S`fundmi | Ekonomia

Luftë me taksa

Nga - 03.12.2018

Historia e marrëdhënieve turbulente të tregtisë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Më herët gjatë kësaj jave, qeveria e Kosovës lajmëroi se taksat mbi importet nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina (BeH) do të shtohen nga 10 përqind, siç u lajmërua më herët gjatë muajit, në 100 përqind. Kjo lëvizje vjen si pjesë e një historie së gjatë të marrëdhënieve të vështira të tregtisë ndërmjet tri shteteve që janë zhvilluar si rrjedhojë e mosmarrëveshjeve politike.

Por çfarë e parapriu situatën aktuale? Ja një përmbledhje të disa prej momenteve dhe çështjeve kyçe që duhet t’i kemi parasysh.

Të tri shtetet janë anëtare të Marrëveshjes së Evropës Qendrore për Tregti të Lirë (CEFTA), një marrëveshje tregtare ndërmjet shtatë shteteve të Ballkanit që nuk janë anëtare të BE-së, që ka për synim ta lehtësojë rrugëtimin drejt integrimit në BE dhe ta konsolidojë ekonominë e tregut të lirë. Kosova u bë anëtare e CEFTA-s në korrik 2007, kur përfaqësohej nga Misioni i Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK).

Pasi shpalli pavarësinë në 2008, Kosova i ndryshoi vulat e doganës, nga “dogana e UNMIK” në “dogana e Kosovës”. Në dhjetor 2008, Serbia dhe BeH, të cilat nuk e kishin (dhe ende nuk e kanë) njohur pavarësinë e Kosovës, deklaruan se nuk do ta lejonin as eksportin e mallrave të Kosovës me ato vula, as përdorimin e territorit të tyre si kalim tranzit për ato mallra.

Si reagim ndaj kësaj, më 20 korrik 2011, qeveria e Kosovës lajmëroi një vendim për masa reciproke kundër Serbisë dhe BeH. Gjashtë ditë më vonë, Policia e Kosovës u mundua ta sigurojë praninë e saj në pikat kufitare 1 dhe 31 në pjesët veriore të Kosovës, të cilat më parë ishin operuar nga Misioni i BE-së për Sundim të Ligjit në Kosovë, për t’i zbatuar këto masa. Serbët lokal reaguan duke i djegur pikat kufitare.

Këto masa kanë mbetur në fuqi deri në shtator 2011, kur në Bruksel, Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje për vulat e doganave. Si pjesë e dialogut të ndërmjetësuar nga BE, Kosova u pajtua t’i ndryshojë vulat për të mos përfshirë simbole shtetërore dhe Serbia i pranoi mallrat kosovare që nuk kanë vula të tilla.

Megjithatë, mungesa e përgjithshme e zbatimit të marrëveshjeve të tjera në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja dhe disa zënka ndërmjet dy shteteve, përfshirë fushatën e fundit të Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës në Interpol dhe përpjekjet për t’i bindur shtetet për ta ‘çnjohur’ Kosovën, kanë bërë që situata ndërmjet dy shteteve – e cila veç se ishte e tensionuar – të eskalojë.

Ngritja e taksave

Më 6 nëntor, qeveria e Kosovës vendosi ta zbatojë një taksë 10 përqindëshe në produkte me origjinë nga Serbia dhe BeH. Disa ditë më vonë, Kryeministri Ramush Haradinaj tha se kjo taksë do të rritej.

Më 8 nëntor, një takim ndërmjet presidentëve Thaçi dhe Vučić që ishte caktuar të mbahej në Bruksel u anulua pasi Presidenti i Serbisë deklaroi se nuk ka dialog me Kosovën përderisa taksa në importe është ende në fuqi. Si reagim ndaj kësaj, Thaçi këmbënguli që Beogradi nuk duhet të ketë frikë nga Kosova në çfarëdo rrethana, sepse kjo e fundit do të jetë e përgjegjshme në dialog, si dhe në veprimet e saj.

Bashkimi Evropian i bëri thirrje Kosovës ta anulonte vendimin e saj për të vënë taksa në importin e mallrave që vijnë nga Serbia dhe BeH. Më 9 nëntor, partia e serbëve të Kosovës Lista Serbe, ndonëse pjesë e koalicionit qeverisës, kërcënoi duke deklaruar se nëse qeveria nuk e shfuqizon këtë rritje të taksave mbi produktet serbe, partia do të dalë në opozitë dhe do të organizojë protesta civile.

Më 20 nëntor, Vučić deklaroi se për shkak të kësaj takse, Serbia i humb 1 milion euro në ditë, ndërsa Dogana e Kosovës lajmëroi se i fitoi rreth 300,000 euro më shumë në javën pas vënies së taksës në krahasim me javën paraprake.

