Kur akrepat e orës shënojnë 5:00 të mëngjesit, ende pa zbardhur dita, Ardian Zena, kthen shikimin kah qielli i errët nëpërmjet dritares që nuk e ka asnjë hekur mbrojtës. Ngjyra e qiellit ia kthen kujtimet e së kaluarës. Por, tash nuk ka kohë për të humbur. Pa jelekun me ngjyrë portokalli, karakteristik për të burgosurit, Zena nga fshati Radostë i Rahovecit hap dollapin me dry, merr gjërat personale dhe del jashtë pavijonit për t’i kryer disa procedura administrative. Kështu nis rutina e tij çdo ditë, tash e mbi dy vjet, prej kur është transferuar në Qendrën Korrektuese në Smrekonicë, qendër e tipit të hapur.
“Punoj si saldues i metaleve në një kompani në Gjakovë. Për me mbërri me nis punën në 8:00, duhet me u çu herët”, tha 43-vjeçari. Pasi nënshkruhet në një dokument në sportelin e institucionit, niset drejt veturës personale për të marrë rrugë drejt vendit të tij të punës.
Përderisa vozit, i vetëm në veturë, duke shijuar përkohësisht e me kushte lirinë, Zena bën çdo ditë mbi 180 kilometra.
“Lodhje është, ama e sheh veten si të lirë. Edhe qëllimi që mos me mbet pasiv, me mbajt shprehinë e punës, edhe me ia ndihmu sado pak familjes financiarisht”, tha ai, duke shtuar se mundësia për të punuar jashtë qendrës, ka qenë një prej arsyeve kryesore që ka kërkuar transferim në Smrekonicë.
Zena është i dënuar me 25 vjet burg për vrasje, prej të cilave një vit e ka mbajtur në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, tetë vite në burgun e Dubravës, gati tetë të tjera në burgun e Sigurisë së Lartë në Dyz, dhe për më shumë se dy vjet po qëndron në Qendrën Korrektuese në Smrekonicë.
“Unë këtu jam me la veten, me pagu dënimin për veprën që e kam bërë. E kam kuptu gabimin, tash duhet me punu që me u përmirësu e me kontribu diçka në shoqëri. Mos me shkel ligjin më kurrë”, tha ai më tutje.
Saldimi i aluminit, punë të cilën Zena e kryen sot, thotë se është një prej punëve tejet të ndjeshme. Megjithatë, aftësimin profesional për ta kryer këtë profesion, Zena e kishte kryer në burgun e Dubravës. “E kam kry trajnimin në burg, ia pashë hajrin, sot paguhna për këtë punë”, tha ai.

Ardian Zena, 43-vjeçar, bën çdo ditë mbi 180 kilometra për në vendin e tij të punës jashtë qendrës së Smrekonicës. Fotografia: Ferdi Limani / K2.0.
Në kompaninë ku punon, asnjëherë nuk e ka ndierë veten të paragjykuar. Përkundrazi, stafi në kompani mundohen ta ndihmojnë dhe mbajnë komunikim të shkëlqyer.
Njëjtë si Zena, edhe 25 të dënuar të tjerë në Smrekonicë nisin punën jashtë qendrës në orën 8:00 dhe e përfundojnë në 16:00.
Pjesa më e madhe e të dënuarve që punojnë jashtë qendrës, janë të punësuar në restorante, fabrika të ndryshme, saldim, zdrukthtari apo zanate të tjera. Pagat e tyre shkojnë deri në 500-600 euro. Më së voni në orën 17:30, të gjithë të dënuarit duhet të kthehen në qendrën e Smrekonicës. Me t’u kthyer, ata i kthehen jetës në qendër korrektuese sikur edhe rreth 75 të dënuar të tjerë, që gjithë ditën e kalojnë brenda qendrës.
“Pasi nuk janë në mëngjes e drekë, me t’u kthyer vazhdojnë rutinën me pastrimin e dhomës, telefonatat, pastrimi i rrobave, darka. Pra, njëjtë si të tjerët”, tha Agron Hamza, udhëheqës për punë juridike dhe të përgjithshme në Qendrën Korrektuese në Smrekonicë. Hamza, që është pjesë e Shërbimit Korrektues të Kosovës prej vitit 2005, e vlerëson si zhvillim tejet pozitiv mundësinë e punës jashtë qendres.
