Në vitin 2012, njerëzit LGBTQ+ në Ukrainë u përballën me njërin nga kërcënimet më të mëdha për të drejtat e tyre themelore që nga rënia e Bashkimit Sovjetik. Ligjvënësit po shënjestronin kundër “propagandës gej” dhe po shtynin përpara një projekt-ligj që do ta ndalonte promovimin ose mbrojtjen e çështjeve të komunitetit LGBTQ+, si dhe do të vendoste gjoba dhe burgosje për shkelësit e supozuar.
Mes retorikës së përhapur kundër LGBTQ+ dhe kërcënimeve për dhunë nga grupet e ekstremit të djathtë, Lenny Emson, drejtore ekzekutive e “KyivPride” — organizata më e madhe e krenarisë në Ukrainë — bashkoi forcat me aktivistë e aktiviste tjerë/a LGBTQ+ për të organizuar një protestë dhe marshin e parë të Krenarisë në Ukrainë.
“Kështu lindi “Krenaria e Kievit”. Ishte protestë kundër kësaj tentative për ta njohur këtë ligj”, tha Emson.
Parada e parë e Krenarisë, që u bë e njohur si Marshi i Barazisë, parashihej të mbahej në Kiev në vitin 2012, por u anulua në minutën e fundit për shkak të reagimit të ashpër.
“Aktivistët e djathtë radikalë dhe organizatat radikale të djathta u bashkuan dhe u grumbulluan aty ku mendohej të zhvillohej marshi i Krenarisë dhe hapësira ishte e mbipopulluar me persona me maska që mbanin shkopinj bejsbolli, në gatishmëri për të na rrahur”, kujton Emson. “Policia na tha se nuk ka kapacitet për të na mbrojtur. Nuk i rrezikuam njerëzit tanë dhe vendosëm të tërhiqeshim”.
Vitin tjetër, Krenaria e parë u zhvillua me disa pjesëmarrës që marshuan, numër që sa vinte e shtohej vit pas viti. Ndërkohë qeveria ukrainase u tërhoq nga adoptimi i ligjit diskriminues. Në vitin 2013, shteti fqinj, Rusia, zbatoi legjislacion të ngjashëm, që ndalon shpërndarjen e “propagandës gej” dhe “propagandës së marrëdhënieve seksuale jo tradicionale” tek të miturit.
“Në vitin 2021, patëm 7,000 njerëz që marshuan në qendër të qytetit [gjatë Krenarisë së Kievit] dhe qindra kundër-protestues, kështu që baraspesha ndryshoi”, tha Emson.
Këtë vit, për shkak të luftës, “Krenaria e Kievit” e zhvendosi marshimin në rrugët e Varshavës, ku marshi vjetor i qytetit, ngjarja më e madhe e Krenarisë në Evropën Qendrore, pati mbi 120,000 pjesëmarrës që marshuan për paqe.
Lenny Emson nga Krenaria e Kievit po punon për të siguruar të drejtën për bashkësi civile të të njëjtit seks në Ukrainë. Fotografia: Igor Čoko / K2.0.
“S’ka qenë festë. Marshuam për të drejtat e njeriut të ukrainasve, për të drejtat e njeriut të të gjithëve”, tha Emson. “Do të doja që edhe vendet dhe komunitetet e tjera t’i bashkohen këtij niveli të solidaritetit sepse propaganda ruse gjendet kudo dhe nëse ne nuk fitojmë, atëherë Rusia do t’i synojë vendet e tjera, ndoshta jo përmes pushtimit, por përmes fuqisë politike. Në secilin opsion, për komunitetin LGBTQ+, do të ishte fundi”.
K2.0 u takua me Lenny Emson në Beograd gjatë EuroPride për të folur për aktivizmin në kohë lufte, për njerëzit LGBTQ+ ukrainas që i janë bashkuar ushtrisë dhe për përpjekjen në Ukrainë për bashkësitë civile të të njëjtit seks.
K2.0: Si ka ndryshuar KyivPride dhe aktivizmi juaj që nga pushtimi rus në shkurt?
