Teksti: Freya Häberlein dhe Dan Shutt
Video: Dan Shutt, Isaac Eastgate dhe Freya Häberlein
Fotografitë: Isaac Eastgate
Pa u ndërprerë, Lumi Vjosa rrjedh prej 272 kilometrash nga malet e Greqisë Veriore, nëpërmes Shqipërisë Jugore për në detin Adriatik. Rrjedhat e tij zigzage janë të lira të lëshohen lehtaz apo të tërbohen në përrenj, varësisht nga stina, pa diga përgjatë gjithë rrjedhës së lumit. Lumenjtë e egër janë jashtëzakonisht të rrallë, posaçërisht në Evropë dhe shkencëtarët dhe OJQ-të mjedisore shpesh e përmendin Vjosën si i fundit i kontinentit.
Më 26 janar 2022, qeveria shqiptare shpalli krijimin e një “Parku Natyror” përgjatë gjithë gjatësisë së Vjosës, kryesisht si përgjigje ndaj fushatave dhe peticioneve të vazhdueshme të aktivistëve, ambientalistëve dhe shkencëtarëve vendorë dhe ndërkombëtarë, të cilët kanë punuar për t’u ndalur ndërtimin e digave të hidrocentraleve përgjatë lumit.
Nëse lexon disa nga mbulimet e mediave vendore, edhe mund të të falet nëse mendon se ka pasur arsye për të festuar. Dukej sikur qeveria shqiptare ia kishte kthyer shpinën ndërtimit të digave në lumin e fundit të egër të Evropës. Por së fundmi, një udhëtim përgjatë rrjedhës së poshtme të lumit nga kufiri grek deri në deltën e Adriatikut, nxori në pah se banorët që jetojnë përgjatë lumit kanë diçka tjetër për të thënë rreth kësaj çështjeje dhe se kërcënimet ndaj lumit vazhdojnë. Skema e qeverisë për mbrojtjen e natyrës nuk doli të jetë ashtu siç dukej.
“Parku natyror nuk është njëjtë me parkun kombëtar”, vë në dukje Besjana Guri. “Nuk e mbron lumin Vjosa dhe degët e tij nga shkatërrimi”.
Guri, zëdhënëse dhe anëtare themeluese e OJQ-së mjedisore EcoAlbania, ka bërë fushatë dhe ka lobuar në mbrojtje të lumit të fundit të egër të Evropës për më shumë se një dekadë. Ajo është pjesë e një grupi në rritje të njerëzve dhe organizatave që i bëjnë thirrje qeverisë ta shpallë tërësinë e këtij sistemi të veçantë lumor një park kombëtar. Në këtë përpjekje, asaj i janë bashkuar përkrahës të largët, përfshirë edhe aktorin Leonardo di Caprio dhe markën e veshjeve Patagonia nga Kalifornia. Sipas Gurit, shpallja si park kombëtar është e vetmja gjë që do ta mbronte lumin nga kërcënimi kryesor: ndërtimi i hidrocentraleve.
Është projekt ambicioz, i cili e shpall Vjosën dhe degët e tij park kombëtar e që do të ishte një arritje unike në Evropë. Krijimi i të ashtuquajturit “Parku Kombëtar i Lumit të Egër” do të ishte tejet i vështirë, sepse këto peizazhe lumore janë mjedise dinamike, që ndryshojnë vazhdimisht. Unioni Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës (IUCN), OJQ ndërkombëtare që ofron udhëzime të standardizuara për mbrojtje, ka arritur që këtë nivel mbrojtjeje t’ua sigurojë vetëm një pjese të vogël të lumenjve mes tyre Parkut Kombëtar Yellowstone në Shtetet e Bashkuara. Mbi të gjitha, nuk kanë mbetur shumë sisteme të tilla lumore për t’u mbrojtur.
Statusi i mbrojtjes së parkut natyror i shpallur së fundmi, nuk do ta pengonte qeverinë t’i vazhdojë planet e saj për hidrocentralet, veçanërisht përgjatë degëve të Vjosës, dhe, për më tepër, lehtë mund të anulohet në të ardhmen. Aktivistët e EcoAlbania e shohin njoftimin si përgjigje e qeverisë ndaj fushatës publike gjithnjë e më të suksesshme të ambientalistëve për të fituar mbështetje në mbrojtje të lumit. Por në vend se ta sigurojë mbrojtjen që po kërkohet, njoftimi i qeverisë duket se është strukturuar asisoji që ta bëjë publikun të mendojë se lumi po mbrohet.
