Blogbox | Media

Mbulimi sensacionalist medial e çnjerëzon Edona James

Nga - 04.06.2024

Artikujt që bëhen veç për klikime janë joetikë dhe të dëmshëm për njerëzit LGBTQ+.

Sa isha ulur në një restorant në Prishtinë, dimrin e kaluar, e dëgjova rastësisht një bisedë mes dy kamarierëve. Ishte e vështirë ta shpërfillje bisedën e tyre. “E kuptoj që njerëzit janë të lirë të jetojnë si të duan”, tha një nga kamarierët, “por si t’ua shpjegojmë këtë fëmijëve tanë? Në njërën anë, s’mund t’iu themi se është gabim, por as s’mund t’iu themi se është mirë”. Kamarieri tjetër pohoi me kokë në shenjë pajtimi.

Dy kamerierët po diskutonin rreth Edona James, transgruas së parë që konkurroi në reality show më të ndjekur në Kosovë, “Big Brother VIP Kosova” (BBVK). Teksa BBVK kishte vetëm disa muaj që kishte filluar të transmetohej, James u bë shpejt e preferuara e publikur dhe temë diskutimi përtej atij restoranti. Krahas popullaritetit të saj në rritje, ajo ua prishi rehatinë atyre që preferonin të mos ishin në dijeni të një transgruaje shqiptare.

Diskutimi i gjerë shoqëror rreth James u karakterizua nga hutia, alarmimi dhe përfundimisht, magjepsja. Portretizimi i saj në mediet kosovare u përcoll nga një gjendje e tronditjes shoqërore, gjë që është dëshmuar si fitimprurëse për televizionet që transmetojnë formate të këtilla.

Mbulimi medial i formateve si “Big Brother”, në thelb, është sensacionalist dhe i mbushur me skandale, me yjet e formatit, vlera e të cilëve shpesh reduktohet në tituj për të tërhequr klikime e tituj që ndezin polemika për ta rritur shikueshmërinë. Megjithatë, ky lloj mbulimi bëhet shqetësues kur mediet përdorin identitetin e një transgruaje për të prodhuar kundërthënie. Ndonëse raportimi sensacionalist karakterizoi edhe konkurrentët/et e tjerë të BBVK, James u shfrytëzua nga mediet për shkak të identitetit të saj gjinor. Si e tillë, ajo u kthye në një mjet për mediet kosovare, që ta ndërtojnë një skandal tërheqës, duke e çnjerëzuar atë edhe më shumë.

Popullariteti i James para “Big Brother”

Për të kuptuar plotësisht pozitën e James në mediet e Kosovës, ia vlen t’i shqyrtojmë intervistat e saj të para 10 vitesh më parë, duke i krahasuar ato me mbulimin medial gjatë edicionit të BBVK ku ajo mori pjesë. Publiku i Kosovës u njoftua me James përmes një interviste për emisionin “Privé” në vitin 2014, me titull “Edona James: Shqiptari që kaloi ylberin”, duke i bërë jehonë një legjende të përsëritur shqiptare se “kalimi i ylberit” ndryshon gjininë. Gazetari që punonte për “Privé” në atë kohë, Vlorijan Halili, pohoi se kishte zbuluar James përmes paraqitjes së saj në RTL, në një program televiziv gjerman për showbiz. James emigroi në Gjermani gjatë fëmijërisë së saj dhe e ndërtoi veten si figurë të njohur në mediet gjermane.

Sipas Halilit, atë e tërhoqi fakti që James u prezantua edhe si shqiptare, edhe si trans; e dinte që ajo do të përbënte një lajm të mirë. “Qitu diçka ka. Qitu duhet m’u kriju”, tha ai se kishte menduar kur e pa James. Pasi Halili provoi ta kontaktonte disa herë, James pranoi të intervistohej dhe me sa duket ishte shumë e hapur t’i ndante përvojat e saj. Megjithatë, është e qartë se emisioni “Privé” përfitoi nga personaliteti i saj si person i hapur për të krijuar histori tërheqëse. “U bë sensacion”, tha Halili.

Që në fillim të intervistës në “Privé”, James u prezantua me termat e gabuar gjinorë; ajo u identifikua me gjininë mashkullore të emrit “shqiptari”, në titullin e episodit. Intervistuesi e bëri publik emrin e vdekur të saj (emrin që ia kanë lënë pas lindjes) dhe përdori gjuhë nënçmuese për ta prezantuar atë, duke ndërtuar një rrëfim sensacionalist për tranzicionin e James, duke pretenduar se ajo është një djalë që “nuk ka dashur të jetë mashkulli i shtëpisë, kështu është bërë femër me dëshirën e tij”. Prezantuesja e emisionit e çnjerëzoi edhe më tej atë duke përmendur se ajo tani “bën seks me burra” dhe “i ka heqë organet”.

Gjuha e urrejtjes ndaj saj ishte përkujtim për rrezikun e vazhdueshëm me të cilin përballen transgratë në Kosovë.

Si gruaja e parë trans e Kosovës, që doli në televizion dhe bëri të ditur se i ishte nënshtruar një operacioni për ndërrim të gjinisë, James u ballafaqua me reagime urrejtëse dhe negative në medie pas asaj interviste. Gjuha e urrejtjes ndaj saj ishte përkujtim për rrezikun e vazhdueshëm me të cilin përballen transgratë në Kosovë. James është shprehur se kjo përvojë bëri që ajo të mos kthehej në Kosovë për një dekadë.

