Shpeshherë më ka ndodhur që pasi e kam lavdëruar punën e Profesorit Anton Çetta dhe krushqëve të pajtimit, të afërmit e nganjëherë besa edhe të panjohurit më kanë bërë pyetje të llojit: “Pse po e ngre aq lart punën e Lëvizjes së Pajtimit të Gjaqeve?”, apo krahasime si: “Mirë që i paskëshit pajtuar mbi 1500 gjaqe, po a thua sa vrasje do të ndodhnin përndryshe? A e di se sa vetë vdesin në komunikacion brenda vitit?”
T’ju them të drejten, këto pyetje çdo herë më kanë bërë goxha nervoz. Dhe dihet se kur je nervoz as përgjigjja nuk është racionale e si duhet! Problemin më të madh e kisha t’u tregoj se pasojat e gjakmarrjes ishin shumë dimensionale dhe se asesi nuk bëhej fjalë vetëm për numrin e të vrarëve.
Madje ndonjëherë më shkonte mendja mos ndoshta këto pyetje m’i bëjnë edhe për ta arsyetuar atë turpin që si shoqëri ende nuk e kemi të botuar as kompletin e veprave të Profesorit Çetta. Ku ta dish?
Dihet se gjakmarrja është pasojë e drejtpërdrejtë e mungesës së ligjit, duke i detyruar njerëzit ta marrin drejtësinë në duart e veta. Nuk është karakteristikë e ndonjë regjioni të posaçëm; në librin “Religjioni kinez” të botuar më 1915, sociologu gjerman Max Weber shkruante: “Gjakmarrja është institucion universal. Ajo ka ekzistuar te të gjithë popujt dhe në të gjitha kulturat, ndërsa ruajtja e rendit përmes institucionit të policisë është një dukuri kryesisht moderne dhe perëndimore”.
E më 1877, antropologu i njohur amerikan Lewis Henry Morgan shkruante: “Krimi i vrasjes është po aq i vjeter sa shoqëria njerëzore, dhe ndëshkimi i tij përmes gjakmarrjes së anëtarëve të fisit është po aq i vjetër sa dhe vetë krimi”.
Pasojat e gjakmarrjes i kemi vuajtur edhe ne si shoqëri — përveç vrasjeve që ishin pasojat e dukshme (ndonëse nuk ka statistika të besueshme për shifrat), kishte edhe shumë implikime tjera ekonomike, kulturore e politike.
Të vetëdijshëm për këto implikime, në shkurt të vitit 1990 disa të rinj e formuan Lëvizjen për Pajtimin e Gjaqeve, në ballë të së cilës u vu Profesori Anton Çetta. Unë e pata fatin që të jem pjesë e kësaj lëvizjeje që nga pajtimi i parë në Raushiq më 10 shkurt 1990.
Sukseset e Lëvizjes ishin mrekullia vetë — u arritën më shumë se 1500 pajtime.
Përjetime të ndryshme brenda së njëjtës familje
Asokohe familjet ishin me më shumë anëtarë se sot — të parat familje që u pajtuan, Buqollët në Raushiq, kishin së bashku më shumë se 60 anëtarë. Meqë nuk e di ndonjë shifër mesatare, le t’supozojmë për hir të këtij shpjegimi se një familje kishte 30 anëtarë. Si jetonte një familje 30-anëtarëshe e ngujuar?
Burrat nuk guxonin të dilnin fare nga shtëpia, as fëmijët nuk guxonin të shkonin në shkolla. Gratë ishin të lira të dilnin, sepse dihet se nuk lejohej që ato të vriteshin, por kjo liri kishte shumë pasoja.
Më kujtohet një bisedë e kahmotshme që e bëmë me një grua të moshuar pasi familjes së saj iu fal gjaku. Gjatë bisedës dikush ia bëri një pyetje pak a shumë kësisoji: “Loke, si do t’u përgjigjeshe disa faqezinjve që thonë se jo në pak raste gratë ishin shkaktaret reale të gjakmarrjes, e jo megja, uji, livadhi, ofendimet, e të tjera?
Para se të përgjigjej, lokja e lëshoi një ofshamë të gjatë. Pastaj filloi ngadalë: “E moj loke, duhet ta dini se pikërisht gratë ishin viktimat më të mëdha të gjakmarrjes!”
“Ne kishim të drejtë të dalim nga shtëpia, por kjo liri kishte një çmim bukur të madh!”, na tha ajo. “Në ngujim ne gratë duhej t’i bënim jo vetëm punët tona të përditshme, por edhe punët e fushës, e besa edhe për dru duhej vetë të shkonim.”
Për më tepër, na tha se kur gratë ktheheshin prej punëve të rënda të malit, u ndodhte që burrat t’i rrahnin se ishin vonuar. “Po çka të bëhej? Nuk kishim zgjidhje, e i kuptonim edhe burrat… krejt ditën mbyllë në shtëpi, nuk është bash lehtë”.
