Në thelb | Mali i Zi

Ligji që trandi Malin e Zi

Çfarë qëndron prapa protestave disamujore?

Ndërsa Krishterët Ortodoksë i bëjnë përgatitjet e fundit për festën më të rëndësishme të tyren, Pashkët — e cila bie të dielën më 19 prill — një mosmarrëveshje gjëmon mes Kishës Ortodokse Serbe (KOS) në Malin e Zi dhe qeverisë malazeze.

Këtë vit, kremtimi do të bëhët në kushtet e pandemisë së COVID-19; ose, thënë më drejt, nën kufizimet e tanishme qeveritare që pamundësojnë lëvizjen prej të dielës në orën 11:00 deri të hënën në orën 17:00. Kufizimet ndalojnë çdo lloj vizite mes njerëzish si dhe çdo tubim në hapësirat kishtare.

Ishte njëri nga këto tubimet fetare që çoi te arrestimi i udhëheqësit të KOS-it në Malin e Zi, Mitropolit Amfilohije, i cili doli para një kishe në Podgoricë bashkë me klerikë të tjerë më 12 prill. Amfilohije u mor në pyetje nga policia dhe më vonë u lëshua, por mbajtja e tij shkaktoi reagime të ashpra si nga besimtarët, ashtu edhe klerikët. Prapëseprapë, priftërinjtë pretendojnë se do t’iu binden kufizimeve të lidhura me pandeminë.

Pandemia tashmë ka shkaktuar shtyrjen e litijeve të rregullta, grumbullimeve fetare dhe litanive masive që ishin organizuar së paku dy herë në javë në rrugët e Podgoricës dhe të qyteteve të tjera malazeze nga dhjetori deri më 13 prill. Këto procesione shërbyen si lloj proteste kundër Ligjit polemizues për Lirinë Fetare, i cili u miratua krejt në fund të vitit 2019.

The issues behind the law and the reaction it has provoked are complex, dealing with Montenegrin identity, religious independence and political opposition.

Megjithatë, kisha nuk ka hequr dorë tërësisht nga litija, dhe vazhdojnë — edhe gjatë gjendjes emergjente të deklaruar për shkak të përhapjes së COVID-19 — të bëjnë thirrje që të mbahen versionet onllajn të tyre në oraret e njëjta që janë paracaktuar të mbaheshin përjashta. 

Presidenti malazias, Millo Gjukanoviq, ka akuzuar ata që ndjekin litijet si pjesëtarë të një “lëvizjeje të marrë”, duke iu bërë thirrje qytetarëve malazias të mos marrin pjesë në këto ngjarje.

Në anën tjetër, kisha i sheh procesionet si rikthimin e vendit drejt fesë.

Ndërkaq, disa njerëz i shohin këto zhvillime si pjesë të një mosmarrëveshjeje politike. Pra, ajo se çfarë qëndron vërtet prapa litijes është e vështirë të qartësohet.

Çështjet prapa ligjit dhe reagimet e shkaktuara janë të ndërlikuara, dhe kanë të bëjnë me identitetin malazias, pavarësinë fetare dhe kundërshtimet politike ndaj presidentit që ka qeverisur më së gjati në rajon.

Litijet, të mbështetura nga Kisha Ortodokse Serbe, janë mbajtur anekënd Malit të Zi dy herë në javë për muaj të tërë. Nga 13 prilli, ato kanë nisur të mbahen onllajn. Foto: Boris Pejović / K2.0.

Si u shfaq polemika?

Çështja kryesore në fjalë lidhet me dispozitat e një ligji të ri që zbatohen në pronën e bashkësive fetare.

Në përputhje me këto dispozita, çdo ndërtesë fetare dhe truall në Malin e Zi që zihet nga organizatat fetare dhe që është ndërtuar apo blerë me mjete të shtetit — ose që ka qenë pronë shtetërore deri më 1 dhjetor, 1918 — do të bartet në pronësi të shtetit nëse nuk ka prova që vërtetojnë të drejtën e pronësisë nga një bashkësi e dhënë. 

Disa zyrtarë të lartë të KOM-it besojnë se ligji ua ka dhënë mundësinë të shprehin pretendimet për disa nga 600 kishat dhe manastiret e Malit të Zi.

Në vitin 1918, shteti malazias u aneksua nga Serbia. Kjo krijoi një problem të gjatë lidhur me identitetet serbe dhe malaziase, e cili u ringjall kur Mali i Zi votoi të pavarësohet nga Serbia në vitin 2006.

