Me dekada të tëra, shtetet të cilat më parë ishin pjesë e Jugosllavisë kanë qenë të ndërthurura në mënyrë politike, ekonomike dhe kulturore. Rrallëherë ndodh ndonjë ndryshim në njërin shtet pa u vërejtur në shtetet fqinje. Kjo vlen edhe për lëvizjen LGBT në rajon. Pionierët e kësaj lëvizjeje gjithmonë e cekin faktin se marrëdhëniet personale dhe profesionale, bashkë me ndjesinë e fuqishme të komunitetit, kanë ndihmuar në krijimin e një lidhjeje të fuqishme ndërmjet aktivistëve nëpër gjithë hapësirën postjugosllave.
Kur konkretizoheshin ndryshimet në njërin shtet, aktivistët e shteteve tjera mblidheshin për të ndihmuar, si dhe për të mësuar e për t’u ushqyer nga produktet e guximit dhe energjisë pozitive të tyre.
Kjo temë ka qenë e pranishme në faza dhe dekada të ndryshme të lëvizjeve feministe dhe LGBT në këtë rajon, si në rastin e tubimit të parë feminist në Jugosllavi, ‘Drug-ca žena’ (‘Grua Partnere’) në vitin 1978 në Beograd, apo Paradës së parë të Krenarisë në rajon, të mbajtur në Beograd në vitin 2001.
Fillet e aktivizmit
Një prej kushteve themelore për fillimin e lëvizjes së personave gej dhe lezbike në rajon ishte dekriminalizimi i homoseksualitetit, që ndodhi fillimisht në vitin 1977 në Slloveni, Kroaci dhe Mal të Zi, si dhe në krahinën autonome të Serbisë, në Vojvodinë, si pjesë e reformave më të gjera ligjore në Jugosllavi.
“Vetëm pas kësaj homoseksualiteti hyri në diskursin publik dhe doli në hapësirë publike”, thotë Tatjna Greif, aktiviste dhe një prej autorëve të “LL25”, libër i historisë së lëvizjes së grave lezbike sllovene.
Aktivizmi i parë i dalluar i komunitetit LGBT në rajon u organizua në Ljubljanë në prill të vitit 1984, kur qendra kulturore e studentëve, SKUC Forum, organizoi Magnus Festival, që përfshiu filma, ekspozita me botime të personave gej, si dhe ligjërata dhe diskutime për kulturën gej. Më vonë gjatë atij viti, një grup i quajtur Magnus – anëtarët e së cilit i pranuan si burrat gej ashtu edhe gratë lezbike – u themelua si seksion i SKUC Forum, dhe kështu u bë grupi i parë LGBT në rajon.
Aktivistët sllovenë vazhduan të ishin pjesë e avangardës së lëvizjes LGBT në fillet e saj në këtë rajon. Aktivizmi i grave lezbike po zhvillohej veçanërisht brenda skenës së kundërkulturës. “Prej mesit të viteve të 1980-a, aktivizmi i grave lezbike në Slloveni ishte pjesë përbërëse e kulturës alternative dhe e Lëvizjeve të Reja Sociale, të cilat ishin të orientuara drejt themelimit të kulturës moderne politike dhe shoqërisë civile”, thotë Greif.
Këtu u themelua shoqata e parë e grave lezbike në Jugosllavi – apo në fakt, në tërë Europën Lindore. I bazuar në ide feministe dhe duke evoluar nga grupi ekzistues feminist Lilit – që kishte nisur punën në mes të viteve të ‘1980-a – një seksion i grave lezbike në SKUC u formua në vitin 1987, me emrin SKUC LL (Lesbian Lilit).
“Aktivistët e LL ishin të angazhuar në fazën më të hershme të lëvizjes feministe në ish-Jugosllavi, dhe sot ne ende jemi duke e ndërtuar lëvizjen e lezbikeve dhe lëvizjen LGBT në përgjithësi, në parime që rrënjët i kanë te feminizmi, emancipimi, barazia gjinore, të drejtat e barabarta dhe drejtësia sociale”, thotë Greif.
