Diskriminimi gjinor dhe paragjykimet në ndarjen e pronës sa i përket divorcit në Kosovë mund të jenë rrugës për t’u pakësuar – të paktën në disa pjesë të legjislacionit të vendit.
Në korrik, Kuvendi i Kosovës miratoi projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Familjen, i cili së shpejti duhet të kalojë në një lexim të dytë. Ndryshimet e reja kanë për qëllim rregullimin e ndarjes së barabartë të pronës mes partnerëve gjatë procedurave gjyqësore të divorcit.
Ndryshimet u iniciuan nga Luljeta Aliu, aktiviste dhe drejtore ekzekutive e Inject – Initiative for Justice and Equality, një OJQ e themeluar për të ndihmuar në fuqizimin e grupeve të margjinalizuara. E frymëzuar nga përvoja e saj personale gjatë procedurave të divorcit, Aliu kaloi më shumë se një vit duke analizuar boshllëqet ligjore që mundësojnë shpërndarjen e pabarabartë të pasurive martesore.
Deri në fund të vitit 2017, pas asaj që ajo e përshkruan si një shqyrtim të vazhdueshëm të praktikave gjyqësore dhe konsultimeve me ekspertët ligjorë, Aliu kishte sjellë ndryshimet e propozuara në Ligjin për Familjen para Komitetit të Kuvendit për Legjislacion. Pika fokale e kërkesës së saj ishte njohja e “barabartë” e kontributit të të dy partnerëve gjatë jetës së tyre së bashku dhe një “specifikim i qartë i ndarjes së pronës në dy pjesë të barabarta në rast të ndarjes”.
Legjislacioni progresiv?
Ndarja e pronës mes ish-bashkëshortëve ose partnerëve aktualisht supozohet të kryhet në baza të barabarta – të paktën në letër. Kushtetuta e Kosovës ndalon diskriminimin me anë të artikujve të veçantë dhe miratimin e konventave ndërkombëtare, instrumente që teknikisht i tejkalojnë nenet specifike të ligjeve të veçanta.
Për shembull, Konventa e Kombeve të Bashkuara për Eliminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit Kundër Grave garanton barazi në sistemin e drejtësisë dhe kështu paragjykimet gjinore në vendimet mbi ndarjen e pronës nuk duhet të ekzistojnë.
Për më tepër, sipas Teuta Beka, një avokate me përvojë shumëvjeçare në trajtimin e marrëveshjeve të divorcit, e cila gjithashtu ligjëron në Kolegjin Evropian Juridica, Ligji ekzistues për Familjen i Kosovës përcakton qartë se bashkëshortët janë pronarë të përbashkët të pronës, përveç nëse kanë rënë dakord ndryshe. Thënë thjeshtë, gjithçka që është fituar nga momenti që të dy partnerët filluan të jetojnë së bashku duhet të ndahen në pjesë të barabarta gjatë procedurave të divorcit.
Por Beka thotë se, përkundër përpjekjeve për të promovuar barazinë, legjislacioni ekzistues jap shumë hapësirë për interpretime të ndryshme, duke çuar kështu në diskriminim të tepruar në sallat e gjyqit. Neni 47 i Ligjit për Familjen përcakton “Prona e Përbashkët” si pasuri “e fituar nëpërmjet punës gjatë martesës si dhe të ardhurat që rrjedhin nga kjo pronë”.
Avokatja Teuta Beka thotë se legjislacioni ekzistues mbi të drejtat e pronës në procedurat e divorcit lënë hapësirë për interpretime të ndryshme dhe se gratë janë ato që po humbasin. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.
Ekspertët ligjorë thonë se mos-specifikimi i formulimit të frazës “të fituara nëpërmjet punës gjatë martesës” bën që gjyqtarët ta kualifikojnë atë në aspektin e të ardhurave monetare. Beka thekson se Ligji për Familjen nuk është përshtatur me nevojat dhe mirëqenien e qytetarëve.
“Neni 47 i Ligjit për Familje flet rreth ‘pronës së përbashkët’ pa specifikuar qartë se cilat kontribute bashkëshortore janë ato që përbëjnë pronën e tyre të përbashkët,” thotë Beka. “Gjatë procedurave gjyqësore kjo është keqinterpretuar, e kështu ka përfunduar duke sjellë vendime të padrejta”.
