Biseda | Arsimi

Mara Šćepanović: Universiteti do të çlirohet kur të çlirohet Mali i Zi

Rivlerësimi i Akademisë (Pjesa 5) – fizikantja nga Mali i Zi flet për të vetmen dritë në errësirën e sistemit arsimor në këtë vend.

Në një intervistë të paradokohshme, kur u pyet për gjendjen e demokracisë në vendlindjen e saj në Turqi, shkrimtarja Elif Shafak paralajmëroi që mungesa e sferës së akademisë së pavarur, mes problemeve të tjera, është përbërëe e një demokracie të “dëmtuar dhe të prishur.”

Duke analizuar pjesën tjetër të Ballkanit, gjegjësisht gjendjen e demokracisë dhe të akademisë, shohim që deklarata e saj vlen edhe për këto anë. Anembanë rajonit, universitetet ballafaqohen me të njejtat ankesa dhe sfida: keqpërdorimi i universiteteve nga elitat politike, kualiteti i diskutueshëm i arsimit, oportunizmi në mesin e stafit akademik, rënia e etikave dhe e ashtuquajtura “ikja e trurit.” 

Për ta eksploruar më tej situatën, K2.0 ka biseduar me disa prej intelektualëve më të mirënjohur të rajonit. Në këtë seri speciale të intervistave me akademikë nga shtatë shtete të Ballkanit, të gjithë profesorët pajtohen që akademia në Ballkan nuk është e pavarur.

Në pjesën e pestë të serisë tonë “Rivlerësimi i Akademisë,” K2.0 bisedoi me fizikanten Mara Šćepanović, profesoreshë e rregullt në Fakultetin e Shkencave Natyrore në Universitetin e Malit të Zi (UMZ) në Podgoricë. Ajo ishte në mesin e profesorëve të cilët në vitin 2016 filluan luftën për pavarësi të fakulteteve, dhe u vu në listë të zezë për këtë arsye. 

Profesoresha Šćepanović flet për studentët e saj, të cilët i sheh si ndriçime të rralla në universitetin shtetëror, dhe për problemet me rektoratin, duke shpjeguar që Mali i Zi nuk ka komunitet shkencor, as ndonjë komunitet të llojit tjetër – përveç një komuniteti partizan, të bazuar në interesa.

Foto: Boris Pejović / K2.0.

K2.0: Si arsye për vendimin tuaj për t’u angazhuar në mënyrë aktive në debatin publik mbi çështjet me të cilat ballafaqohet shoqëria jonë, ju keni cituar vargun e [poetit rus] Jesenin: “Mos u bëj indiferent, një burrë nuk mund të kthehet nga kjo.” Çfarë ka “ndryshuar” tek ju për t’ju frymëzuar të dilni e të silleni ndryshe nga një profesor i rregullt në universitetin malazias? 

Mara Šćepanović: Ndryshimi ndodhi në fakultetin e shkencave natyrore më 2016. Niveli i shpërfilljes, guximit dhe arrogancës që e përjetuam nga rektorati ishte pika që e stërmbushi gotën.

Atëherë e kuptuam për herë të parë që nuk kishte lidhje ndërmjet fakulteteve dhe rektoratit. E kishim përjetuar rektoratin deri në atë pikë si menaxhment sa është dashur të na lidhte dhe të na i lehtësonte kushtet e punës. Megjithatë, në vitin 2014 rregullat ndryshuan, dhe rektori i atëhershëm u lëvdua se ishim bërë universiteti i parë i integruar në rajon.

Ishte pak qesharake për mua, sepse universiteti i dytë dhe i vetmi që është i integruar në rajon është ai në Novi Pazar. Ata thjesht dëshironin t’i paaftësonin profesorët të cilët mund të rebeloheshin dhe të tregonin pak integritet akademik, dhe këtë mundësi e patën. Megjithatë, ata sapo i kishin rishikuar rregullat, dhe të gjitha vendimet merreshin nga rektorati.

Më vonë e gjeta Jeseninin, dhe u pajtova ‘tia thosha disa fjalë Mladen Bojanić-it, kur ai ishte kandidat për presidencën e Malit të Zi më 2018. Isha e interesuar për politikat e universitetit, dhe nuk më duhej Jesenin për këtë. Por ai më duhej për të komunikuar me njerëz që nuk ishin studentë a kolegë të mi.

Mendoj se në atë periudhë e shihja Mladen Bojanić-in si dikë që mund ta bënte transicionin paqësor në një shoqëri më normale.

Prej atëherë, ju keni filluar të silleni në mënyrë atipike për një profesor të Universitetit të Malit të Zi, shumica prej të cilëve janë pasivë dhe nuk dëgjohen në diskursin publik.

