteteve shëndetësore të shtetit”. Po ashtu, sipas tij me ato mjete do të mund të shtonte edhe numrin e stafit inspektues që do ta shtynin gastronominë t’i respektonte masat në mënyrë strikte.

Gazetari i shëndetësisë Bujar Vitia konsideron që qeveria duhet të marrë masa për t’i forcuar kapacitetet e institucioneve shëndetësore. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

“Kosova ka nevojë për monitorim të masave — vetëm kështu do të mundemi ta menaxhojmë pandeminë”, thotë ai, teksa thekson se vaksinimi i qytetarëve është masa më e mirë kundër pandemisë. Deri më 18 prill janë vaksinuar vetëm rreth 16,000 qytetarë — kryesisht punëtorë shëndetësorë dhe të moshuar — me vaksinat e dhuruara nga iniciativa COVAX, që e bën Kosovën ndër vendet me procesin më të ngadaltë të vaksinimit në Evropë.

Në anën tjetër, gazetari Vitia thotë se nga kufizimet gati dyjavore të qeverisë efektet priten të shihen përgjatë kësaj jave. Por, udhëtimet që mijëra qytetarë kanë bërë në vendet fqinje në atë dyjavësh — në mungesë të kufizimeve për të dalë jashtë vendit — pritet t’i cenojnë llogaritë qeveritare për menaxhim të shpërndarjes së virusit. 

Përgjatë 10-11 prilit, rreth 30,000 kosovarë kaluan fundjavën në Shqipëri, ku masat janë lehtësuar deri diku pas përpjekjeve më sistematike për vaksinim të popullsisë që nga muaji janar.

Disa ministra e anëtarë të kabinetit qeveritar si dhe deputetë të Vetëvendosjes po ashtu shkuan në Shqipëri, ku morën pjesë në fushatën zgjedhore atje para zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit. Deputetë e ministra shpërndanin fotografi nëpër rrjetet sociale nga takimet që mbanin nëpër Shqipëri, çka nxiti reagime të shumta kryesisht nëpër rrjete sociale. 

“Ishte jokorrekte dhe mesazhi që u dërgua ishte në favor të koronavirusit; si dhe kjo krijon mosbindje [te qytetarët]”, thotë Vitia. 

Gjatë gati dy javëve sa ishin në fuqi masat e shtrënguara, Policia e Kosovës në zbatim të Ligjit Anti COVID-19 ka shqiptuar mijëra gjoba, ndërsa nëpër sheshe e parqe të qyteteve u raportua për grumbullime të qytetarëve pa respektuar distancën mes njëri-tjetrit. Edhe partitë opozitare kritikuan për hipokrizi qeverinë, duke shprehur dyshime në efektin e masave të ndërmarra kundër përhapjes së mëtutjeshme të virusit.K

Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla / K2.0.