Në fund të qershorit të këtij viti, Prokuroria Speciale e Maqedonisë ngriti aktakuza kundër 94 zyrtarëve nga Vnatresna Makedonska Revolucionerna Organizacija- Demokratska Partija za Makedonsko Nacionalno Edinstvo (VMRO-DPMNE). Ndër të akuzuarit është edhe ish-Kryeministri Nikola Gruevski i cili po përballet me mundësi dënimi deri në 27 vjet në burg nëse Gjykata e shpallë atë fajtor për të gjitha akuzat.
Sipas aktakuzës së 29 qershorit zyrtarët e VMRO-DPMNE-së, ndër të tjera, janë akterë kryesorë të rasteve që kanë të bëjnë me keqpërdorimin e detyrës, bashkëpunimin kriminal, keqpërdorimin e aseteve gjatë fushatës zgjedhore, shkeljen e lirisë së votuesit, ndikimin e jashtëligjshëm në prokurim publik dhe nxitjen e akteve kriminale kundër rendit publik.
Prokuroria Speciale kërkoi paraburgimin e 18 individëve, duke përfshirë edhe Gruevskin, ish-ministrin e transportit Mile Janakievski, ish-ministren e punëve të brendshme Gordana Jankulovska, ish-shefin e shërbimit informativ Sasho Mijalkov, ish-ministren e kultuës Elizabeta Kanchevska, dhe ish-zëvendëskryeministrin Vladimir Peshevski. Gjithashtu, Prokuroria kërkoi masa parandaluese ndaj 47 individëve.
Megjithatë, Gjykata Themelore i hodhi poshtë të gjitha kërkesat për paraburgim dhe miratoi vetëm masa parandaluese, duke i konfiskuar pasaportat e të gjithë të dyshuarve.
Vetë partia në anën tjetër, pas një dekade në pushtet, po përballet me paqartësi të madhe.
Aktakuzat kundër ish-zyrtarëve shtetërorë
Prokuroria Speciale është institucion shtetëror ad-hoc i krijuar si rezultat i Marrëveshjes së Przhnos, të arritur në vitin 2016 pas bisedimeve disamujore të zhvilluara ndërmjet partive politike kryesore të Maqedonisë. Marrëveshja u përshkrua nga Komisioni Europian si “hap i rëndësishëm për tejkalimin e krizës aktuale si dhe hap drejt adresimit të sfidave kyçe me të cilat përballet vendi”.
Përgjimet, disa prej të cilëve u transmetuan gjatë një konference shtypi që përfshinte biseda ndërmjet zyrtarëve të lartë të VMRO-DPMNE-së që ishte në pushtet në atë kohë, tani formalisht po hynë në domenin ligjor.
Me ndërmjetësim të BE-së dhe SHBA-së, Marrëveshja e Przhnos prodhoi zgjedhje të parakoshme dhe themelim të Zyres së Prokurorisë Speciale i cila kishte për detyrë hetimin e akteve të supozuara kriminale, të cilat u nxorën në dritë pasi partia më e madhe opozitare në Maqedoni në atë kohë, Unioni Socialdemokrat i Maqedonisë (SDSM), në vitin 2015 zbuloi një seri përgjimesh të bisedave telefonike. Këto përgjime, disa prej të cilëve u transmetuan gjatë një konference shtypi që përfshinte biseda ndërmjet zyrtarëve të lartë të VMRO-DPMNE-së që ishte në pushtet në atë kohë, tani formalisht po hynë në domenin ligjor.
Është tejet e rëndësishme që Maqedonia të kalojë nëpër këtë proces për ta rikthyer besimin në llogaridhënie dhe transparencë, si dhe për ta rikthyer besimin në të gjitha institucionet e saj.
Megjithatë, ndërsa Maqedonia po bëhet me një qeveri të re e cila po paraqitet me synimin e njëjtë si VMRO-DPMNE-ja në 2016 — reformën — gjithashtu është e rëndësishme të diskutohet se si dikur një parti e re premtuese u bë ndikimi më helmues në Ballkan.
Në prill të vitit 2016 Presidenti Gjorge Ivanov i fali politikanët e përmendur në përgjime, që prodhoi të ashtuquajturin revolucion shumëngjyrësh; protestuesit gjithashtu i adresuan çështjet e përgjithshme të korrupsionit, mungesën e lirisë së mediave dhe përkeqësimin e sundimit të ligjit.
