Pikëpamje | Politika

Leximi i shtrembër i vendimit të Gjykatës Kushtetuese

Nga - 24.07.2025

Aktgjykimet e GjK nuk duhet të përdoren si mjet për qëllime partiake.

Nesër, do të jetë hera e 52-të që do të tentohet të konstituohet Kuvendi i Kosovës. Deri më tani ky proces ka dështuar për shkak të mosarritjes së shumicës së nevojshme për zgjedhjen e kryetarit/es të Kuvendit. 

Më 8 prill, kur u mbajt takimi mes përfaqësuesve të partive politike –– në të cilin u vendos për përgatitjet për mbajtjen e seancës konstituive më 15 prill –– Lëvizja Vetëvendosje (LVV), si fituese e zgjedhjeve qendrore të këtij viti, nuk kishte ende një emër për ta propozuar për kryetar/e të Kuvendit pasi nuk i kishte numrat e nevojshëm për ta formuar qeverinë. Pas këtij takimi, Glauk Konjufca, atëkohë ende kryetar i Kuvendit, njëherësh nënkryetar i LVV, pati thënë: “Kur jemi te qeveria është e pamundur të themelohet një koalicion i cili e krijon mazhorancën, e aftë për me zgjedh me 61 vota një qeveri të re, prandaj të gjitha pozicionet, unë e kisha fut edhe pozicionin e kryetarit të Kuvendit, i nënshtrohen këtij principi, kjo është me siguri arsyeja pse nuk e kemi një emër të qartë sa i përket kryetarit të ardhshëm të Republikës së Kosovës”.

Kjo deklaratë mund të cilësohet racionale për shkak të ftohtësisë me të cilën ai dukej se gjykonte. Numrat nuk ishin të mjaftueshëm për ta thënë të kundërtën.

Megjithatë, deri në ditën e seancës së parë konstituive, nuk dihej emri që LVV do ta propozon­te për kryetar/e të Kuvendit. Kjo sepse LVV nuk kishte bërë ndonjë përpjekje për të dialoguar me partitë në frymën e bashkëpunimit për ta siguruar mbështetjen për propozimin e saj për kryetar/e të Kuvendit. Andaj kur LVV për këtë pozitë propozoi Albulena Haxhiun, ministre në detyrë e Drejtësisë, ajo nuk mori votat e mjaftueshme.

Pas kësaj, nga një deklaratë e Konjufcës, që në fillim dukej racionale dhe e ndërtuar duke u bazuar në realitetin e mungesës së numrave, pozicionimi i LVV kaloi gradualisht në një qëndrim bllokues, duke refuzuar ta ndryshonte propozimin e Haxhiut, të cilën partitë e tjera refuzuan qartazi ta votojnë. Kjo mungesë vullneti për dalje nga ngërçi politik, bëri që Kosova të hyjë në një krize politike të tejzgjatur.

Për aktgjykimin e GjK dolën interpretime të ndryshme, veçanërisht nga partitë politike –– një praktikë e vazhdueshme dhe problematike në Kosovë.

Në vazhdimin e tetë të seancës konstitutive të datës 1 maj, kryesuesi i seancës, Avni Dehari nga LVV, kryesuesi i seancës si deputeti më i vjetër në moshë, propozoi që të procedohet me votim të fshehtë për formimin e Komisionit për Votim të Fshehtë për Zgjedhjen e Kryeparlamentarit/es të Kosovë në Gjykatën Kushtetuese. Ai e arsyetoi këtë propozim duke u thirrur në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese në rastin Nr. KO119/14 të vitit 2014 dhe Rregulloren e Punës së Kuvendit, duke theksuar se votimi i fshehtë me fletëvotime fizike është forma më e përshtatshme për ta zhbllokuar procesin dhe për ta mundësuar konstituimin e Kuvendit. Megjithatë, aktgjykimi i vitit 2014 trajton çështjen se kujt i takon e drejta për ta propozuar kandidatin për Kryetar të Kuvendit dhe përcakton mënyrat e votimit që mund të zhvillohen në Kuvend; ky aktgjykim nuk parasheh votimin e fshehtë në mënyrë specifike dhe as nuk përcakton që kryetari i Kuvendit të zgjidhet me votim të fshehtë, siç është argumentuar nga Dehari.

Nën pretendimin se propozimi i Deharit përbënte shkelje kushtetuese, deputetë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), me mbështetjen e disa deputetëve të tjerë nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), dërguan kërkesë për vlerësimin e kushtetushmërisë së propozimit të Deharit. 