James ishte po ashtu e ftuar në “Ami G Show” në Serbi, ku intervistuesi shtroi pyetje invazore rreth tranzicionit të saj, duke e pyetur nëse ajo “ka operuar gjithçka”. Këto intervista nuk kishin për qëllim ta kuptonin me të vërtetë James në një nivel personal. Përkundrazi, ato u karakterizuan me një narrativë teatrale, për të tërhequr më shumë shikues. Ajo u zhvesh nga personi i saj sepse ishte transgrua, duke u vlerësuar vetëm si burim i titujve sensacionalë.

Ky mbulim poshtërues medial vetëm ushqen paragjykimet ekzistuese ndaj transgrave dhe çon në margjinalizimin e mëtejshëm të tyre.

Mbulimet e fundit në portalet online për James vazhdojnë ta përjetësojnë këtë narrativë çnjerëzuese. Në nëntor 2023, “Gazeta Express” publikoi një artikull ku thuhej se paraqitej një fotografi e James para tranzicionit, kur ajo ishte vetëm gjashtë-vjeçare. Titulli shkruan: “Djalë i vogël, kështu dukej Edona James kur ishte 6 vjeç”. Artikuj të tjerë të shkruar ngaSot News” dhePamfleti” i referohen asaj si “Transgjinorja Edona James”, duke vënë theksin në fjalën transgjinore për t’i rritur shikimet dhe angazhimin online të lexuesve. “Pamfleti” gjithashtu ka përdorur drejtpërdrejt emrin e vdekur të James për një titull sensacional. “Albeu” publikoi një artikull ku shpërndante fotografitë e saj të supozuara “para operacioneve”, me një titull që shkruante: “Jeni kurioz? Kështu dukej Edona James para operacioneve”.

Disa artikuj madje përdorin gjuhë përçmuese për t’iu referuar identitetit të saj. Ky mbulim poshtërues medial vetëm ushqen paragjykimet ekzistuese ndaj transgrave dhe çon në margjinalizimin e mëtejshëm të tyre. Në vend që James të përfaqësohet si person i njëmendtë, e gjithë ekzistenca e saj reduktohet në një skandal.

Kompanitë mediale nuk duhet të promovojnë narrativa që nuk i respektojnë dhe janë diskriminuese ndaj transgrave për përfitime financiare dhe duhet të mbahen përgjegjëse për mosrespektimin e standardeve etike të raportimit për çështjet LGBTQ+. Gjuha e përhapur nga këta artikuj vetëm e bën më të vështirë integrimin e transgrave në shoqërinë kosovare, pasi ato kthehen në karikatura dhe spektakle.

James si figurë pozitive dhe e dobishme për shoqërinë kosovare

Ndonëse mediet kosovare vazhdojnë ta shfrytëzojnë përvojën e James si transgrua për sensacionalizëm, pjesëmarrja në BBV i ka dhënë asaj një mundësi që të lidhet drejtpërdrejt me publikun dhe të shprehet lirshëm. Në vend që prezenca e saj të moderohet dhe kornizohet nga një intervistues/e, siç ka ndodhur në intervistat e saj të ndryshme televizive, James përdori BBV për t’i treguar publikut se ajo është një person me shumë cilësi. Popullariteti dhe pëlqyeshmëria e saj bazohen në humorin e saj, guximin për ta shprehur mendimin e saj dhe personalitetin e sinqertë. Këto cilësi kanë bërë që ajo të bëhet virale në TikTok dhe ta fitojë një bazë fansash besnikë.

Duket se ka mospërputhje mes opinionit publik për James, i cili është kryesisht pozitiv dhe mbulimit të dëmshëm medial që përdor identitetin e saj gjinor për të gjeneruar fitime. Në fakt, një raport i Freedom House vuri në pah se James ka kontribuar pozitivisht në ndryshimin e perceptimit publik për njerëzit transgjinorë në Kosovë. Mbështetja që ajo mori gjatë kohës së saj në BBV ka qenë e rëndësishme në ndërtimin e një shoqërie më të pranueshme, por ka ende udhë të gjatë për të bërë sa i përket përfaqësimit në medie.

Mbështetja që ajo mori gjatë kohës së saj në "Big Brother" ka qenë e rëndësishme në krijimin e një shoqërie më të pranueshme, por ka ende udhë të gjatë për të bërë sa i përket përfaqësimit në medie.

James u shfrytëzua nga mediet dhe u shndërrua në një fytyrë për polemika dhe skandale jo sepse ishte konkurrente në një reality show televiziv, por sepse ishte transgrua. Nëse të drejtat e personave trans do të ishin prioritet, diskriminimi me të cilin përballen transgratë në mediet kosovare është çështje që do duhej adresuar. Më e rëndësishmja, mediet që përjetësojnë narrativa të dëmshme duhet të mbajnë përgjegjësi dhe të kuptojnë pasojat e reduktimit të transgrave në sensacion.

Raportimi joetik dhe joprofesional jo vetëm që përforcon perceptimet negative ndaj personave LGBTQ+, por gjithashtu çon në dhunë ndaj tyre. James së fundmi tregoi për shumë raste të komenteve me gjuhë urrejtëse apo edhe kërcënuese, që i pranon çdo ditë dhe artikujt e përmendur në këtë artikull vetëm sa i nxisin këto mendime të dëmshme kundër saj. Për ta ndërtuar një shoqëri që mbron transgratë, kompanitë mediale duhet ta respektojnë agjencinë e tyre dhe t’i trajtojnë ato si njerëz dhe qytetare, në vend që t’i shfrytëzojnë përvojat e tyre për shikime dhe përfitime.

 

Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla / K2.0

Ky artikull është prodhuar në bazë të monitorimit të medies, i kryer nga Rrjeti i Raportimit të Diversitetit, me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e Kosovo 2.0 dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian.

Dëshironi të mbështetni gazetarinë tonë? Anëtarësohuni në “HIVE” ose konsideroni një donacion. Mëso si këtu.