Megjithatë, kriza e viteve 2014-2016 ishte vetëm kulmi dhe përgjimet vetëm hodhën dritë mbi vijën e mjegullt ndërmjet partisë dhe shtetit e cila u prodhua qëllimisht që nga fillimi i mandatit të VMRO-DPMNE-së, për ta ruajtur pushtetin. Rrënjët e kësaj çështjeje duhen kërkuar në vetë gjenezën e VMRO-DPMNE-së së Gruevskit dhe në parimet shtytëse të partisë së re.
Historia e pushtetit
Karriera politike e Nikola Gruevskit filloi si ministër i financave në qeverinë e VMRO-DPMNE-së të viteve 1998-2002. Gjatë këtij mandati qeverisës, Maqedonia u fut në konflikt ndëretnik në vitin 2001, i cili u zgjidh me Marrëveshjen Kornizë të Ohrit.
VMRO-DPMNE-ja pësoi humbje të thellë ndaj Unionit Socialdemokrat (SDSM) në zgjedhjet e vitit 2016 — 33 ndaj 60 ulëseve prej gjithsej 120 vendeve në Kuvend — për t’u rikthyer hatashëm në zgjedhjet e vitit 2006, me 45 ndaj 33 ulëseve si rezultat i premtimeve që kjo parti bëri sa i përket integrimit në BE dhe NATO.
Narrativa e shtyrë përpara për një dekadë ishte se programi i VMRO-DPMNE-së ishte i përqendruar në reforma, investime të huaja, dhe integrim në BE, dhe se kërkonte llogaridhënie për privatizimin i cili ndodhi gjatë mandatit të SDSM-së, e i cili la shumë njerëz pa punë. Në bazë të kësaj, Gruevski e shndërroi partinë e tij në një makinë të pakontestueshme të fitimit të zgjedhjeve.
Ky sukses zor se ishte i rastësishëm; ç’është e vërteta, ai u sajua me shumë kujdes nga vala e re e cila e përshkoi partinë me ardhjen e Gruevskit në krye të saj.
Nikola Gruevski e kuptonte fuqinë e popullizmit, dhe këta tre njerëz ishin sajues të imazhit publik të partisë dhe të krijimit të kultit të tij të personalitetit.
Pasi Gruevski e mori besimin e partisë në Kongresin e vitit 2003, ai krijoi një VMRO-DPMNE të re me dy krahë simbolikë; një krah intelektual i marrëdhënieve me publikun i përbërë nga komunikues të shkathtë me media të përzgjedhur nga vetë Gruevski që kishin për detyrë të zhvillonin propagandë të rëndë, dhe një krah operativ i argatëve klandestinë të shërbimeve informative të cilat i qëndronin besnikë kushëririt të tyre Sasho Mijalkovit, i cili me gjakftohtësi ballafaqohej me konfliktet brendapartiake dhe me kundërshtarët politikë.
Lojtarët kyçë të krahut të marrëdhënieve me publikun (PR) ishin Antionio Milosheski, Martin Protugjer dhe Ilija Dimovski, të cilët fillimisht kishin për detyrë ta kultivonin imazhin publik të partisë; me kalimin e kohës, ata u shëndrruan në makinë propagandistike. Nikola Gruevski e kuptonte fuqinë e popullizmit, dhe këta tre njerëz ishin sajues të imazhit publik të partisë dhe të krijimit të kultit të tij të personalitetit.
Milosheski ishte zëdhënës i qeverisë së Ljubo Georgievskit, njërit prej themeluesve të partisë i cili shërbeu si Kryeministër gjatë periudhës 1998-2002 që në vetvete flet shumë për njohuritë e tij të fushës së mediave në Maqedoni dhe të të gjitha ngatërresave brenda saj. Por me ardhjen e Gruevskit në pushtet, shkathtësia e tij për të lundruar me sukses brenda sferës së mediave në Maqedoni e bëri atë njërin prej bashkëpunëtorëve më të ngushtë të Gruevskit dhe ia siguroi pozitën e ministrit të punëve të jashtme gjatë mëndatit të parë të VMRO-DPMNE-së në vitin 2006. Që atëherë, ai ka qenë njëri prej figurave kyçe të VMRO-DPMNE-së, që dëshmon se në ç’masë Gruevski i çmon komunikuesit efikasë.