Sipas tij, ky lloj përfitimi, që ua mundëson lidhjen me jetën jashtë burgut, bën që të dënuarit të mos e keqpërdorin këtë mundësi. “Secili ka sjellje të mirë, angazhim në punë, asnjëri nuk e refuzon urdhrin e stafit, për arsye se janë beneficione që i kanë”, tha Hamza, i cili prej vitit 2005 deri në vitin 2010, kishte punuar në burgun e Dubravës.
Megjithatë, Smrekonica bën përjashtim nga realiteti i zakonshëm i burgjeve në vend.

Rreth 90 të dënuar po kryejnë dënimin e tyre në qendrën e Smrekonicës. Fotografia: Ferdi Limani / K2.0
Prej ndëshkimit në rehabilitim
Sipas Ligjit të Shërbimit Korrektues, në Kosovë ekzistojnë tri lloj qendrash, varësisht nga shkalla e sigurisë: qendrat e tipit të mbyllur, gjysmë të hapur dhe të hapur. Institucionet e tipit të mbyllur kanë siguri maksimale, me mure të larta e staf të armatosur. Ato të tipit gjysmë të hapur kanë siguri mesatare, ndërsa qendrat e hapura kanë siguri më të ulët dhe sjellja e të dënuarve bazohet në disiplinën dhe përgjegjësinë personale.
Në Kosovë, institucion i tipit të hapur është qendra në Smrekonicë dhe ajo për të mitur. Të tipit gjysmë të hapur janë qendrat korrektuese për të mitur dhe për gra në Lipjan, kurse të tipit të mbyllur janë qendra në Dubravë, qendra e parburgimit në Prishtinë, Prizren, Gjilan, Pejë, Mitrovicë, si dhe Burgu i Sigurisë së Lartë. Megjithatë, edhe në qendrat e tipit jo të hapur, ka pavijone gjysmë të hapura dhe të hapura, ku vendosen të dënuar të cilët i plotësojnë kushtet sipas legjislacionit në fuqi.
Jeta e përditshme e të dënuarve në institucionet korrektuese të vendit, ku përfshihen të drejtat dhe privilegjet e tyre, rregullohen përmes Rregullores për Tretmanë. Tretmanët në këtë rregullore janë nivele që përcaktojnë të drejtat dhe privilegjet e të burgosurve prej tretmanit të pranimit – kur i burgosuri hyn në një qendër korrektuese – deri te ai i avancuari, i cili mundëson pastaj edhe transferimin në qendra gjysmë të hapura dhe të hapura.
Kalimi prej një tretmani në tjetrën, bëhet vetëm nga vlerësimi nëse i dënuari ka dëshmuar përkushtim në punë, sjellje të mira dhe ka qenë bashkëpunues. Këto nivele të tretmanit përshkruhen si procese që nxisin personat e dënuar për sjellje të mirë, me mundësi për të përfituar benificione dhe privilegje të ndryshme.

Rreth 75 të dënuar, që nuk e kanë ende lejen për punë jashtë qendrës, e kalojnë gjithë ditën brenda perimetrit të qendrës. Fotografia: Ferdi Limani
Shërbimi Korrektues i Kosovës (SHKK) e ka orientuar risocalizimin e riedukimin e të të dënuarve në dy aspekte kryesore. Aspekti i parë përfshin programet rehabilituese, aftësimin profesional, aktivitete kulturore e sportive, punën brenda dhe jashtë institucionit, me qëllim të zbutjes së efekteve negative të izolimit dhe uljen e recidivizmit, pra përsëritjes së veprës. Kurse, aspekti i dytë ka të bëjë me aftësimin profesional, ku të dënuarve u jepet mundësia për t’u aftësuar në profesione të ndryshme, e më pas certifikimi vlen edhe për punën jashtë qendrave.
