Për “Raskrinkavanje” — një faqe interneti për kontrollim të fakteve, e përkushtuar për t’i demaskuar dezinformatat dhe keqinformimin, që qarkullojnë në lajme dhe rrjete sociale — viti 2022 ishte i ngarkuar. Prirjet e dezinformimit në Bosnjë e Hercegovinë (BeH) kryesisht u sollën rreth pushtimit të Ukrainës, zgjedhjeve të përgjithshme të mbajtura në tetor, jehonave konspirative të “infodemisë” Covid-19 dhe një rryme të vazhdueshme mashtrimesh në rrjetet sociale.
Viti nisi me shpërthimin e narrativave të rreme rreth agresionit rus kundër Ukrainës, duke filluar nga pretendimet se asgjë nuk po ndodhte deri tek akuzat se presidenti i vendit, Volodymyr Zelenskyy, po ikte nga vendi pasi “nxiti” luftën.
Disa nga gënjeshtrat e hershme që lidheshin me luftën ishin vështirë të kontrolloheshin, pasi burimet e pavarura dhe të besueshme ishin vështirë të qasshme në zonën e luftimit. Por shumë prej tyre ishin thjesht versione të ricikluara të përrallave të vjetra propagandistike, si për shembull, Ukraina është “shtet nazist” ose strehë e laboratorëve biologjikë amerikanë të krijuar për ta “shkatërruar ADN-në ruse”. Tregimi për laboratorët (e përhapur në nivel vendor nga Ambasada Ruse në Bosnjë e Hercegovinë) përshtatet me teoritë e konspiracionit të “QAnon”, kështu që u kap shpejt nga ndjekësit e tyre, të cilët e lavdëruan sulmin e Putinit në Ukrainë, si luftë për ta “shpëtuar njerëzimin” nga “klika sataniste”.
Më pak të çuditshme, por po aq të rreme, ishin narrativat e kryetitujve serb dhe webfaqeve nacionaliste, që pasqyronin vazhdimisht propagandën e luftës së Putinit. Ata e portretizuan shkëlqyeshëm Ukrainën si agresore, shfrytëzuan mundësinë për t’i rinovuar gënjeshtrat e vjetra lidhur me atë që “mediet perëndimore organizojnë luftëra” dhe përforcuan dezinformatat nga trolls [shënim i redaksisë: përdorues të rrjeteve sociale, të cilët qëllimisht shpërndajnë përmbajtje të dëmshme] në rrjetet sociale. Njëri nga pretendimet e shpeshta të rreme ishte se NATO ka trupa në Ukrainë, por të njëjtat burime në të njëjtën kohë pohonin se Ukraina ka humbur mbështetjen e BE dhe/ose NATO, zyrtarët e lartë të së cilës supozohej se avokonin për të bërë koncesione me Rusisë në mënyrë që t’i jepej fund luftës.
Kur filloi sulmi, një kooperativë ndërkombëtare e verifikuesve të fakteve dhe një bazë e të dhënave të verifikimit të fakteve u krijuan pothuajse menjëherë për të shkëmbyer informacione më shpejt dhe në mënyrë efikase. Gjashtë muaj pas fillimit të pushtimit, rrjeti rajonal i kontrollimit të fakteve “SEE Check” bëri po ashtu një përmbledhje të detajuar të pretendimeve, burimeve dhe shënjestrave të dezinformatave rreth luftës, që po përhapeshin në Ballkan.
Zgjedhjet
Në Bosnjë e Hercegovinë, 2022 ishte vit zgjedhor dhe fushata shkaktoi valët e zakonshme në ekosistemin e dezinformimit: “faqet fantazmë të internetit” u shfaqën sërish për t’u paraqitur si medie të lajmeve teksa përpiqeshin ta shtynin përpara një parti ose një kandidat; në rrjetet sociale qarkullonin fotografi të kandidatëve të vërtetë apo të sajuara me programin photoshop; dhe partitë politike përdorën “sulmet e koordinuara” në rrjetet sociale për t’i promovuar mesazhet e tyre gjatë fushatës.
Sërish ishim dëshmitarë të një koordinimi të plotë të medieve në Republika Srpska dhe SNSD (partia në pushtet e njësisë që udhëhiqet nga Milorad Dodik) në shpërndarjen e dezinformatave rreth partive dhe kandidatëve të opozitës. Veprimi i rregullt i propagandës politike të Dodik është krijimi i komploteve dhe konspiracioneve për grushtshtet kundër tij dhe portretizimi i opozitës si “tradhtare”.
Në vitin 2022, narrativat u bënë më të çuditshme dhe të hollësishme.
Megjithatë, në vitin 2022, tregimet u bënë më të çuditshme dhe të hollësishme. Për shembull, RTRS, transmetuesi publik i entitetit, promovoi një pretendim qesharak se NATO po planifikon ta rrëmbejë Dodik dhe përdori një dokument të falsifikuar si “dëshmi” se Ambasada e ShBA në Bosnjë e Hercegovinë pagoi për fushatën e Jelena Trivić, kandidatja që e sfidonte Dodik për postin e presidentit të Republika Srpska.