Lenny Emson: Vendosëm t’i shtynim për më vonë fushatat tona të avokimit dhe informimit dhe të përqendroheshim në ndihmën humanitare dhe nevojat e komunitetit.
Shumë njerëz humbën punën dhe shumë kompani thjesht u mbyllën. Shumë njerëz mbetën në rrugë. Personat LGBTQ+ janë gjithmonë komuniteti më i margjinalizuar në çdo vend dhe Ukraina nuk përbën përjashtim. Kështu, KyivPride po i ndihmon njerëzit me ndihma të drejtpërdrejta, duke u dërguar atyre të holla për strehim dhe ushqim.
Ne e organizojmë një strehimore në kryeqytet dhe strehimore të tjera të organizatës LGBTQ+ në qytete të tjera. Po ashtu, bashkëpunuam me organizatat LGBTQ+ nëpër Evropë, në mënyrë që njerëzit të mund të gjejnë hapësira të sigurta.
Mendoj se ky është shembull i jashtëzakonshëm se si një komunitet mund të vetë-organizohet dhe se si mund t’u ofrojë ndihmë dhe mbështetje të tjerëve. Ndonëse disa organizatave iu desh të zhvendoseshin dhe të dilnin jashtë vendit, shumë aktivistë vendosën të qëndronin në Ukrainë për të ofruar ndihmë dhe për t’u angazhuar. Jam vërtet krenare për kolegët e mi aktivistë e aktiviste të LGBTQ+, sepse vendosën të angazhohen, ta ndihmojnë vendin të fitojë.
Lufta e ka transformuar Ukrainën brenda natës. Ka vënë në rrezik të vazhdueshëm jetën e çdo banori dhe ka sjellë forma të reja mobilizimi dhe aktivizmi. Cilat janë disa nga shqetësimet kryesore të njerëzve LGBTQ+ në Ukrainë?
Për ne politikisht dhe për të gjithë rajonin — jo vetëm Ukrainën, por edhe Moldavinë, Serbinë dhe vendet e BE-së si Kroacia, Polonia dhe Franca — gjëja e përbashkët është se e kemi qeverinë ruse, e cila mbështet grupet radikale të krahut të djathtë, përmes përkrahjesfinanciare prej vitesh, përkrahjes për politikanët radikalë të djathtë që mbështesin këtë homofobi dhe transfobi politike.
Është homofobi dhe transfobi politike sepse nuk janë aktivë vetëm në rrugë si njerëz agresivë që na rrahin dhe na margjinalizojnë. Janë aktivë politikisht. Janë njerëzit që shpallin zona të lira nga LGBTQ+ në Poloni, janë njerëzit që kundërshtojnë martesën e të njëjtit seks në Slloveni. Janë njerëz, që këtu, në Beograd protestuan kundër Krenarisë.
Ky është problemi ynë i përbashkët rajonal dhe ka qenë shumë kohë përpara luftës. Dhe duhet ta kuptojmë këtë gjë: këtu kemi një armik të përbashkët, që po kundërshton të drejtat tona themelore të njeriut. Duhet ta shqyrtojmë dhe duhet të bashkohemi për ta kundërshtuar atë. Dhe lufta që po ndodh tani në Ukrainë është disi kulmi i gjithë kësaj.
KyivPride ofron strehimore për njerëzit LGBTQ+ në Ukrainë, pavarësisht nëse ikin nga dhuna e ushtrisë ruse apo nga homofobia vendore. Fotografia: Lenny Emson.
Nëse Ukraina fiton — kur të fitojë Ukraina — kjo është pika fillestare prej ku do të duhet të organizohemi për ta luftuar këtë ndikim politik në të gjithë Evropën.
Në Ukrainë për vite me radhë luftuam ta kemi njohjen ligjore të gjinisë për njerëzit trans. Në vitin 2016 e arritëm. Dhe më në fund njerëzit trans përfituan të drejtën për ta ndryshuar shënuesin e gjinisë; pas disa konsultave me një psikiatër mund ta ndryshosh shënuesin gjinor në pasaportë.