Prej vitesh EcoAlbania ka mbledhur shkencëtarë nga e gjithë Evropa për ta studiuar sistemin e lumenjve. Rezultatet tregojnë se vlera e lumit nuk qëndron vetëm tek bukuria e tij natyrore; lumi po ashtu strehon ekosisteme të jashtëzakonshme biodiversiteti që nuk mund të gjenden askund tjetër në kontinent.Ndonëse pjesa më e madhe e luginës mbetet ende për t’u hulumtuar — organizata Scientists for Balkan Rivers (shq. Shkencëtarët/et për Lumenjt e Ballkanit), në vitin 2021 e përshkroi atë si “njëri nga lumenjtë më së paku të eksploruar në Evropë” — studimet e fundit sugjerojnë se lumi Vjosa dhe degët e tij strehojnë të paktën 1,100 lloje të specieve, përfshirë edhe 13 specie të kafshëve dhe dy specie bimore, të kërcënuara në nivel botëror
Megjithatë, pjesa më e madhe e sistemit lumor nuk mbulohet nga statusi i ri mbrojtjes; Aktualisht ka plane për 13 diga në degët e Vjosës, tetë në Bënçë dhe pesë në Shushicë.
Duke gdhendur udhën e vet nëpër male
Shumë afër kufirit shqiptaro-grek ndodhet fshati Petran. Gjatë mijëvjeçarëve, lumi këtu e ka gdhendur grykën dramatike mes majave të larta të maleve të Nemërçkës dhe Parkut Kombëtar të Bredhit të Hotovës. Kjo është pjesa e sipërme e Vjosës, piktoreske, e thellë dhe tërheqëse për eko-turizëm. Shumë prej banorëve tashmë kanë filluar të investojnë në ofrimin e shëtitjeve për rafting, ecje, kalërim dhe ngjitje. Ka gjithashtu kërkesa në rritje për ndërtimin e bujtinave dhe restoranteve, për ta strehuar e ushqyer numrin gjithnjë në rritje të vizitorëve që vijnë posaçërisht për të parë lumin e egër.
Megjithatë, një temë që përsëritet, përgjatë luginës së Vjosës, është emigrimi — rinia janë larguar dhe mundësitë për zhvillim janë të kufizuara. Kundërshtuesit e ndërtimit të digave përgjatë lumit argumentojnë se komunitetet vendase do të përfitonin nga vlera e shtuar e statusit të parkut kombëtar, i cili do të mundësonte më shumë zhvillim në rajon dhe do t’i inkurajonte investimet ndërkombëtare.
Artan Thanas është njëri nga personat që po investon në të ardhmen e zonës. Kur e takuam në Petran, ishte duke pushuar nga rinovimi i dhomave të pritjes, poshtë Alvit, lokalit dhe restorantit të tij. Teksa na e tregonte rrushin që rritet në anën tjetër të rrugës, prej të cilit bën verën që e shërben, na tregoi se në restorantin e tij përdor përbërës vendorë dhe stinorë.
Thanasi u ul jashtë në ballkonin e tij me pamje nga jugu dhe ndonëse ishte mesi i shkurtit, dielli na ngrohu. Vjosa rrjedhte poshtë dhe majat me borë të maleve të Nemërçkës qëndronin të mëdha përmbi ne, përgjatë bregut të lumit.
Thanasi e mbështet mbrojtjen e natyrës dhe jo vetëm sepse përfiton nga rritja e eko-turizmit në rajon. “Jam ambientalist”, tha me krenari. Me entuziazëm foli se sa i rëndësishëm është sistemi i një lumi të egër të paprekur për peshkimin dhe shtigjet natyrore të migrimit të specieve të ndryshme.
Por si shumë nga njerëz me të cilët folëm përgjatë pjesës së sipërme të lumit, Artani mendon se gjatë dekadave të fundit në Shqipëri ka ndodhë një këputje në marrëdhëniet midis natyrës dhe njeriut. Ai e përshkroi se si pas rënies së regjimit komunist, njerëzit filluan të peshkonin me praktikën e dinamitit. “Zakonisht përdornim shufra të punuara me dorë, por ky ishte peshkim përmes shpërthimit”, tha ai. “Nxënia ra. Dikur ishte e pamatshme”.
