S`fundmi | Politika

LDK pritet të propozojë mocion mosbesimi ndaj qeverisë

Nga - 18.03.2020

COVID-19 shpërfaq plasaritjet e lidershipit të Kosovës.

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka njoftuar se partia e tij do të propozojë mocion mosbesimi ndaj qeverisë ku merr pjesë si partnere e koalicionit, pasi kundërpërgjigja ndaj COVID-19 shfaqi përçarjet politike mes liderëve të Kosovës.

Në një konferencë për shtyp të mërkurën mbrëma, Mustafa ka thënë se i ka shkruar Kryeministrit Albin Kurti që ta tërheq taksën 100% për produktet e Serbisë sepse “rrezikohet miqësia me ShBA-në”, porse nuk ka marrë përgjigje.

Kjo lëvizje vjen pasi Kurti shkarkoi Ministrin e LDK-së të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Agim Veliun, për dhënien e deklaratave rreth kundërpërgjigjes ndaj pandemisë COVID-19 që nuk përputhen me pozitën zyrtare të qeverisë.

“Sot kemi pasur një veprim të paparalajmëruar nga kryeministri — shkarkimin e një ministri të LDK-së”, ka thënë ai. “Jemi pajtuar t’i diskutojmë këto çështje me liderin e LDK-së, por kjo s’ka ndodhur — ky është një veprim arbitrar. Kjo tregon që zoti Kurti nuk dëshiron të bashkëpunojë me ne”.

Shkarkimi i Veliut vjen pas mosmarrëveshjeve ndërmjet qeverisë dhe Presidentit Hashim Thaçi lidhur me shpalljen e Gjendjes së Jashtëzakonshme. Veliu ka dhënë një intervistë ku duket se mbështet pozitën e presidentit mbi atë të kryeministrit.

Në një konferencë për shtyp të martën mbrëma, pas një takimi të Këshillit të Sigurisë, Thaçi i propozoi Kuvendit ta shpallë Gjendjen e Jashtëzakonshme për shkak të përhapjes së COVID-19.

“Gjendja e Jashtëzakonshme përfshin mobilizimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në tërë territorin e Republikës së Kosovës,” ka thënë Thaçi. “Dekreti [i nënshkruar] do të procedohet në Kuvend nesër [të mërkurën]”.

Megjithatë, po atë mbrëmje, Zëvendëskryeministri Haki Abazi tha në një konferencë tjetër për shtyp se qeveria e sheh shpalljen e Gjendjes së Jashtëzakonshme si masë të skajshme dhe se Kurti është kundër saj tash për tash. Ai shtoi se qeveria e ka në kontroll situatën e COVID-19 në Kosovë.

“Situata duhet të vëzhgohet dhe duhet të veprohet kur një gjendje e tillë [e jashtëzakonshme] është e nevojshme”, ka thënë Abazi. “Tash nuk është e nevojshme, dhe një vendim i tillë nuk duhet të merret”.

Tronditja e koalicionit qeverisës

Në mesin e mosmarrëveshjeve për nevojën e Gjendjes së Jashtëzakonshme, Kurti shpalli të mërkurën mbrëma se ka shkarkuar Ministrin e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Agim Veliun, një figurë e lartë e LDK-së. Njoftimi për shtyp i Zyrës së Kryeministrit theksoi se ndër arsyet për shkarkimin e Veliut është se u deklarua publikisht kundër vendimit të kryeministrit për shpalljen e Gjendjes së Jashtëzakonshme.

“Ai, gjithashtu, në këtë deklarim, përhapë panik duke thënë se ‘numri i të prekurve po rritet prej ore në orë’. As Ministria e Shëndetësisë e as Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike nuk thanë që numri i të infektuarve me COVID-19 po rritet nga ora në orë”, thotë njoftimi për shtyp.

“Përmes deklaratave të tij të bëra publikisht, por jo edhe të mbështetura me qëndrime të tij në mbledhje të brendshme, Ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, z. Veliu ka dëshmuar mungesë të theksuar lidershipi dhe ka minuar hapur punën e qeverisë, pjesë e të cilës ai është”.