U nxita nga ngjarjet në jetën publike. Zëri im dëgjohej brenda institucionit dhe mund të bënim ndryshim. Prandaj s’kishte nevojë të zbulohej më tej.

Megjithatë, në vitin 2016, kur nisën reformat, zëri ynë nuk dëgjohej dhe duhej të reagonim. Tash po e shohim që gjithçka e bërë në vitin 2016 ishte humbje, dhe tani ndryshimet janë të ngadalshme.

Pse e qortoni universitetin për të cilin keni kaq shumë kritika?

Jo universitetin, por rektoratin që i drejton politikat. Universiteti është i keq për shkak të të gjitha vendimeve që merren nga rektorati, që është bërë krejtësisht anonim pranë njësive të fakulteteve. Ata marrin vetë vendime, ndërsa ne shërbejmë vetëm si zbatuesit e tyre.

Cilat janë pasojat?

Po ju them, ata janë duke i shtrembëruar ligjet në të gjitha fushat. Gjithçka ishte – si ta them e të mos tregohem vulgare – gjithçka ishte e inskenuar.

Skena jonë ishte e inskenuar. Po e shikoja një shfaqje teatrale. E morëm një skenë, ligjet ishin skena, por askujt nuk ia ndiente çfarë kishte prapa skenës. As kush e drejton klasën, cilën klasë, në cilat klasa, me çfarë burime të mësimdhënies…

Ishte thjesht e qartë se ishte krejt një mashtrim dhe se reformat ishin të inskenuara. Rektorja mblodhi rreth saj njerëz që donin më shumë ndikim politik, ose të hynin në botën e politikës, dhe ata arritën ta shtyjnë para.

Foto: Boris Pejović / K2.0.

Ku ishin profesorët e universitetit?

Ata janë margjinalizuar, sepse të gjitha vendimet merren në rektorat dhe ne s’kemi absolutisht kurrëfarë mundësie për të reaguar. Ne mësuam për këto rastësisht, edhe pse i kishim dy përfaqësues në senat. Senati është diçka si kuvend, ndërsa bordi i drejtorëve është i ngjashëm me qeverinë, rektori është presidenti i shtetit, ndërsa kryetari i bordit të drejtorëve është i ngjashëm me kryeministrin. Fjalë për fjalë kështu funksionojmë ne.

Ministritë e tyre janë komitete të ndryshme të cilat i përdorin për t’i shpërblyer njerëzit për të cilët e dinë se do t’ua zbatojnë disa prej vendimeve të tyre. Vendimi fundamental i dëmshëm është universiteti i integruar, që e bëri rektoratin krejtësisht autonom. U bë ajo çka universiteti duhet të jetë në raport me botën e jashtme.

Kontrolli i kualitetit të mësimdhënies zbatohet në atë mënyrë që studentëve u jepet një pyetësor për të konfirmuar se një klasë është mbajtur në kohë të caktuar në vend të caktuar.

Kur u lansua sistemi i integruar, fakultetet nuk ishin më faktorë në vendimmarrje. Nuk mund të punësojmë më shumë profesorë të asocuar nëse nuk e kemi pëlqimin e tyre.

Kolegu ynë, i cili e ka doktoruar në Japoni me mbështetje të shkencëtarit më të mirë në botë në fushën e fizikës teorike për gjendjen e ngurtë, nuk mori miratimin për t’u bërë profesor i asocuar i rregullt për shkak se në diplomën e tij shkruante që është doktor i shkencave politeknike, pasi që është universitet politeknik. Është dashur vetëm ta shkruanin në Google titullin e njërit prej shkrimeve të tij dhe mund t’i kishin parë vendet në të cilat publikon punime ky burrë.

Këtu qëndrojnë ata që nuk dinë, ata që nuk duan të dinë dhe ata që dinë por janë të heshtur për ndonjë arsye, por nuk është e qartë për mua se çfarë mund të jetë arsyeja, përveç nëse është ndonjë sistem i shantazhit. Unë besoj që e kemi prekur fundin, edhe pse rezultatet në letër janë ndryshe, pasi kemi rënë një mijë vende më poshtë në ndonjë listë uebometrike, çfarëdo që do të thotë kjo…

Por kjo është më e keqja që mund të ndodhë. Kontrolli i kualitetit të mësimdhënies zbatohet në atë mënyrë që studentëve u jepet një pyetësor për të konfirmuar se një klasë është mbajtur në kohë të caktuar në vend të caktuar. Dhe ky është “kontroll.”

Gjithë indinjata ime i drejtohet rektoratit – ata kanë mbyllur gjithçka, kanë mbytur gjithçka. 

Kush janë “ata”? Apo mendoni që një burrë [Duško Bjelica, presidenti i bordit të UMZ] i ka krejt në dorë dhe i merr të gjitha vendimet vetë, ndonëse nuk ka prapavijë politike?