Nga fundi i dekadës, ky aktivizëm i hershëm i inkurajoi edhe disa lëvizje tjera të ngjashme në disa pjesë të rajonit. Një grup i grave të cilat kishin lidhje të forta me SKUCC LL u bënë bashkë në vitin 1989 për ta formuar organizatën e parë të grave lezbike në Koraci, Lila Initiative. Veprimet dhe idetë feministe gjithashtu ndihmuan në mbjelljen e farave të aktivizmit të grave lezbike në Serbi.
“Takimet e para të organizuara ndërmjet grave lezbike në Beograd u drejtuan nga një grup feminist i quajtur Women and Society (Gratë dhe Shoqëria), pas tubimeve feministe jugosllave në Ljubljanë në vitin 1987 dhe më vonë në Zagreb në vitin 1988”, thotë lepa madenovic (e cila qëllimisht e shkruan emrin e saj me shkronja të vogla), njëra prej pionierëve të lëvizjes së grave lezbike jugosllave.
“Ato takime përçuan mesazhin e ndarjes nga heteroseksualiteti si normë dhe si zgjedhja jonë e vetme”, thotë mladenovic. “E kërkuam njëra-tjetrën në mënyrë që të kuptonim se kush ishim ne si lezbike në një botë të mbushur me urrejtje ndaj grave dhe ndaj grave që i duan gratë”.
Në Slloveni, SKUC LL nisi me bashkëthemelimin e disa projekteve kulturore dhe sociale, si dhe u bë bashkë me grupin e burrave gej, Magnus, për ta themeluar shoqatën politike, Roza Klub, para se t’i kthehej përsëri aktivizmit autonom për gra lezbike në vitin 1997. Në këtë pikë SKUC LL i nisi disa projekte të cilat, sipas Greif, ende vazhdojnë edhe sot. “Ato merren me komunitetin LGBT dhe publikun e përgjithshëm nëpërmjet aktivizmit shoqëror, aktivizmit politik, si dhe aktivizmit kulturor”, thotë Greif.
Rrëmujë politike
Kur aktivizmi i grave lezbike dhe burrave gej nisi të zhvillohej në rajon, në Kroaci dhe Serbi ndodhën trazirat politike dhe luftërat në fillim të viteve të ‘1990-a.
Në vitin 2014, si pjesë e një artikulli gjithëpërfshirës për 25 vitet e e para të lëvizjes kroate LGBT, uebfaqja e mirënjohur kroate për lajme LGBT, CroL, e intervistoi Nela Pamukovic, njërën prej grave të cilat e nisën iniciativën Lila. Ajo shpjegoi se si nuk kishin mundësi ta vazhdonin punën e tyre në atë klimë të re politike.
“Kur nisi lufta, disa gra u tërhoqën për arsye personale, e disa për shkak të kushteve të kohës së luftës”, tha Pamukovic. “Thjesht nuk ishte e mundur ndjekja e atij lloji të aktivizmit politik”.
Megjithatë, disa prej grave të cilat kishin qenë të përfshira në inicijativën Lila u bënë aktive në disa organizata dhe nisma të tjera. Më 1992 u themelua Lezbijska i gay akcija (Aksioni Gej dhe Lezbik, LIGMA), organizata e parë kroate e cila u bë e njohur si grup i burrave gej dhe grave lezbike, por për shkak të rrethanave politike, puna e saj ishte e kufizuar; suksesi më i madh i saj ishte revista Speak Out, e publikuar brenda revistës së fushatës kundër luftës. Kjo revistë ishte e para e këtij lloji në Kroaci.
Edhe në Serbi aktivistët e ndërruan kahjen gjatë viteve të luftës. Lëvizja e grave lezbike dhe burrave gej u ndërlidh me lëvizjet e paqes dhe feminizmit në një ambient politik gjithnjë më të radikalizuar në këtë shtet. “Shumë prej nesh u bëmë aktivistë kundër luftës”, kujton mladenovic, duke përmendur organizata si Women in Black. “Pra organizata jonë [e grave lezbike] e parë… Labris, u organizua pasi përfundoi lufta në Bosnje dhe Hercegovinë në nëntor të vitit 1995”.
Në vitin 1991, mladenovic ndihmoi edhe në themelimin e Arkadija, një grup i cii luftoi për respektimin e të drejtave të burrave gej dhe grave lezbike. Synim kryesore e kishin dekriminalizimin e dekretit për homoseksualët.