Sipas atyre që e mbështesin ligjin, në mënyrë që Mali i Zi të kthehet në “gjendjen origjinale”, si dhe për ta zgjidhur çështjen e identitetit, ishte e domosdoshme të sillej një legjislacion i tillë.

Ligji në fjalë prek të gjitha bashkësitë fetare. Sidoqoftë, duket se në të vërtetë do të zbatohet praktikisht vetëm për KOS-in, meqë shteti tashmë është marrë me çështjet pronësore të Kishës Katolike dhe Bashkësisë Islame.

Kjo do të thotë se kanë mbetur vetëm KOS-i dhe Kisha Ortodokse Malazeze (KOM), e cila po përpiqet ta tregojë vetveten. Në trajtën e tanishme, ky ligj i përshtatet KOM-it sepse më në fund do ta mundësonte atë të luajë një rol më të spikatur në shoqëri nëpërmjet përtëritjes së autoqefalisë — ose pavarësisë.

Disa zyrtarë të lartë të KOM-it besojnë se ligji ua ka dhënë mundësinë të shprehin pretendimet për disa nga 600 kishat dhe manastiret e Malit të Zi, prej të cilave tash nuk u takon asnjëra.

Anëtarët e KOS-it janë kundër ligjit sepse druajnë që një pjesë e madhe e trojeve, manastireve dhe kishave të tyre mund të barten në pronësinë e shtetit.

KOM-i dëshirohet për këto prona, ndërsa ai vetë efektivisht u mbyll në vitin 1918 dhe u shkri me KOS-in. KOM-i është munduar të pozicionohet në mesin e popullatës ortodokse dhe të kishave ortodokse që nga shpallja e pavarësisë së Malit të Zi.

Përse ky ligj?

Ky ligj polemizues u miratua në fund të vitit 2019 pas dështimeve pesëvjeçare të ratifikimeve dhe draft-ndryshimeve të bëra kryesisht për shkak të trysnisë së KOS-it.

Miratimi erdhi pas një vale trazirash të ndezura edhe brenda Kuvendit Malazias, edhe në rrugët e Pogoricës dhe të qendrave të tjera urbane, kur qytetarët vendosën bllokada në rrugët kryesore, kështu duke u përplasur me policinë.

Komisioni Evropian ka kërkuar që Mali i Zi t’i nisë bisedimet menjëherë. KE-ja thekson se dialogu duhet ta prodhojë një zgjidhje të pranueshme për çdokënd në vend.

Gjatë pesë viteve të fundit, Presidenti Gjukanoviq — kreu i Partisë Demokratike të Socialistëve — ka ndryshuar tonin lidhur me ligjin dhe shqetësimet gjegjëse prej atij kërcënues në atë pajtues, por është e qartë që as ai, as mbështetësit e tjerë të ligjit nuk e kishin pritur kundërshtimin me të cilin po përballen tani. 

Anëtarët e KOS-it — më saktësisht të degës së Mitropolisë së Malit të Zi dhe Bregdetit që drejtohet nga Mitropoli Amfilohije — pretendojnë që situata do të mbesë e njëjta derisa të tërhiqet ligji, gjë që Kryeministri Dushko Markoviq beson se është e pamundur, meqë “askush nuk mund ta tërheq” pasi të ketë hyrë në fuqi. Anëtarët e kishës po ashtu thonë se do ta themelojnë një nismë për ta rishikuar kushtetutën.

Priftërinjtë që drejtojnë litijet thonë se do të vazhdojnë me grumbullimet dhe protestat — tash për tash vetëm onllajn — derisa të shfuqizohet ligji, ndërsa qeveria as që ka dhënë shenjë që shfuqizimi është i mundshëm. Foto: Boris Pejović / K2.0.

Qeveria ka njoftuar se ligji — i cili është në fuqi prej 8 janarit — së shpejti do të zbatohet, duke shtuar se do t’i nisin bisedimet me Mitropolinë, ani se ende nuk është saktësuar se në çfarë kushtesh dhe mënyrash do të mbahen këto bisedime (apo ky dialog).

Komisioni Evropian (KE) ka kërkuar që Mali i Zi t’i nisë bisedimet menjëherë. KE-ja thekson se dialogu duhet ta prodhojë një zgjidhje të pranueshme për çdokënd në vend.

Çfarë janë litijet?

Atmosfera e përgjithshme në Malin e Zi ka qenë e nxehur edhe para se të miratohej ligji.