Ai ka prapavijë politike. Ky konflikt qesharak ndërmjet tij dhe ish-Rektores Radmila Vojvodić vazhdon të jetë konflikt ndërmjet dy fraksioneve brenda Partisë Demokratike të Socialistëve [partia në pushtet, lideri i të cilës është Presidenti malazez Milo Đukanović], dhe brenda partisë u vendos që ajo të largohet. 

Nuk e di nëse mund të bëhet më keq, sepse sa herë kam thënë kështu, në fakt është bërë. Por mendoj që universiteti do të çlirohet kur të çlirohet Mali i Zi. 

A po e kritikoni rininë që është pasive? Po pretendoni që ata kanë zë. 

Në të vërtetë nuk ka. A kishte përveç në vitin 1941 [në fillim të luftës antifashiste]? Në kuptimin revolucionar, shtytës? Kurrë.

Rinia duhet të karakterizohet nga rebelimi. Por këtu, rebelimi përfundon kur im bir im e përplas derën me të dalë prej shtëpisë. Rebelimi vjen kur don ta kesh ashtu siç don ti, por nuk mundesh – ata [rinia] janë më të vegjël se farat e lulëkuqes.

Tani do ta them një blasfemi: nuk ka as gjurmë të një komuniteti shkencor këtu.

Nuk i kam parë studentët duke u rebeluar në Mal të Zi prej vitit 1941. As studentët as të tjerët, por ne vazhdojmë t’u japim merita studentëve duke thënë “ata do ta bëjnë”. Jo, nuk do ta bëjnë. Nuk do ta bëjnë, sepse nuk jemi duke i edukuar si duhet.

Unë jap mësim në lëndën e fizikës, diçka që mësohet në Islandë dhe Japoni, por nëpërmjet gjithë kësaj po mundohem t’i mësoj të mendojnë vetë. Madje mendoj që më së shumti kishte studentë në protestat e sivjetme, falë neve, profesorëve të tyre. Nuk kam parë avokatë dhe ekonomistë, sepse ata vijnë në fakultete me kostume dhe taka.

Kur i shoh ashtu, më bëhet krejt e qartë.

Pothuajse rregullisht, publiku tronditet nga skandalet e shkaktuara nga plagjiatura në shkrime shkencore në të gjitha nivelet. Rasti i parë më i dalluar ishte ai i ministres së shkencës dhe i ambasadores aktuale malazeze në Romë, Sanja Vlahović, ndërsa tash është rasti i një profesoreshe të asocuar në fakultetin juridik, e cila dyshohet për plagjiaturë të punimit specialist të një studenti që po e mentoronte. Pse po na ndodh kjo dhe si është bërë e pranueshme?

Tani do ta them një blasfemi: nuk ka as gjurmë të një komuniteti shkencor këtu. Nuk ekziston, dhe thjesht nuk ka komunitete të tjera në Mal të Zi përveç komunitetit partizan që është i bazuar në interesa. Si pasojë e kësaj, gjithçka tjetër që po ndodh është normale dhe asgjë tjetër nuk mund të pritet. 

Reagimi im i vetëm ndaj pyetjes tënde është se komuniteti shkencor nuk është duke reaguar, sepse nuk ekziston.

Foto: Boris Pejović / K2.0.

Nuk më pëlqejnë veprimet aktuale në fakultetin juridik sepse janë në nivel personal, dikush e ka targetuar këtë profesoreshë sepse nuk ka bazë të të dhënave për shkrime specialiste, ashtu që ky punim të krahasohej me atë të saj. Pasi ajo u “zgjodh,” kam prirje të besoj që nëse e ka bërë një herë, atëherë e ka bërë plot herë – e nëse e ka bërë një herë, atëherë ajo e ka mësuar prej tjetërkujt që kështu bëhet. E ky dikush i ka mësuar të gjithë të tjerët, sepse vetëm mund ta paramendoj çfarë po ndodh në fakultetin juridik.

Ka bazë të të dhënave për shkrime për magjistraturë dhe doktoraturë, por jo për shkrime specialiste, që do të thotë që kjo procedurë ka qëllim të drejtpërdrejtë ndaj saj, e kjo nuk më pëlqen. Dua të jetë rezultat i ndonjë baze të të dhëave; po të bëheshin publike këto baza të të dhënave, mbase do të kishte shifra interesante.

A besoni që ka edhe diploma false, pasi që titujt shkencorë merren edhe nëpërmjet plagjiaturës?