Luljeta Demolli, drejtore ekzekutive e Qendrës Kosovare për Studime Gjinore, pajtohet që Ligji aktual për Familjen nuk i njeh aq sa duhet parimet e barazisë në martesë në lidhje me pronën dhe kontributet e papaguara ndaj pronës.
“Në shumicën e rasteve, gratë përjashtohen nga shtëpitë e bashkëshortëve të tyre (nëse ndahen) sepse pronat janë të regjistruara në emrat e të afërmve të burrave” thotë Demolli. “Pas divorcit, mirëqenia e grave është më e kufizuar dhe mundësitë nuk janë në dispozicion në të njëjtën mënyrë … prandaj kontributi material dhe ai i kujdesit familjar duhet të njihen si forma të pasurisë gjatë divorcit”.
Anton Nrecaj, këshilltar ligjor në Qendrën për Ndihmë Juridike dhe Zhvillim Rajonal – CLARD, thotë se është pikërisht ky lloj i punës së papaguar në familje që ka vazhduar vazhdimisht pa u pranuar në praktikat gjyqësore.
“Nëse një person është në një vend pune ose jo, puna e papaguar duhet të llogaritet si e barabartë me të ardhurat monetare”, thotë Nrecaj. “Nuk përmendet në ligj që thotë se ju duhet ta bëni këtë apo atë.”
Përpjekje për të qartësuar vlerën e punës së papaguar
Puna e papaguar që Nrecaj i referohet, gjithnjë e më shumë po gjen vend në diskutimet botërore për barazinë gjinore. Ndryshe njohur si punë në shtëpi – në krahasim me punën e paguar – është diçka që globalisht bie në mënyrë joproporcionale tek gratë.
Një raport i ri i OKB-së vlerëson se gratë bëjnë 2.6 herë shumën e kujdesit të papaguar dhe punën shtëpiake që bëjnë meshkujt, duke përfshirë kujdesin ndaj fëmijëve, gatimin dhe pastrimin, madje edhe detyra të tilla si marrja e fëmijëve nga shkolla ose dërgimi i prindërve të moshuar tek mjeku.
Në Kosovë, me disa shifra që tregojnë se vetëm 13 përqind e grave janë të punësuara, kontributet e grave në familje janë me shumicë dërrmuese përmes punës së papaguar. Si pasojë, pa pasur faturë për të treguar, avokatët thonë se gjyqtarët kanë tendencë të ndajnë pronën vetëm në favor të burrave.
Tani, Luljeta Aliu shpreson që ndryshimet e reja në Ligjin për Familjen mund të ndihmojnë që gjykatat të fillojnë të njohin punën e papaguar.
Luljeta Aliu nisi ndryshimet aktuale në Ligjin e Kosovës për Familjen pas përvojës së saj personale gjatë kalimit nëpër procedurat e divorcit. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.
Përkufizimi i “Pronës së Përbashkët” si “prona e fituar përmes punës gjatë rrjedhës së martesës” do të zëvendësohet me “pasurinë e fituar përmes kontributit të përbashkët gjatë rrjedhës së martesës”. Aliu thotë se ndërsa ajo po analizonte proceset gjyqësore gjatë përgatitjes së ndryshimeve të reja ajo arriti në përfundimin se fjalët “punë” dhe “kontribut” po përdoreshin me konotacione të ndryshme.
“Deri tani praktikat gjyqësore nuk i kanë përdorur si sinonime. Për mua ishte e rëndësishme të bëhej e qartë se nuk mund të ketë dallime se kush po punonte, “thotë Aliu. “Në rast mosmarrëveshje ligji ndan pronën në pjesë të barabarta. Kjo është arsyeja pse puna e papaguar duhet të merret në konsideratë. Jo vetëm të ardhurat nga burri, por edhe kontributi për rritjen e fëmijëve, edukimin, kujdesin ndaj shtëpisë dhe të moshuarve “.