Por ende po luftojmë për martesën midis personave tëtë njëjtit seks. Siç edhe ndoshta e dini, e dërguam një peticion te zyra e Presidentit dhe Presidenti Volodymyr Zelenskyy e mbështeti atë, por tha se tani me ligjin ushtarak nuk mund ta ndryshojmë kushtetutën, por mund t’i shikojmë partneritetet civile për partnerët e të njëjtit seks. Tani seanca parlamentare është në vjeshtë dhe besoj se do të shtyjmë tutje që kjo çështje të shqyrtohet nga parlamenti.
Por gjithashtu e shoh se si po rritet komuniteti. Kemi më shumë rini që s’kanë frikë të dalin hapur; kemi më shumë njerëz që nuk frikësohen të vijnë e të marshojnë në Krenari. Kemi më shumë aktivistë dhe komuniteti po rritet. Po rritet sepse njerëzit nuk kanë frikë të dalin hapur.
Kur fillova karrierën time isha aktiviste e hapur dhe kisha shumë kërkesa nga mediet dhe të gjitha pyetjet ishin të padrejta: “A të pëlqen seksi?” “Kush është burri dhe kush është gruaja në lidhjen tuaj si lezbike”?
Tash, gazetarët bisedojnë me ty për të drejtën e marshit, për martesën, për adoptimin e fëmijëve. Nuk të shohin si objekt shoqëror, por si grup shoqëror.
Kështu që, ky është një ndryshim i madh që ka ndodhur në medie në 15 vitet e fundit. Kur filluam me marshin e Krenarisë, pati shumë gazetarë që nuk ishin me patjetër kundër nesh, por ata e shihnin marshin si demonstrim seksual për shkak të narrativave propagandistike.
Ndryshimi ndodhi sepse komuniteti LGBTQ+ luftoi për të drejtat dhe liritë e veta.
Por tash e shohin se marshi i Krenarisë është protestë. Kur e panë që Marshi i Krenarisë po i mbledhë organizatat e të drejtave të njeriut, ndryshuan narrativën mediale. Dhe narrativa mediale është ajo që ndikon në opinionin shoqëror. Sigurisht që ka shumë njerëz homofobikë dhe transfobikë. Ka të tillë, janë kudo.
Këto ndryshime, ky përparim i të drejtave komunitetit LGBTQ+ gjatë dekadës së fundit është mjaft i dukshëm kur lexojmë për Ukrainën gjatë dekadës së fundit. Shumë politika dhe ligje përparimtare, të tilla si politikat kundër diskriminimit në punësim, përkojnë me periudhën pas Maidan. Disa raporte mediale sugjerojnë se kjo qasje më pranuese ndaj të drejtave të komunitetit LGBTQ+ lidhet me qëllimet e vendit drejt Bashkimit Evropian (BE).
Puna është se ky ndryshim nuk do të bëhej i mundur pa punën e aktivistëve e aktivisteve. Ky ndryshim nuk ka ardhur vetëm për shkak të politikanëve apo ndonjë ndikimi tjetër. Ky ndryshim ndodhi sepse komuniteti LGBTQ+ luftoi për të drejtat dhe liritë e veta.
Homoseksualiteti u dekriminalizua në Ukrainë në vitin 1991, menjëherë pasi fituam pavarësinë. Ukraina ishte vendi i parë në hapësirën post-sovjetike që e dekriminalizoi homoseksualitetin. Më pas në vitin 1993 u krijuan grupet e para LGBTQ+. Në vitin 1996 u krijua shoqata e parë LGBTQ+ në Ukrainë.
Pra, ndodhi hap pas hapi dhe komuniteti po rritej dhe deri në kohën e protestave Maidan në vitet 2013-2014 ishim mjaftueshëm të fortë për të qenë fuqi politike. Ne si komunitet bëmë shumë për t’i nxitur politikanët — e jo anasjelltas. Patëm ndikim tek ata, i shtymë përpara dhe morëm shumë mbështetje.
Njerëzit LGBTQ+, të cilët shumicën e herëve janë shumë të pafavorizuar, përballen me rreziqe shtesë në trazirat e luftës. Si po e përballojnë luftën njerëzit LGBTQ+ në Ukrainë?