Ndonëse Thanas nuk e konsideron veten ekspert të çështjeve mjedisore, ka njohuri të mjaftueshme për shumë prej speciet që rriten përreth restorantit të tij. Me shqetësim të veçantë foli për ngjalën evropiane (Anguilla anguilla), specie e rrezikuar e së cilës nga habitatet e pakta të mbetura, në Vjosë gjendet është më e rëndësishmja. “Kush mund të më garantojë se ngjala do të jetë në gjendje të kalojë nëpër diga?” pyeti ai.
Viteve të fundit, shkencëtarë nga Austria, Shqipëria, Franca, Maqedonia e Veriut dhe Gjermania e kanë hulumtuar pellgun e lumit për t’i identifikuar dhe numëruar speciet, si ngjala evropiane. Aty kanë gjetur jo vetëm një biodiversitet të pasur dhe ekzistencën e një numri speciesh të rrezikuara, por kanë zbuluar edhe specie të panjohura më parë për shkencën.
Një raport i madh bashkëpunues në prilli i vitit 2021, udhëhequr nga Universiteti i Burimeve Natyrore dhe Shkencave të Jetës në Vjenë, “Studim fillestar mbi biodiversitetin, ndikimet e mundshme dhe kuadrin ligjor për zhvillimin e hidrocentraleve”, argumenton se projektet hidroenergjetike do të “degradonin konsiderueshëm vlerën e lartë ekologjike të lumit” dhe “janë në kundërshti me konceptin e zhvillimit të qëndrueshëm”. Raporti më tej thekson se “shkeljet e ligjit ndërkombëtar dhe kombëtar mund të identifikohen qartë” brenda planeve të mëparshme të qeverisë.
Në rrjedhën e poshtme, digat do të shkaktonin shkatërrim të plotë të mjediseve vendore, duke e penguar shkarkimin e ujit dhe rrjedhat e sedimenteve që janë të nevojshme për shumë nga flora dhe fauna e Vjosës. Studimi fillestar vlerëson se digat e hidrocentraleve do të çonin në ulje të specieve prej 40% për shkak të mënyrës se si “ato prishin proceset e pandalshme, si rrjedhën e energjisë, ciklimin e lëndëve ushqyese, balancimin e sedimenteve dhe lidhshmërinë dhe reduktojnë dinamikën hidrologjike”.
Vendlindja e Thanasit, Petrani, gjendet në rrjedhën e sipërme të çdo dige të mundshme dhe kësisoj do ta shmangte mungesën e ujit me të cilën do të përballeshin fshatrat dhe ndërmarrjet bujqësore përgjatë rrjedhës së poshtme. Për shkak të lartësisë së madhe, do t’i shmangte edhe përmbytjet.
Por megjithatë, një digë do të ishte shkatërruese, jo vetëm për sektorin e turizmit që mbështetet në gjendjen relativisht të paprekur të Vjosës, por edhe për speciet e shumta migruese të lumit, zonat e shumimit të të cilave do të shkatërroheshin ose do të bëheshin të paqasshme. Digat mund të prishin gjithçka, si rrjedhën e sipërme dhe atë të poshtme. Një digë e vetme, tha Guri, dhe gjithçka merr fund.
Madhështia romantike e një lumi të egër
Pak më larg Vjosës nga Petrani, ku ndodhet restoranti i Thanasit mbi lumë, ndodhet qyteti i Përmetit, i njohur në të gjithë Shqipërinë për bollëkun e tij bujqësor dhe verën e rakinë. Përmeti është një qytet romantik, i njohur si “Qyteti i Luleve”, veçanërisht për trëndafilat, të cilët rriten përgjatë brigjeve të lumenjve të qytetit.
Pikërisht këtu vihet re roli qendror i Vjosës në identitetin kulturor të shqiptarëve të Jugut. Një sërë poetësh dhe artistësh të rëndësishëm shqiptarë, si vëllezërit Sami e Naim Frashëri dhe skulptori Odhise Paskali, kanë prejardhje nga Përmeti a përreth dhe lidhja e thellë mes njerëzve dhe peizazhit epik që përkufizohet nga Vjosa është burim i shumë poezive dhe këngëve popullore shqipe.