Kjo u arrit në vitin 1994, por mendohet të ketë ndodhur më shumë rastësisht se si rrjedhojë e presionit të jashtëm, meqë Serbia po i ndryshonte disa elemente të Kodit të saj Penal gjatë luftërave me Kroacinë dhe Bosnje e Hercegovinën.
Gjithashtu rreth kësaj kohe Shqipëria, Maqedonia dhe Bosnje e Hercegovina e dekriminalizuan homoseksualitetin kryesisht si rrjedhojë e presionit ndërkombëtar, dhe kështu deri nga mesi i viteve të ‘90-a homoseksualiteti ishte i ligjshëm në krejt Ballkanin Perëndimor. Megjithatë, kushtet socio-politike dhe vështirësitë me të cilat përballeshin aktivistët LGBT nëpër rajon ishin të rënda.
LIGMA, grupi i vetëm i regjistruar i burrave gej dhe grave lezbike në Kroaci në atë kohë, u mbyll në vitin 1997 dhe liderët e tij emigruan në Kanadë dhe Suedi ku morën azil për shkak të kërcënimeve dhe sulmeve të cilave iu nënshtruan në vendlindje.
Atë vit u formua grupi joformal anarkist feminist Kontra, i cili më vonë e ndryshoi statutin dhe u bë organizatë e regjistruar e grave lezbike që ende ekziston sot. Një vit më vonë, më 1998, Kroacia e bëri një arritje të madhe ligjore kur mosha minimale për aktivitetet seksuale ndërmjet personave homoseksualë u barazua me moshën minimale për aktivitetet seksuale ndërmjet personave heteroseksualë.
Pas vdekjes së President Franjo Tudjman në dhjetor të vitit 1999 dhe rënies së partisë nacionaliste të tij – HDZ, e cila i kishte kaluar 10 vitet paraprake në pushtet – klima politike në Kroaci nisi të ndryshonte. Një organizatë e grave lezbike, LORI, arriti të regjistrohej të Rijekë. U themelua gjithashtu një organizatë e re e burrave gej e quajtur Iskorak.
Në shekullin XXI
Kur u krye mijëvjeçari i kaluar, lëvizja LGBT në rajon e përjetoi një tronditje të madhe. Dejan Nebrigic, aktivisti i parë në Serbi i cili doli haptas si burrë gej si dhe njëri prej themeluesve të Arkadija, ishte ankuar vazhdimisht në polici për kërcënimet që po i merrte. Policia refuzoi të ndërhynte. Më 29 dhjetor, 1999, në ditëlindjen e tij të 29-ëj, ai u vra në banesën e tij.
Pastaj, 18 muaj më vonë, në verën e vitit 2001, frikësimi i aktivistëve të LGBT dhe dhuna e ushtruar ndaj tyre dolën para syrit publik. Më 30 qershor ishte planifikuar të mbahej Parada e parë rajonale e Krenarisë – e organizuar nga Labrid dhe grupi i sapoformuar Gayten – nën slloganin ‘Ima mesta za sve’ (‘Ka vend për të gjithë’).
Por kjo paradë nuk u mbajt. Kur u mblodhën aktivistët, ata u sulmuan dhunshëm nga grupe të mëdha të huliganëve të organizuar, organizata të krahut të djathtë dhe anëtarë të Kishës Ortodokse Serbe. Policia që ishte caktuar për t’i mbrojtur ata dështoi, meqë niveli i sigurisë nuk ishte i kënaqshëm. Ky ishte fillimi i historisë problematike me Paradat e Krenarisë në Serbi.
Disa aktivistë kroatë – kryesisht gra lezbike dhe feministë – të cilët kishin marrë pjesë në Paradën e Krenarisë në Beograd vendosën se kishte ardhur koha për të mbajtur një marsh të Krenarisë në Kroaci. Organizuar nga Iskorak dhe Kontra, më 29 qershor, 2002, u mbajt Parada e parë e Krenarisë në Zagreb të Kroacisë nën slloganin që i përfshiu emrat e organizatorëve – ‘Iskorak KONTRA predrasuda’ (Hap kundër paragjykimit’).
Rreth 200 njerëz morën pjesë, por ata u pritën nga një numër i madh i protestuesve dhe u fyen ashpër derisa marshuan. Kur parada e arriti destinacionin përfundimtar, pjesëmarrësit u sulmuan me gaz lotsjellës; më vonë gjatë asaj dite e nate u raportua se dhjetëra njerëz u rrahën, dhe policia arrestoi dhjetëra huliganë.