“Të burgosurit përfshihen në punësim brenda dhe jashtë institucioneve, në arsim fillor e të mesëm, si dhe në trajnime profesionale në fusha të ndryshme si: elektroinstalim, hidroinstalim, ngrohje, rrobaqepësi, automekanikë, kuzhinieri, saldim, zdrukthtari e ndërtimtari”, tha Florent Gashi, zëdhënës në SHKK.
Dy prej fazave të fundit para lirimit të plotë përkojnë me vendosjen në pavijonet gjysmë të hapura dhe të hapura. Për t’u tranferuar në pavijon gjysmë të hapur, i dënuari duhet të mos ketë ndëshkime disiplinore dhe të jetë i gatshëm për punë. Kur kalon në pavijonin gjysmë të hapur, i dënuari ka të drejtë për katër vizita brenda muajit, si dhe gjithashtu pushim jashtë qendrës.
Për kalim në fazën e fundit, në një qendër të hapur si Smrekonica apo njësitë e tipit të hapur brenda qendrave (gjysmë) të hapura, ku vizitat dyfishohen nga katër në tetë dhe të dënuarit mund ta kalojnë fundjavën jashtë qendrës, vlerësimi bëhet nga ekipi profesional i institucionit. Të dënuarit nuk duhet të kenë më shumë se 10 vjet dënim ose mbetje të dënimit më shumë se 10 vjet, të mos kenë vepra tjera penale për ekzekutim, si dhe të kenë arritur fazën e pushimit jashtë institucionit. Në fazën e fundit, pasi t’i kenë përmbushur të gjitha kushtet tjera, të dënuarve u lejohet të punojnë jashtë perimetrit të qendrës, si një lloj parapërgatitje për jetën pas burgut. Puna jashtë institucionit korrektues të Smrekonicës, që nisi që nga viti 2019, tashmë rregullohet edhe me një Udhëzim Administrativ që u hartua në vitin 2023.
Pos kushteve që lidhen me kohëzgjatjen e dënimit të mbetur dhe fazën e tremanit, kushti tjetër që të dënuarit t’i lejohet të punojë jashtë qendrës është që ai të ketë siguruar një vend pune jashtë, i cili nuk ka lidhje me veprën penale për të cilën është dënuar, dhe pastaj të sigurohet rekomandimi nga paneli profesional që krijohet drejtori i institucionit, pasi të pranohet kërkesa.
Pas vendimit, nënshkruhen kontratat, të cilat parashohin kushte të rrepta të cilat duhet të zbatohen nga punëdhënësi dhe i dënuari. Këtu përfshihen kompensimet financiare, zbatimi i orarit të punës, sigurimi i transportit dhe aspekte të tjera. Për t’u siguruar nëse gjithçka po zbatohet, institucioni korrektues del dhe viziton për herën e parë vendin e punës dhe më pas ka për detyrë të realizojë edhe vizita të tjera të papritura, për të parë nëse marrëveshja e nënshkruar po zbatohet në tërësi. Megjithatë, ekziston mundësia që leja e punës mund edhe të tërhiqet.

Rehabilitimi i të dënuarve për jetën pas burgut është karakteristikë kryesore e modelit skandinav që e sheh burgimin si privim vetëm nga liria, por jo edhe nga dinjiteti apo mundësitë. Fotografia: Ferdi Limani / K2.0
Puna jashtë institucionit është një prej praktikave kyçe në shumë shtete për risocalizimin e të dënuarve që shfaq qasjen e tyre ndaj burgut jo si ndëshkim, por si mundësi për rehabilitim.
Jeton Brajshori, sociolog, argumenton ngjashëm se riintegrimi i të burgosurve është i domosdoshëm. Sipas tij, burgu nuk duhet të shihet vetëm si ndëshkim, por edhe mundësi për t’u ndihmuar të dënuarve që të kthehen sërish në shoqëri, si dhe të mos trajtohen si të huaj. Ai përmend shtetet skandinave, si Norvegjia e Suedia, si shembuj që i kushtojnë më shumë rëndësi riintegrimit sesa ndëshkimit.