Një infodemi
Pas dy vitesh lufte me teoritë e konspirative, që buruan nga pandemia, në vitin 2022 publikuam hulumtim rreth besimit të publikut në Bosnjë e Hercegovinë në narrativa të ndryshme dezinformuese. Mësuam se rreth 25% e popullsisë shfaqin besim të fortë në teoritë konspirative, 25% të tjerë nuk u besojnë atyre, por pak më shumë se 50% ndodhen diku në mes apo të pavendosur për vërtetësinë e historive të tilla, ose të prirur për t’i besuar disa, e disa jo.
Njëra nga pyetjet që bëmë ishte rreth pretendimit se Covid-19 nuk është sëmundje infektive, por rezultat i “helmimit nga ajri”. Ky ishte një interpretim pandemik i teorisë së vjetër të konspiracionit për “gjurmët kimike”, sipas të cilit pretendohet se gjurmët e bardha të kondensimit që krijojnë aeroplanët janë substanca toksike që janë pjesë e një plani sekret për shpopullimin të Tokës.
Pretendimi se Covid-19 shkaktohet nga “gjurmët kimike” mori mbështetjen e 24% të anketuarve, ndërsa 51% nuk u pajtuan, si dhe 25% ishin të pavendosur. Sidoqoftë, kur shihje rrjetet sociale, krijohej përshtypja se pothuajse të gjithë besojnë se po helmohemi nga qielli: historia ka mbetur vendosmërisht e qëndrueshme dhe virale që nga shpërthimi i pandemisë.
Vitin e kaluar, gjëra të ndryshme në mënyrë të rëndomtë lidheshin me gjurmët kimike në imagjinatat konspirative, duke përfshirë retë e pluhurit saharian, “biolabs” dhe fushatat parazgjedhore të politikanëve. Historia shpesh tregohet si një përrallë triumfuese e qeverive, institucioneve me reputacion apo sinjalizuesve, që e pranojnë se gjurmët kimike janë reale, ndonjëherë e shoqëruar me këshilla të dyshimta dhe potencialisht të rrezikshme se si të mbroheni nga ky kërcënim që nuk ekziston.
Një tendencë tjetër e pavdekshme është ajo e propagandës kundër vaksinimit, duke përdorur përherë pretendime të rreme ose duke keqinterpretuar qëllimshëm statistikat për ta portretizuar imunizimin si “vdekjeprurës”. Pa as edhe një copë provash, vaksinat kundër Covid-19 u akuzuan për “vrasjen e miliona njerëzve” vitin e kaluar, ndërlidheshin me vdekje të ndryshme që s’kishin lidhje me to, vdekshmëri të tepërt, vdekshmëri të fëmijëve, aborte spontane, rënie të fertilitetit, HIV/AIDS ose kancer.
Shumë nga këto pretendime janë përsëritje të reja të tregimeve të vjetra, që janë demaskuar sa e sa herë.
Shumë nga këto pretendime janë vetëm përsëritje të reja të tregimeve të vjetra që janë demaskuar sa e sa herë, por që besohen nga 55 deri në 60% e njerëzve të pavaksinuar në Bosnjë e Hercegovinë. Trendi fatkeq i njerëzve me prapavijë mjekësore që përhapin gënjeshtra kundër vaksinimit ka vazhduar gjithashtu.
Por edhe ne gjithashtu u ballafaquam me disa “goditje” të reja, veçanërisht të çuditshme kundër vaksinimit këtë vit. Historia e një gjyqtari që vendosi se “vdekjet nga vaksinat” duhet të trajtohen si vetëvrasje, fillimisht u ndërlidh me një gjyq joekzistent në Francë, pastaj në Gjermani. Madje, sipas llojeve të ngjashme të burimeve, një luftë civile shpërtheu në Austrinë fqinje si rrjedhojë e “imunizimit të detyruar”; Qeveria e Australisë u përpoq t’i administronte vaksinat, duke i spërkatur njerëzit nga qielli, në stilin e “gjurmëve kimike”; dhe një kombinim i teknologjisë 5G, gjurmëve kimike dhe vaksinave prodhuan një fenomen misterioz ku njerëzit dhe kafshët rrotullohen si në “vdekjesh balerinash” [sh.r. teori konspirative sipas së cilës viktimat e prekura befas fillojnë të rrotullohen deri sa vdesin]
Për një kohë, lija e majmunëve ka qenë njëra nga temat e nxehta në faqet konspirative të internetit, ku paraqitej si “sëmundje homoseksualësh”, duke riprodhuar disa nga narrativat për Covid-19, por me një kthesë homofobike.
Çfarë pritet në 2023?