Në parkun buzë lumit të qytetit — në mes gurëve të mëdhenj, të lëmuar, të bardhë e të skalitur nga uji i bruztë prej shumë vitesh — takuam Kliti Nurkën, nipin e Laver Bariut, muzikantit me famë botërore nga Përmeti. Bariu ishte njëri nga inovatorët e stilit muzikor të sazeve të qytetit të gërnetës dhe një mjeshtër i kabasë — të qajturit në një klarinetë. I pranishëm në qytet gjatë gjithë jetës së tij të gjatë, Bariu, stilin e njohur të muzikës së pasur instrumentale të Përmetit e dërgoi në mbarë kombin shqiptar gjatë diktaturës dhe gëzoi sukses ndërkombëtar pas ardhjes së demokracisë.
Me entuziazmin e një përmetari krenar, Nurka na tregoi se si lumi Vjosa dhe natyra përreth tij ishin burim frymëzimi për gjyshin e tij. Bariu ulej buzë ujit dhe imitonte cicërimat e zogjve dhe strukturën e vrullshme të ujit me klarinetën e tij teksa peshkonte me shkopin dhe grepin e tij të punuar me dorë. Përmetarët, shpjegoi Nurka, mburren me veçantinë e këngëve të tyre në krahasim me këngët e pjesëve të tjera të Labërisë, krahinës së thyer jugperëndimore të Shqipërisë. Gjersa këngët e Labërisë shpesh iu kushtohen luftës, vdekjes dhe nderit, këngët e Përmetit kanë të bëjnë me natyrën, dashurinë dhe bukurinë.
Teksa Nurka po na tregonte në telefonin e tij një video të gjyshit të tij, tha se Vjosa, me gjendjen e tij të egër dhe të lirë, është burim frymëzimi për ata që jetojnë buzë brigjeve të tij. “E kam të pamundur që kur çohem në mëngjes të mos shikoj, të mos i hedh një vështrim, një shikim lumit”, tha ai. “Besoj se si puna ime ka shumë njerëz të tjerë që jetojnë këtu”.
Me diga dhe të dënuar
Duke vazhduar në drejtim të rrymës, hymë në seksionin e mesëm të lumit, ku zhvendosja e banesave me zhavorr u hapin udhë një numri kanionesh të ngushta dhe ngushtica të përshtatshme për ndërtim të digave. Kësaj pjese ia kanë mësyrë ndërtuesit dhe në të ende shihet ndërtimi i ngecur i hidrocentralit të Kalivaçit. Anët malore të grithura janë tani sfondi i një turbine gjysmë të ndërtuar që rrethohet me pajisje ndërtimi që kanë mbetur në vend-punishte.
Ashtu si tjetërkund përgjatë Vjosës dhe në pjesën më të madhe të Shqipërisë, njerëzit flasin për emigrimin. Rinia, e tëra ka ikur. Pak njerëz kanë mbetur. Në pjesën e sipërme të Vjosës, njerëzit përfitojnë nga mosndërtimi i digave në lumë, siç dëshmon edhe rritja e investimeve në sektorin e turizmit. Por dashuria për natyrën nuk është e pavarur nga aspekti financiar dhe njerëzit në seksionin e mesëm e pranojnë vet se janë të varfër, me paga nën mesataren kombëtare.
Teksa fliste me ne në fshatin Kalivaç, nga ku një rrugë e vetmuar të çon në digën e braktisur, një fshatar që kërkoi të mos i përmendet emri, shpjegoi se shumë njerëz në komunitetin e tij vuajnë nga varfëria e skajshme dhe janë të interesuar në radhë të parë për të gjetur punë. Nëse një digë nënkupton më shumë vende pune për fshatarët, mendimet e tyre për ruajtjen e natyrës do të ishin më komplekse. Gjithsesi, ishin banorët e Kalivaçit që i rezistuan projektit të digës, të sigurt se ndërtimi i saj nuk do të përmirësonte gjendjen e tyre ekonomike.