“Burgjet e hapura janë ide e mirë dhe një mënyrë më humane për trajtimin e të burgosurve. Mundësia për të dalë në punë, ruajtja e kontakteve me shoqërinë dhe zvogëlimi i izolimit e bëjnë më të lehtë tranzicionin pas lirimit. Në thelb, ato i përgatisin të burgosurit për jetën reale, duke u dhënë përgjegjësi dhe aftësi praktike”, tha Brajshori.
Në Suedi dhe Norvegji, burgjet e tipit të hapur janë pjesë kryesore e një filozofie më të gjerë penale, që e sheh burgimin si privim vetëm nga liria, por jo edhe nga dinjiteti apo mundësitë. Institucione si burgu Bastøy në Norvegji funksionojnë bazuar në parimin se përgatitja e të burgosurve për jetën pas vuajtjes së dënimit fillon shumë përpara se dënimi të përfundojë. Të dënuarit punojnë, ndjekin programe profesionale dhe terapeutike dhe jetojnë në kushte që i ngjasojnë jetës jashtë; në shtëpi të vogla, pa grila, me përgjegjësi të përbashkëta, nën praninë minimale të sigurisë. Qëllimi është ulja e përsëritjes së krimit përmes besimit dhe përgjegjësisë, dhe jo përmes kontrollit dhe frikës.
Në shtetin suedez janë tri nivele të sigurisë në burgje: niveli i parë ofron siguri të lartë, i dyti ofron siguri mesatare, ndërsa i treti ka siguri më të ulët apo është i hapur. Para fillimit të dënimit, institucionet atje kryejnë vlerësimin e rrezikut dhe pastaj përcaktohet se në cilin nivel duhet të dërgohet një i dënuar. Kjo më pas i hap rrugën punës me programet e përcaktuara. Ngjashëm si në sistemin e Kosovës, edhe në Suedi burgjet e tipit të hapur janë të menduara si faza e fundit e dënimit, aty ku i dënuari përgatitet për t’u riintegruar në shoqëri përmes punës jashtë, kontakteve të kontrolluara me familjen dhe zhvillimit të aftësive të jetës së përditshme.
Në burgjet suedeze, të dënuarit kanë mundësi të programeve të ndryshme. Programi i trajnimit përshtatet me problemet që i dënuari ka pasur apo llojin e veprës për të cilën është dënuar. Atje, programet bazohen përkitazi me sjelljen dhe punohet për t’i identifikuar faktorët e recidivizimit. Megjithatë, që këto programe të jenë të suksesshme, vetë të dënuarit duhet të shprehin gatishmëri për të marrë pjesë. Qëllimi i këtij sistemi me tri nivele është transferimi i ngadalshëm nga kontrolli drejt përgjegjësisë, në mënyrë që i dënuari të mësojë të funksionojë pa mbikëqyrje dhe të mos kthehet e t’i përsërisë veprat pas lirimit.

Të dënuarit që nuk mund të punojnë jashtë qendrës së Smrekonicës, angazhohen në punë brenda institucionit. Fotografia: Ferdi Limani / K2.0
Në Norvegji, ndarja e burgjeve funksionon ngjashëm, por rëndësi i kushtohet parimit të normalitetit – që jeta në burg duhet të ngjasojë sa më shumë me jetën jashtë. Edhe këtu ekzistojnë tri nivele sigurie: burgjet e sigurisë së lartë, të mesme dhe të hapur. Në nivelin e parë, për shembull burgu Halden, siguria është e rreptë por jo shtypëse; të dënuarit jetojnë në dhoma individuale dhe ndjekin programe arsimore, terapi apo punë të strukturuar, në kontakt të përditshëm me zyrtarët korrektues që trajnohen për rehabilitim, jo ndëshkim. Në burgjet e hapura, si Bastøy, të dënuarit jetojnë në shtëpiza, punojnë në bujqësi ose ndjekin mësime, lëvizin lirshëm në ishull dhe përgatiten për jetën jashtë bazuar në besim dhe përgjegjësi. Sipas një hulumtimi në Norvegji, përdorimi i trajnimeve profesionale brenda burgjeve, ka ndikuar edhe në rritjen e nivelit të punësimit pas lirimit, çka dëshmon efektivitetin në riintegrimin e të dënuarve.