Protugjer e nisi karrierën e tij si gazetar i gazetës dikur presitigjioze “Vest”. Ai ngjiti shkallët e karrierës në gazetë si pjesë e ekipit të drejtorit të Media Print Macedonia, establishment i mediave i cili kishte në pronësi disa gazeta, duke përfshirë edhe gazetën “Vest”. Protugjer iu bashkua ekipit të Gruevskit pas kongresit të kësaj partie në vitin 2003, dhe shumë shpejt u bë njëri prej këshilltarëve të tij më besnikë, dhe si rrjedhojë Gruevski e emëroi atë shef të stafit dhe sekretar të përgjithshëm të VMRO-DPMNE-së.
Ai gëzon famë të keqe për deklaratat e tij nga përgjimet e publikuara, duke përfshirë marrëveshjet e fshehta me Gordana Jankullovskën — ministre në katër kabinete të Gruevskit — për zbulimin e provave konfidenciale të cilat i siguruan mediat në rastin e Ljube Boskovskit. Boskovski, i cili ishte ministër i brendshëm dhe udhëheqës i partisë së vogël të krahut të djathtë “Të bashkuar për Maqedoninë”, u arrestua në vitin 2011 dhe më vonë u dënua për financim të jashtëligjshëm të fushatës së tij politike. Me gjasë, policia përdori dhunë të tepruar kundër tij gjatë arrestimit. Protugjer njihet gjithandej si njëri prej sajuesve kryesorë të paradigmës aktuale të mediave, e cila ishte servile ndaj VMRO-DPMNE-së.
Dimovski është njëri prej PR-ëve më të shquar nga radhët e VMRO-DPMNE-së. Është interesante se ai kishte lidhje me Forumin Rinor të Edukimit të cilën më vonë e dënonte ashpër si dorë e zgjatur e ndikimit të Sorosit në Ballkan. Dimovski ka qenë njëri prej njerëzve në hije i cili ka shërbyer si urë lidhëse me redaktorët e televizioneve për ta mbajtur kontrollin e plotë të informacioneve të cilat shpërndahen në domenin publik.
Njeriu i cili nuk frikësohet t’i përlyejë duart
Kur VMRO-DPMNE-ja erdhi në pushtet në vitin 2006, ajo trashëgoi një Maqedoni të trazuar nga privatizimi i cili la shumë njerëz pa punë. Kjo ishte tokë pjellore për një diskurs i cili propagonte se korrupcioni do të ishte muhabet i së kaluarës, se investimet e huaja do të ishin prioriteti i tyre kryesor, dhe se anëtarësimi në NATO dhe BE do të ishte i menjëhershëm. Duke u zotuar për këto qëllime, ata siguruan mbështetje të gjerë ndërkombëtare.
Krahu i PR-it prodhoi imazhin e një qeverie të zellshme, të përkushtuar e patriotike e cila vazhdimisht i bënte ballë kërcënimit ndaj identitetit nacional; qoftë nga fantazmat e së kaluarës tranzicionale të Branko Crvenkonvskit, nga Shqipëria e Madhe e cila rrezikonte ta ngulfaste Maqedoninë, apo nga ndikimet e huaja të vendosura të shkatërronin çdo gjurmë të identitetit maqedon — armiku publik kurrë nuk mungonte. Në anën tjetër, në sfond, shefi i shërbimit informativ Mijalkov dhe argati i tij po e shtronin infrastrukturën për një autokraci.
Ndryshe nga krahu i PR-it, kjo nuk ishte punë ekipore; si një prej figurave kryesore të akuzuara nga Prokuroria Speciale, shquarsia e Z. Miljakov nuk ishin bash vlerat demokratike. Ai ishte njeri që vepronte vetë, dhe ai krijoi marrëdhënie klienteliste, jo ekipe.
Mijalkov ishte figurë kyçe e suksesit të VMRO-DPMNE-së në zgjedhjet lokale, dhe si rezultat i gjakftohtësisë së tij ai shumë shpejt u bë njeriu më i frikshëm në Maqedoni.
Miljakov nuk dëshironte vëmendje publike dhe ai asnjëherë nuk mbajti poste shumë të larta në parti, dhe as nuk synonte të merrte poste të shquara në qeveri. Ç’është e vërteta, është gati e pamundur madje të gjenden deklaratat publike të tij përpara kamerave.