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, është përgjijgur ndaj lajmit në Facebook duke thënë se “veprimet e njëanshme të Kryeministrit janë të dëmshme dhe të papranueshme dhe qojnë në prishje të koalicionit”.

“Si kryetar i LDK-së nuk jam konsultuar nga Kryeministri dhe aq më pak i pranoj arsyet e tij te bëra publike."

Isa Mustafa, kryetari i LDK-së

“Me marrëveshje kemi përcaktuar se ministrat mund të shkarkohen nga Kryeministri në konsultim me Kryetarin e subjektit politik me të cilin është bërë koalicioni, bazuar në një arsyetim që e pranon Kryetari i LDK-së”, ka shkruar ai. “Si kryetar i LDK-së nuk jam konsultuar nga Kryeministri dhe aq më pak i pranoj arsyet e tij të bëra publike”.

Ai fillimisht nxiti Kurtin ta shfuqizojë vendimin për shkarkimin e Veliut dhe ta heq taksën 100% ndaj produkteve të Serbisë deri në fund të javës; tarifa mbetet mollë sherri mes LDK-së dhe Vetëvendosjes së Kurtit. 

Në ndërkohë, si kundërpërgjigje ndaj propozimit për shpalljen e Gjendjes së Jashtëzakonshme, Lista Serbe ka thënë në një njoftim për shtyp se Prishtina po përpiqet ta sistemojë FSK-në në veri të Kosovës me pretekstin e mbrojtjes së qytetarëve, por “me qëllim të okupimit të qetë të komunave serbe”.

“I bëjmë thirrje komandës së KFOR-it që me urgjencë të pengojë dhe të hedhë poshtë mundësinë e vendosjes së formacioneve ushtarake të Prishtinës në veri të Kosovës dhe të veprojë në përputhje me marrëveshjen që garanton se këto formacione nuk mund të vendosen në katër komunat veriore”, thotë njoftimi.

Çfarë është gjendja e jashtëzakonshme?

Pas njoftimit të Thaçit të martën mbrëma se kishte nënshkruar dekretin, ai foli në një konferencë për shtyp të mërkurën në mëngjes, ku tha se procesi i dekretit po finalizohet dhe se do të njoftonte së shpejti për hollësitë. Ai tha se Gjendja e Jashtëzakonshme do të zgjaste 30 ditë, por do të mund të vazhdohej apo shkurtohej varësisht prej zhvillimeve.

Kushtetuta e Kosovës thotë se nëse shfaqet nevoja për masa emergjente të mbrojtjes, presidenti shpall Gjendjen e Jashtëzakonshme në konsultim me Kryeministrin.

Kur shpallet Gjendja e Jashtëzakonshme, presidenti “shpallë menjëherë një dekret, i cili përcakton natyrën e gjendjes së emergjencës dhe çfarëdo kufizimi mbi të drejtat dhe liritë”. Brenda 48 orëve pas shpalljes së Gjendjes së Jashtëzakonshme mbahet votimi në Kuvend; kërkohen dy të tretat e votës prej deputetëve të pranishëm dhe që votojnë për të dhënë pëlqimin.

Gjendja e Jashtëzakonshme i jep fuqinë Këshillit të Sigurisë për të bërë veprime të caktuara ekzekutive ose për të zbatuar politika që mund t’i kufizojnë të drejtat dhe liritë e qytetarëve për një kohë të caktuar.

Sipas Kushtetutës së Kosovës, presidenti mund të shpallë Gjendjen e Jashtëzakonshme kur janë të nevojshme masat emergjente për mbrojtje, kur ka rrezik të brendshëm ndaj rendit kushtetues, ose kur një katastrofë natyrore prek Kosovën pjesërisht a tërësisht.

Thënë thjesht, Gjendja e Jashtëzakonshme i jep fuqinë Këshillit të Sigurisë për të bërë veprime të caktuara ekzekutive ose për të zbatuar politika që mund t’i kufizojnë të drejtat dhe liritë e qytetarëve për një kohë të caktuar; në Kosovë kjo mund të zgjasë deri në pesë muaj, ose në rastet më të jashtëzakonshme, deputetët mund të votojnë për ta vazhduar.

