Gjatë Luftës së Dytë Botërore autori i mirënjohur norvegjez Arnulf Øverland (1889-1968) e shkroi atë që ndoshta u bë poezia e tij më e njohur “Nuk guxon të flesh!”, pjesë e së cilës thotë kështu:
“S’duhet të qëndrosh, i ulur qetë në shtëpinë tënde,
Duke thënë: Dëshpëruese është, të varfër janë dhe të vetëm.
Nuk mund ta lejosh! Nuk guxon, në asnjë mënyrë.
Ta pranosh nëpërkëmbjen që mund t’u ndodhë tjerëve!
Këlthas me gulçimin e fundit të frymës time:
Nuk guxon të prehesh, të qëndrosh dhe të harrosh!”
Citati i mësipërm mund t’i aplikohet situatës në të cilën ndodhen viktimat e dhunës seksuale të luftës.
Kanë kaluar 17 vjet që nga përfundimi i luftës dhe asgjë e prekshme nuk është bërë për grupin e regjistruar të viktimave gra të luftës. Për shkak të shoqërisë patriarkale në të cilën ato jetojnë dhe qëndrimit çnjerëzor ndaj tyre, viktimat e dhunës seksuale të luftës janë trajtuar në një mënyrë degraduese. Duke qenë plotësisht të vetëdijshëm për këtë gjë, politikanët nuk kanë bërë pothuajse asgjë që nga përfundimi i luftës për të sjellë çlirim ekonomik për këto gra dhe fëmijët e tyre.
Rasti
Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, po vazhdon në të njëjtën mënyrë si paraardhësit e tij në qeveritë e mëparshme në 17 vjetët e fundit duke caktuar takime me OJQ-të ku agjenda duket se është shtyrje e vazhdueshme e çfarëdo veprimi të prekshëm dhe të menjëhershëm ku do të përfitonin viktimat gra të luftës së viteve 1998-99. Këto viktima përjetojnë dhimbje shtesë të shkaktuar nga sjellja e paditur dhe mospërfillëse e politikanëve dhe Qeverisë.
Kjo mungesë e plotë e të drejtave të grave përgjatë 17 vjetëve të fundit duket se po vazhdon, ndërsa politikanët kanë përfituar nga ndihma e vendeve Perëndimore të cilat ua mundësuan që ata të kenë pozita të larta në shoqëri. Një nga kushtet për zënien e këtyre pozitave është përfshirja e të drejtave të barabarta për të gjithë qytetarët pavarësisht gjinisë. Duket se ata e kanë injoruar obligimin e tyre ndaj viktimave gra të luftës ndërsa i ofrojnë ndihmë viktimave buraa. Ky lloj diskriminimi është mizor dhe i neveritshëm.
Barazia për gratë duket se mungon në Kosovë. Ideja e krijimit të një komisioni tjetër të ri për rastet e viktimave gra të përdhunuara gjatë luftës, në të vërtetë do të jetë një formë e re e ngacmimit për to. Grupi prej 423 grave tashmë është intervistuar dhe ekzaminuar nga mjekët dhe spitalet. Ky informacion është i vlefshëm, kështu që nuk ka nevojë për t’i shtuar mjerim këtyre grave.
Nevojitet një zgjidhje e menjëhershme
Më herët e kam sugjeruar një pension të menjëhershëm të përkohshëm prej 500€ në muaj deri sa politikanët të gjejnë kohë që ta marrin një vendim për viktimat më të dobëta të luftës. Në qoftë se ndonjë politikan mendon se kjo shumë është e madhe, unë mund t’ju siguroj se nuk është. Jo vetëm që këto gra u dhunuan gjatë konfliktit, por ato gjithashtu u ekspozuan ndaj formave tjera të krimeve të kriminelëve të luftës, dhe për këtë arsye qeveria e Kosovës mundet dhe duhet të kërkoj kompensim për to dhe në këtë mënyrë të shpaguhen për pensionin e luftës që duhej ta kishin zbatuar.
Deri tani politikanët e kanë treguar një mungesë të frikshme të shkathtësisë politike dhe praktike për popullin që i shërbejnë.
Përgjegjësia për të vepruar
Përderisa ka frymë në trupin tim, qëllimi im është që t’ju ndjekë juve, ministër Arban Abrashi dhe Qeverinë deri sa ju t’i sillni drejtësi këtyre viktimave gra të luftës. Siç e dini unë i kam kaluar 15 vjetët e fundit të jetës sime për ta ndihmuar popullin e Kosovës duke i dokumentuar krimet e luftës të kryera gjatë luftës, në mënyrë vizuale dhe në të shkruar.
Aktualisht po e edukoj popullatën serbe, veçanërisht brezin e ri, në lidhje me ngjarjet që kanë ndodhur në vitet 1998-99 në Kosovë dhe nevojën e gjetjes së personave të humbur nga lufta. Ka familje në Kosovë dhe Serbi që akoma u mungojnë të dashurit e tyre.
Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.