Në fakt, një punim shkencor me autore Lena Doxell në Suedi, thekson se trajnimet edukative në burgjet e tipit të hapur, ndikojnë drejtpërdrejt edhe në uljen e recidivizmit, pra mundësisë së përsëritjes së një vepre të caktuar penale. Norvegjia ka shkallë tejet të ulët të recidivzimit diku 20%, krahasuar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), për shembull, që shkon në mbi 75%. Në Amerikë burgjet kanë siguri tejet të lartë, ndonjëherë të vlerësuar edhe si ekstreme ndërkaq kufizimet për të dënuarit janë dukshëm më të rrepta.
Qindra kilometra larg shteteve skandinave, në qendrën në Smrekonicë për t’u pajisur me leje për punë jashtë qendrës, disa të dënuar duhet të presin. Kjo pasi janë rreth 70 të dënuar që ende nuk janë shfrytëzues të këtij përfitimi. Për arsye të ndryshme, ata ende nuk i kanë plotësuar kushtet për t’u lejuar që të punojnë jashtë institucionit.
E përderisa janë në pritje, përgatitjen për jashtë e synojnë me punë brenda Smrekonicës.
Punë edhe brenda
Në secilin hap që e bën, rrethohet nga arat të cilat i ka punuar. Kokën e çon drejt qiellit për të parë se sa janë gjasat që të bie shi për ta përfunduar një punë që i ka mbetur në gjysmë.
“Qitu u kanë grun komplet, kanë qit miell nja shtatë mijë kg miell. Tash po pres a po bjen shi, se thojshin bjen shi e m’i hi me traktor me livru”, tha Dardani, i cili nuk deshi të identifikohej me emrin e tij të vërtetë, teksa bën me gisht kah arat ku së fundmi kishin nxjerrë një sasi të madhe patatesh. Pemët e perimet e shumta që i ka mbjellur bashkë me të dënuarit e tjerë, shihen gjatë gjithë ecjes në oborr.
Ai ndihet krenar që sadopak arrin ta thyejë rutinën e përditshme dhe të angazhohet për të mirën e komunitetit.
“Këqyre, kjo arë ka qenë e mbjellun me kepë krejt, gjysë hekteri. Na krejt e kemi punu”, tha më tutje ai. Të gjitha pemët e perimet e mbjellura, shfrytëzohen pastaj për nevojat e institucionit në qendrën në Smrekonicë, apo edhe në qendrat e tjera.
Prej orës 9:00 të mëngjesit deri në 12:00, kur e kanë kohën e pauzës, angazhohet veç me punë të bujqësisë. Serën e cila është e vendosur pranë disa shtëpive të fshatit Smrekonicë dhe afër rrugës kryesore me lëvizje të lirë, e ka vendpunishte kryesore, duke u përqendruar plotësisht tek puna. “Pse me mendu unë me i humb këto benefite, e me ia shty vetes dënimin. Më pret familja, edhe du me kontribu që me iu kthy jetës”, tha tutje Dardani, 40-vjeçar, teksa tregon trangujt e mbjellur në serë, të cilët tashmë kanë peshë disa kilogramësh.

Të gjitha pemët e perimet e mbjellura, shfrytëzohen pastaj për nevojat e institucionit në qendrën në Smrekonicë, apo edhe në qendrat e tjera. Fotografia: Ferdi Limani / K2.0
Hamza, udhëheqësi për punë juridike në qendrën e Smrekonicës, thotë se të dënuarit asnjëherë nuk hezitojnë të punojnë. “Asnjëri nuk e refuzon, mendoj se puna është terapia rehabilituese e personave të dënuar, përmes punës ata kalojnë ditën shumë më lehtë”, tha ai.
Punët e bujqësisë, që dikur i kryente në shtëpinë e tij, sot Dardani thotë se me zellin e njëjtë mundohet t’i realizojë edhe brenda qendrës në Smrekonicë. Megjithatë, kohëve të fundit zelli i është shtuar. Po aq sa edhe pritja që punën ta vazhdojë diku tjetër. Ai ka bërë kërkesën që ta shfrytëzojë të drejtën e punës jashtë institucionit. Ka gjetur një restorant në Fushë Kosovë ku synon ta vazhdojë punën, deri në lirimin e plotë. “Sjelljet e mira i kam, tash veç po e pres përgjigjen. Deri të vendosin ata unë po i grahi punëve brenda”, tha Dardani.