Edhe kur ndonjëherë burrat e kishin të domosdoshme të dilnin, tërë familja kaplohej nga frika se a do ktheheshin gjallë apo të vrarë. “Besa kur i shihnim fëmijët e fqinjve duke shkuar në shkollë, e fëmijët tanë të ngujuar, a kur fillonte të pakësohej mielli në magje e fëmijët dhe burrat kërkonin bukë…”
Dhe këtu lokja e ndërpreu përgjigjen, sikur t’i kishte ngelur diçka në fyt. Sytë i dukeshin se me vështirësi po i mbanin lotët. Pas një pushimi të shkurtër vazhdoi edhe pak: “Vetëm kush e ka provu me jetue i ngujuem e din sa vështirë është. Ishalla as armiku nuk e provon. Ah kjo gjakmarrja, kjo gjakmarrja!”
Po pse mu kujtua Lokja këto ditë? Thjesht, pasi po e provojmë edhe ne ngujimin — në kushte kush më të mira e kush më të këqija — të cilin po e quajmë karantinë.
Preokupimet kyçe, atëherë dhe tani
Në familjet e ngujuara gjatë viteve ’90, problem shumë i madh ishte si të kalohej koha — të njëjtin problem po e kemi edhe tani.
Pyetja më e shpeshtë asokohe ishte po ashtu e njëjta si tani: “A thua edhe sa kohë do jemi të ngujuar? Edhe sa kohë duhet duruar?”
Brenga më e madhe për prindërit, ai atëherë ashtu edhe tani është shkollimi i fëmijëve. Tash është mundësuar mësimi në distancë për të gjithë ata që kanë televizor e internet në shtëpi, e për atëherë vetëm mund ta paramendojmë si janë ndier fëmijët që nuk kanë guxuar ta vijojnë shkollimin, e sa kanë humbur kur shokët e tyre shkonin në shkollë e ata duhej të rrinin mbyllur!
Në ngujim, duhej shpresuar që s’do të sëmureshe sepse nuk dinin se ku dhe si të të dërgonin për shërim. Atij që qëllim e kishte nxerrjen e gjakut nuk i interesonte pse ke dalë nga shtëpia. E sot, virusi nuk njeh qëllime, madje nuk njeh as moshë e gjini, dhe me rëndësi e ka vetëm të gjejë mënyra për t’u shpërndarë.
Për familjet që ishin në gjak, çdo ditë kalonte në pritje të ndonji lajmi se mos u kanë dhënë Besë ose mos po ua falin gjakun. Kjo ishte tema më e shpeshtë e bisedës në mes të anëtarëve të familjes. E ne në karantinë çdo ditë po presim ndonjë lajm mos po gjendet ndonjë vaksinë ose mos po gjendet ilaçi — kjo është tema më e shpeshtë që e kemi në kokat tona.
Sa u përket kushteve ekonomike, dihet se në atë kohë punimi i tokës ishte një ndër burimet e pakta të ekzistencës. Burrat e ngujuar nuk mund të dilnin për ta punuar tokën prandaj shpesh detyroheshin ta shisnin; e pastaj edhe kur familjet janë pajtuar, kanë pasur më pak tokë dhe si rrjedhojë më pak të ardhura. Në karantinën e sotme mund ta krahasojmë këtë situatë disi me të atyre që e humbin punën dhe kanë pasiguri se si do ta sigurojnë jetesën pas karantinës.
Ka edhe paralele tjera që mund të ngrehen, por besoj se mjaftojnë këto.
Ndërkaq, asokohe nuk kishte internet, kishte shumë pak libra për të lexuar, si dhe shumë pak familje me aparate televizive. Nëse sot karantina është e vështirë, si do të ishte pa internet, libra e TV? Ne po shpresojmë se karantina do të zgjasë disa javë, por mos të harrojmë se ngujimi ka zgjatur me vite!
Dhe tash paramendoni çfarë gëzimi do të jetë për ne kur dikush të na lajmërojë se karantina përfundoi, se do të jemi të lirë dhe se sëmundja COVID-19 është vënë nën kontroll. Të gjithë e ëndërrojmë këtë lajm! Këtë lloj gëzimi e përjetonin familjet e ngujuara kur iu shkonte në shtëpi Anton Çetta dhe ua komunikonte lajmin se ngujimi përfundoi: “Do të jeni të lirë, gjakmarrja u mund.”
Besoj që tani të gjithë do të më kuptojnë pse po them se u bëmë horë që ende nuk gjetëm vend për shtatoren e Anton Çettës, e lëre më për një muze të Lëvizjes së Pajtimit të Gjaqeve. Deri kur do të presim? Dhashtë Zoti që kjo pandemi të na mbushë mend.
Imazhi i ballinës nga Riza Krasniqi.