Jemi informuar nga njerëzit që kanë ngecur në territoret e okupuara se forcat e Ushtrisë Ruse po kryejnë krime të urrejtjes dhe po keqtrajtojnë njerëzit LGBTQ+. Jemi duke intervistuar anëtarë të komunitetit në territoret e okupuara, kësisoj do të kemi shembuj se çka po ndodh tani, por megjithatë, vetëm shembuj individualë.
Pastaj, në anën tjetër, kemi shumë krime të urrejtjes ndaj personave LGBTQ+ në territoret e pa okupuara. Sepse tash kur policia dhe ushtria janë të zënë me luftën, ka shumë njerëz që ndiehen të lirë të kryejnë krime.
Emson në fotografi me një person që është anëtar edhe i Ushtrisë së Ukrainës edhe komunitetit LGBTQ+ në Ukrainë. Fotografia: Lenny Emson.
Krimet e urrejtjes ndaj njerëzve LGBTQ+ po rriten. Pra, anëtarët e dukshëm të komunitetit, si njerëzit trans, gej, po pësojnë rrahje dhe po nënshtrohen poshtërimit, të të gjitha llojeve të krimeve të urrejtjes, nga njerëzit dhe nga policia.
Në fakt numërojmë mbi 100 raste të sapo raportuara në organizatat LGBTQ+. Dhe sugjerojmë se numri real mund të jetë 10 herë më shumë, sepse shumica nuk raportojnë.
Njerëzit LGBTQ+ në Ukrainë gjenden në mes dy të këqijave. Në njërën anë janë rusët, të cilët janë mizorë me të gjithë ukrainasit. Në anën tjetër, në mesin e ukrainasve ka shumë njerëz që i urrejnë njerëzit LGBTQ+ dhe disi ndihen të lirë për të kryer krime të urrejtjes.
Në Serbi, Kisha Ortodokse mbështeti ndalimin e ngjarjes pan-evropiane LGBTQ+ EuroPride, duke e shpallur atë një kërcënim për vlerat tradicionale. Në Beograd, Kisha është institucion shumë i politizuar me ndikim të madh në mënyrën se si formësohen narrativat për tema të tilla. Cili është roli i Kishës Ortodokse Ruse dhe i Kishës Ortodokse të Ukrainës kur bëhet fjalë për formësimin e pikëpamjeve të shoqërisë për çështjet LGBTQ+?
Në Ukrainë kemi kishën ortodokse ruse dhe kishën ortodokse ukrainase dhe ata nuk kanë pajtueshmëri mes vete, por për sa i përket çështjeve të komunitetit LGBTQ+, janë shumë të bashkuar. Ata dhe Kisha Katolike gjithashtu.
E kanë një Këshill të Kishave në Ukrainë dhe ky këshill ka qëndrim shumë të qartë për njerëzit LGBTQ+ dhe pozicioni nuk është në favorin tonë.
Fatmirësisht, këta njerëz nuk kanë aq shumë ndikim politik dhe shoqëror si në vendet e tjera. Apo si në vende si Serbia ose Polonia, ku kisha ka shumë më tepër ndikim. Ukraina do të thoja që nuk është aq fetare dhe për këtë mendoj se jemi shumë me fat. Kisha është ende armiku ynë. Nuk na tolerojnë, por për fatin tonë nuk kanë pushtet politik.
Shumë persona LGBTQ+ po i bashkohen Ushtrisë Ukrainase për të luftuar për vendin e tyre. Pavarësisht gjithë përparimit, në mbarë botën shumë njerëz queer në hapësirat ushtarake përballen me diskriminim ose keqtrajtim, ose detyrohen ta fshehin seksualitetin e tyre. Si po ia dalin njerëzit LGBTQ+ në ushtri?
Po e diskutoja këtë me një aktivist gej, që shërben në ushtri dhe e pyeta për mendimin e tij dhe më tha se të gjitha këto raporte për diskriminim në ushtri vijnë nga ushtritë që nuk janë në veprim aktiv.