Deputetët e Ballit Demokratik — bllokut opozitar të përbërë kryesisht prej serbëve të Malit të Zi — ishin përpjekur ta parandalonin miratimin e ligjit, me ç’rast ishin bashkuar me klerikët dhe murgjit që tuboheshin para ndërtesës së Kuvendit.

Të ndihmuar nga qytetarët — apo “Besimtarët”, siç i quajnë së fundi — këto takime dikur u shndërruan në litije që fillimisht pas miratimit të ligjit mbaheshin çdo ditë. KOS-i më pas urdhëroi që procesionet të mbaheshin dy herë në javë — të enjteve dhe të dielave — në disa qytete dhe qyteza të Malit të Zi.

Mu në këto grumbullime — që tash po mbahen onllajn — pjesëmarrësit po i shprehin kundërshtimet ndaj ligjit dhe thonë që në të njëjtën kohë “po i mbrojnë vendet e shenjta”.

Mendimi i shumicës në qeveri është që litijet dhe grumbullimet kundër ligjit të ri janë veprime politike, dhe thuhet se kanë nuanca të qarta politike/opozitare. Në ndërkohë, liderët e opozitës nuk kanë qenë pjesë e protestave, ose së paku nuk kanë qenë në ballë të tyre.

Ndërkaq, KOS-i ka dhënë porosinë se do të qëndrojë krahas popullit pavarësisht se a votojnë për partitë opozitare apo ato qeverisëse. Duke luftuar për pronën dhe fenë, KOS-i — i cili është shpeshherë mjaft i zëshëm — nuk do që të lidhet me liderët e opozitës dhe thonë se kjo është arsyeja përse janë më të qetë këto ditë, për t’i lënë “Besimtarët” të çohen për atë që e shohin si të tyren.

Kush tjetër dilte në rrugë?

Përveç thirrjes së Gjukanoviqit ndaj anëtarëve të partisë së tij që të mos marrin pjesë në litije, është e dukshme se ata që mbajnë ikonat dhe kryqet në pocesione janë shoqëruar shpeshherë me votues dhe aktivistë të partisë qeverisëse. Ata duket se po i japin më shumë prioritet aspektit fetar sesa atij politik, dhe mbase po i përdorin protestat për t’i mbuluar kritikat e tyre ndaj Gjukanoviqit.

Kjo është njëra ndër çështjet më të mëdha me të cilat përballet paria qeverisëse — si ta zbatojnë dhe të merren me ftohjen e KOS-it pa u armiqësuar me një pjesë të madhe të zgjedhësve.

Meqenëse mbështetësit e partisë qeverisëse po ashtu kanë marrë pjesë në litije, establishmenti është përbashkuar dhe i ka kërcënuar anëtarët e partisë me përjashtim, duke thënë se ndjenjat e tyre po “shpërdorohen rëndë” nga KOS-i dhe “grumbullimet e tyre politike [që janë] të drejtuara ndaj shtetit dhe udhëheqësisë së tij”.

Antagonizmat ndaj procesioneve janë shpërfaqur në Cetinje, ku gjendet Manastiri i Cetinjes — qendra e Mitropolisë ku qëndron edhe Mitropoli Amfilohije. Në përputhje me këshillat e policisë nuk u mbajt asnjë marsh aty në mënyrë që të shmangen incidentet e mundshme nga disa qytetarë, të cilët — me fjalët e tyre — “i ruajnë vlerat malazeze” duke i quajtur të gjithë ata që janë kundër ligjit “armiq”.

Duhet të shënohet që Cetinja ishte qendra e të gjitha dyerve mbretërore malazeze dhe Kryeqyteti i Vjetër Mbretëror, një titull kryesisht simbolik që e mban edhe sot për nder të historisë së qytezës.

Cilat janë pasojat e tjera të mosmarrëveshjes?

Gjatë muajve të fundit, qeveria ka qenë e përkushtuar për ta mbrojtur politikën e saj dhe ka lënë të nënkuptohet se është duke e mbrojtur pavarësinë e vendit që është sërish në rrezik. Kjo është simbolizuar nga grafitet e trengjyrëshit të vjetër që ishte flamuri i Mbretërisë së Malit të Zi — kuq, bardhë dhe kaltër, e ngjashme me flamurin serb — anembanë shtetit.

Policitë komunale dhe shtetërore kanë arrestuar njerëzit që kanë tentuar t’i ndalojnë të tjerët që mbulonin këta flamuj me bojë. Mediat në Malin e Zi kanë raportuar se — edhe pse nuk e kanë konfirmuar — sidomos policitë komunale kanë qenë selektive sepse kanë hequr vetëm trengjyrëshat kurse nuk i kanë prekur grafitet e tjera.

