I kemi përditësuar informatat në këtë artikull sa u përket masave kufizuese të lëvizjes për t’i pasqyruar ndryshimet e nxjerra nga Ministria e Shëndetësisë. Informatat e fundit të Ministrisë së Shëndetësisë mund të qasen këtu. (Detajet e përditësimeve gjenden në fund të artikullit)
Ministria e Shëndetësisë njoftoi të hënën (më 13 prill) për vendosjen e masave të reja për ta luftuar përhapjen e COVID-19 në Kosovë pas një vale të madhe rastesh të konfirmuara. Shtatëdhjetë e nëntë raste të reja u konfirmuan nga Instituti i Shëndetësisë Publike ditën paraprake, duke shënuar numrin më të madh të rasteve të konfirmuara në një ditë të vetme prej rasteve fillestare para fiks një muaji.
Si përgjigje ndaj këtyre zhvillimeve, kryetarët e komunave dhe Ministria e Shëndetësisë kanë shpallur karantinimin e komunave të Prishtinës, Ferizajt, Prizrenit, Suharekës, si dhe të një mëhalle në fshatin e Burojës në Skënderaj, duke ndaluar të gjitha hyrjet dhe daljet përveç punëtorëve thelbësorë; Malisheva, Mitrovica e Veriut dhe Zveçani janë vendosur në karantinë më herët.
Masat e reja të Ministrisë së Shëndetësisë do të zgjasin deri më 4 maj, dhe do të rishikohen para datës 30 prill.
Nga e mërkura (më 15 prill), qytetarët do të ndalohen së dali nga shtëpitë apo banesat e tyre, përveç për disa qëllime të veçanta.
Secili qytetar do t’i ketë një orë e gjysmë në ditë për të dalë jashtë për blerjen e ushqimeve, medikamenteve, ose për të kryer detyra financiare. Orari i përcaktuar vendoset nga shifra e parafundit e numrit personal që gjendet në secilin letërnjoftim; për qytetarët që nuk kanë letërnjoftime, orari do të përcaktohet nga shifra e parafundit e pasaportave, kurse për shtetasit e huaj nga shifra e parafundit e pasaportave ose letërnjoftimeve të shteteve përkatëse.
Personat me aftësi të kufizuara dhe ata nën moshën 16 vjeçe lejohet të shoqërohen nga një person i bashkësisë së njëjtë familjare kur dalin jashtë, ndërsa të tjerët duhet të dalin vetëm. Njerëzit mbi moshën 65 vjeçe këshillohen të rrinë brenda gjatë gjithë kohës, dhe të dalin vetëm në raste “urgjente dhe të domosdoshme”.
Në kohën kur janë jashtë, secili qytetar duhet ta mbajë të mbuluar hundën me “maskë, shall, apo ndonjë mbulesë tjetër”. Kërkesa për mbajtjen e distancës prej dy metrash mbetet në fuqi.
Masat e reja theksojnë veçanërisht se takimet shoqërore dhe vizitat familjare ndalohen rreptësisht.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë në një konferencë për shtyp të hënën se institucionet e shohin numrin e qytetarëve që mund të dalin brenda një orari — 40,000 — si “të menaxhueshëm”.
“Masat e reja duken rigoroze, por përvojat nga shtetet e tjera na kanë mësuar se në qoftë se nuk veprojmë tash, mund të jetë shumë vonë dhe pas një kohë do të detyrohemi sërish t’i marrim këto masa, por me një çmim shumë më të lartë për jetët e qytetarëve tanë,” ka thënë ai.
Pasi qytetarët shprehën huti në rrjetet sociale rreth asaj se si personat e orareve të vona do t’i kryejnë detyrat thelbësore — kur bizneset sikur bankat janë të mbyllura — Ministria publikoi informata plotësuese zyrtare, duke shpjeguar se oraret do të ndryshohen çdo tri apo katër ditë.
Vendimi përjashton disa operatorë ekonomikë, lista e të cilëve është publikuar të martën në orët e vona, dhe stafin thelbësor të institucioneve “vetëm për të kryer nevojat e institucioneve”.
Gjobat prej 1,000 deri në 2,000 euro mund të vendosen për individët që shkelin masat.
Është ndaluar edhe qarkullimi i automjeteve me disa përjashtime të kufizuara e të veçanta.