Ai ndodhet në burg prej vitit 2021. Fillimisht në Qendrën e Paraburgimit në Hajvali, më pas në Dubravë, e tash në Smrekonicë. Megjithatë, dallimin mes dy qendrave e vlerëson si tejet të madh.
“E sheh jetën, rrugën, kerret. Je afër lirisë. Në tjerat, veç çka sheh në ajër, këtu e sheh jetën përskejt. Dallimi është si dita me natën. Kush vjen prej Dubrave, lirisht thotë si me ardhë në shtëpi këtu”, tha ai.
Këtë dallim e thekson edhe gardiani Faton Rexhepi, i cili është pjesë e SHKK prej vitit 2003. Për 17 vjet, pra deri në vitin 2020, Rexhepi kishte shërbyer ne burgun e Dubravës, e më pas ishte transferuar në Smrekonicë.
“Çdo i dënuar në këtë institucion është një hap larg lirisë, liria shihet me sy."
Faton Rexhepi, gardian.
“Këtu është më lehtë, do urdhra pranohen më lehtë, sepse kur t’ia kërkosh me dalë me kry një punë, përgjigjet më lehtë, sepse e nin veten më të lirë, nuk ka përcjellje çdo moment”, tha ai. Ky i fundit thekson se shpesh ndërmarrin edhe aksione të ndryshme kontrolli, por rrallë gjejnë diçka të jashtëligjshme. Në qendrën në Smrekonicë aktualisht janë 56 punëtorë në staf, 38 gardianë dhe 18 të tjerë në administratë. Sipas Rexhepit, të dënuarit janë të vetëdijshëm për përfitimet që i kanë, andaj asnjëri prej tyre nuk është i interesuar të kthehet në ndonjë qendër ku qëndrimi është tejet më sfidues.
“Çdo i dënuar në këtë institucion është një hap larg lirisë, liria shihet me sy, gjatë punës që bëjnë e vërejnë botën e jashtme, lëvizjet jashtë burgu”, tha ai, duke shtuar se gjatë gjithë diskutimeve që ka me të dënuarit, ata i tregojnë për planet, riintegrimin në shoqëri e synimin për ta vazhduar jetën, përtej gabimeve që kanë bërë.
Pikërisht ky është edhe synimi i qendrave të tilla të hapura. Në Norvegji, praktikat e hartuara nga shteti, zbatohen nga ata që vlerësohen në rreshtin e parë të komunikimit me të dënuar siç janë stafi dhe si rezultat këto politika ndikojnë në risocializim.
Megjithatë, sociologu Jeton Brajshori vë theksin edhe te aspekti i shëndetit mendor dhe trajnimeve psikologjike që duhet të ndiqen nga të dënuarit pas lirimit. “Sepse përballen me paragjykim, stigma dhe izolim shoqëror. Stigmatizimi shpesh i shtyn këta persona të mbesin në margjinat e shoqërisë, duke u etiketuar përjetësisht si ‘kriminelë’”, tha ai.
Disa me punë jashtë në zanate të ndryshme, e të tjerët brenda qendrës në Smrekonicë, megjithatë, kur ora shënon 17:00, që të gjithë e vazhdojnë jetën bashkërisht. Duke luajtur me letra, duke u marrë me fitnes e duke qëndruar së bashku. Brenda institucionit ku dritaret janë pa grila mbrojtës, pa tela me gjemba, e zhurma e veturave dëgjohet në oborr, jetën jashtë e kanë përballë, një realitet të cilin të gjithë ëndërrojnë t’i kthehen sa më shpejtë.
Imazhi i ballinës: Ferdi Limani / K2.0
Dëshironi të mbështetni gazetarinë tonë? Anëtarësohuni në “HIVE” ose konsideroni një donacion. Mëso si këtu.