Për dallim nga vlerësimet e zbukuruara rreth ndikimit mjedisor dhe social të paraqitura nga kompanitë e ndërtimit — të cilat një grup shkencëtarësh i quajtën “farsë” — vendasit, të përkrahur nga OJQ-të dhe shkencëtarët, kanë argumentuar se po që se digat në Kalivaç apo Poçem aty pranë do të kishin përfunduar, shumë rrethina do të kishin mbetur pa ujë të pijshëm, pjesë të tjera do të ishin përmbytur dhe njerëzit do të ishin shpërngulur. Burimet e tyre të mbetura — fushat e tyre prodhuese dhe pemishtet — do t’i kishin humbur dhe potenciali i tyre për vetë-mbajtje bujqësore do të kishte marrë fund.
Sipas një analize të Dr. Klodian Muço për ndikimin social-ekonomik të digës, planet e ndërtimit të kompanisë energjetike tregojnë se do të kishte “ndikim të rëndësishëm në infrastrukturën rrugore […] në rrugën nacionale Tepelenë-Levan që do të përmbytet […] për një gjatësi prej 2.8 km”. Prandaj, ndikimi negativ i digave do të kërkonte investime të mëdha për t’u rregulluar.
Me mbështetjen e EcoAlbania dhe ekspertëve të ligjit mjedisor, fshatarët fituan rastin e tyre. Në maj të vitit 2017, pas mbi dy dekadash vonesash dhe polemikash, qeveria shqiptare anuloi kontratën me kompaninë italiane Kalivaçi Green Energy.
I ngjashëm është rasti i digës së planifikuar në Poçem, vetëm pak kilometra poshtë lumit nga Kalivaçi. EcoAlbania ndihmoi 30 banorë të Poçemit ta kundërshtojnë digën dhe në vitin 2016 triumfuan në gjykatë dhe planet u anuluan. Ndërsa në Kalivaç rasti gjyqësor ka përfunduar dhe është e cilësuar si sukses nga Besjana Guri, për çështjen Poçem po vazhdojnë ankimimet dhe nuk dihet se çka do të ndodhë. Duke qenë se shpallja park natyror e lumit Vjosa nuk pengon ndërtimin e digës përgjatë lumit, EcoAlbania dhe banorët e Poçemit mbeten të brengosur.
Fakti që projekti i digës së Kalivaçit po ndërmerrej nga një kompani italiane është e rëndësishme dhe simbolike. Viteve të fundit, Italia dhe vende të tjera të BE-së kanë bërë investime të mëdha në hidrocentrale në Shqipëri dhe në të gjithë Ballkanin. Megjithëse hidrocentralet konsiderohet energji e gjelbër për shkak të neutralitetit të karbonit, kjo po kundërshtohet gjithnjë e më shumë nga ambientalistët, të cilët po i kundërshtojnë në veçanti llojet e projekteve të vogla hidroelektrike që po ndërtohen nëpër Ballkan, të cilat, përveç që shkaktojnë shkatërrim masiv ekologjik, prodhojnë relativisht pak energji.
Në një raport të vitit 2018, organizata mbikëqyrëse mjedisore Bankwatch tregoi se shumëfishimi aktual i hidrocentraleve në Ballkan, shumë prej projekteve të të cilit janë planifikuar në zona të mbrojtura, është financuar në një masë të madhe nga bankat evropiane të zhvillimit. Raporti argumenton se “më shumë duhet bërë që të merren parasysh standardet e dobëta të qeverisjes mjedisore në shumë nga vendet e tyre të funksionimit”.
Me tetë diga të planifikuara për Bënçë dhe pesë në Shushicë, degët kryesore të Vjosës janë më të rrezikuara se kanali kryesor i lumit. Si reagim ndaj këtij kërcënimi, shkencëtarët për Lumenjtë e Ballkanit njoftuan në qershor të vitit 2021 se vetëm Shushica krijon habitat për të paktën “tre lloje të insekteve ujore dhe molusqeve […] që janë të reja për shkencën, disa lloje të reja në Shqipëri dhe disa lloje të renditura në Listën e Kuqe të specieve në rrezik”. Ndërtimi i digave do të kishte efekte negative në këto dhe specie të tjera.