Mund të jepen leje të veçanta “për të kryer nevojat e operatorëve ekonomikë” ose “për të kryer nevojat e institucioneve shtetërore”, dhe transporti i mallrave dhe shërbimeve për të siguruar funksionimin e zinxhirit furnizues do të vazhdojë. Sidoqoftë, lejohet vetëm një udhëtar — krahas vozitësit — në secilin automjet.
Përjashtimet për ndalimin e automjeteve bëhen vetëm “në raste emergjente” për përkujdesjen ndaj pacientëve dhe personave me aftësi të kufizuara, si dhe në raste urgjente të shëndetësisë.
Kufizimet e reja për lëvizjen nuk zbatohen për personat që po përjetojnë dhunë në familje, të cilët lejohen të dalin “për të kërkuar strehim në një vend tjetër”.
Gjobat prej 1,000 deri në 2,000 euro mund të vendosen për individët që shkelin masat, kurse gjobat prej 3,000 deri në 8,000 euro mund të vendosen për bizneset.
Kosova tash ka 377 raste të konfirmuara me COVID-19, 63 prej të cilëve janë shëruar ndërsa tetë persona kanë vdekur.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, 54 prej personave të infektuar po trajtohen në Klinikën Infektive të QKUK-së; 41 janë në gjendje stabile, 10 janë në gjendje të rëndë, ndërsa tre pacientë janë në gjendje “kritike”.
Kriza kushtetuese vazhdon
Në mesin e kundërpërgjigjeve ndaj pandemisë, kriza kushtetuese — e shkaktuar nga shkarkimi i qeverisë më 18 mars — vazhdon. Të gjitha partitë kanë thënë se zgjedhjet nuk mund të mbahen në kohë pandemie, por nuk ka pajtim rreth hapave që duhet të merren në vijim.
Lëvizja Vetëvendosje (VV), e cila i fitoi zgjedhjet e vjetme në tetor, beson se zgjedhjet e reja duhet të mbahen posa të kryhet pandemia, ndërsa partitë e tjera mbështesin formimin e një qeverie të re pa zgjedhje.
Të premten (më 10 prill), Presidenti Hashim Thaçi i dërgoi letër VV-së, duke kërkuar nga ta, si fitues të zgjedhjeve, ta paraqesin një kandidat të ri për kryeministër. Thaçi shkroi se kishte pasur konsultime me partitë politike për ta parë interesin e tyre sa u përket zgjedhjeve apo formimit të qeverisë së re, dhe se mandati i tij kushtetues e obligon ta garantojë “funksionimin demokratik të institucioneve” dhe ta sigurojë emërimin e një kandidati të ri për kryeministër.
“Si President, do ta ndërmarr këtë veprim duke i ndjekur të gjithë hapat kushtetues në mënyrë që qytetarët e Republikës së Kosovës ta kenë qeverinë e re sa më parë”, ka shkruar ai.
Më 14 prill, Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së mbështeti mundësinë e koalicionit me AAK-në, Nismën dhe AKR-në.
Në një përgjigje ndaj Thaçit të hënën (më 13 prill), lideri i Vetëvendosjes, njëkohësisht kryeministër në detyrë, Albin Kurti, ka shkruar se mocioni i fundit i mosbesimit ndaj qeverisë “nuk dallon në aspekt formal dhe material nga praktikat e mëhershme”. Ai shtoi se formimi i një qeverie të re pa zgjedhje do të ishte “standardi i dyfishtë që Ju dhe partitë politike po tentoni ta impononi në rrugë jokushtetuese”.
Disa ekspertë ligjorë dhe analistë kanë thënë se nuk ka afat të fundit për partinë fituese ta nominojë kandidatin për kryeministër te presidenti, dhe se situata e tanishme me qeverinë në detyrë mund të vazhdojë deri në një kohë të pacaktuar.
Sidoqoftë, Presidenti Thaçi ka folur për formimin e një qeverie “të unitetit” dhe disa analistë besojnë se sipas deklaratave të tij, ai po përgatitet t’ia ofrojë të drejtën për nominimin e kryeministrit të ri partisë së dytë më të votuar në zgjedhjet e tetorit, LDK-së.
Të martën (më 14 prill), Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së mbështeti mundësinë e koalicionit me AAK-në, Nismën, AKR-në dhe partitë e komuniteteve pakicë. Sipas mediave, Mustafa ka thënë se bisedimet dhe finalizimi i një koalicioni të tillë do të bëhej pasi VV-ja t’i shtjerrë të gjitha mundësitë kushtetuese për formimin e qeverisë.