Këshilli i Sigurisë Kombëtare kryesohet nga kryeministri, porse gjatë Gjendjes së Jashtëzakonshme merret përsipër nga presidenti.

Shifrat e vërtetuara dhe masat

Në kohën e botimit janë 20 raste të vërtetuara të COVID-19 në Kosovë që nga shfaqja e rastit të parë më 13 mars. Rasti i fundit është vërtetuar të mërkurën më 18 mars, një grua 55 vjeçe nga komuna e Podujevës.

Sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, e funda është rast “kontakti” që domethënë se personi është infektuar nga kontakti me një person tjetër që është vërtetuar ta ketë virusin më parë. Të martën më 17 mars janë vërtetuar dy raste; një grua 49 vjeçe dhe një burrë 54 vjeç nga Gjakova që janë kthyer së voni nga Gjermania.

Komunat e Vitisë, Malishevës dhe Klinës, si dhe fshati Dumnicë në Podujevë raportohet se janë në karantinë. Rastet e tjera të vërtetuara janë nga Prizreni, Obiliqi, Prishtina dhe Gjakova.

Të martën më 18 mars, në një njoftim për shtyp të Ministrisë së Shëndetësisë është thënë se gjendja e 10 personave që janë spitalizuar është “stabile”, me përjashtim të një pacienti 77 vjeç që “po ndihmohet herë pas here me terapi oksigjeni”.

Sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, ekipet mjekësore në vendet gjegjëse janë në terren dhe po i gjurmojnë kontaktet e të vërtetuarve me COVID-19 “për mbikëqyrje katërmbëdhjetëditëshe, duke iu rekomanduar të vetizolohen dhe të paraqiten te Klinika Infektive nëse shfaqin simptoma”.

Nëse mendoni se keni simptoma, numri për informata dhe konsultime është 038/200-80-800.

Ministria e Shëndetësisë po ashtu ka raportuar se Klinika Infektive do të shërbejë vetëm për trajtimin e COVID-19, ndërsa ndërtesa e Mjekësisë Sportive po përgatitet po ashtu për ta rritur kapacitetin me 100 shtretër shtesë. Veç hapësirave të tjera që po lirohen, rreth 500 shtretër do të jenë të disponueshëm në rast se rritet numri i pacientëve me COVID-19 në QKUK.

Më 18 mars, qeveria njoftoi se ka caktuar Qendrën e Studentëve në Prishtinë, ku gjenden konviktet studentore të universitetit publik, si hapësire karantine. Vendimi i qeverisë thotë se ata që janë vërtetuar ose dyshohen të kenë pasur kontakt me njerëzit që kanë ose mund ta kenë COVID-19 duhet të hyjnë në karantinë; tash për tash është e paqartë se si kjo do të zbatohet në praktikë, ose si do t’i ndikojë njerëzit që tashmë janë në karantinë në shtëpitë e tyre.

Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë ka krijuar një uebfaqe të re në tri gjuhë për ta ndihmuar raportimin e rasteve të mundshme të COVID-19, ose për t’i marrë vesh simptomat: htps://www.kosova.health/

Nëse mendoni se keni simptoma, numri për informata dhe konsultime është 038/200-80-800.

Kthimi i qytetarëve, grumbullimi i rezervave

Ministri i Infrastrukturës dhe Mjedisit, Lumir Abdixhiku, njoftoi të martën mbrëma në Facebook se qytetarët e Kosovës që gjenden jashtë vendit dhe që s’kanë mundësi të rrinë jashtë duhet t’i kontaktojnë ambasadat e Kosovës brenda 48 orësh.

“Në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Ministria e Infrastrukturës dhe Ambientit do të lejojë — në mundësitë që ekzistojnë — kthimin e organizuar për rastet e evidentuara nga ambasadat tona”, ka thënë ai. “Në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë, secili i kthyer do të qëndrojë i mbyllur në karantinë për një kohë të dhënë”.

Shqipe Ramadani, mjeke që kryen analizat në pikën kufitare në Merdarë, ka thënë për KosovaPress më 17 mars se ardhjet e autobusëve me udhëtarë janë pakësuar në ditët e fundit. “Numrat janë më të vegjël, pra nuk ka më ardhje dhe vajtje të autobusëve, vetëm disa kamionë dhe disa udhëtarë që vijnë për punë”, ka thënë ajo.