Krejt çka ai donte ishte shërbimi informativ dhe autonomia e plotë brenda tij. Si rezultat, ai dha atë që më vonë Komisioni Europian e cilësoi si “kapje të shtetit” në raportin e vitit 2015 të hartuar nga Reinhart Priebe. Ai u sigurua që aparati shtetëror të funksiononte për t’i shkuar për shtati interesave të partisë, për të pasur shuma të majme të pasurisë për të dhe për zyrtarët e lartë të VMRO-DPMNE-së.
Në një prej bisedave të përgjuara Jankulovska i ankohet Mijalkovit për presion nga ambasadorët e BE-së dhe të OSBE-së. Ankesat kishin të bënin me një njeri të quajtur ‘Utka’, i cili u bënte presion të tmerrshëm votuesve për ta votuar VMRO-DPMNE-në në zgjedhjet lokale, duke shkaktuar një incident në Ohër, i cili tërhoqi vëmendjen e komunitetit diplomatik.
Mijalkov nuk u brengos për këtë dhe tha se “Utka nuk është aty për të qenë balerinë, ai po e bën punën e tij”; ai, në fakt, e qortoi ministren, duke i thënë të mos përzihet në rrjedhën e tij të komunikimit dhe në “zingjirin komandues” dhe duke i thënë që ta lërë që ai të merret me njerëzit e tij. Mijalkov ishte figurë kyçe e suksesit të VMRO-DPMNE-së në zgjedhjet lokale, dhe si rezultat i gjakftohtësisë së tij ai shumë shpejt u bë njeriu më i frikshëm në Maqedoni.
Ai luajti rolin kyç në eliminimin e garës sa i përket krahut të djathtë të Maqedonisë, dhe ishte protagonisti i bisedave të përgjuara para arrestimit të Ljube Boshkovskit. Në një bisedë me një gazetar kundërthënës lokal i cili ishte i afërt me partinë, Dragan Pavlovich Latas, ai tregon se si e kishte rregulluar krejt procesin dhe, ç’është me interesante, specifikon edhe dënimin të cilin Boshkovski do ta marrë nga Gjykata.
Në bisedat tjera të përgjuara, Mijalkov gjithashtu dëgjohet duke treguar se si kishte rregulluar emërimin e gjykatësve, dhe kjo i mundësonte të fliste me aq bindje përçështjet si dënimi i Boshkovskit edhe para se të niste procesi gjyqësor. Një pushtet i tillë u kuptua edhe më mirë kur Mijalkov u dëgjua t’i thoshte zëvendëskryeministrit për çështje europiane dhe zëvendëskryetarit të partnerit të koalicionit BDI, Musa Xhaferi, se kur bëhet fjalë për emërime të gjykatësve kushtet e koalicionit janë të panegociueshme.
Edhe Mijalkov edhe Jankulovska u detyruan të japin dorëheqje nga postet e tyre zyrtare në maj të vitit 2015, ndërsa VMRO-DPMNE-ja dëshpërimisht përpiqej të mbetej në pushtet.
Fundi i një epoke?
Me presione në zgjedhje, me ballafaqim me kundërshtarët politikë dhe me kontroll të plotë të gjyqësorit, Sasho Mijalkov i mundësoi VMRO-DPMNE-së të bëhet praktikisht e pamposhtshtme. Me kapacitetin e tij operativ dhe me një makinë të PR-it së cilës i nënshtrohej çdo redaktor, Maqedonia ishte shembull klasik i një autokracie mohuese moderne.
Zhvillimet më të fundit me Prokurorinë Speciale tregojnë se Maqedonia me gjasë përfiundimisht do të shohë drejtësi dhe do t’i dënojë ata të cilët e keqpërdorin pushtetin i cili u besohet nga qytetarët. Megjithatë, përmbyllja e njëmendtë duhet të jetë mësim i nxjerrë ndërsa po hymë në një qeveri të re me premisë të njëjtë — reforma.
Një mësim i nxjerrë për bashkësinë ndërkombëtare se stabiliteti nuk mund të këmbehet me nëpërkëmbjen e vlerave dhe të parimeve demokratike, për shoqërinë civile se përpjekjet e saj duhet të burojnë nga populli dhe të mos jenë elitiste, për partitë politike se kritikat e tyre duhet të jenë të fuqishme dhe të vazhdueshme, dhe për qytetarët se janë pikërisht ata të cilët japin dhe marrin pushtet.
Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.