Hamendjet se çështja e kishës është vetëm pjesë e një problemi më të madh i përforcimit të besnikërive si duket u vërtetuan nga ministri i mbrojtjes i Malit të Zi kur shpalli “një luftë hibride” para zgjedhjeve të caktuar parlametare të vjeshtës së vitit 2020.

Lufta hibride ka të bëjë me metodologjinë subversive që përdoret për ta minuar një kundërshtar, dhe lidershipi i Malit të Zi ka folur vazhdimisht për kërcënime nga vepruesit e jashtëm qysh nga i supozuari “grusht shtet rus” i tentuar në vitin 2016.

Nuk janë të pazakonta rastet kur politikanët kanë manipuluar me frikat dhe identitetet fetare e kombëtare të njerëzve në Malin e Zi, as tash, as në të kaluarën.

Pak pasi qytetarët malazias dëgjuan për luftën hibride, lufta kundër armikut virtual nisi në sferën publike.

Në janar, një gazetare u arrestua në Podgoricë për — siç e quajti qeveria — “raportim të rremë”, pasi që ajo shkroi se forcat speciale policore të Kosovës do ta ndihmonin policinë malazeze në operacionet e Krishtlindjeve. Në një aksion policor të mëpasshëm më 12 janar, policia arrestoi dy gazetarë pasi që kishin shkruar se një shpërthim kishte ndodhur në një ndërtesë luksoze të Podgoricës.

Nuk janë të pazakonta rastet kur politikanët kanë manipululuar me frikat dhe identitetet fetare e kombëtare të njerëzve në Malin e Zi, as tash, as në të kaluarën. Dhe ngjashëm me rajonin, këto çështje zmadhohen në kohën para zgjedhjeve.

Sidoqoftë, qeveria kurrë nuk ka shkuar drejtpërdrejt kundër KOS-it më parë, duke ditur se do të përballeshin me rezistencë. 

Frazat sikur “nacionalizmi serbomadh” dhe “Mohuesit e Malit të Zi” mund të dëgjohen shpesh në diskursin publik — përfshirë këtu edhe termin: “përtëritja shpirtërore e pavarësisë malazeze”. Kështu janë nxitur përçarjet e vjetra brenda vendit dhe është thelluar hendeku mes dy grupeve më të mëdha kombëtare në shtet.

Çfarë thonë fqinjët?

Siç ndodh shpesh, kur një problem shfaqet në njërin shtet të Ballkanit, fqinjtë nuk janë edhe aq ndihmues.

Kjo po ndodh edhe tash meqë qeveria e Serbisë jep mendime thuajse ditore për zhvillimet në Malin e Zi. Këto ngjarje diskutohen rregullisht nga Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili tha, paksa papritmas, se dëshironte t’i vizitonte serbët e Malit të Zi për Krishtlindje bashkë me ministrat qeveritarë të Serbisë dhe Kryeministren Ana Bërnabiq, të cilët e kanë kritikuar qeverinë e Malit të Zi për trajtimin e tyre ndaj serbëve.

Edhe pse janë paqësore, secila protestë fizike kishte mbikëqyrje të madhe nga forcat policore. Foto: Boris Pejović / K2.0.

Situata është e ngjashme në Republikën Serbe, ku partitë e lidhura me Millorad Dodikun — njërin anëtar të Presidencës së Bosnjës e Hercegovinës — janë të pajtimit që ligji nuk është i mirë.

Litijet në mbështetje dhe solidaritet të serbëve në Malin e Zi organizohen edhe në Serbi, edhe në Republikën Serbe.

Në anën tjetër, qeveria malazeze ka pranuar porosi mirëkuptimi dhe pranimi nga kolegët kroatë nga të dyja anët e spektrit politik.

Fakti se brenda gjashtë javëve të para pas miratimit të Ligjit për Lirinë Fetare, mediat e ndryshme në rajon kanë botuar më se 10,400 artikuj për këtë çështje — 7,000 prej tyre në mediat serbe — tregon për shkallën e këtij debati.

Duke pasur parasysh se nuk vërehet ndonjë zgjidhje e afërt, është e qartë se lajmet në Malin e Zi dhe në rajon do të vazhdojnë të mbizotërohen nga raportimet për këtë ligj.K

Imazhi i ballinës: Boris Pejović / K2.0.