Blogbox | Rinia2020

Mbi klimën dhe krizat e tjera

Nga - 18.09.2020

Si ta ndryshojmë botën duke filluar nga vetja.

Një botë e trazuar, kaotike. Bota jonë e trazuar, kaotike. Një mendje e turbullt, e zemëruar. Mendja ime e turbullt, e zemëruar.

Teksa bota digjet, unë marr lirinë të shkruaj për diçka që nuk mund ta diskutoj shumë së fundi: krizën klimatike, anën emocionale të saj. Përjetohet pothuajse si luks të flasësh për diçka që duket e largët, në kohën kur po përballemi me kriza më urgjente shëndetësore, sociale, politike, dhe ekonomike. 

Por derisa ditët kalojnë, efektet e tmerrshme dhe politikat e saj vazhdojnë: zjarret në Kaliforni, një uragan që shënoi rekord në Louisiana, gazsjellësi i ri në Ballkanin Perëndimor, hidrocentralet dhe digat joligjore në Brezovicë, degradimi i ujëvarave të Mirushës, si dhe problemet e vazhdueshme në shoqërinë tonë lidhur me padrejtësitë racore, gjinore, dhe ndaj kafshëve, të cilat ma shtojnë ankthin, frustrimin dhe zemërimin mua dhe shumë të tjerëve.

Por para se të shpjegoj sfidat psikologjike dhe emocionale, besoj se është veçanërisht e rëndësishme të kuptojmë konceptin e ndërthurjes — një kornizë jobinare që përfshin, në vend se të përjashtojë, aspektet dhe lidhjet e shumta ndërmjet këtyre çështjeve, ndërlidhjen dhe varësinë që kanë mes vete.   

Pyetja një milion dollarëshe është: Si të ecim përpara drejt një ndjenje veprimi që përfshin emocionet e ndryshme dhe shpeshherë shumë të vështira e të nuancuara?

Po e përmend këtë sepse së fundi e kam kuptuar se për të adresuar një çështje duhet të jesh në gjendje t’i adresosh edhe shumë të tjera, ngjashëm si në praktikën e psikoterapisë.

Me fjalë të tjera, kujdesi ndaj mjedisit nënkupton po ashtu kujdes ndaj ekonomisë dhe sistemit politik, pasi ato shkojnë krahas. Uh, kjo është dërrmuese!

Duke filluar nga këto emocione dërrmuese, korniza jobinare zbatohet edhe për përvojat emocionale individuale dhe kolektive të cilat po i përjetojmë, apo më mirë të themi, nëpër të cilat gjithmonë kalojmë. Sigurisht kjo ndërlidhet edhe me njerëzit që përballen në vijën e parë të frontit me betejën e krizës klimatike. 

Është një proces me shumë ulje e ngritje, shpresë dhe dëshpërim, paqartësi, ankth, guxim, frustrim dhe frikë — gjendje emocionale intensive që mund t’i japin drejtim tjetër mënyrës si u qasemi atyre dhe veprimeve tona në fund. 

E gjitha nis me mënyrën se si identifikohemi dhe ndihemi në lidhje me shumë aspekte të jetës dhe botës sonë dhe mënyrat e ndryshme të veprimit ndaj tyre. Për më tepër, hulumtimet e dekadave të fundit tregojnë se degradimi mjedisor shkakton dëm të madh në shëndetin mendor dhe ka dëshmi të mëtutjeshme se një numër i madh i njerëzve përjetojnë ankth të rëndë, çrregullim stresi post-traumatik dhe depresion. 

Duke marrë këtë parasysh, pyetja një milion dollarëshe është: Si të ecim përpara drejt një ndjenje veprimi që përfshin emocionet e ndryshme shpeshherë shumë të vështira e të nuancuara?

Një shpjegim i thjeshtëzuar do të ishte: thjesht duke qenë të pranishëm dhe të kujdesshëm, ndaj çfarëdo gjëje, por kjo nuk është e mjaftueshme. Jo për shkak se njerëzit nuk janë të kujdesshëm apo se ajo nuk mjafton, por për arsye se njerëzit nuk veprojnë gjithmonë ashtu siç ndihen apo siç mendojnë. Kjo disonancë krijon konflikt të brendshëm të cilin shumica e njerëzve në pjesën më të madhe të kohës dëshirojnë ta minimizojnë në nivel të të pavetëdijshmes.  

