Dezinformimi vjen valë pas vale. Nganjëherë të vërshon,, herëve të tjera është i pakët. Kur peizazhi medial vërshohet me lajme, edhe dezinformimi bëhet i bollshëm. Dhe anasjelltas.
Fuqia e një vale dezinformimi varet nga lloji i lajmit që vërshon brigjet e diskursit publik. Nëse një ngjarje lajmesh ose aspekt i çështjeve aktuale, që është në shënjestër të dezinformimit ka datë përfundimi, njësoj do të ketë edhe dezinformimi rreth çështjes. Nëse tema është e pakufishme, dezinformatat do ta përndjekin atë për goxha kohë.
Një shembull tipik është vazhdimësia e dezinformimit rreth Covid-19 dhe vaksinave, që u përkeqësua nga rrjetet ekzistuese të individëve të indoktrinuar (si lëvizja anti-vax), të cilët vetëm prisnin të shfaqeshin në publik dhe t’i përhapnin narrativat dhe storiet e tyre të rreme.
Lëvizje të ngjashme po shfrytëzojnë rastin të promovojnë ilaçe dhe barëra të rremë. Krejt papritur u shfaqën të gjitha llojet e barnave dhe ilaçeve, që shoqëroheshin me pretendime se shërojnë Covid-19 dhe sëmundjet e tjera. Çka e bën tërheqëse shitjen e këtyre “ilaçeve” është se për to thuhet se shërojnë sëmundje të ndryshme të shkaktuara apo që janë përkeqësuar nga Covid-19 apo nga vaksinat kundër Covid. Natyrisht, këto vaksina nuk shkaktojnë ndonjë sëmundje, por pse të lodhemi me hollësira?
Dhe më pas erdhi agresioni rus kundër Ukrainës. Çuditërisht, shumë nga të njëjtat burime të internetit dhe rrjeteve sociale, që përhapnin dezinformata për Covid, përhapën gjithashtu dezinformata pro-Kremlinit. Me sa duket, këta individë janë gjeni. Fusha e tyre e ekspertizës është paimagjinueshëm e gjerë. Pavarësisht nga tema, ata janë të përgatitur, në gjendje gatishmërie dhe të aftë të gënjejnë rreth saj.
Në fillim pati shumë huti. Mund t’i vëreje shpërndarësit ambulantë të dezinformatave kur ndërronin format e testimit, në përpjekje për ta zbuluar se çka do të funksiononte në mendjet e torturuara të viktimave të tyre dhe çka jo. Mund t’i vëreje po ashtu teksa gërryenin edhe fundin e koshit të dezinformimit duke kërkuar shembujt më të varfër të dezinformimit, përdornin skena nga video-lojërat dhe duke pretenduar se ishin pamjet e një lufte mes avionëve luftarakë ukrainas dhe rus. Shumë prej këtyre llogarive rishfaqnin fotografi dhe video nga viti 2014, apo edhe nga luftërat e viteve ’90-ta në Jugosllavi dhe i prezantonin ato si skena nga lufta aktuale, shpesh duke pretenduar se pamja ose videoja përshkruan ushtarët ukrainas duke bërë diçka të keqe.
Por me kalimin e kohës, prodhimi i propagandës dhe dezinformatave pro-ruse u përshpejtua. Cilësia u përmirësua dhe mund ta vëreje se qëndronte një logjikë prapa dezinformatave specifike; mund t’i shihje se përdornin të paktën një copë të së vërtetës si karrem për ta fituar besimin e lexuesve para se ta helmonin përmbajtjen me një ton gënjeshtrash përmbi.
Teksa humbjet ruse në fushëbetejë rriteshin, frymëzimi për gënjeshtra zvogëlohej. Është e vështirë të gënjesh me vetëbesim kur e gjithë bota të sheh teksa humb territor për muaj të tërë. Mund ta shohësh se përpjekjet e Kremlinit për t’i gjetur ose shpikur nazistët në Ukrainë, për shembull, mundësisht në mesin e udhëheqësve ukrainas, kanë humbur efektin dhe janë bërë mision i pamundur.
Propagandistët e Kremlinit mendojnë se përdoruesit e rrjeteve sociale e lënë trurin e tyre në tryezën e kuzhinës para se të shkojnë në dhomën e ndenjes dhe të hyjnë në pajisjet e tyre për t’u informuar me lajmet më të fundit dhe për t’i parë gënjeshtrat e tyre më të fundit.