Ka diploma false; thjesht nuk ka arsye për të mos pasur. A ndodh kur dikush shkon në një fakultet të caktuar privat, e çon profesorin në drekë dhe i kalon gjashtë provime në një ditë? Ky nuk është falsifikim, por diplomë e vërtetë. Profesorët qëndrojnë prapa saj dhe e përsëris se shoqëria jonë e sheh këtë si normale, sepse nuk ka komunitete të tjera përveç atij partizan dhe të bazuar në interesa. Asgjë tjetër.

Më duket që Universiteti privat i Donja Goricës (UDG), njëri prej themeluesve të të cilit është President Milo Đukanović, e ka një vend të rëndësishëm që është në dëm të Universitetit të Malit të Zi. Ata kanë një qasje më moderne të mësimdhënies, u kushtojnë më shumë kohë studentëve, kanë programe të reja dhe mua më duket që nuk ka më antipati publike ndaj këtij universiteti. A dini diçka për ata që diplomojnë prej UDG-së? A janë universitetet private konkurrencë për UMZ-në?

UDG nuk do t’i prishë këta fëmijë kaq të mirë, ata prapëseprapë do të jenë të shkëlqyeshëm dhe do të dalin nga universiteti me notat me të larta dhe me njohuri, por do të ketë edhe asi që notat më të larta i marrin duke i lexuar 50 faqe të shënimeve të fotokopjuara. Për këtë është kjo.

A njihni njerëz që i kanë rinovuar vitet e tyre të studimit në UDG? A është e mundur që studentët aty janë kaq të përkryer?

Njoh njerëz të cilët pasi i kanë kryer studimet masters, kanë ardhur te ne, por ata e regjistrojnë doktoraturën përsëri atje [UDG] pasi që askush nuk u ka kushtuar vëmendje atyre këtu.

Po ashtu, aty kanë një numër të madh të profesorëve të asocuar, mbase 200-300 – derisa rreth 30 profesorë marrin rrogë mujore, të tjerët janë të pavarur dhe duhet t’u kushtojnë më shumë vëmendje studentëve. Së pari, ka më pak prej tyre, dhe së dyti, për shkak se ata shantazhohen [për shkak të statusit të pavarur të tyre], dhe mund të mos marrin as kompensim për atë punë. Së treti, ata nuk mbrohen nga ndonjë marrëveshje kolektive. Prandaj, lehtë mund të shkarkohet dikush që nuk u përkushtohet studentëve në nivel të kënaqshëm.

Në institucionin tonë, ata kryesisht vonohen në kryerjen e detyrave të tyre – dhe ky është problemi ynë.

A ka kontribuar UDG në komunitetin akademik? A punon më mirë apo më keq se ç’është pritur?

Stafi i mësimdhënies në UDG janë të punësuar në ministri, por në një shtet normal, për mendimin tim, universitetet shtetërore duhet të jenë ato që i arsimojnë nëpunësit shtetërorë. Nëse bankierët janë ata që ofrojnë punësim, atëherë ke mundësi të zgjedhësh, por siç qëndron situata aktualisht – bankat sigurisht që nuk do t’i punësojnë të diplomuarit e fakulteteve private.

Shumica e atyre që kalojnë kohë në kafene, të veshur me kostume, janë nëpunës prej universiteteve private. Në ministri janë rreth 30% që punojnë dhe ata definitivisht kanë qenë të regjistruar në një universitet shtetëror; dhe janë 70% “shëtitës” [që transicionojnë ndërmjet universitetit privat dhe publik] të cilët e prezantojnë punën e tjetërkujt, sepse janë aty vetëm për t’i mësuar se si bëhen prezantimet.

Për çfarë duhet të jetë krenar? A ka shkrime shkencore të publikuara në nivel të fakultetit?

Formalisht, shkrimet shkencore ekzistojnë. Mund të publikoni sa të doni, dhe e di që kjo ndodh në fakultetin e shkencave natyrore. I kemi dy njerëz në CERN, njëri ka regjistruar magjistraturën, tjetri doktoraturën, një fizikant tjetër i yni tani është duke kryer doktoraturën në Gjermani, e një fizikant tjetër e ka fituar një bursë për doktoraturë. 

Fizikantët dhe matematikanët tanë janë shumë të mirë, programerët nuk janë aq të mirë sepse fitojnë shumë, prandaj punimet shkencore janë humbje kohe për ta.

Jam krenare me fakultetin tim – nëse ka mbetur ende një thelb i shëndetshëm, ai është fakulteti im, i cili nuk po mundohet të shtyjë për diçka. Mund t’i çojmë në botë studentët nga tri vitet e para të studimeve bachelors në fakultetin e shkencave natyrore, nga të gjitha departamentet. Por i çojmë në aso mënyre që vetëm ata që nuk duan të ikin, por qëndrojnë – veçanërisht fizikantët. K

Foto kryesore: Boris Pejović / K2.0.