Më 26 qershor, GjK nxori aktgjykimin KO124/25, ku theksoi qartë se seanca konstituive e Kuvendit duhet të përfundojë brenda afatit 30-ditor me zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve. Sipas aktgjykimit, zhvillimi dhe përfundimi i seancës konstituive duhet të udhëhiqet në përputhje me përcaktimet kushtetuese për konstituimin e Kuvendit, Kreun IV (Konstituimi i Kuvendit) të Rregullores së Kuvendit dhe praktikat e deritanishme parlamentare për konstituimin e Kuvendit

Ky formulim nënkupton, gjithnjë sipas Gjykatës, se duhet të zbatohet skenari i seancës së parë  konstituive, për të cilin ishin dakorduar më 8 prill 2025 ish-kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca dhe përfaqësuesit e partive politike. Sipas Rregullores së Kuvendit, ky skenar përfshin katër hapa: formimin e Komisionit të Përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve, betimin e deputetëve, zgjedhjen e kryetarit dhe zgjedhjen e nënkryetarëve.

Megjithatë, për aktgjykimin e GjK dolën interpretime të ndryshme, veçanërisht nga partitë politike –– një praktikë e vazhdueshme dhe problematike në Kosovë. 

Nga diskursi politik te rreziku institucional

Që nga 26 qershori*, kur GjK nxori aktgjykimin, LVV pretendon që GjK përmes aktgjykimit lejon votimin e fshehtë, duke u munduar ta arsyetojë qëndrimin e saj për vazhdimin e seancave pa afat të qartë kohor, si dhe mosarritjen e konsensusit për pozitën e kryetarit/es të Kuvendit. Konjufca pretendoi se aktgjykimi vërtetonte se nuk ka pasur asnjë shkelje ligjore në propozimin për votim të fshehtë. Madje ai u shpreh: “të gjithë ata që thonë se Avni Dehari e ka shkelur Kushtetutën janë lexues të dobët të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese”

Në fakt, GjK nuk ka vendosur fare lidhur me kushtetutshmërinë e propozimit për votim të fshehtë, pavarësisht se ka pasur një kërkesë të veçantë lidhur me këtë çështje. Kjo e bën plotësisht të pasaktë deklaratën e Konjfucës. Askush nuk mund të thirret në aktgjykimin e GjK për të arsyetuar një veprim që ajo nuk e ka shqyrtuar. Ky aktgjykim nuk e përjashton që ekziston shkelja kushtetuese për propozimin e ndërrimit të procesit të votimit në mënyrë të fshehtë, ngase ky aktgjykim konfirmon se skenari i paracaktuar më 8 prill është përmbajtja kryesore dhe e vetme e seancës konstituive, të cilën kryesuesi i seancës  duhet ta respektojë në përpikmëri. Skenari i tillë nuk parasheh votim të fshehtë.

Argumentet mbi bazën e teorive juridike dhe autoriteteve ndërkombëtare në fushën e të drejtës kushtetuese nxjerrin në pah se interpretimi i qëllimshëm dhe i njëanshëm i vendimeve gjyqësore cenon ndarjen e pushteteve dhe dëmton themelet e shtetit të së drejtës. Siç ka theksuar Hans Kelsen, arkitekti i teorisë së pastër të së drejtës: “Gjykata Kushtetuese ekziston për të dhënë interpretimin autoritativ të Kushtetutës; mungesa e këtij interpretimi nuk mund të zëvendësohet me supozime politike apo institucionale”. Në të njëjtën linjë, Bruce Ackerman, profesor i së drejtës kushtetuese në Universitetin Yale, paralajmëron se kur institucionet fillojnë të mbështesin veprimet e tyre në heshtjen e Kushtetutës, e jo në fjalën dhe frymën e saj, atëherë kemi hyrë në territorin e arbitraritetit dhe jo të qeverisjes kushtetuese.

Kështu, nga leximi i aktgjykimit vërehet se çdo vendim procedural, që nuk përputhet me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit, përbën shkelje të parimeve kushtetuese. Rrjedhimisht, aktgjykimi i GjK nuk ka dhënë legjitimitet dhe legalitet për një votim të fshehtë të papërcaktuar në Rregullore, e aq më pak nuk e ka konsideruar këtë si formë të lejuar kushtetuese.

Ky konstatim lidhet drejtpërdrejt me parimin që ngre Jeffrey Goldsworthy, filozof dhe akademik në fushën e së drejtës kushtetuese dhe filozofisë të së drejtës, i cili thekson se gjykatat kushtetuese duhet të jenë të qarta në vendimet e tyre, por mungesa e shprehur e një qëndrimi për një çështje nuk mund të përdoret si miratim për një veprim

Edhe në rastet kur kushtetutat e vendeve përkatëse përcaktojnë se çdo gjë që nuk ndalohet është e lejuar, siç ndodh me kushtetutat e disa vendeve fqinje të Kosovës si Republika e Maqedonisë së Veriut dhe ajo e Malit të Zi, ky parim i referohet situatave të rregulluara me legjislacionin e zakonshëm, jo materies kushtetuese. Në të kundërtën, do të përballeshim me cenim të rendit kushtetues dhe me rrezikun që sjell interpretimi arbitrar i normave kushtetuese. Pikërisht këtë e paralajmëron Goldsworthy, kur thotë se interpretime të tilla të shtrembëruara janë të rrezikshme, sepse ngatërrojnë heshtjen me pajtimin dhe, për pasojë, e shtyjnë sistemin drejt arbitraritetit institucional.