Më vonë gjatë atij viti u formua një organizatë joformale e quajtur Zagreb Pride (Krenaria e Zagrebit). Më vonë kjo u bë grupi LGBT më i madh dhe më me ndikim në Kroaci. Pastaj një vit pas marshit të parë të Krenarisë, në vitin 2003, kur Kroacia aplikoi për anëtarësim në Bashkimin Europian, u miratua një ligj nëpërmjet të cilit pranoheshin ligjërisht martesat ndërmjet personave të të njëjtit seks. Por ishte qesharake kur marrim parasysh faktin se çifteve të të njëjtit seks u jepte vetëm dy të drejta, ndërsa çifteve heteroseksuale u jepte më shumë se 60 të drejta.
Ndërkohë në Serbi legjislacioni kundër diskriminimit hyri në fuqi në vitin 2009, përfshirë këtu diskriminimin në bazë të orientimit seksual dhe statusit transgjinor në të gjitha fushat. Në vitin 2012, Kodi Penal u rishikua për ta përfshirë konceptin e ‘krimit të urrejtjes’, i cili aplikohet te orientimi seksual dhe identiteti gjinor.
Por ndryshimet teknike në letër nuk e maskuan vendosmërinë e kufizuar politike për të promovuar ndryshim kuptimplotë. Pas përvojës së parë traumatike me Paradën e Krenarisë, dhe në mungesë të mbështetjes nga autoritetet, të cilët thanë se nuk mund ta garantojnë sigurinë e pjesëmarrësve, aktivistët nuk kishin mundësi të organizonin parada në vitet e ardhshme.
Kjo ndryshoi në vitin 2010, kur në Beograd u mbajt Parada e dytë e Krenarisë, por përsëri pati sulm të dhunshëm, siç ndodhi edhe në ngjarjen e Krenarisë një vit më vonë në qytetin e dytë të Kroacisë, në Split, ku mijëra njerëz u përpoqën ta ndërprenin dhunshëm paradën.
Megjithatë, përpjekjet e tilla për t’i demotivuar aktivistët dështuan. Pavarësisht faktit se Parada e Krenarisë u ndalua në Serbi prej vitit 2011 deri në 2014 nga autoritetet të cilët si justifikim e kishin mbrojtjen e sigurisë publike, ky organizim iu kthye përsëri rrugëve të Beogradit, derisa në Kroaci kjo ngjarje organizohet vit për vit në dy qytetet më të mëdha të Kroacisë.
Gjithnjë më shumë dhimbje
Ndonëse aktivizmi LGBT nisi para disa dekadave në Slloveni, Kroaci dhe Serbi, në pjesët e tjera të Ballkanit Perendimor kjo lëvizje nisi shumë më vonë.
“Fillet e aktivizmit LGBT në Bosnje dhe Hercegovinë ishin në kohë kur shoqëria civile fillimisht nisi të merret me të drejtat e personave LGBTIQ – Organization Q”, thotë Lejla Huremovic, aktiviste në Sarajevo Open Center, që sot është organizata më e madhe LGBT në Bosnje dhe Hercegovinë. “Është e rëndësishme të përmendim faktin se para formalizimit të Organization Q në 2004 pati shumë nisma, por të gjithat u shuan”.
Organization Q operoi për pesë vite, e më pas i mbylli dyert më 2009, në të njëjtin vit kur u miratua Ligji Kundër Diskriminimit në Bosnje dhe Hercegovinë, në të cilin u përfshinë orientimi seksual dhe identiteti gjinor.
“Në atë periudhë, ngjarja më e rëndësishme ishte organizimi i edicionit të parë të Queer Sarajevo Festival (QSF) në vitin 2008”, thotë Huremovic. “Fatkeqësisht, festivali u ndal dhunshëm kur një grup i madh i vehabistëve dhe ‘tifozëve të futbollit’ nisën të protestonin para Akademisë së Arteve dhe i sulmuan fizikisht e verbalisht vizitorët e ekspozitës që ishte pjesë e QSF-së”.
