Rezultatet e zgjedhjeve lokale të muajit të kaluar e nxorën kryetarin aktual të Gjilanit, Lutfi Hazirin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, si kandidatin më të votuar në raundin e parë me 43.5 për qind të votave. Por ky rezultat nuk ia siguron vazhdimin e punës si i pari i qytetit edhe për një mandat, pasi që duhet të përballet në balotazh me Sami Kurteshin, kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje që arriti të sigurojë 27.8 për qind të votave.
Ky njëherësh është rezultati më i mirë i arritur nga partia e Kurteshit në Gjilan, ku për herë të parë futet në balotazh dhe ndërpret garën mes PDK-së dhe LDK-së për këtë qytet. Përkrahja e VV-së në Gjilan ishte parë edhe në zgjedhjet e përgjithshme të 11 qershorit, andaj edhe shumëkush ka pritur se gara për udhëheqjen e komunës do të bëhej mes kryetarit aktual dhe Kurteshit.
Gjatë fushatës elektorale debati ishte i orientuar më shumë në investimet kapitale, pastaj trajtimin e ujërave të zeza, politizimin e sistemit shëndetësor dhe arsimor, si dhe magjistralen Prishtinë-Gjilan, që shihej si një investim i rëndësishëm për këtë rajon.
K2.0 ka përmbledhur disa problemet që e kanë përcjellë këtë komunë, si dhe premtimet që u kanë dhënë qytetarëve të Gjilanit dy kandidatët për të parin e këtij qytetit, të orientuara kryesisht në infrastrukturë, ambient, shëndetësi dhe arsim.
Infrastruktura dhe ambienti
Gjatë fushatës së tij, ish-Zëvendëskryeministri i Kosovës, Lutfi Haziri, ka premtuar se në rast se fiton edhe një mandat si kryetar i komunës, do të ketë prioritet investimet në infrastrukturë që ta nxjerrë Gjilanin nga ‘‘infrastruktura e viteve të ’70-a’’.
Haziri ka përmendur në vazhdimësi projektet e realizuara në mandatin e kaluar. Sipas tij, edhe rrugët e tjera për hyrjet dhe daljet e qytetit tashmë janë të buxhetuara dhe projektet për ndërtimin e tyre ose kanë filluar ose do të fillojnë brenda pak kohe, ani pse nuk ka dhënë shpjegime për afate konkrete.
Afat konkret ai ka dhënë ndërkaq kur ka folur për sanimin e atyre rrugëve brenda qytetit të cilat janë dëmtuar. Me një buxhet prej 26 milionë euro, ai ka thënë se brenda tre viteve të ardhshme do të zgjerohen dhe do të sanohen të gjitha rrugët e dëmtuara dhe do të shtrohen trotuaret si në qytet ashtu edhe në fshatra.
Në anën tjetër, ish-Avokati i Popullit, Sami Kurteshi, ka thënë se nuk mund të bëhen premtime për investime në infrastrukturën rrugore pa bërë një analizë të të gjtha rrugëve e cila do të nxirte numrin e saktë të rrugëve. Më tej, ai ka premtuar se vendimet për ndërhyrje në rrugë do të bëhen në bashkëpunim me qytetarët duke mbajtur tubime publike.
Ai ka thënë se e vetmja gjë që mund të thotë pa u bërë kjo analizë është se infrastruktura që do të bëhet nën qeverisjen e tij do të ketë prioritet kualitetin e punimeve dhe ofrimin e qasjes në atë infrastrukturë për personat me nevoja të veçanta.
Në kuadër të kësaj, ai ka thënë se komuna e udhëhequr prej tij do të bëjë rregullimin e nyjeve të trafikut, kufizimin e makinave në qendër të qytetit dhe investime për organizimin e parkingjeve në qendër të qytetit dhe në periferi të tij.
Sfidë, sipas tij, është lidhja e të gjitha vendbanimeve me rrugë të rregulluara dhe kjo ka premtuar se do të bëhet, por se mbetet e rëndësishme që rrugët të mirëmbahen dhe jep zotim se ato do të mirëmbahen gjatë 365 ditëve të vitit. Përmirësimi i shenjëzimit të trafikut rrugor dhe i ndriçimit publik në qytet dhe në vendbanime në komunë është një premtim tjetër.
Një pikë tjetër që është përmendur nga Kurteshi ka qenë edhe gjendje e rëndë e ambientit që është në Komunën e Gjilanit. Ai ka përmendur kundërmimin që ndjehet edhe në qendër të qytetit dhe ka premtuar se brenda mandatit të parë do të merret me trajtimin e ujërave të zeza dhe do të mënjanojë rrjedhjen e tyre në lumenjtë e qytetit.
Në këtë drejtim është zotuar se do të ndërtojë impiante për ujërat e zeza dhe do të bëjë sanime që ato të mos derdhen në lumenjtë Mirushë dhe Stanishor. Gjithashtu, edhe brenda qytetit, sipas tij, do të ketë ndërhyrje për ndërtimin e kanalizimeve si projekte për mbrojtjen e rrjedhave të tjera të lumenjve, mbrojtjen e pyjeve, kodrinave dhe të tokës bujqësore.
Sa i përket ujësjellësit ai ka thënë se është e nevojshme të bëhet identifikimi i problemeve dhe nevojave të qytetarëve, si dhe vlerësimi i humbjeve që ndodhin në sistemin e ujësjellësit dhe zgjerimi i infrastrukturës për ujë të pijshëm në gjithë komunën e Gjilanit.
