Në thelb | Muzikë

Mitrovicës po i kthehet roku

Nga - 28.06.2016

Shkolla e rokut u jep muzikantëve të ri mundësi për t’u rritur.

Tetë vjet më parë në qytetin e Mitrovicës u hap shkolla e rokut, unike në Kosovë, e cila u ofron muzikantëve të rinj mundësi për të mësuar, për t’u rritur muzikalisht, për të krijuar bende muzikore si dhe për të krijuar lidhje miqësie. Në fund të viteve të ’80-a, qyteti verior i Kosovës, Mitrovica, njihej si “Qytet i Rokut” i cili bënte bashkë njerëz profilesh të ndryshme por me dashuri të çiltër për muzikën. Edhe gjatë viteve të ’90-a, ndërsa qyteti ishte i ndarë në masë të madhe në vija etnike, skena muzikore mitrovicase ende gjallëronte nëpër bare, shtëpi e garazha, dhe shqiptarët gjithashtu organizonin koncerte roku. Ata që gjatë viteve të ’90-a nuk ishin më fëmijë i mbajnë mend bendet si Marigona dhe TNT-ja apo bendet më underground si Aranea dhe Lucifer, derisa artistët tjerë si Faton Macula dhe Lami Istrefi Jr. i vazhduan karrierat e tyre në skenën muzikore ndërkombëtare.

Por, që nga lufta, ndërsa qytetin tani më shumë e njohin si një vend ndarjesh etnike sesa si një vend talentesh muzikore, një organizatë e shoqërisë civile përpiqet t’i ripërtërijë rrënjët muzikore të Mitrovicës. Ka tetë vjet që Shkolla e Rokut e Mitrovicës u ofton të rinjve muzikëdashës mundësi për të mësuar dhe për t’u zhvilluar si muzikantë të zhanreve rok dhe pop.

Kjo nismë së pari u ndërmor më 2008 nga një grup muzikantësh me ndihmën e organizatës së shquar Muzikantët pa Kufij dhe Community Building in Mitrovica, CBM. Për arsye të sigurisë, rreth 70 vijues të kësaj shkolle janë të ndarë në dy degë, me rreth 40 vijues që vijojnë shkollën në pjesën veriore me shumicë serbe, dhe rreth 30 vijues në pjesën jugore me shumicë shqiptare.

Sipas stafit drejtues, qëllimi i kësaj shkolle është t’u ofrojë të gjithë atyre që dëshirojnë, qofshin ata nga jugu apo nga veriu i qytetit, mundësi për t’i gjetur identietet e tyre muzikore me ndihmën e mësuesve vendorë e ndërkombëtarë. Me një pagesë simbolike, shkolla u ofron vijuesve të moshës 13 deri 25 vjeç hapësira të pajisura me instrumente muzikore, dhe me mësues e drejtues bendesh të cilët udhëzojnë, trajnojnë dhe ndihmojnë që ata të krijojnë bendet e tyre.

Bendet, të cilat përbëjnë një pjesë të rëndësishme të shkollës, kanë për synim t’u ndihmojnë vijuesve të përmirësojnë shkathtësitë e tyre si dhe të krijojnë lidhje miqësie përmes muzikës. Momentalisht ekzistojnë tetë “bende të përziera” që përbëhen nga vijuesit komunitetesh të ndryshme, duke përfshirë shqiptarë, serbë e boshnjakë, ndërsa shtatë bende të tjera përbëhen nga anëtarët e një komuniteti të vetëm.

Dafina Kosova, drejtoreshë e Shkollës së Rokut spjegon se bashkimi i këtyre “bendeve të përziera” është proces i cili kërkon mund dhe kohë. Së pari takohen mësuesit nga të dyja degët dhe vendosin të formojnë një bend, duke u nisur nga niveli i vijuesve dhe shkathtësitë e tyre.

Pas këtij hapi ata formojnë një grup të mbyllur në Facebook për secilin bend, dhe vijuesit dalëngadalë fillojnë të komunikojnë më njëri-tjetrin. “Zakonisht komunikimi është shumë i paktë meqë ata kurrë nuk e kanë takuar njëri-tjetrin, dhe gjithashtu duhet ta kemi parasysh edhe ndarjen etnike”, thotë Kosova. “Së pari diskutojnë se si duhet të quhet bendi; ndonjëri që është më i guximshëm shkruan dhe poston ndonjë porosi, tjetri poston ndonjë incizim me kitarë”.

Shkollën e themeluan Muzikantët pa Kufij së bashku me Akademinë e Rokut nga Holanda, e vëllau im është drejtori i Akademisë së Rokut.

Ruud Borgers

Derisa tensionet etnike ende janë të pranishme në Mitrovicë dhe liria e lëvizjes mbetet e kufizuar, “bendet e përziera” pashmangshmërisht kanë më pak mundësi të takohen dhe të bëjnë muzikë bashkë. Megjithëkëtë, shkolla përpiqet t’u bëjë ballë këtyre sfidave duke ofruar mundësi udhëtimi në qytete tjera jashtë Kosovës që ata të takohen e të bëhen bashkë.