Një raport i organizatës argumenton se dega nuk ka qenë subjekt i studimit të mjaftueshëm mjedisor dhe se Vlerësimi i Ndikimit Mjedisor dhe Social (raport që ligji kërkon të përpilohet përpara secilit projekt të madh të ndërtimi, në mënyrë që të identifikojë çdo ndikim mundshëm negativ në mjedis) që një kompani e ndërtimit të digës e ka paraqitur për njërin nga projektet e propozuara, nuk është kryer siç duhet. Bankwatch raportoi se parashikojnë “shkelje të mundshme të ligjit ndërkombëtar dhe kombëtar nga bllokimi i rrugëve të migrimit për shkak të ndërtimit të digave të hidrocentraleve”.
Banorët e fshatrave përreth kësaj dege të Vjosës, rreth 80 kilometra të gjatë, janë po aq të vendosur për ta penguar ndërtimin e hidrocentraleve sa edhe fshatarët e Kalivaçit dhe Poçemit. Shumë banorë vendas po organizohen aktualisht për ta mbrojtur Shushicën nga ndërtimi i digave.
Shqipëria Jugore me diell
Fshati i vogël i Kutës ndodhet në gjysmë të rrugës, mes Kalivaçit dhe Poçemit. Aty takuam Rajmonda Merkaj, shtëpia e së cilës ndodhet në skaj të qendrës së qetë të qytetit. Shumica e të rinjve kanë ikur nga fshati. Përfshirë edhe fëmijët e Merkajt, tre prej të cilëve janë në Greqi, tjetri në Angli.
Shkolla e Kutës dikur kishte mbi 350 nxënës. Tani kanë mbetur veç 50. Ndërtesa e bardhë e shkollës, e rrethuar nga palma dhe shkurre trëndafili, është e vendosur në pikën më të lartë të fshatit. Fëmijët më të mëdhenj mund të jenë mjaftueshëm të gjatë sa për të parë nga muri i gurtë i oborrit të shkollës dhe ta shohin luginën e gjerë të Vjosës dhe fushat e fshatit që shtrihen si panoramë ndër ta.
Kuta është kthyer në një vend ku po mendohet një vizion alternativ i së ardhmes energjetike të Shqipërisë. Në vitin 2020, EcoAlbania filloi një fushatë për instalimin e paneleve diellore në fshat, e cila ishte angazhuar aktivisht në fushatën kundër digës së Poçemit, sepse tokat e saj pjellore bujqësore në rrjedhën e sipërme nga zona e propozuar do të ishin përmbytur.
Me panelet diellore, sipas EcoAlbania, fshati mund ta dëshmojë se furnizimi i qëndrueshëm me energji mund të bëhet edhe pa hidrocentrale shtesë. Për më tepër, me ligjet e reja, fshatrat me panele diellore mund të përfitojnë duke e shitur energjinë që u tepron. Megjithatë, në Shqipëri ende nuk është zbatuar infrastruktura ligjore për rishpërndarjen e kësaj teprice të energjisë. Panelet u instaluan në fillim të vitit 2022, së bashku me herën e parë të ndriçimit të rrugëve të fshatit.
99% e energjisë së Shqipërisë prodhohet nga hidrocentralet. Ndonëse Shqipëria ua shet energjinë e tepërt vendeve fqinje kur lumenjtë janë të tërbuar, ajo është një importues neto i energjisë. Dhe lumenjtë janë në nivel të ulët, energjia elektrike duhet të importohet, shpeshherë duke paguar çmime të larta.
Shqipëria ka plane për linja të reja të tensionit të lartë për ta rritur kapacitetin e saj për eksportet e energjisë në vendet fqinje, duke përfshirë Kosovën, Maqedoninë e Veriut dhe Italinë. Si rezultat, ajo synon të prodhojë më shumë energji dhe duket se po i përmbahet asaj që di të bëjë: digave të hidrocentraleve.
Mbështetja e mëtutjeshme në hidrocentrale nuk është mënyra ideale për ta përmirësuar infrastrukturën energjetike të vendit. Kundërshtarët e ndërtimit të digave tjera, janë sidomos të interesuar në energji diellore, pasi Shqipëria e Jugut ka 300 ditë me diell në vit. Në të kundërt, në kohë krize klimatike, hidrocentralet duket të jenë një bast më pak i besueshëm, siç e dëshmoi një thatësirë e madhe në Ballkan në vitin 2017.
Ndonëse diga e Kalivaçit dhe e Poçemit do të prodhonte energji elektrike, për banorët e Kutës është më e rëndësishme ta kenë tokën e tyre për ta kultivuar, tha Rajmonda Merkaj. Fshatarët vendas i kanë punuar arat në luginë për breza të tërë dhe nuk pranojnë të shpërngulen.