Me qëllim që të sigurohet se puna e papaguar të njihet në mënyrë specifike në legjislacion, bazuar në rekomandimet e Aliut, Neni 47 i Ligjit për Familjen parashikohet të shtrihet për të specifikuar se prona e përbashkët duhet të konsiderojë të ardhurat personale, poashtu edhe ndihmën e siguruar nga bashkëshorti tjetër, siç është kujdesi për fëmijët, kryerja e punëve të shtëpisë, kujdesi dhe mirëmbajtja e pronës, si dhe çdo formë tjetër e punës dhe bashkëpunimit që ka të bëjë me administrimin dhe rritjen e pronës së përbashkët.
Albulena Haxhiu, deputete e Vetëvendosjes, e cila është në krye të Komisionit për Legjislacion, beson se ndryshimet e reja në Ligjin për Familjen do të ndihmojnë në krijimin e mekanizmave për mbrojtjen e të drejtave të grave në Kosovë mes një mentaliteti patriarkal që gjendet dhe mes gjyqtarëve.
“Ne jemi të vetëdijshëm për shkallën e lartë të papunësisë dhe gjithashtu se gratë dhe vajzat janë prekur kryesisht nga kjo papunësi,” thotë Haxhiu. “Në këtë drejtim ne duhet të krijojmë mekanizma për mbrojtjen e të drejtave të grave, pikërisht për shkak të mentalitetit patriarkal që dominon në Kosovë”.
Një pjesë tjetër e ligjit
Përderisa duket se ka mbështetje të gjerë për nocionin e sigurimit që puna e papaguar të njihet në ligj, ka dhe nga ato që bëjnë thirrje që të mos besojnë se hapat që ndërmerren për të ndryshuar këtë pjesë specifike të Ligjit mbi Familjen do të krijojnë kushte më të drejta për gratë.
Luljeta Demolli pajtohet me nevojën që të njihet puna e papaguar, por gjithashtu beson se duhet të ketë një qasje në trajtimin e çështjeve që çojnë në diskriminimin institucional ndaj grave. Së pari dhe më kryesorja, thotë ajo, këto ndryshime duhet të bëhen paralelisht me krijimin e mundësive ekonomike.
Demolli ka frikë se çdo shprehje në njohjen e punës së papaguar që përjashton diskutimin mbi uljen e papunësisë mund të nxisë një ndarje stereotipike të punës. “Duhet të jetë pjesë e barabartë gjatë martesës dhe pjesë e barabartë gjatë divorcit”, thotë Demolli. “Procesi i ndryshimit të Ligjit për Familjen duhet të jetë më gjithëpërfshirës, parimor dhe thelbësor, në mënyrë që ndarja e punës të mos jetë stereotipike dhe konservatore dhe të mos diskriminojë gratë që hyjnë në tregun e punës”.
Luljeta Demolli beson se përpjekjet për të siguruar që puna e papaguar të njihet siç duhet nuk duhet të trajtohet në izolim nga pabarazitë e tjera strukturore me të cilat ballafaqohen gratë. Foto: Agan Kosumi.
Ajo argumenton se duke mos pasur mundësi në punësim, gratë do të inkurajohen më tej të qëndrojnë në shtëpi, pasi ato do të dinë se puna në shtëpi do të paguhet gjatë çdo procedure divorci.
Demolli gjithashtu flet për fusha të tjera të Ligjit për Familjen pasi që ajo beson se krijuesit e politikave duhet t’i kushtojnë vëmendjen e tyre në të njëjtën kohë. Ajo nxjerr në pah nevojën për të qartësuar të drejtën për martesë mes gjinisë së njejtë – Ligji për Familjen aktualisht përcakton martesën si një “komunitet i regjistruar ligjërisht i dy personave të gjinive të ndryshme” – si dhe për të siguruar dispozita adekuate të mirëqenies shtetërore për kontributet e papaguara të kujdesit për fëmijët; dispozitat e tanishme detyrojnë të afërmit e partnerit/es, sipas vijës së trashëgimisë, për të siguruar mbështetje kur një ish-bashkëshortë nuk mundet.
“[Legjislacioni] nuk duhet të pasqyrojë vlerat patriarkale që lejojnë ’vijën e gjakut’ të jetë një faktor më i rëndësishëm sesa krijimi i mekanizmave institucionalë”, thotë ajo.