Takimi i parë sy më sy i anëtarëve të bendit në fakt ndodh në autobus, rrugës për të vijuar aktivitete siç janë shkollat verore a dimërore, apo punëtori tjera, të cilat zakonisht organizohen në Shkup dhe nganjëherë në Holandë. “Qëndrojnë në hotelin e njëjtë për një javë, hanë dhe pinë së bashku, bëjnë prova së bashku, shkruajnë këngë, pra këto bende që formohen”, thotë ajo. “Në fund të javës, kampi mbyllet me një koncert të madh ndërsa ne organizojmë autobusë që prindërit, vijuesit e Shkollës së Rokut dhe miqtë tjerë t’i ndjekin performansat e tyre”.

Kosova thotë se ka pasur raste kur vijuesit komunitetesh të ndryshme më vonë kanë filluar të shoqërohen me njëri-tjetrin, pa ndihmën e shkollës.

Duke e parë suksesin e këtyre takimeve, dhe faktin se në Mitrovicë nuk ka pasur ndonjë incident të madh në dy vitet e fundit, stafi drejtues, pas diskutimeve me vijuesit, ka vendosur të zhvillojë aktivitete të përbashkëta edhe brenda Mitrovicës. Në fillim të nëntorit të vitit të kaluar, Shkolla e Rokut mbajti javen e pestë të trajnimit të “bendeve të përziera” në qytet, ku disa sesione u zhvilluan në veri e disa në jug të qytetit.

Vijuesit e njërit prej “bendeve të përziera” — identitetet e të cilëve nuk po i zbulojmë për shkak të sigurisë së tyre me kërkesë të shkollës — po e shohin se shkolla po u ofron mundësi për t’u zhvilluar si muzikantë, për të krijuar miqësi dhe gjithashtu për të përçuar një mesazh pozitiv.

“Së pari hyra në shkollën e rokut sepse vërtetë dëshiroja të luaja në kitarë”, thotë kitaristja e bendit, një vajzë e re adoleshente. “Më përpara kam luajtur në piano dhe këtë e kam bërë me vite me radhë, ndërsa kitara më dukej vërtetë interesante dhe kjo ishte arsyeja kryesore që hyra në shkollën e rokut. Por në atë kohë nuk ma kishte marrë mendja se këtu kishte edhe këso gjërash, e keni parasysh, kur shkuam në Shkup nuk më shkoi mendja në këso gjërash por e gjitha atmosfera ishte e mrekullueshme, mundësia për të pasur bende dhe hapësira për prova është e mahnitshme. Sepse nuk di që ka qytete tjera me këso mundësish”.

Ajo beson se një shkollë e këtillë paraqet freski për gjithë rajonin. “Kjo lidhje ndërmjet njerëzve nga veriu dhe jugu është e mrekullueshme sipas mendimit tim, dhe është një frymë freskie për gjithë shoqërinë”, thotë ajo.

“Kjo shkollë më ka dhënë shumë”, thotë një tinejxhere, vokaliste e bendit. “Sepse në Mitrovicë, për shembull, ne nuk kemi mundësi të shkojmë ku të dojmë me muzikë, qoftë me ndonjë instrument qoftë si vokalistë. Në këtë shkollë kishim shkolla verore ku bashkëpunuam me njerëz edhe jashtë kësaj shkolle, dhe formuam bende të reja. Ata ende punojnë së bashku, sepse çdo muaj bëjmë muzikë”.

Krahas zhvillimit muzikor, vokalistja e bendit është mirënjohëse edhe për faktin se mund ta kombinojë pasionin e saj për muzikën me njoftimin me njerëzit që mendojnë ngjashëm me të. “Këtu përveç mundësisë që e kisha për të zhvilluar atë që dua, pra vokalin… kam pasur edhe mundësinë të takoja njerëz që janë të ngjashëm me mua dhe ndajnë qëndrime të njëjta. Jam ende e re… por e di se muzika gjithmonë do të jetë pjesë e imja, në mos si profesion atëherë si gjëja e dytë e jetës sime”.

Basisti i bendit, një djalosh në të njëzetat e hershme i cili është vijues i Shkollës së Rokut për katër vjet me radhë, beson se ajo i ka sjellur diçka shumë pozitive në jetë. “Më mirë është, e kam gjetur veten, kam krijuar miq të ri”, thotë ai. “Shkolla më ka ndihmuar të rritem muzikalisht, me provat të cilat i mbajmë”.