Ky festival nuk shënoi vetëm fundin e historisë së Organization Q, ishte poashtu pikë kyçe për lëvizjen LGBT në Bosnje dhe Hercegovinë, meqë Sarajevo Open Center u themelua pak më vonë, në vitin 2010.
“Prej atëherë janë zhvilluar shumë nisma dhe janë formuar shumë organizata, jo vetëm në Sarajevë por për shembull edhe në Banja Llukë, Mostar, Tuzla dhe Zenicë”, thotë Huremovic. “Deri më sot kemi arritur ta ndryshojmë shumë strukturën ligjore, kemi arritur të hyjmë në disa institucione shtetërore dhe të punojmë me ta për çështje të rëndësishme”.
Megjithatë, në vitin 2014 aktivistët LGBT e përjetuan edhe një sulm tronditës, këtë herë në Merlinka Festival në Sarajevë. Ky festival ishte organizuar për ta promovuar kulturën LGBT. Katërmbëdhjetë agresorë të maskuar hynë në klubin në të cilin po mbahej festivali dhe i lënduan dy njerëz.
“Me të vërtetë besoj se aktivizmi LGBT në Bosnje dhe Hercegovinë u formësua nga sulmi i dhunshëm në Merlinka… si dhe nga përkushtimi për të vazhduar me organizimin e festivalit në vitet që pasuan”, thotë Huremovic, duke shtuar me krenari se edicioni i fundit i Merlinkës, i cili u mbajt në vitin 2016, u vizitua nga më shumë se 500 njerëz, duke e bërë kështu ngjarjen më të madhe LGBTI në Sarajevë.
Rritja e nivelit të dukshmërisë
Sulmet e dhunshme ndaj aktivistëve janë disi tipar i historisë së lëvizjes LGBT në rajon. Matanë kufirit në Mal të Zi, aktivistët dhe mbështetësit e të drejtave LGBT iu nënshtruan gjithashtu abuzimit e dhunës kur i mbajtën ngjarjet e para të Krenarisë në vitin 2013, fillimisht në Budvë në korrik, e më pas në tetor në kryeqytet, në Podgoricë.
Pavarësisht kësaj, marshi i parë i Krenarisë ishte pikë kyçe për lëvizjen. Kështu mendon Jovan Dzoli Ulicevic, i cili sot është pjesë e Spektra, organizatës së parë në Mal të Zi që fokusohet në persona trans, interseks dhe variante tjera të gjinisë. “Mund të duket evidente, por pa dyshim është e vërtetë – ngjarja që e ndryshoi krejtësisht lëvizjen LGBTIQ në Mal të Zi ishte organizimi i Krenarisë së Malit të Zi në vitin 2013”, thotë Dzoli Ulicevic.
Sllogani i Krenarisë ishte ‘Crna Gora ponosno’ (‘Mali i Zi – Me krenari’) dhe simboli kryesor ishte një mustaqe. “Vendosëm ta përvetësojmë një prej simboleve më patriarkale në vendin tonë, e kjo bëri që shumë qytetarë të Malit të Zi të reagojnë shumë publikisht në media”, thotë Dzoli Ulicevic.
“Njerëzit të cilët njiheshin për mustaqet e tyre filluan t’i rruanin ato. Duke i përvetësuar simbolet patriarkale dhe duke i vënë në dyshim normat gjinore, duke dalur në hapësirën publike që gjithmonë ka qenë e rezervuar për krenari mashkullore, ne i vëmë në dyshim dhe i ekspozuam vlerat tradicionale – kjo ishte pika kyçe”.
Mali i Zi veçse kishte miratuar legjislacion kundër diskriminimit në të cilin kishte përfshirë orientimin seksual dhe identitetin gjinor, gjegjësisht në Ligjin e vitit 2010 për Ndalimin e Diskriminimit.
Fqinji jugor i Malit të Zi, Shqipëria, veproi njëlloj atë vit, e në vitin 2013 e rishikoi Kodin Penal për t’i përcaktuar krimet e motivuara nga orientimi seksual apo identiteti gjinor si krime të urrejtjes. Megjithatë, për Malin e Zi dhe Shqipërinë – dhe sigurisht për shtetet të cilat kanë bërë reforma të ngjashme në rajon – reformat legjislative, të cilat janë nxitur shumë nga organet ndërkombëtare si BE-ja, kanë pasur pak ndikim real e të dukshëm.