Për shembull, ata pretenduan se një vajzë adoleshente, ekstremiste e krahut të djathtë, e cila ishte në lajmet e vitit 2014, ishte mbesa e presidentit ukrainas Volodymir Zelensky. Por ajo s’është. Dhe s’ishte e vështirë për kontrolluesit e fakteve në Ukrainë dhe jashtë saj ta kontrollonin pretendimin. Kjo ngjasonte me shenjat imagjinare naziste në njërën nga rruazat e një byzylyku, që u pa në kyçin e dorës së Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Ukrainës, gjeneralit Valerii Zaluzhnyi, shenja naziste që askush tjetër nuk ia doli t’i shihte, përveç propagandistëve të Kremlinit me “sy shqiponje”.
Rrjetet e dezinformimit
Mund të vërehen gjithashtu edhe tentimet e “segmentimit të tregut” (goxha bazike dhe të papërpunuar) në përpjekjet e Kremlinit për dezinformim, si dhe shënjestrimin e vendeve specifike, të përforcuara nga rrjetet tashmë ekzistuese pro-Kremlin.
Prej vitesh, Kremlini është afruar me grupe dhe lëvizje të ndryshme. Teksa punojnë për të fituar ndikim te grupet ekstreme të majta, neo-staliniste ose komuniste, ata me kënaqësi afrohen me nacionalistët, tradicionalistët, ultra-fetarët, autokratët, aktivistët anti-LGBT, bandat e motoristëve dhe madje edhe milicitë, varësisht situatave lokale.
Në shumë prej këtyre grupeve, Kremlini ka krijuar ose është përpjekur t’i krijojë rrjetet dhe shoqatat e veta, të tilla si shoqatat e miqësisë ruso-vendase. Ata shpesh përpiqen t’i organizojnë disa rusë vendas së bashku me grupin, edhe po të jetë vetëm dy, sepse dyrusë bashkë me disa vendas pro-rusë e arrijnë rezultatin e dëshiruar për ta — posaçërisht nëse kanë aftësi në internet dhe nëse janë të gatshëm ta përforcojnë propagandën e Kremlinit në kontekstin lokal dhe në gjuhën lokale.
Kur rrjetet s’janë të mjaftueshme, ata përdorin llogaritë zyrtare të rrjeteve sociale të ambasadave lokale ruse. Nëse kërkohet vëmendje ndërkombëtare, llogaria në Twitter e Ambasadës Ruse në Londër e arrin rezultatin për ta, por nëse duan që dezinformatat të fluturojnë, t’i ikin radarit dhe të mos merret nga mediet ndërkombëtare, atëherë llogaria në Twitter e Ambasadës Ruse në ndonjë vend më të vogël jo-anglishtfolëse thirret në detyrë.
Por kur duan të ndjellin frikë, zemërim dhe përçarje mes armiqve të tyre, sepse i përshtatet qëllimeve të tyre politike, bëjnë kërkime për tema që nxisin grindje dhe mosmarrëveshje. Pastaj përpiqen t’i përforcojnë dhe zgjerojnë mosmarrëveshjet e tilla. Ata thjesht radhiten me njërën palë kundër tjetrës, duke nxitur zemërim dhe dyshim se pala që po gëzon mbështetjen e Kremlinit në të vërtetë punon krah për krah me Kremlinin.
Kjo është pikërisht ajo që ata bënë kur u përpoqën ta shfrytëzonin mosmarrëveshjen maqedono-bullgare për historinë dhe gjuhën, e cila çoi në veton bullgare mbi fillimin e negociatave të pranimit të Maqedonisë së Veriut në Bashkim Evropian (BE). Ata përdorën llogarinë në Twitter të ambasadës së tyre në Shkup për t’u radhitur në anën e Maqedonisë së Veriut, duke zemëruar kështu Bullgarinë si përpjekje për ta zgjeruar hendekun midis dy vendeve fqinje.
Me mosmarrëveshjen mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë tani në nivele të larta, me akuza dhe kundër-akuza që fluturojnë para e mbrapa, si dhe me negociatat e pranimit të Maqedonisë së Veriut, që kanë filluar të duken zor të arritshme, duket se gjërat rrodhën ashtu siç dëshiroi Kremlini, gjë që lë hapësirë më të madhe për ndërhyrje dhe ndikim të Rusisë në të ardhmen në Ballkan.
