I strukur prapa ndërtesës qendrore qeveritare në Prishtinë, larg bulevardit të zhurmshëm këmbësorësh, dhe në një qosh në mes të kafaterive plot gjallëri në lagjen Qendra, gjendet dyqani Art e Zanat.
Kur hyn në këtë dyqan të vockël – jo fort larg por i fshehur nga zhurma e kryeqytetit të Kosovës – të duket sikur ke bërë ndonjë zbulim të ri: raftet plot kartolina, karfica dhe artikuj tjerë të dizajnuar ndryshe nga standardi i rëndomtë ngjyrash turistike dhe fotografish të përpunuara me fotoshop që zakonisht i karakterizojnë këto lloje produktesh, dhe me simbole e ilustrime artistike të trashëgimisë shqiptare dhe të qyteteve e vendndodhjeve në Kosovë. Veshjet shqiptare, instrumentet dhe arkitektura, të gjithat janë këtu; sikur edhe horizonti i Prishtinës, monumenti Newborn dhe stadiumi i basketbollit i periudhës së ish-Jugosllavisë.
Dyqanin Art e Zanat e hapi artistja dhe dizajnerja grafike podujevase Ilire Lepaja në gusht të këtij viti për të ekspozuar dhe për t’i shitur produktet e punës së saj artistike. Kjo është faza e fundit e një projekti trevjeçar, periudhë në të cilën Lepaja i shiste produktet e saj nëpër panaire, në Aeroportin e Prishtinës dhe në Soma Book Station.
E diplomuar në Universitetin e Prishtinës dhe me master në dizajn grafik, Lepaja ka punuar në disa studio të dizajnit grafik dhe si artiste e pavarur për disa organizata joqeveritare – duke përfshirë The Ideas Partnership, me të cilët ende bashkëpunon— si dhe me organizata tjera.
Ajo e hapi biznesin në vitin 2013 dhe nisi të krijonte ilustrime që përmbanin motive tradicionale shqiptare si dhe skica të qytetit të saj të adoptuar, Prishtinës, me shpresë se do të gjejë një treg artistik për shkathtësitë dhe pasionin e saj, dhe njëkohësisht ta promovojë Kosovën si një shtet të ri.
“Unë frymëohem nga vetë jeta dhe e dua vendin tim”, i thotë ajo K2.0, duke vënë në pah kulturën e pasur të Kosovës, e cila, siç thotë ajo, jo gjithmonë çmohet apo kuptohet nga vizitorët. “Për këtë projekt kam dashur të krijoj diçka të mirë për ta promovuar trashëgiminë tonë kulturore dhe qytetet tona, dhe gjithashtu të promovohem si artiste, dhe të bëhem e pavarur e të punoj me biznesin tim pa pasur nevojë që dikush gjithmonë të më tregojë se çka duhet të dizajnoj. Në këtë mënyrë, unë e jap më të mirën nga vetja; liria më frymëzon më së shumti!”
Për një vit të tërë ajo u mor me dizajne, të cilat vendosi t’i shfaqte në kartolina që janë mjaft të përshtatshme për të paraqitur artin duke qenë njëkohësisht të vogla dhe relativisht të lira. Lepaja thotë se do të donte që kartolinat të përdoreshin më shumë në Kosovë, ndërsa pjesa më e madhe e klientëve që vinë në dyqan janë vizitorë të huaj.
Në përpjekje për ta ndjekur pasionin e saj bashkë me punën e saj të dizajnit grafik, Lepaja e la punën për t’iu përkushtuar artit të saj dhe hapi biznesin e saj. “Kjo është ajo që përnjëmend më pëlqen të bëj”, thotë ajo. “ U desh guxim, por mendoj se të gjitha ëndrrat në njëfarë mënyre kërkojnë guxim e rrezikim”.
Projekti fillimisht u vetëfinancua, por vitin që shkoi ajo mori mbështetje nga Ministria e Kulturës ndërsa sivjet këtu u përfshi edhe Komuna e Prishtinës dhe ajo vazhdon të punojë si artiste e pavarur dhe dizajnere e faqosjes.
Lepaja në punën e saj kombinon si teknika tradicionale ashtu edhe ato moderne. Dizajnet e saj prodhohen duke përdor softuerë të dizajnit grafik siç është Illustrator, Photoshop e CoralDraw, ndërsa kartolinat shtypen në letra të ricikluara, e magnetët për frigoriferë dhe pllakëzat e drurit prodhohen duke përdorur procesin dyhapësh: Druri prehet në forma të paracaktuara me makinë të kompjuterizuar për prerje, ndërsa dizajnet shtypen me procesin ultravjollcë të printimit ku boja thahet menjëherë duke përdorur rreze ultravjollcë, të cilat parandalojnë që boja të shpërndahet dhe mundëson theksim të detajeve.
Gjatë pranverës që shkoi ajo mori pjesë në programin e Akademisë së Zhvillimit i cili u organizua nga BE-ja dhe Instituti Riinvest, i cili i ndihmoi ta zgjeronte gamën e e saj edhe në qëndisje.
Programi tremujor përfshinte ligjerata për drejtim biznesi dhe planifikim projektesh në të cilin vijuan pronarë biznesesh të vogla — të cilët përfituan grante pas përfundimit të suksesshëm — si dhe përfaqësues të shoqërisë civile si dhe përfaqësues komunash.
Me idenë e promovimit të trashëgimisë kulturore përmes teknikave të qëndisjes, Lepaja e përfundoi programin dhe mori si donacion një makinë të qepjes me të cilën i mundësohej të krijonte produkte siç janë çanta krahu, jastëkë dekorues, dhe mbulesa tavoline. Ajo gjithashtu u fokusua në zgjerimin e biznesit të saj me prodhimin e maicave, kapelave e çantave me emra brendesh për kompanitë tjera.
Ky program i mundësoi të punësonte punëtoret e saj të para. “Meqë në Kosovë ka shumë gra të papunësuara unë e shfrytëzova mundësinë dhe punësova gra”, thotë ajo, “një për qepje të çantave, mbulesave për tavoline e kështu me radhë, dhe një për shitje të produkteve”.
Komuna i Prishtinës gjithashtu i ka kërkuar Lepajës t’i adaptojë ilustrimet e saj për t’i shfrytëzuar për fletoret zyrtare të kësaj komune.
Sa i përket reputacionit të Prishtinës si vend ku bizneset nuk kanë jetë shumë të gjatë, Lepaja është optimiste: “Unë mendoj se [çelësi i suksesit është] të punosh me strategji të mirë, dhe natyrisht të të pëlqejë ajo që bën”.
Art e Zanat gjendet në rrugën Andrea Gropa, mbrapa ndërtesës së qeverisë (afër Soma Book Station).
Fotografitë: Majlinda Hoxha / K2.0.