Meqë tensionet veç se kishin eskaluar, me sa duket situata u nxehë pas ofensivës diplomatike serbe për t’i bindur disa shtete për ta anuluar njohjen e Kosovës dhe veçanërisht pas lobimit të fuqishëm të saj kundër pranimit të Kosovës në Interpol. Më 20 nëntor, Kosova nuk e morri mazhorancën me dy të tretën e votës që është e nevojshme për t’u pranuar në organizatën ndërkombëtare policore.

Të nesërmen, më 21 nëntor, Kosova ngriti tarifa doganore për mallrat serbe dhe boshnjake prej 10 në 100 përqind. Zëvendës Kryeministri Enver Hoxhaj iu referua në mënyrë eksplicite qasjes së fundit të Serbisë ndaj Kosovës dhe fushatës kundër anëtarësimit të Kosovës në Interpol.

“BE mund t’i bëjë presion Kosovës, por problemi është se nuk ka më dënime”.

Gjeraqina Tuhina, korrespondente e RTK-së në Bruksel.

Ky shpagim gjithashtu kërkonte që autoritetet t’i largojnë apo parandalojnë nga hyrja çfarëdo mallra që nuk e adresojnë Kosovën sipas emrit të saj kushtetues, Republika e Kosovës, që Serbia dhe BeH ende nuk e njohin. Haradinaj gjithashtu lajmëroi se masat e ngarkuara mbi produktet që vinë nga Serbia duhet të mbesin në fuqi deri sa të njihet Kosova. “Përderisa Serbia nuk e njeh Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran, ne nuk duhet ta shfuqizojmë [taksën]”, tha ai.

Atë mbrëmje, Presidenti Vučić thirri një takim emergjent të Këshillit Kombëtar të Sigurisë në Beograd, ndërsa Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Federica Mogherini, tha të mërkurën se qeveria e Kosovës duhet ta anulojë menjëherë vendimin e saj për t’i shtuar taksat mbi mallrat që hynë nga Serbia dhe BeH. “Vendimi i sotëm është shkelje e qartë e CEFTA-s dhe e frymës së Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit ndërmjet BE-së dhe Kosovës”, tha ajo.

Duke reaguar ndaj deklaratave të Mogherinit, në një letër drejtuar asaj, Haradinaj tha se Qeveria e Kosovës i bën thirrje përfaqësuesve të BE-së si ndërmjetësues në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që ta detyrojnë Serbinë dhe BeH t’i përmbushin përkushtimet e tyre në lidhje me CEFTA-n dhe marrëveshje të tjera.

Gjeraqina Tuhina, korrespondente për Radio Televizionin e Kosovës në Bruksel, ka aluduar se ndikimi i BE-së mbi Kosovën po venitet dhe se fjalët e tyre mund të kalojnë pa u respektuar. Ajo shkroi në Twitter se Kosova nuk ka perspektivë kredibile për anëtarësim në BE dhe nuk do të ketë liberalizim të vizave për shkak se trajtohet ndryshe në të gjitha forumet e institucioneve të BE-së, duke shtuar se: “BE-ja mund t’i bëjë presion Kosovës, por problemi është se nuk ka më dënime”.

Zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci, tha për Gazeta Express se taksa e re e doganës u zbatua në të njëjtën ditë kur qeveria e lajmëroi vendimin e saj, duke shtuar se prej atëherë përjetuan një reduktim në importe. Ai zbuloi gjithashtu se në ditën e lajmërimit, 20 kamionë u kthyen pasi morrën informatën për taksën e re.

Meqë ky vendim nxiti ngazëllim në mesin e seksioneve të mëdha të popullsisë shqiptare të Kosovës, partitë e koalicionit qeverisës – Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), dhe Nisma Social Demokrate – të gjitha u munduan t’i marrin meritat për të.

Çekuilibër në tregti

Kosova iu bashkua CEFTA-s pa vendosur kuota, pavarësisht marrëveshjes që parasheh se shtetet anëtare kanë të drejtë për ta bërë këtë. Një regjim i kuotave të tarifave aplikohet kur një shtet anëtar i CEFTA-s e përdorë të drejtën e tij për të ngarkuar tarifa preferenciale në importet e produkteve, veçanërisht produkteve bujqësore, të cilat mbrohen nga ai shtet anëtar.

Kosova pra hyri në CEFTA në një pozitë të pabarabartë, duke shkaktuar shumë probleme për prodhuesit vendor. Përderisa shtetet fqinje vendosën kuota, siç është rasti me kuotën që e ka vendosur Shqipëria për patate, Kosova nuk i ka mbrojtur prodhuesit e saj nga rreziku që paraqitet nga importet e lira.