Në vendet evropiane ushtritë janë thjesht një institucion. Por kur je në vijën e parë të frontit, e sheh armikun përballë dhe i sheh plumbat që vijnë dhe artileria teksa të qëllon dhe në këtë situatë, dëshiron të jesh i hapur me veten sepse jeta jote mund të marrë fund brenda një minute.
Po luftojmë për të drejtën tonë për të qenë të dukshëm në ushtri.
Dhe ti dëshiron ta kalosh kohën e mbetur ashtu siç je dhe njerëzit përreth teje të shohin si shok me të cilin luftoni bashkë dhe nuk të diskriminojnë si person LGBTQ+. Këta aktivistë u përpoqën t’i masin krimet e urrejtjes ndaj ushtarëve LGBTQ+ në ushtri dhe thanë se tash në fazën aktive të luftës nuk ka shumë raportime brenda ushtrisë. Shpjegimi i tij është se njerëzit janë shumë të zënë duke luftuar.
Lufta mund t’i përkeqësojë modelet para-ekzistuese të diskriminimit kundër grave dhe vajzave dhe personave LGBTQ+. Shpesh, përpjekjapër barazi gjinore dhe të drejtat e LGBTQ+ nënçmohet ose margjinalizohet brenda luftës përfundimtare nacional-çlirimtare. Diçka të ngjashme e kemi parë gjatë Luftës së Kosovës. Si mbahen të rëndësishme të drejtat e grave dhe të drejtat e LGBTQ+ në këtë kohë kur luftohet për liri?
Do të thoja se këtu, ndoshta është shumë e veçantë për Ukrainën, por për momentin, të drejtat e grave dhe të drejtat e LGBTQ+, janë po ashtu në vijë të parë të frontit. Sepse gratë po përpiqen për të drejtën për t’u pranuar si ushtare, jo vetëm për të marrë pjesë në asistenca mjekësore. Po përpiqen për të drejtën për të qenë aty, të barabarta me burrat në vijën e parë të frontit.
Dhe e njëjta vlen për komunitetin LGBTQ. Po luftojmë për të drejtën tonë për të qenë të dukshëm në ushtri.
Ka shumë aktivistë e aktiviste që iu bashkuan ushtrisë dhe janë të hapur. Po luftojnë sepse tashmë janë angazhuar në ushtri dhe veç janë të angazhuar në lëvizje dhe po e kombinojnë këtë së bashku, të drejtën e tyre për të qenë të dukshëm dhe për ta mbajtur agjendën e LGBTQ+ më të dukshme dhe me plot ngjyra.
Ta zëmë, për partneritetet civile mes të njëjtit seks. Po e shtyjmë para këtë sepse na duhet para së gjithash për ushtarët tanë. Sepse nëse nuk je i/e martuar, zyrtarisht nuk mund ta marrësh trupin. Nëse vriten në fushën e betejës, nuk mund ta marrësh trupin. Nuk mund ta organizosh funeralin. Nëse personi është i/e plagosur dhe në spital, nuk mund të kujdesesh për të dhe të marrësh një vendim për të në rast ka ndërhyrje kirurgjike.
Kjo është gjëja më kritike, por ka edhe gjëra të përditshme: e drejta për të pasur një shtëpi ose banesë bashkë. Një çift i martuar mund ta kenë një banesë së bashku, por një çift i pamartuar jo.
Kjo është arsyeja pse ne po shtyjmë para partneritetet civile pikërisht tani në mes të luftës. Sepse kjo është çështje politikisht e rëndësishme për personat LGBTQ+. Pra, njerëzit heteroseksualë — nuk e mbaj mend numrin e saktë — por nga kjo periudhë, nëse krahasojmë me një vit më parë, 10 herë më shumë njerëz u martuan krahasuar me një vit më parë, sepse njerëzit e mendojnë se nesër mund të vriten.
Njerëzit heteroseksualë mund ta bëjnë këtë dhe ne nuk mundemi dhe kjo s’është e drejtë. Dhe ne po luftojmë për të drejtat tona në vijën e parë të frontit.
Ky artikull është redaktuar për gjatësi dhe qartësi. Intervista u zhvillua në gjuhën angleze.
Imazhi i ballinës: Igor Čoko / K2.0.