Lani duart shpesh për së paku 20 sekonda, mbani distancën shoqërore dhe rrini në shtëpi sa më shumë që është e mundur.

Ajo po ashtu raportoi se pajisjet mjekësore që ka stafi janë të kufizuara. “Duhet të jemi kursimtarë kur përdorim dorëzat, maskat, uniformat”, ka thënë ajo.

Janë ndarë 400,000 euro nga qeveria për blerjen e pajisjeve mbrojtëse për stafin mjekësor, policët dhe punëtorët kufitarë sipas një njoftimi për shtyp të Minstrisë së Shëndetësisë.

Për më shumë, prej 10 milionë eurove të ndara për zbatimin e aktiviteteve që përfshihen në Planin e Veprimit kundër COVID-19, qeveria ka ndarë 6.2 milionë euro për përdorim të menjëhershëm.

Donacionet mjekësore, pajisjet, mbështetja financiare dhe donacionet e tjera kanë ardhur ose pritet të vijnë nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, UNICEF-i, Banka Botërore, shpërndarësit vendorë dhe individët.

Këshillat e përgjithshme parandaluese prej Ministrisë së Shëndetësisë dhe Institutit të Shëndetësisë Publike mbesin të njëjtat: lani duart shpesh për së paku 20 sekonda, mbani distancën shoqërore dhe rrini në shtëpi sa më shumë që është e mundur.

Arsimi në distancë

Pas masave të qeverisë për ta parandaluar përhapjen e COVID-19, institucionet arsimore janë mbyllur prej datës 12 mars. Disa shkolla dhe universitete private kanë nisur të ofrojnë mësim online për studentët e tyre.

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka thënë në një njoftim për shtyp se po bën përpjekje për ta nisur mësimin online për të gjithë studentët në shkollat private dhe publike. Sipas njoftimit, Ministria po punon me ofrues të internetit në mënyrë që familjeve pa qasje t’u mundësohet lidhja falas në internet.

“Nuk mund të jap afate se kur mund të nisë, është vështirë të jepet një datë”, ka thënë Ministrja Hykmete Bajrami për Radion Evropa e Lirë. “Besoj se do të nisim me diçka shpejt. Studentët, prindërit, arsimtarët do të njoftohen së shpejti”.

Në ndërkohë, Asociacioni i Mediave të Pavarura Elektronike në Kosovë (AMPEK) i ka bërë thirrje qeverisë t’i ndihmojë mediat për shkak të situatës me COVID-19. Sipas AMPEK, vendimet e qeverisë për t’i pezulluar aktivitetet e caktuara ekonomike do t’i ndikojnë drejtpërdrejt mediat, meqë bizneset tashmë kanë nisur t’i shkëputin kontratat e marketingut me mediat.

AMPEK i bën thirrje qeverisë ta vendosë një moratorium të menjëhershëm për obligimet kreditore të mediave, dhe të shtyhen pagesat deri në tre muaj. Po ashtu, ata kërkojnë një moratorium për “obligimet e mediave ndaj shtetit” për një periudhë prej tre muajsh.

Familjarizimi me jetën në ngujim

Me motin e mirë, sidomos të martën më 17 mars, shumë qytetarë janë nisur për në Parkun Nacional të Gërmisë pavarësisht kërkesave nga autoritetet për të qëndruar në shtëpi dhe për të dalë vetëm në rast nevoje.

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka thënë në Facebook se afërsia me njerëz të tjerë në një turmë pa e ditur gjendjen shëndetësore të njëri-tjetrit është “sjellje moskokëçarëse për veten, familjen dhe të tjerët”.

“Do ta përcjellim situaten edhe nesër (18 mars) por nuk është kohë pikniku”, ka thënë ai. “Nuk ka nevojë për orë policore por definitivisht nuk na duhet relaksim i tillë”.

Supermarketet e mëdha tashmë janë pajtuar ta kufizojnë orarin e punës prej 08:00-12:00 nga e marta në mënyrë që ta kufizojnë ekspozimin e stafit. Pavarësisht garancive nga qeveria se do të ketë ushqim të mjaftueshëm, ende ka raportime për njerëz që blejnë me shumicë, kryesisht artikujt sikur miellin.