Si rrjedhojë e kësaj, Kosova ka një deficit tregtar me pjesën më të madhe të anëtarëve të CEFTA-s, por veçanërisht me Serbinë. Sipas të dhënave nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, në 2017 Serbia eksportoi mallra në Kosovë në vlerë 449,918,000 euro, ndërsa mallrat që i eksportoi Kosova në Serbi arritën vlerën vetëm 48,246,000 euro, duke krijuar një deficit tregtar me Serbinë në vlerë 401,672000 euro. Nga vlera totale e shkëmbimeve tregtare ndërmjet dy shteteve në 2017, vetëm 9.68 përqind ishin eksporte të Kosovës, ndërsa 90.32 përqind ishin eksporte serbe.

Marrëdhënia tregtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ishte edhe më e pabarabartë para disa viteve. Në 2010, përderisa Serbia eksportonte në Kosovë mallra në vlerë 260,471,000 euro, mallrat e eksportuara nga Kosova në Serbi arritën vlerën vetëm 3,941,000 euro. Pra Kosova ishte në deficit në vlerë 256,530,000 euro në shkëmbime tregtare me Serbinë. Në 2010, mallrat kosovare përbënin vetëm 1.49 përqind të shkëmbimeve tregtare ndërmjet dy vendeve, ndërsa mallrat serbe përbënin 98.51 përqind.

Sipas të njëjtit raport, në 2017 Serbia ishte eksportuesi më i madh në Kosovë, e më pas vinte Gjermania (378,515,000 euro), Turqia (292,626,000 euro), Kina (275,463,000 euro) dhe Italia (194,722,000 euro). Në anën tjetër, BeH ishte eksportuesi i nëntë më i madh në Kosovë, me eksporte në vlerë 81,674,000 euro. Pra përderisa Serbia ishte përgjegjëse për 14.8 përqind të imporeve totale që hynin në Kosovë, BeH ishte për vetëm 2.7 përqind.

Profesori dhe eksperti i ekonomisë Safet Merovci e sheh këtë vendim si lëvizje politike dhe populiste.

Përderisa pjesa më e madhe e diskutimeve në media është fokusuar në mbështetjen e Kosovës në importin e miellit nga Serbia, në fakt mielli është i shtati në listën e eksporteve më të vlefshme nga Serbia në Kosovë në 2017. Përçuesit elektrikë ishin më të vlefshmit, në vlerë totale 54,849,000 euro, e më pas ishin nafta dhe vajrat e nxjerra nga mineralet bituminoze (44,754,000 euro), pijet joalkoolike (38,904,000 euro), sheqeri, melasa dhe mjalta (20,221,000 euro), grurë dhe meslinë (17,494,000 euro), materialet e ndërtimit të argjilës (16,800,000 euro), përgatitjet e drithërave dhe miellit (14,176,000 euro), vajrat vegjetale dhe yndyrat (12,445,000 euro), ushqimi për kafshët (11,649,000 euro) dhe produktet e hekurit dhe çelikut (11,341,000 euro).

Ekonomisti politik Besnik Pula shkroi në faqen e tij në Facebook se sektori më i ndjeshëm i konsumatorëve do të dëmtohet më së shumti nga taksa e re në importe, dhe e citoi një artikull të cilin e shkroi në 2011 ku e përmbledhi domosdoshmërinë për një strategji të menduar mirë për t’i zëvendësuar mallrat serbe në tregun e Kosovës para se të merren masat.

Ndërsa profesori dhe eksperti i ekonomisë Safet Merovci e sheh këtë vendim si lëvizje politike dhe populiste, duke thënë se mund të jetë e drejtë në afat të shkurtër, por nëse ka ngritje në çmimet e këtyre produkteve nga Serbia dhe BeH, qytetarët do të jenë ata që do të paguajnë për këtë, jo politikanët. Në anën tjetër, deputetja e partisë opozitare Lidhja Demokratike e Kosovës në Kuvendin e Kosovës, Hykmete Bajrami, beson se ky vendim është marrë për ta mbuluar keqmenaxhimin e qeverisë.

Sidoqoftë, me sa duket shtetet e rajonit përsëri kanë vendosur t’i zgjidhin vet problemet e tyre – këtë herë jo me pushkë, por nëpërmjet luftës tregtare, një lloj lufte që nuk është krejtësisht e huaj për historinë botërore dhe evropiane.

Historia na tregon se plot herë, shumë shtete në botë janë përleshur pa armë, por me shtrëngesa ekonomike: nga e ashtuquajtura “Lufta e Opiumit” ndërmjet Britanisë dhe Kinës në fillim të shekullit 19, te “Lufta e Bananeve” e vitit 1993 ndërmjet SHBA-së dhe BE-së, “tarifat e Çelikut” të SHBA-së në vitin 2002 dhe më së fundmi lufta tregtare e SHBA-së kundër KinësK

Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0