Deklarata e Konjufcës përbën interpretim të rrezikshëm të mënyrës se si politika mund ta shtrembërojë qëllimisht kuptimin dhe autoritetin e jurisprudencës kushtetuese.

Siç argumenton Alexy, interpretimi i drejtë i normave kushtetuese kërkon që vendimet gjyqësore të lexohen jo vetëm si tekste juridike, por si “akte të arsyes publike”, të cilat ndërtohen përmes baraspeshimit të parimeve dhe rregullave, me qëllim ruajtjen e koherencës së sistemit juridik. Në këtë kuptim, etiketimi si “lexues të dobët” i atyre që analizojnë vendimet nga pikëpamja e e arsyetimit juridik dhe jo nga këndvështrimi i interesave politike, është jo vetëm i pasaktë, por edhe konceptualisht i gabuar.

Andaj edhe deklarata e Konjufcës është shumë më tepër se një koment i zakonshëm politik. Ajo përbën interpretim të rrezikshëm të mënyrës se si politika mund ta shtrembërojë qëllimisht kuptimin dhe autoritetin e jurisprudencës kushtetuese, duke e përdorur atë si mjet për qëllime të brendshme partiake apo për të arsyetuar veprime institucionale kundërthënëse. Në vend se t’i respektojë parimet kushtetuese, Konjufca u vërsul në akuza të përgjithshme ndaj kujtdo që e ka lexuar ndryshe aktgjykimin, veçanërisht ata që e shihnin ndryshe nga ai dhe subjekti që ai përfaqëson.

Përgjegjësia institucionale mbi interesat politike

Një nga shtyllat bazë të rendit kushtetues është respektimi i ndarjes së pushteteve, përfshirë detyrimin që secili aktgjykim i GjK të lexohet, interpretohet me maturi dhe objektivitet, si dhe të ekzekutohet me efekt të menjëhershëm, veçanërisht nga figurat që udhëheqin institucionet. 

GjK flet përmes aktgjykimeve, dhe ato nuk duhet të lexohen sipas interesave të partive, por sipas standardeve të së drejtës kushtetuese. Ky standard, në rastin e seancës konstituive, siç u shtjellua më sipër, është vendosur përmes praktikës parlamentare –– një standard demokratik, transparent dhe llogaridhënës. Është për keqardhje që ish-kryetari i Kuvendit, i cili njëherësh është edhe nënkryetar i partisë në pushtet dhe i qeverisë në dorëheqje, nuk e bën dallim mes përgjegjësisë së tij institucionale, në lidhje me respektimin e Kushtetutës dhe rregullave parlamentare, dhe bindjeve të tij politike si nënkryetar i partisë në pushtet.

Kjo përzierje funksionesh cenon besimin qytetar në funksionimin kushtetues të shtetit dhe krijon paqartësi tek opinioni publik për rregullat bazë të demokracisë parlamentare. Interpretimi i një vendimi kushtetues duhet të bazohet në arsyetimin e brendshëm të vendimit, kontekstin normativ dhe strukturën institucionale të sistemit kushtetues, dhe jo në interesat e politikës ditore. Kjo ide përforcon rrezikun që sjellin rastet kur figurat politike përpiqen të shpikin interpretime jashtë logjikës juridike për t’i mbrojtur qëndrimet e tyre politike.

Në përfundim, aktgjykimi i GjK është mesazh i qartë për respektin e rregullave kushtetuese në funksionimin e institucioneve të Kosovës dhe një paralajmërim për çdo përpjekje të instrumentalizimit politik të institucioneve kushtetuese. Në vend që të përdoret për të diskredituar zërat kritikë, ky aktgjykim duhet të shërbejë si udhërrëfyes për dialog dhe respekt të ndërsjellë institucional, në mbrojtje të demokracisë dhe sundimit të ligjit në Kosovë.

Detyra e profesionistëve të së drejtës dhe e opinionit të informuar publik është ta luftojnë këtë manipulim, duke mbrojtur kështu integritetin e rendit kushtetues dhe besimin në institucionet e drejtësisë. Interpretimi politik i vendimeve gjyqësore rrezikon ta shndërrojë gjyqësorin në një vegël të pushtetit ekzekutiv ose legjislativ, duke kompremetuar pavarësinë dhe besueshmërinë e tij si kujdestar i Kushtetutës.

 

Imazhi i ballinës: Ferdi Limani / K2.0.

*Shënim i redaksisë: Në një version të mëhershëm të këtij artikulli, data e vendimit të Gjykatës Kushtetuese ishte shënuar gabimisht si 27 qershor. Artikulli tani pasqyron datën e saktë: 26 qershor.

Dëshironi të mbështetni gazetarinë tonë? Anëtarësohuni në “HIVE” ose konsideroni një donacion. Mëso si këtu.