Rainbow Europe Map – analizë e përvjetshme e situatës së personave LGBTI sa i përket të drejtave të tyre njerëzore në shtetet europiane, e cila publikohet nga ILGA Europe – shkruan: “Shqipëria është shembull tipik i dallimit ndërmjet ligjeve të shkruara dhe realitetit që e përjetojnë personat LGBTI në jetën e përditshme”.
Si në shtetet tjera të rajonit, gjendja reale sa i përket të drejtave LGBT në Shqipëri formësohet dhe ndikohet nga fuqia dhe dukshmëria e OJQ-ve të cilat janë të fokusuara në përmirësimin e të drejtave LGBT në shtetet e tyre përkatëse. Paradat e Krenarisë, të cilat mbahen çdo vit, janë organizuar në kryeqytetin e Tiranës prej vitit 2014. Por ndryshimi më i dukshëm sa i përket aktivizmit në këtë vend ndodhi në vitin 2009, kur komuniteti LGBT nisi të zgjohet e të veprojë, i udhëhequr nga Kristi Pinderi dhe Xheni Karaj.
“I ngjitën disa posterë kundër homofobisë nëpër bandera, karriget e parqeve afër ndërtesave të qeverisë i lyen me ngjyra të ylberta dhe muret i mbushën me mesazhe pro-LGBTQ me sprej, shpeshherë afër ndërtesave religjioze”, raportoi NBC më herët gjatë vitit.
Fuqi dhe vendosmëri
Një Maqedoni ndodhi pak më ndryshe gjeneza e lëvizjes LGBT. Një aktiviste me përvojë nga LGBTI Support Center, Biljana Ginova, thotë se aktivizmi LGBTI në Maqedoni daton para 15 viteve.
“Njerëzit të cilët ishin aktivë në organizatat e para nuk folën nga përvojat e tyre, por nisën të shtronin pyetje të rëndësishme dhe të kërkonin përgjigje për situatën sa i përket të drejtave LGBT në Maqedoni”, thotë Ginova. “Në atë kontekst të brishtë politik, ata krijuan një bazë për krejt neve që erdhëm pas tyre”.
Disa organizata LGBTI janë themeluar përgjatë viteve. Ato kanë kryer hulumtime dhe analiza, kanë zhvilluar fushata për ngritjen e nivelit të ndërgjegjësimit për të drejtat LGBTI dhe kundër dhunës, si dhe kanë organizuar festivale e projekte kulturore. Por ndonëse shtetet tjera të Ballkanit Perendimor e ndryshuan legjislacionin për të ofruar më shumë mbrojtje për personat LGBTI si pjesë e përpjekjeve drejt anëtarësimit në BE, rruga europiane e Maqedonisë pësoi gjatë regjimit 10-vjeçar të Nikola Gruevskit, dhe personat LGBTI ende nuk mbrohen nga ligji maqedonas”.
Pavarësisht kësaj, Ginova po e merr pozitivisht progresin e deritanishëm. “Mund të them që, ndonëse ende nuk kemi sa duhet mbrojtje dhe njohje ligjore – kryesisht për shkak të kontekstit politik – prapëseprapë kemi arritur shumë”, thotë ajo, para se të theksojë faktin se formimi i qeverisë së re në fillim të vitit është mundësi për të përparuar edhe më shumë.
“Ne besojmë se më në fund kemi një qeveri e cila është e vendosur për të punuar me neve, për t’i përmirësuar kushtet jetësore dhe për ta miratuar njohjen ligjore të personave LGBT në Maqedoni. Tashmë kanë filluar ta projektojnë një ligj kundër diskriminimit i cili pritet ta përfshijë orientimin seksual dhe identitetin gjinor, si dhe pritet që të përfundohet para fundit të vitit”.
Ginova gjithashtu aludon se ka tregues që administrata e re është e gatshme për ta shqyrtuar ndryshimin e Kodit Penal të Maqedonisë në të ardhmen, për ta futur gjuhën e urrejtjes dhe krimet e urrejtjes.