Kryetari aktual, Haziri, ka theksuar se kanë filluar disa projekte për trajtimin e ujërave të zeza ku janë siguruar edhe mjetet, dhe se kostoja e gjithë këtij intervenimi është 12 milionë euro. Edhe për trajtimin e shtratit të lumenjve ai ka thënë se nga Qeveria e Kosovës për këtë projekt ka siguruar tashmë 4 milionë euro. Ai thotë se do të ndërtohen një impiant për ujërat e zeza, por pranon se mjetet ende nuk janë siguruar për këtë.
Arsimi dhe shëndetësia
Përkundër faktit se fushata elektorale ka qenë e fokusuar në investimet në infrastrukturë, në disa raste Haziri e ka shpallur arsimin si prioritetin e tij kryesor nëse fiton edhe një mandat në udhëheqjen e Gjilanit. Mirëpo, edhe për këtë fushë, investimet sipas tij do të jenë kryesisht infrastukturore. Në kuadër të këtyre investimeve ka përmendur kampusin e shkollave të mesme dhe rregullimin e hapësirave përreth saj.
Në programin e Hazirit po ashtu përmendet ndërtimi i disa shkollave, siç është ajo në fshatin Shurdhan, e cila ka qenë në bashkëfinancim me Komisionin Europian; pastaj shkolla e Arteve dhe Muzikës; ndërtimi i disa sallave të edukatës fizike; ndërtimi i shkollës në Ponesh, si dhe një objekt i ri i për çerdhe në lagjen ‘‘Dardani’’, dhe pajisja e disa shkollave me inventar.
Në anën tjetër, Sami Kurteshi gjatë gjithë fushatës ka kritikuar pushtetin e deritanishëm në Gjilan për degradim të arsimit. Ai si pikë kryesore të programit të tij për Gjilanin, e cila vlen për të gjitha fushat, e ka ‘‘fuqizimin e rolit të qytetarëve në vendimmarrjen publike’’.
Edhe në arsim ai e sheh si të rëndësishme që për investimet në fushën e arsimit të bashkëpunohet më shumë me qytetarët. Ai premton se do të bëjë plan për vlerësimin e nevojave reale përmes diskutimeve publike me komunitetin. Kjo metodë, sipas tij, do të përdoret edhe për ndërtimin e çerdheve dhe institucioneve parashkollore.
Përveç depolitizimit të sistemit arsimor, Kurteshi premton edhe shujta falas për nxënësit prej klasës së parë deri në të katërtën, shërbime të rregullta mjekësore nëpër shkolla me qëllim parandalimin e sëmundjeve dhe vetëdijesimin e nxënësve për shëndetin.
Kurteshi parasheh edhe investime në infrastrukturën bazike të shkollave, me anë të të cilave do të krijoheshin hapësira të reja dhe si rezultat i kësaj të hiqet ndërrimi i tretë dhe të kthehet ora mësimore në 45 minuta. Një zotim tjetër i tij është edhe sigurimi i mjeteve përcjellëse nëpër shkolla, pajisja me biblioteka dhe kënde leximi, si dhe përkrahja e mësimdhënësve për ngritje të vazhdueshme profesionale.
Investimet në shëndetësi
Haziri si premtim për shëndetësi ka dhënë ndërtimin e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) dhe me këtë, sipas tij, do të zgjidheshin shumë nga problemet që hasen në shëndetësi në Gjilan. Objekti i këtij ndërtimi ka filluar në fund të vitit 2016 dhe nuk ka përfunduar ende dhe në total do të kushtojë 1.4 milionë euro, mjete këto të siguruara nga Qeveria e Kosovës. Sipas Hazirit, kjo qendër do të lehtësojë punën e stafit mjekësor dhe do të ofrojë shërbime më të mira për pacientët.
Gjithashtu, gjatë debateve të ndryshme në media, ai ka thënë se kanë investuar në të gjitha QMF-të ekzistuese si në qendër të qytetit ashtu edhe nëpër fshatra. Ndër të tjera, Haziri ka thënë se ka rritur stafin mjekësor, ka ofruar shërbime mjekësore në terren dhe vizita mjekësore nëpër shkolla. Ai po ashtu ka premtuar se do të ndërtojë ambulantën e re në fshatin Llashticë.
Në anën tjetër, edhe pse ka qenë kritik për mënyrën se si ka funksionuar sistemi shëndetësor në Gjilan, Kurteshi vetëm në një pikë të programit të tij merret me këtë fushë. Ai në programin e tij premtoj se do të bëjë revitalizimin e QMF-ve dhe do të ndërtohen edhe qendra të reja në ato pjesë që vlerësohet se kanë nevojë. Menaxhimi i këtyre qendrave është i rëndësishëm sipas tij dhe jep zotim se do të dërgojë staf mjekësor sipas nevojës në të gjitha qendrat. Gjithashtu, ai premton se do të formojë ekipe mobile mjekësore që do të ofrojnë shërbime në terren, sidomos për personat me aftësi të veçanta.
Ndryshe, përgjatë 17 viteve pas luftës, PDK-ja qeverisi me Gjilanin vetëm për një mandat, derisa në të gjitha mandatet e tjera kjo komunë u drejtua nga kandidatët nga radhët e LDK-së. Në zgjedhjet e 22 tetorit gjilanasit vendosën për herë të parë që qeverisjen e një kandidati të LDK-së ta sfidonin me një kandidat që nuk vinte nga PDK-ja. Në këto zgjedhje, Sami Kurteshi bëhet kandidati i parë që shkon në balotazh e që vjen nga një parti opozitare, e cila nuk ka qenë asnjëherë më parë në garë për kolltukun e kryetarit.K
Ilustrimi: K2.0.