Instruktori i bendit është Ruud Borgers nga Holanda. Me 23 vite përvojë, ai thotë se në Shkollën e Rokut përfundoi krejt rastësisht në fillim të projektit, por kurrë më nuk u largua. “Shkollën e themeluan Muzikantët pa Kufij së bashku me Akademinë e Rokut nga Holanda, e vëllau im është drejtori i Akademisë së Rokut”, thotë ai. “Në takimin e parë ndërmjet këtyre dy trupave, unë isha i pranishëm rastësisht sepse takimi u mbajt pas një performanse ku unë po luaja në kitarë së bashku me vëllaun tim. Dhe po i thoja vëllaut tim se kjo ishte një ide e mirë, ‘bëje, bëje,’ derisa ai po ma kthente, ‘e pse s’e bën ti?’”

Borgers thekson rëndësinë e pjesëmarrjes në bend që në fillim të zhvillimit muzikor të vijuesve, dhe thotë se nga ajo që ka parë deri më tani, shkollat në Kosovë nuk ofrojnë mundësi të tilla. “Nuk ka nevojë të jesh futbollist i mirë për të luajtur në një ekip, ti mund të bëhesh futbollist më i mirë nëse luan në një ekip”, thotë ai. “Kur vjen puna te muzika, ndodhin shumë gjëra, dhe mund të mbash veç orë të kitarës, ta zëmë, dhe të mos jesh pjesë e një bendi. Kjo është punë, por pa argëtim”.

Ai beson se kur të rinjtë bëhen pjesë e një bendi, atyre u ofrohet mundësia ta zhvillojnë stilin e tyre. “Kjo është e rëndësishme në muzikë dhe në art, ku ti sheh se si dëshiron të jenë gjërat, e jo t’i ndjekësh të tjerët”, thotë ai. “Këtu edhe qëndron dallimi sepse në vitet e para kam vizituar edhe shkollat e vjetra, për të parë se si punojnë ato, dhe ashtu kanë qenë gjërat më përpara: përpiqesh të bëhesh si mësuesi. Por këtu është ndryshe; mos u bëj si unë, bëhu si vetja. Mendo se si dëshiron të bëhesh”.

Pikësëpari, vijuesit kanë bërë muzikë këngësh të njohura (cover). Por më 2011, u krijua një bend i përzier, The Architects, i cili bëri muzikë origjinale. Kosova spjegon se ata ishin mjaft të sukseshëm, performuan në festivale të ndryshme dhe madje kishin një album, duke fryëzuar edhe vijuesit e tjerë të shkollës që ta bëjnë të njëjtën gjë.

“The Architects morën pjesë në disa festivale, në Itali, Holandë, Gjermani dhe të gjithë donin të kishin një bend si ata, dhe që atëherë filluam të formojmë “bende të përziera” të cilat krijojnë materiale origjinale dhe i shkruajnë këngët e tyre”, thotë ajo. “Kur e shkruan vetë këngën, komunikon më shumë me njëri-tjetin, dhe kjo lidhje sa vjen e rritet”.

Kosova shton se për shkak të mundësive të kufizuara që njerëzit të fitojnë për të jetuar nga muzika, Shkolla e Rokut e Mitrovicës u ofron mundësi vijuesve më të mirë që të bëhen asistentë të mësuesve pas përfundimit të shkollës, dhe disa prej tyre ia kanë dalur të studiojnë jashtë në disa shkolla të famshme të muzikës. “Visar Kasa, Vedat Hasani, Fatjon Miftaraj, Blerta Kosova, Vjosa Selmani kanë marrë pjesë nëpër festivale të ndryshme, dhe madje janë pjesë e akademive europiane”, thotë ajo. “[Për shembull] Visari, ose Lenart Gara, i cili studion në Konservatorin e Austrisë. Fatjoni ka pasur mundësinë të pranohet në universitetet e Nju-Jorkut”.

Kosova shpreson se nëse situata aktuale, e cila duket e qetë, vazhdon të jetë e tillë në të ardhmen, ata do ta zbatojnë planin origjinal: që shkolla ta ketë vetëm një seli në Mitrovicë, ku të gjithë mund të punojnë së bashku. “Ata janë muzikantë, atyre u duhet hapësira për të zhvilluar prova. Dhe duke qenë muzikantë, ata janë edhe çapkënë, u pëlqen të tregojnë se çka kanë bërë”, bën shaka ajo. “Por problemi është lëvizja e lirë… organizimi i vazhdueshëm i eventeve në Kosovë”.

Ajo poashtu shpreson se koncertet e tyre private, të cilat miqtë, anëtarët e familjes dhe organizatat tjera mund t’i ndjekin vetëm me ftesa, do të mund të zëvendësohen me evente të hapura.

Krejt varet nga situata politike, por Kosova beson se muzika i ka bërë bashkë këta njerëz, diçka që institucionet nuk po ia dalin mbanë. Ata dëshirojnë t’i japin mundësi secilit që dëshiron të bashkëpunojë, të takohet e të krijojë së bashku, duke shfrytëzuar muzikën si urë dhe gjuhë të përbashkët. Dhe përfundimisht rokun” t’ia kthejë “Qytetit të Rokut” të Kosovës.K

Fotografitë: Atdhe Mulla.