“Aktivizmi ynë është pjekur. Kemi provuar qasje dhe forma të ndryshme të aktivizmit dhe e kemi arritur një nivel të ri. E kemi nisur një fazë të re në luftën tonë”, thotë ajo. “Në këtë klimë, në sistemin pas regjimit, ne perceptohemi si partnerë. Do ta shohim si do të shpalosen gjërat në të ardhmen, por për tani e kemi një lëvizje të vogël e cila ka potencial të madh për të bërë ndryshime, për t’ua bërë më të mirë jetën minoriteteve seksuale dhe gjinore”.
Ky optimizëm vërehet te lëvizja anembanë rajonit. “Anëtarët e komunitetit LGBT dhe vetë komuniteti bëhen më të fuqishëm çdo ditë”, thotë Lejla Huremovic nga Bosnje e Hercegovina. Atje në dy vitet e fundit komuniteti LGBT ka filluar të ndërmarrë veprime për të qenë më të dukshëm në rrugë. “Jam e lumtur kur e shoh këtë dhe jam e lumtur që po ndodh çdokund, me gjithnjë e më shumë organizata e nisma”.
Histori pa fund
Aktivistët e dinë më mirë se pozitiviteti dhe proaktiviteti janë thelbësorë për ta vazhduar luftën kundër paragjykimeve shoqërore të cilat kanë rrënjë të thella. Edhe anëtarësimi i shumëdëshiruar në BE – që shpeshherë shihet në rajonin tonë si përgjigje e menjëhershme për të gjitha problemet tona – nuk është dëshmuar si garancion për mbrojtjen e të drejtave LGBTI.
Në Slloveni – shtet i cili e miratoi Dekretin për Partneritet ndërmjet Personave të të Njëjtit Seks në vitin 2004 – e refuzuan barazinë martesore për njerëzit LGBT në dy referendume publike, një në 2012 dhe një tjetër në 2015.
Në Kroaci madje situata është përkeqësuar prej kohës kur ky shtet iu bashkua BE-së.
Në dhjetor të vitit 2013, pesë vjet pasi Kroacia hyri në BE, u mbajt një referendum për të vendosur për ndryshimin e definicionit të martesës në Kushtetutë për të qenë bashkim ndërmjet një burri dhe një gruaje. Kjo erdhi si rezultat i fushatës së një grupi neokonservativ të quajtur In the Name of the Family (Në emër të familjes), i frymëzuar nga disa lëvizje të ngjashme në SHBA dhe Francë. Ky grup u mbështet shumë nga partitë e krahut të djathtë dhe kisha katolike.
Më pak se 40 për qind e popullsisë doli për të votuar, e dy e tretat e votuesve e miratuan këtë ndryshim në Kushtetutë. Ndryshimi u implementua një vit më pas.
Megjithatë, për shkak të rezistencës së fortë nga komuniteti LGBT, si dhe organizatave të shoqërisë civile kroate të cilat merren me të drejtat e njeriut, kjo lëvizje retrogresive veç sa e fuqizoi lëvizjen. U lind një platformë për bashkëpunim më të madh dhe pas disa vitesh avokimi të fuqishëm nga organizatat LGBT si Zagreb Pride, në atë vit, pra në vitin 2014, parlamenti kroat e miratoni Dekretin për Partneritet Jetësor, duke u dhënë çifteve të të njëjtit seks të gjitha të drejtat që i kanë çiftet e martuara, përveç të drejtave për adoptim.
Por shumëkush është i shqetësuar për shkak se, pa një ndryshim gjithëpërfshirës të qëndrimeve, arritjet e tilla janë fitore e formës para substancës. Emërimi i Ana Brnabic si kryeministre e Serbisë, që the Guardian e përshkroi si “hera e parë që ky shtet kandidat për anëtarësim në BE e ka emëruar një grua dhe një lezbike si Kryeministre”, shihet nga shumëkush si shembulli i fundit i kësaj.
Që të fitojë substanca, dhe për ta luftuar homofobinë dhe transfobinë, zërat e fuqishëmm, krenarë dhe të patrembur të aktivistëve LGBT – si dhe bashkëpunimi rajonal kunër shtypësit të përbashkët të grupeve të ndryshme minoritare të cilat i mohojnë të drejtat e njeriut – do të jenë shumë të rëndësishëm në të ardhmen, siç kanë qenë në të kaluarën.
Shumë arritje i kanë bërë deri tash, por ende mbetet shumë punë për të bërë.K
Foto kryesore nga Magnus-SKUC , Postesri nga festivali i filmit 84.