Megjithëse disa politikanë dhe investitorë pretendojnë se hidrocentralet mund të krijojnë vende pune, ka hapësirë për skepticizëm në qoftë se do të krijonin më shumë vende pune sesa mund të krijonin sektorët e tjerë. Sektori i turizmit në këtë rajon aktualisht po rritet me normë prej 15% në vit. Merkaj pajtohet me qeverinë se hidrocentrali është një burim i rëndësishëm energjie për komunitetin vendas, por mendon se parku kombëtar do t’i sillte më shumë përfitime fshatit. Fshatarët mund të përfitojnë nga bujtinat dhe turizmi në rritje dhe do të shijonin perspektiva më të mira ekonomike, pa e dëmtuar mjedisin e bukur.
Dhe jo vetëm kaq, krijimi i një parku kombëtar për lumin Vjosa do të ofronte mundësi përgjatë gjithë rrjedhës 270 kilometërshe të gjatë dhe përfitimet do t’i shkonin drejtpërdrejt komuniteteve lokale, në veçanti, në vend të kompanive ndërkombëtare të energjisë.
Në det: E ardhmja e lumit
Teksa ndjek rrjedhën e Vjosës, bëhet e qartë se kërcënimi nga digave nuk është i vetmi kërcënim me të cilin përballet lumi. Përgjatë brigjeve, të ngjitur mes shkëmbinjve dhe të varur nga degët e pemëve, ndonjëherë edhe në lartësi të papritura, sheh copa mbeturinash plastike shumëngjyrëshe. Mirëqenia e mjedisit në Shqipëri kërkon ndryshime të gjera politike, që nuk kufizohen vetëm në përmirësimin e infrastrukturës së shpërndarjes së energjisë dhe sistemin e menaxhimit të mbeturinave.
Kur arrin në deltën e Vjosës dhe shikon ujin që vërshon drejt detit, një tjetër problem vihet në dukje: planet për ndërtimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës. Rishikimi i qeverisë në janar të vitit 2022 i zonave të mbrojtura që krijuan parkun natyror i ndërlikoi gjërat këtu po ashtu. Riparoi kufijtë e Zonës së Mbrojtur Vjosë-Nartë, njërës nga lagunat më të mëdha dhe më të larmishme ekologjike në Shqipëri, në mënyrë që planet tokësore të aeroportit, të cilat e kanë atë në mes të Lagunës së Nartës, të mos cenonin më zonën e mbrojtur mjedisore.
Edhe këtu gjithashtu, çështjet e ndërtimit prekin natyrën dhe njerëzit. Sipas fjalëve të Olsi Nikës, drejtor ekzekutiv i EcoAlbania, një problem me aeroportin është se “përpara se të gjithë flamingot të largohen për shkak të zhurmës dhe ndotjeve tjera, avionët e parë mund të mësojnë se e kanë një problem; fluturimin nëpër tufa zogjsh të mëdhenj”.
E ardhmja e Vjosës varet në një kontekst më i gjerë i vendimmarrjes politike. Pa garanci të sigurta për mbrojtjen e lumit të fundit të egër të Evropës, qeveria apo qeveritë e ardhshme mund t’i ripërcaktojnë gjithmonë kufijtë, t’u mos u përmbahen premtimeve dhe të ndjekin qëllime shkurtëpamëse me begatinë natyrore të vendit.
Në Petran, pranë kufirit grek, pyetëm Artan Thanasin se cilat janë dëshirat e tij për të ardhmen e lumit. “Asgjë fare”, tha ai. Për të, Vjosa tashmë është e përkryer dhe ndërhyrja më e mirë do të ishte ta linin ashtu siç është.
Ky artikull është prodhuar me mbështetjen financiare të “Trusti Ballkanik për Demokracinë“, projekt i Fondit Gjerman Marshall të Shteteve të Bashkuara dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë. Opinionet e shprehura në këtë artikull nuk paraqesin domosdoshmërisht ato të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë,Trustit Ballkanik për Demokraci, Fondit Gjerman Marshall të Shteteve të Bashkuara, apo partnerëve.
Pse kjo klauzolë?