Blogbox | Rinia2020

Lidhja përmes kompleksiteteve, prodhimi i artit përtoke

Nga - 13.08.2020

Braktisja e ngujimit për të përjetuar zhvillim dhe kreativitet.

Koronavirusi na bën të ndihemi sikur kalojmë nëpër ferr. Paniku, mbyllja brenda, distanca fizike, planet e shkatërruara, trazirat shoqërore, rrëmuja politike, pasiguria ekonomike dhe keqësimi i shëndetit mendor më ka dhënë mua, si dhe shumë të tjerëve, një koktej jo edhe aq të ëmbël.

Në mesin e gjithë kësaj, Kampi i Artivizmit Feminist i organizuar nga Artpolis, i cili u mbajt mes 26 dhe 29 qershorit në Kukaj, ngjante si ideja më e mirë dhe më e keqe njëkohësisht. Pranova menjëherë kur më ftuan të marr pjesë. Pyesja veten se si do t’i kaloj katër ditë me më se 20 njerëz që s’i kam takuar kurrë më parë, në një mjedis që dallon aq shumë nga dhoma ime e rehatshme e ndejës, të cilën s’e kisha lënë për një kohë të gjatë.

Mungesa e një programi të përvijuar dhe të hollësishëm për kampin po ashtu nuk ndihmoi. Por unë i besoj Artpolis-it dhe Zana Hoxhës — drejtoreshës ekzekutive — dhe tashmë kisha pranuar ftesën, pra shkova.

Arti i të dëgjuarit

Kisha harruar sa rëndësi ka dëgjimi i mirëfilltë. Është e jashtëzakonshme të kesh qasje në qëndrimin e veçantë të dikujt tjetër. Kampi i Artivizmit Feminist ma dhuroi këtë. Në një botë dinamike, është shumë e vështirë të praktikohet arti i qetësisë. Arti i vetëdijes së tanipërtanishme, shkëmbimi i energjisë, dhënia dhe marrja, të dëgjuarit dhe të folurit, lidhja përmes kësaj baraspeshe.

Kurrë nuk jam kjo dhe/ose ajo. Jam të dyja dhe asnjëra në kohë dhe vende të ndryshme.

Thjeshtëzimi i gjërave, grupimi dhe kategorizimi i njerëzve të tjerë është praktikë e zakontë që i lehtëson jetët tona. Këtë herë shfrytëzuam kohën për ta adresuar kompleksitetin; u përqendruam në përpikmëri dhe në të kuptuarit e identiteteve të ndërthurura që krijojnë situata të veçanta për secilin njeri.

Nuk ishim vetëm gra. Ishim më shumë se aq. Mbiemrat dhe fjalitë shpjeguese gjithmonë ndiqnin emrat tonë që mbanin etiketa, identitete dhe karaktere të njëkohshme. Admiroja atë se sa shumë ngulëm këmbë për t’i njohur këto ndërthurje të veçanta.

U dashurova edhe më shumë me hapësirën që krijuam, ku lejuam secilën pjesë të vetvetes të frymonte lirshëm. S’mund të numëroj sa herë më është dashur ta kufizoj veten brenda një përkufizimi apo një tjetër, t’i jap prioritet një identiteti mbi një tjetër; si artiste dhe si grua; si shqiptare ose si e huaj në një vend tjetër; si një fe apo një seksualitet; një punë apo një gjendje mendore, si kjo apo si ajo.

Kurrë nuk jam kjo ose/dhe ajo. Jam të dyja dhe asnjëra në kohë dhe vende të ndryshme. Frymëzohesha për të gjetur një grup njerëzish që përqafojnë kompleksitetin dhe të panjohurën, që kërkonin rehati brenda këtyre gjërave dhe që rrezatonin dhembshuri e dashuri përmes tyre.

Ky kamp ma dha mundësinë t’u jap zë veteve të mia të shumta që i çmoj fort; të marr frymë dhe të jem në lidhje më këto vete. S’mund ta parafytyroj një botë ku dhembshuria dhe dashuria i jepet dikujt tjetër kur mungon te vetja. Pikërisht në këtë dimension ka pasur më së shumti sukses kampi.

Kuptova që në atë kohë dhe vend, biseda, ndarja dhe dëgjimi ishin nevojat tona. Nuk mund të punosh me ngutje. Nuk ishte momentumi ynë.

Dashuria për vetveten, pranimi i vetvetes dhe lidhja përmes tyre pavarësisht nga situatat ku gjendemi është gjë e fuqishme. Arti ngacmues e novator nuk mund të prodhohet aty ku qeniet njerëzore shumështresore nuk janë pjesë e bisedës dhe nuk përqafohen si të tillë.

Arti me ndikim shoqëror që shkund padrejtësitë themelore strukturore miraton që kategoritë shoqërore janë të ndërtuara nga shoqëria dhe janë edhe të kufizuara, edhe kufizuese gjatë gjithë kohës. Ato mund të ndryshohen dhe ne duhet të përpiqemi përherë t’i ndryshojmë.

Krijimi i artit. Ose jo.