Agon Gashi, drejtori ekzekutiv i Meridian Express ka thënë për K2.0 se furnizimet e reja të miellit po shiten brenda orësh. “Ka kapacitet të mjaftueshëm por është çështje e zinxhirit furnizues, kohës së procesimit, paketimit, shpërndarjes, etj.”, ka thënë ai.

“Deri tash, të gjithë po vijnë në punë në Meridian, me përjashtimin e dy punëtorëve prej më se 500. Deri tash gjithçka është nën kontroll, dhe me orarin e ri besoj se e kemi bërë më të lehtë dhe të përshtatshme për stafin tonë”.

Evropa ngujohet

Tash janë më se 200,000 raste të vërtetuara me COVID-19 në botë. Kina, Italia, Irani, Spanja dhe Gjermania janë pesë shtetet më të prekura nga pandemia. Më se 82,000 prej njerëzve të infektuar janë shëruar, ndërsa mbi 8,000 kanë vdekur.

Mali i Zi tash ka dy raste të vërtetuara, duke qenë shteti i fundit në Evropë që ka shpallur raste me sëmundjen. Montenegro Airlines ka pezulluar të gjitha fluturimet, ndërsa qeveria malazeze ka pezulluar po ashtu të gjitha linjat hekurudhore dhe të autobusëve.

Serbia ka ndaluar tërë aktivitetet zgjedhore dhe ka shtyrë zgjedhjet e përgjithshme të caktuara për 26 prill. Po ashtu, aty kanë nisur mësimet online dhe përmes televizorit për studentë dhe nxënës. Mbi 35,000 qytetarë serbë thuhet se janë kthyer nga jashtë në dy ditët e fundit. Ora e përgjithshme policore prej 20:00 deri 05:00, e shpallur nga Presidenti Aleksandar Vuçiq, planifikohet të nisë të mërkurën.

Në ndërkohë, Bashkimi Evropian ka ndaluar udhëtimet joesenciale për 30 ditë, me ç’rast do të lejohen vetëm transporti i mallrave dhe lëvizjet e njerëzve për punë brenda bllokut prej 26 shtetesh. Shumë anëtare të BE-së po i mbyllin kufijtë me njëra-tjetrën, ndërsa Mbretëria e Bashkuar i ka këshilluar qytetarët të udhëtojnë vetëm kur është nevoja. Gjermania po ashtu ka ndarë 55 milionë euro për t’i kthyer qytetarët e saj anekënd botës. Belgjika ka shpallur gjithashtu ngujimin.

Franca ka shpallur ngujimin pesëmbëdhjetëditor dhe ka ndaluar të gjitha grumbullimet publike. Ata që lënë shtëpitë duhet ta printojnë një dokument të qeverisë ku deklarojnë se përse kanë lënë shtëpinë ose mund të gjobiten me 135 euro. Presidenti francez, Emanuel Makron, ka thënë se “Ne jemi në luftë”. Të gjitha pagesat e qirasë, ngrohjes dhe kredive pronësore në Francë janë pezulluar.

IOM-ja dhe UNHCR-ja kanë njoftuar se do ta ndalojnë përkohësisht rivendosjen e refugjatëve në shtete të sigurta. Disa shtete kanë ndaluar së pranuari refugjatët dhe në raste të tjera, çrregullimi i transportit ka penguar udhëtimin e tyre.

Ngjarjet e mëdha sportive dhe kulturore po ashtu po anulohen. Pas shtyrjes së garës Euro 2020 në vitin 2021, gara e Eurovision-it ka njoftuar po ashtu se do ta anulojë edicionin e sivjetëm.K

Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla / K2.0.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO

Kthehu n'fillim

THANKS FOR YOUR COMMENT

AFTER A QUICK CHECK IT WILL BE PUBLISHED HERE. PLEASE BE PATIENT.

THANKS FOR SUBSCRIBING

THANKS FOR YOUR COMMENT

AFTER A QUICK CHECK IT WILL BE PUBLISHED HERE. PLEASE BE PATIENT.