Një lloj tjetër dezinformimi që ka të ngjarë të mbetet i kudondodhur është pseudo-mjekësia, që po përdoret pa pushim nga grupe të ndryshme të dëmshme, nga faqet e internetit për klikime deri te teoricienët konspirativ dhe “mjekët e pacertifikuar”, që shesin barna apo “trajtime” të patestuara. Të gjithë këta fitojnë para duke promovuar pretendime të rrezikshme për “barërat natyral për shërim të kancerit” dhe barërat mrekullibërëse, duke ia mveshur këto fuqi çdo lloj gjëje, nga nafta te limoni, soda e bukës apo vaji i kokosit.
Intervistat e rreme me personazhe të famshëm vendorë apo dëshmitë e “mjekëve” të vetëshpallur, që rekomandojnë produkte false shëndetësore, janë një lloj tjetër pretendimi pseudo-mjekësor, që e hasim shpesh. Kjo është përhapur veçanërisht shumë viteve të fundit, me shumicën e rasteve të tilla që na çojnë te një kompani e vetme, që na ka paditur për shkrimet që i kemi bërë rreth këtyre praktikave mashtruese të reklamave që i përdorin për t’i shitur produktet e tyre. Shpërblimet e rreme në Facebook për gjithçka, nga çmimet deri te paratë dhe telefonat inteligjentë e deri te veturat dhe shtëpitë, janë një tjetër lloj mashtrimi që vazhdon të rikthehet vit pas viti.
Por ne po i vërejmë po ashtu disa prirje të reja dhe në zhvillim, shumica e të cilave vijnë nga ndikuesit e krahut të djathtë anglishtfolës dhe teoricienët konspirativ. Mohimi i ndryshimeve klimatike ka filluar të depërtojë në hapësirën vendore online, që është zhvillim veçanërisht ironik, marrë parasysh problemet e mëdha të Bosnjë e Hercegovinës me ndotjen e ajrit. Në këto narrativa, ngrohja globale paraqitet si mashtrim i kryer nga “Rendi i ri botëror”, për të vendosur kontroll mbi popullsinë. Kjo narrativë e madhe ka krijuar edhe shumë komplote anësore, si pretendimet se njerëzit do të detyrohen të hanë insekte, ose se pronësia e një veture mund të bëhet e paligjshme.
E kemi vërejtur se narrativat kundër abortit, që duken se janë importuar nga burime të jashtme të ngjashme, po rriten po ashtu në dukshmëri, nga grupe me seli në ShBA, që synojnë t’i arrijnë gratë e cenueshme në Bosnjë e Hercegovinë duke përdorur, ndër të tjera, pretendime të rreme për rreziqet e abortit. Dezinformimi që shënjestron njerëzit LGBTQ+ ka qenë po ashtu më i pranishëm këtë vit, kryesisht i përhapur nga Serbia, ku Europride ishte në shënjestër dhe u quajt si burim i të gjitha të këqijave. Por Bosnjë e Hercegovina kishte instrumentalizimin vendor politik të homofobisë, duke u përpjekur të krijonte dhe t’i përdorte pakënaqësitë kundër Paradës së Krenarisë në fushatën parazgjedhore.
“Raskrinkavanje” mbushi pesë vjet këtë vit dhe, bazuar në atë që kemi parë deri tani, mund të jemi mjaft të sigurt se disa klasikë të përjetshëm, si teoritë konspirative për zbritjen në Hënë dhe sulmi i 11 shtatorit, do të vazhdojnë të qarkullojnë ashtu siç qarkulluan në vitin e kaluar.
Fatkeqësisht, ka mjaftueshëm punë që do t’i mbajë kontrolluesit e fakteve të ngarkuar.
Fotografia e ballinës: Majlindë Hoxha/K2.0
Autorja e gjeneroi këtë fotografi pjesërisht me GPT-3, model i OpenAI për gjenerimin e gjuhës.
Ky artikull është i pestë serisë së artikujve nga platformat e verifikimit të fakteve në vendet e Ballkanit. Përmes kësaj serie, verifikuesit e fakteve nga Kosova, Shqipëria, Serbia, Bosnja e Hercegovina dhe Maqedonia e Veriut shtjellojnë trendet e përbashkëta të dezinformimit e keqinformimit.
Programi rajonal QËNDRUESHMËRIA: Aksioni i shoqërisë civile për të riafirmuar lirinë e medias dhe luftën kundër dezinformimit dhe propagandës urryese në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi zbatohet me përkrahjen e Bashkimit Evropian nga organizatat partnere SEENPM, Instituti Shqiptar i Medias, Mediacentar Sarajevë, Kosovo 2.0, Instituti i Medias i Malit të Zi, Instituti Maqedonas për Media, Shkolla e Novi Sadit për Gazetari, Instituti i Paqes dhe Bianet.
Ky artikull është prodhuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian. Përgjegjësia për përmbajtjen e saj i takon vetëm Kosovo 2.0 dhe nuk i pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian.
Pse kjo klauzolë?