Në një postim në Facebook, anëtari i AAK-së, Muharrem Nitaj, ka thënë se nëse LDK-së i jepet mandati për formimin e qeverisë nga presidenti, AAK-ja do ta mbështeste “pa asnjë hezitim”.
“Do të mund të ishim pjesë e kësaj qeverie, nëse kjo kërkohet prej nesh”, ka thënë ai.
Seanca e ndërprerë e Kuvendit
Në këtë qorrsokak, Kuvendi i Kosovës mbajti një seancë të jashtëzakonshme të martën (më 14 prill) pasi PDK-ja propozoi një draft-rezolutë me pakon e tyre të masave për t’u marrë me efektet e pandemisë.
Kjo parti po ashtu i kritikoi masat kufizuese të marra nga Ministria e Shëndetësisë të hënën, dhe sugjeroi se vendosja e këtij lloji të kufizimeve tashmë është vërtetuar të jetë jokushtetuese nga vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese lidhur me kundërpërgjigjen e qeverisë ndaj pandemisë.
“Kjo Qeveri në ikje ka marrë në mënyrë arrogante, sërish të njëjtin vendim anti-kushtetues për kufizimin e lirive të qytetarëve, ndërkohë që kjo gjë mund të bëhet vetëm me një ligj të posaçëm të nxjerrë nga Kuvendi i Kosovës”, ka thënë PDK-ja në një njoftim për shtyp.
Lideri i LDK-së po ashtu ka dënuar masat e reja të qeverisë në Facebook: “Vendimet që Kryeministri në detyrë na i lexoi mbrëmë në ‘natën historike’ përmes gojës së Ministrit të Shëndetësisë, janë shqetësuese. Ato kapërcejnë çdo kufi të një shteti demokratik,” ka shkruar ai.
“Unë nuk dyshoj se PDK si inicuese e kësaj seance nuk e ka përgatitur me qëllime të mira një propozim të pakos financiare, por me këto masa drakonike të kësaj qeverie në detyrë nuk funksionon asnjë pako”, ka thënë ai. “Pako e vetme e arsyeshme është që të shkojë kjo qeveri dhe logjikë qeverisëse një ditë e më parë, të krijohet qeveri e re e cila së bashku me Kuvendin do të nxjerr masat e domosdoshme për ta kapërcyer këtë gjendje në të cilën jemi”.
"Pakoja [ekzistuese financiare] nuk ka për qëllim të jetë politikë afatgjate për stimulimin e rimëkëmbjes së ekonomisë; për këtë do të bëhet një studim më i thellë,"
Albin Kurti, Kryeministri në detyrë i Kosovës
Në fillimin e seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit të martën, PDK-ja propozoi shqyrtimin e dy projektligjeve të reja, për të cilat thanë se do ta ndihmonin adresimin e ndikimit ekonomik dhe shoqëror të pandemisë me rreth 320 milionë euro. Kreu i grupit parlamentar të PDK-së dhe ish-ministri i financave, Bedri Hamza, tha se propozimi mëton t’ua mundësojë institucioneve të krijojnë bazë ligjore “për t’i ndihmuar punëtorët me paga të ulëta”.
Sidoqoftë, Kryeparlamentarja Vjosa Osmani theksoi se nuk mund të mbahet votimi për projektligjet sepse nuk është paraparë me rendin e ditës, dhe se procedurat nuk lejojnë për ndryshim të rendit të ditës të seancave të jashtëzakonshme. Pas një debati të shkurtër, PDK-ja tërhoqi propozimin për shqyrtimin e pakos së re.
Para seancës, Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dhe Ministrit në detyrë i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi, mbajtën një konferencë të përbashkët për shtyp ku thanë se pakoja emergjente financiare e nxjerrë para disa ditësh nga qeveria në detyrë nuk do të ishte e vetmja, pasi që më vonë do të nxirret një pako e re për sektorin privat.
“Pakoja [ekzistuese financiare] nuk ka për qëllim të jetë politikë afatgjate për stimulimin e rimëkëmbjes së ekonomisë; për këtë do të bëhet një studim më i thellë dhe një pako e dytë që do të implementohet për t’i adresuar nevojat afatgjate të sektorit privat”, ka thënë Kurti. “[Pakoja ekzistuese] është pako emergjente, sepse jemi në një situatë emergjente të shëndetit”.
Reagimi i ashpër i ShBA-së
Në anën tjetër të oqeanit Atlantik, trajtimi i administratës Tramp ndaj Kosovës dhe kritikat per rolin e perceptuar të saj në shkarkimin e qeverisë jetëshkurtër janë shkallëzuar.