Si studente e psikologjisë në programin postdiplomik, kjo informatë është e njohur për mua, megjithatë ende kam vështirësi ta kuptoj dhe pranoj plotësisht, sepse shumë shpesh e kam të paqartë se si mund të kontribuoj, veçanërisht atëherë kur ndihem e pafuqishme përpara vështirësive.   

Por ky është proces me një numër mekanizmash të ndryshëm të sjelljes dhe mbrojtjes. Disa nga ta zhvillohen dhe studiohen nga Dr. Renee Lertzman, një psikologe klimatike që ngushton hendekun ndërmjet psikologjisë dhe ndryshimeve klimatike për njëzet vjetët e fundit. Ajo ofron vlerësime të rëndësishme se si mund të përballemi në mënyrë më efektive me emocionet e komplikuara dhe sjelljet kundërthënëse.   

Shumë njerëzve ua ndien dhe së bashku mund të ndihmojmë ta ndryshojmë atë që po ndodh dhe po përjetohet shumë dhimbshëm dhe frikshëm.

Disa nga parimet themelore të paraqitura nga ajo janë mjete që përdoren në praktikat klinike në kontekstin klimatik, siç është koncepti i “përshtatjes” i cili mund të definohet si të qenët në harmoni dhe afërsi me të tjerët, botën përreth, dhe më e rëndësishmja me veten tonë.

Të jesh në harmoni nënkupton të kujdesemi për veten jo sipas “mënyrës së lehtë dhe të shpejtë” por përkundrazi, duke i pranuar dhe emërtuar emocionet tona; si ndihemi, si përballemi, çfarë kemi nevojë të tejkalojmë dhe si të arrijmë të flasim për të. 

Dr. Lertzman vendos ta shohë këtë përmes thjerrave të traumës — si përvojë traumatike kolektive, si kohë kur kthehemi brenda vetes me sa më shumë përkushtim dhe empati, deri te pranimi se gjithë këto ngjarje janë destabilizuese.

Njëkohësisht, të ndierët të dëgjuar dhe të kuptuar nga vetja krijon hapësirë më të mirë për lidhjet dhe marrëdhëniet tona, gjë që zhvillon dëgjimin empatik dhe ndjenjën e të qenit pjesë e diçkaje më të madhe, ndjenjën e të mos qenit vetëm — se nuk varet gjithçka nga unë dhe nuk është gjithçka mbi supet e mia. Shumë njerëzve ua ndien dhe së bashku mund të ndihmojmë ta ndryshojmë atë që po ndodh dhe po përjetohet shumë dhimbshëm dhe frikshëm.

Kjo gjë më duket jashtëzakonisht e fuqishme dhe thellësisht ndihmuese — të menduarit për të gjitha përpjekjet e vazhdueshme dhe të gjitha organizatat, kompanitë dhe njerëzit që me këmbëngulje punojnë për këtë gjë: të gjitha fitoret, angazhimin dhe lidhjen tonë të thellë me tokën. 

Padyshim, kjo periudhë kur pasiguria për të ardhmen mund të çojë në ankth ekzistencial, potencialisht mund të jetë kohë e mirë për mënyra të reja të t’menduarit dhe angazhimit. Siç thotë Naomi Klein, krizat mund të jenë katalizatorë të shkëlqyer për ndryshime politike, për rrokje të pushtetit, dhe për lartësim të politikave të gjelbërta dhe mbrojtëse. 

Edhe në këto ditë të frustrimit dhe emocioneve dërrmuese, unë zgjedh të ngrihem dhe të fokusohem në atë çfarë duhet të bëhet, sepse nuk jam e vetme dhe ajo çfarë ndiej dhe bëj është kuptimplotë.

Botë e veçantë, e jashtëzakonshme. Bota jonë e veçantë, e jashtëzakonshme.  Mendje e ngazëllyer, e vëmendshme. Mendja ime e ngazëllyer, e vëmendshme. 

Imazhi i ballinës: Arrita Katona / K2.0