Çka mund të bëhet për t’i luftuar ndikimet keqdashëse?
Në fondacionin “Metamorphosis”, ku punoj si redaktor i verifikimit të fakteve, ne po përpiqemi t’i zbulojmë, analizojmë dhe demaskojmë ndikimet e huaja jodemokratike dhe keqdashëse, veçanërisht ato që përpiqen ta zvogëlojnë orientimin strategjik të ndjekur prej kohësh të Maqedonisë së Veriut, si partner i ardhshëm euroatlantik i integruar plotësisht, anëtar i besueshëm i NATO, si dhe një ditë, anëtar i BE.
Kjo nuk është e rëndësishme vetëm për Maqedoninë e Veriut, por për të gjitha vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, të cilat, të gjitha, përballen me njëfarë ndikimi keqdashës nga Rusia dhe përpjekjet për t’i penguar drejt rrugës evropiane.
Me një bazë të themeluar të ndikimit rus në vend, Serbia është posaçërisht e cenueshme ndaj aktiviteteve keqdashëse të Kremlinit. I njëjti ndikim është thellësisht i ngritur edhe në Republikën Srpska në Bosnjë e Hercegovinë, si dhe në mesin e serbëve në veri të Kosovës.
Në Maqedoninë e Veriut mund të vërehen çarje në opinionin publik lidhur me agresionin e Rusisë kundër Ukrainës. Fakti që Maqedonia e Veriut është vend kandidat për në BE që nga viti 2005 dhe nuk ka lëvizur aspak përpara, pavarësisht ndryshimit të emrit të vendit siç u kërkua nga Greqia, i ka çuar disa maqedonas deri në humbje të kontrollit, duke i bërë ata ta humbasin besimin e tyre te Perëndimi dhe të drejtohen diku tjetër sa i përket prosperitetit dhe sigurisë së vendit të tyre.
Përpjekjet tona afatgjate për ta forcuar besimin e publikut në institucionet euroatlantike dhe për ta mbajtur larg propagandën keqdashëse në Maqedoninë e Veriut dhe në rajon, po zbatohen me ndihmën e partnerëve tanë ndërkombëtarë dhe në bashkëpunim të ngushtë me partnerët tanë nga i gjithë Ballkani Perëndimor.
Ne po e monitorojmë dhe po analizojmë burimet publike të dezinformimit, duke përdorur gazetarinë për interes publik, si dhe përvojën tonë të verifikimit të fakteve për t’i ndaluar ndikimet e huaja keqdashëse dhe jodemokratike, duke luftuar dezinformimin dhe demaskuar manipulimin, duke parandaluar përhapjen e frikës, zemërimit, mosmarrëveshjeve të prodhuara dhe gjithçka tjetër që prodhohet nga tekstet propagandistike të grupeve të dëmshme.
Kjo është pjesë e luftës sonë për ta ruajtur dhe forcuar demokracinë në rajonin tonë dhe për t’i zvogëluar mundësitë e grupeve të dëmshme për të përhapur propagandë dhe dezinformim.
Fotografia e ballinës: Majlindë Hoxha/K2.0
Autorja e gjeneroi këtë fotografi pjesërisht me GPT-3, model i OpenAI për gjenerimin e gjuhës.
Ky artikull është i katërti i serisë së artikujve nga platformat e verifikimit të fakteve në vendet e Ballkanit. Përmes kësaj serie, verifikuesit e fakteve nga Kosova, Shqipëria, Serbia, Bosnja e Hercegovina dhe Maqedonia e Veriut shtjellojnë trendet e përbashkëta të dezinformimit e keqinformimit.
Programi rajonal QËNDRUESHMËRIA: Aksioni i shoqërisë civile për të riafirmuar lirinë e medias dhe luftën kundër dezinformimit dhe propagandës urryese në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi zbatohet me përkrahjen e Bashkimit Evropian nga organizatat partnere SEENPM, Instituti Shqiptar i Medias, Mediacentar Sarajevë, Kosovo 2.0, Instituti i Medias i Malit të Zi, Instituti Maqedonas për Media, Shkolla e Novi Sadit për Gazetari, Instituti i Paqes dhe Bianet.
Ky artikull është prodhuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian. Përgjegjësia për përmbajtjen e saj i takon vetëm Kosovo 2.0 dhe nuk i pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian.
Pse kjo klauzolë?