Të hënën (më 13 prill), përfaqësuesi Eliot Engel dhe senatori Bob Menendez — kreu i Komisionit për Marrëdhëniet e Jashtme në Shtëpinë e Përfaqësuesve, dhe anëtari i lartë i Komisionit për Marrëdhëniet e Jashtme në Senat respektivisht — i kanë dërguar letër Sekretarit të Shtetit, Majk Pompeos, duke shprehur shqetësime rreth taktikave “të vrazhda” të administratës Tramp ndaj qeverisë së zgjedhur demokratikisht në Kosovë.
Dy ligjvënësit Demokratikë e vënë në pyetje sidomos trysninë e administratës ndaj Prishtnës në kontekstin e përpjekjeve të Serbisë për ta delegjitimizuar Kosovën përmes fushatës së “çnjohjeve”, dhe kanë thënë se “trysnia publike e ShBA-së për Serbinë duket se ka rënë fare”.
“Sipas tyre, mungesa e baraspeshës mes Prishtinës dhe Beogradit nga administrata Tramp ndodh në kontekstin e “shtrëngimit të lidhjeve mes Serbisë dhe Moskës dhe rritjes së importeve të armatimeve ruse”, të cilat thonë se duhet ta shtyjnë administratën e ShBA-së të vendosë sanksione ndaj Serbisë sipas Aktit për Kundërshtimin e Armiqve të Amerikës Përmes Sanksioneve.
“Ju lutem na njoftoni përse administrata as nuk i ka vënë këto sanksione, as nuk ka ushtruar trysni të vazhdueshme ndaj Serbisë për ndalimin e përpjekjeve globale kundër njohjes së pavarësisë së Kosovës”.K
Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla / K2.0.
* Shënim nga redakori (15 prill)
Janë bërë një sërë përditësimesh në versionin origjinal të këtij artikulli të publikuar:
1. Versioni origjinal i artikullit thoshte se masat e reja do të rishikohën çdo ditë, dhe ishte i bazuar në njoftimet zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë. Pas nxjerrjes së informatave të mëtutjeshme nga Ministria, kjo pjesë është përditësuar për të pasqyruar se një rishikim do të ndodhë para 30 prillit.
2. Versioni origjinal i artikullit thoshte se masat e reja do të zbatohen në tërë Kosovën. Tash është ndryshuar formulimi për të pasqyruar se ka dallime të vogla mes komunave të karantinuara dhe të tjerave.
3. Versioni origjinal i artikullit thoshte se masat e reja për kufizimin e daljeve do të hyjnë në fuqi në orën 17:00 më 15 prill, dhe ishte bazuar në njoftimet zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë. Koha është hequr meqenëse njoftimet e pastajme të Ministrisë kanë deklaruar se kufizimet e lëvizjes do të hynin në fuqi në orën 6:00 më 15 prill.
4. Duke i përcjellë informatat e reja nga Ministria e Shëndetësisë, artikulli është përditësuar për të reflektuar ndryshimin se shtetësit e huaj mund ta përdorin numrin në letërnjoftimin e tyre nga shteti përkatës, ashtu si edhe numrin e pasaportës, për ta përcaktuar kohën kur mund të lëvizin jashtë shtëpisë.
5. Versioni origjinal i artikullit citonte një postim në Twitter nga këshilltaja politike e kryeministrit, Fëllanza Podrimja, që thoshte se oraret e daljeve do të ndryshonin çdo javë. Kjo është zëvendësuar me informatat e pastajme të Ministrisë së Shëndetësisë, që tregonin se oraret do të ndryshonin çdo tri ose katër ditë.
6. Një listë e operatorëve ekonomikë që përjashtohen nga kufizimet është shtuar në artikull sepse ky dokument nuk kishte qenë i publikuar nga Ministria e Shëndetësisë në kohën e botimit të artikullit origjinal.
7. Versioni origjinal i artikullit thoshte se qarkullimi i veturave ndalohet prej 14 prillit, dhe ishte i bazuar në njoftimet zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë. Data është larguar, meqë njoftimet e pastajme të Ministrisë së Shëndetësisë kanë treguar se kufizimet do të hynin në fuqi më 15 prill.
K2.0 ka kontaktuar Ministrinë e Shëndetësisë për sqarim sa u përket pikave ku ka pasur informata kundërthënëse apo të paqarta, por Ministria nuk ka dhënë përgjigje para kohës së publikimit.