Unë gjeta fuqi në rrugëtimin e përqendrimit të vetvetes dhe pastaj e mora këtë përvojë të përbashkët emocionale dhe e shndërrova në art. Unë kontribuova me poezi. Disa pjesëmarrës të tjerë kontribuan me aftësitë për performancë.

Pasi pata mundësinë të lidhem përmes meditimit, jogës, kërcimit, debateve shoqërore, lojërave dhe ushqimit, ishte më e lehtë t’i shfaqnim botët e brendshme të ngjyrshme dhe të ndihmonim njëra-tjetrën të depërtonim me veprat e artit performativ që krijuam kolektivisht dhe i paraqitëm në ditën e fundit të kampit.

Kujtoj se në ditën e dytë të kampit u ndamë në grupe. Përgjatë kohës sa ishim në kamp, ne patëm mundësi të ndryshme të punonim së afërmi dhe të prodhojmë një vepër arti që zgjodhëm vetë. Nuk e njihja asnjë anëtare të grupit. Secila kishim diçka të ndryshme për të dhënë. Ishte proces i rëndë.

Unë jam këtu për ta shtyrë para krijimin e hapësirave pranuese dhe miqësore ku njerëzia, barazia dhe dhembshuria nuk janë privilegje të etiketave, por realitete të ekzistencës sonë.

Herën e parë që punuam bashkë, ne vend se të bënim art, ne kaluam tërë kohën duke folur me njëra-tjetrën, duke dhënë ide dhe thjesht duke i ndarë historitë personale. Në fund, unë dhe një shumicë e pjesëmarrëseve ndiheshim keq që nuk patëm një vepër të mirëfilltë të artit për ta paraqitur ose për ta performuar para grupeve të tjera. Nuk ishte rëndësi. Kuptova që në atë kohë dhe vend, biseda, ndarja dhe dëgjimi ishin nevojat tona. Nuk mund të punosh me ngutje. Nuk ishte momentumi ynë.

Gjetja e artit

Momentumi ynë erdhi pasi miratuam njëra-tjetrën dhe krijuam së paku një lidhje të vogël prej vërteti. Të nesërmen patëm një mundësi tjetër për të punuar në grupe dhe për të vazhduar zhvillimin e veprave të artit. Çfarë ndodhi ditën tjetër nuk besoj se e kam kuptuar plotësisht. Shkoi lëmuar dhe organikisht. Ndamë poezi. Lëvizëm trupat tanë. Po ashtu eksperimentuam me muzikën dhe ja, në fund kishim veprën tonë të artit.

Ishte një përzierje e muzikës instrumentale, vargjeve që kisha shkruar unë dhe një anëtare tjetër e grupit dhe tri vajza të tjera që improvizuan me trupat e tyre dhe krijuan histori të heshtura dhe të mishëruara ndërsa ndiqnin fjalët e pozisë sonë. Nuk do ta harroj çastin kur ndamë këtë me pjesëmarrëset e tjera. Ishte përvojë holistike që ma mbushi zemrën me gaz. Ndërtuam një aleancë dhe bashkuam fuqitë tona. Vetëm atëherë gjetëm diçka të fuqishme plot ndikim.

Në fund të fundit, unë u dashurova me procesin e artit përmes diskutimit dhe elementit shoqëror po aq sa u dashurova me produktin përfundimtar. Ne artistët zhvillohemi gjatë procesit të artit po aq sa përpiqemi t’i ndihmojmë të tjerët të zhvillohen me produktin përfundimtar artistik. Është orvatje kolektive. Gjithmonë.

Personalja mbetet politike

Unë jam këtu për ta shtyrë para krijimin e hapësirave pranuese dhe miqësore ku njerëzia, barazia dhe dhembshuria nuk janë privilegje të etiketave, por realitete të ekzistencës sonë. Kampi i Artivisteve Feministe ma rikujtoi që një gjë e tillë është e mundshme.

Kur gjithçka është e errët dhe e zymtë, është mirë të ulemi, të flasim dhe të dëgjojmë, të ndajmë dhe të lidhemi, të krijojmë rrjete të mbështetjes dhe të krijojmë vepra të bazuara emocionalisht që vijnë prej çiltërsisë sonë të brendshme. Thjesht mund të shpresojmë që ajo vepër ta shkund themelin e shpirtit të dikujt tjetër.

Në fund, disa pika kyçe që i kam kujtuar gjatë kampit;

  • Duhet të përsoset arti i qetësisë.
  • Shfrimi dhe lidhja emocionale janë metodat më të rëndësishme për kultivimim e kujdesit për vetveten.
  • Krijimet më të mira artistike vijnë nga bisedat e shumanshme shoqërore-kulturore dhe nga dituria e bazuar.
  • Trupi, mendja dhe shpirti është trinia e shenjtë që më duhet ta respektoj, ta gëzoj dhe ta ruaj.

Dhe në fund, 

  • Të qenët e pranishme në të tashmen, pranimi i rrjedhës së natyrshme të gjërave dhe përshtatja gjatë rrugës janë shumë të rëndësishme. Prej tash, më llogaritni edhe mua.

Personalja gjithmonë është politike dhe ashtu do të trajtohet dhe adresohet në shumë ngjare të së ardhmes.

Imazhi i ballinës: Artpolis.