Haxhiu pranon se Ligji për Familjen ka shumë mangësi, por thotë se në këtë fazë Komiteti për Legjislacion ka trajtuar në mënyrë specifike njohjen e barabartë të asaj se çfarë ka sjellë secila palë martesës, me qëllim për të parë sa më shpejtë ndryshime të tjera.
“Ministria e Drejtësisë na ka informuar se deri në janar të vitit të ardhshëm do të vazhdojë me [bërjen e ndryshimeve] të Kodit Civil dhe pasi që Komiteti për Legjislacion është kompetent për ta shqyrtuar këtë, kemi arritur një marrëveshje për t’u marrë me çështje të tjera që janë diskriminuese dhe në dëm të grave dhe vajzave gjatë kohës që Kodi Civil të procedohet në Kuvend “, thotë ajo.
Përjashtim i vazhdueshëm nga prona
Pavarësisht nga ndonjë ndryshim i kuadrit ligjor, faktorët kulturorë dhe strukturorë që i pengojnë gratë të kenë qasje të barabartë në pronë që teknikisht është e drejtë e tyre, janë shumë më të vështirë për t’u ndryshuar.
Sipas një raporti të vitit 2016 nga BIRN, vetëm 16 përqind e pronës në Kosovë është e regjistruar në emër të grave. “E Drejta e Grave në Kosovë për të Trashëguar Pronën”, e cila analizoi të drejtat e trashëgimisë në Kosovë, deklaroi se tradita e zakonshme është të ndajë pasuritë në bazë të ligjeve zakonore, që mundësojnë ndarjen e marrëveshjeve ndërmjet palëve të ndryshme – zakonisht në favor të vëllezërve mbi motrat – apo mundësinë e heqjes së dorës nga trashëgimia. Në praktikë, gratë rrallë trashëgojnë pronë nga prindërit e tyre pasi zakonisht kalojnë nga babai tek djali.
Përveç përjashtimit nga pasuria përmes trashëgimisë, nuk ka asnjë traditë të partnerëve që regjistrojnë pronat bashkërisht nën dy emra, pavarësisht nga legjislacioni ekzistues që mundëson këtë.
“Kjo do të thotë se pavarësisht nga legjislacioni, ekziston një situatë shumë diskriminuese në lidhje me gratë që kanë të drejtë të krijojnë pasuri,” thotë Beka. “Pasojat e mos dokumentimit të pasurisë në emrat e të dy bashkëshortëve bëhen të dukshme si një problem shumë më i madh kur një çift fillon procedurat e divorcit dhe ndarjen e pronës”.
Pa pronësi të trashëguar ose letra për të provuar një pronë të përbashkët, Beka dhe Nrecaj argumentojnë se proceset e gjata gjyqësore shtojnë barrën e grave që janë në procesin e ndarjes nga burrat e tyre.
Anton Nrecaj, këshilltar ligjor në CLARD, thotë se gjykatat duke ndarë vendimet mbi të drejtën e pronësisë nga procedurat e divorcit, bën që rastet të zvarriten pa nevojë. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.
Nrecaj është shumë kritik ndaj praktikave gjyqësore, të cilat ai thotë se kanë bërë një traditë të ndarjes së padive lidhur me zgjidhjen e të drejtës së pronësisë nga procedurat e divorcit dhe ato që lidhen me të drejtat e kujdestarisë së fëmijëve.
“Kur dikush shkon në gjykatë, në të njëjtin proces mund të paraqitet për divorc dhe të kërkojë emrin e saj të beqarisë, por jo pronës, që është një problem i madh”, thotë Nrecaj. “Një raport nga Ombudspersoni thotë se kohëzgjatja mesatare e një procesi gjyqësor është tetë vjet, që do të thotë që një grua duhet të presë për tetë vjet që të zgjidhet çështja e pronës. Dhe tetë vjet është një kohë shumë e gjatë për të kërkuar një të drejtë.”
Beka shton se në rastet që ajo ka ndjekur, gratë shpesh mund të mbesin pa strehë.
“Gjatë viteve që kam praktikuar si avokate, si rezultat i zvarritjes së procedurave të ndarjes së pronës … Kam parë se si të gjitha këto pasoja kanë një efekt të thellë në mirëqenien psikologjike dhe fizike të grave dhe madje edhe të fëmijëve”.K
Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.