Pikëpamje | COVID-19

Me këtë apati, Kosovën e pret dimër vdekjeprurës nga Delta

Nga - 02.09.2021

Pa masat e duhura, pjesa më vdekjeprurëse e pandemisë do të mbërrijë shpejt.

Edhe pse mund të mos duket ashtu, përvoja e Kosovës me pandemi ka qenë shumë më e butë sesa e pjesës tjetër të Evropës dhe ShBA-së. Me popullsinë e saj më të re, e cila mund ta luftojë virusin më lehtë, dhe përkundër kufizimeve të dobëta e të mangta, Kosova është mbajtur mirë, të paktën deri më tash. Përderisa vendet e tjera evropiane kishin mbyllje të ashpra e të gjata dhe kanë parë nivele rekorde të vdekjeve, mbizotërimi relativisht më i ulët i koronavirusit në Kosovë gjatë muajve të verës ka krijuar një ndjenjë të rreme sigurie, duke qetësuar edhe më tej qëndrimin tashmë indiferent të njerëzve ndaj pandemisë.

Apatia ndaj pandemisë rastisi me llojet më pak virulente të COVID-19: lloji origjinal i Wuhanit dhe më pas varianti Alfa i identifikuar së pari në Britani të Madhe. E tash me variantin Delta si lloji dominues në një popullsi me vaksinim të ulët, është e qartë se Kosova nuk do ta ketë lehtë. Një studim javën e kaluar nga The Lancet gjeti se varianti Delta më shumë se dyfishon shanset e shtrimit në spital tek individët e pavaksinuar në krahasim me variantin Alfa, i cili kishte qenë lloji dominues në Kosovë derisa Delta e zëvendësoi atë. Pyetja përfundimtare është: Si do t’i përgjigjet Kosova situatës e cila pa masat e duhura mund të shndërrohet në fazën më vdekjeprurëse të pandemisë?

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSh), pandemia konsiderohet të jetë jashtë kontrollit dhe në rritje nëse shkalla pozitive e testeve ditore është më e madhe se 5%. Gjatë javës së fundit të gushtit, Kosova raportoi një shkallë pozitive shqetësuese prej 13.4% në 20.1%. Këto statistika flasin shumë për keqmenaxhimin e pandemisë nga qeveria, një shpërfillje të plotë të shëndetit publik nga qytetarët dhe një triumf të skepticizmit ndaj vaksinave kundrejt pragmatizmit shkencor. Krahas rritjes së rasteve po vjen edhe rritja e numrit të vdekurve. Mesatarisht 15 kosovarë po vdesin nga koronavirusi çdo ditë.

Presim të shohim një rritje të numrit të vdekjeve gjatë javëve të ardhshme.

Mjerisht, ky është vetëm fillimi. Numri i lartë i rasteve që theu rekorde ditëve të fundit do të shpie në statistika tronditëse të vdekjeve të papara gjatë rrjedhës së pandemisë në Kosovë. Ajo çka kemi mësuar me këtë pandemi është se reagimet për vendosjen e masave janë të vonshme  nëse ato ndërmirren kur numri i rasteve veç është përshkallëzuar. Masat e reja të vendosura në Kosovë janë të vonuara dhe nuk do të jenë në gjendje ta parandalojnë një rritje të ardhshme të numrit të vdekjeve, të cilat presim t’i shohim gjatë javëve të ardhshme.

Qeveria e Kosovës është e vetëdijshme se kjo pandemi godet me valë. Është një dështim i lidershipit që masat nuk u ndërmorrën më herët për t’i paraprirë rritjes së fund-verës. Kufizimet e sapo vendosura janë të mirëseardhura, por efektet e tyre do të jenë të kufizuara nëse nuk mbahen për të paktën tre javë me masa të rrepta për mbajtjen e maskës nëpër ambiente të mbyllura dhe distancimin social. Kosova duhet ta kuptojë se nuk është imune ndaj COVID-19 dhe ligjet e epidemiologjisë vlejnë po aq fuqishëm në Kosovë sa kudo tjetër.

Si shkencëtar, më duket absolutisht i pambrojtshëm fakti se Kosova i paraprin një programi të ngadaltë të vaksinimit. Skepticizmi rreth vaksinës dhe çështjet e furnizimit nuk janë unike për Kosovën. Çfarë e bën Kosovën unike është paaftësia e saj për t’iu përgjigjur proporcionalisht marrjes së ulët të vaksinave dhe edukimit të qytetarëve të saj për distancimin social.

Përballë krizës aktuale, lidershipi i Kosovës duhet t’i ndërmarrë këto masa urgjente: 

Së pari, vendosja e një mbylljeje dy-tre javore për ta shtypur rritjen eksponenciale të pandemisë dhe thyer zinxhirin e transmisionit. Me një përhapje kaq të lartë të virusit, është e papërgjegjshme të vendosësh orë policore vetëm nga ora 22 deri në 5 të mëngjesit kur mbajtja e maskës gjatë ditës dhe distancimi social janë koncepte të panjohura. Mbyllja duhet të ishte shmangur, por tash është shumë vonë.

Së dyti, të decentralizohet programit i vaksinimit për ta përmirësuar qasjen e komunitetit në nivel lokal. Nuk funksionon më një sistem i centralizuar kur Delta po godet vendin. Njerëzit duhet të kenë qasje në vaksinim në komunitetet ku jetojnë.

Së treti, të bëhet rreptësisht e obligueshme që të tregohet certifikata e vaksinimit të plotë për të marrë pjesë në ngjarje argëtuese/zbavitëse, restorante dhe kafene. Atyre që zgjedhin të mos vaksinohen duhet t’u kërkohet të tregojnë një test negativ PCR në 24 orët e fundit para se të marrin pjesë në ngjarje publike fizikisht, përfshirë restorantet dhe qendrat tregtare. Jam i vetëdijshëm se ky sugjerim është i papëlqyeshëm dhe kufizues, por Kosova nuk ka llogari të hyjë në mbyllje të njëpasnjëshme në të ardhmen si rezultat i vendimit të disa qytetarëve për t’u mos u vaksinuar e që pastaj rrezikon komunitetet e tyre. Duhet të veprojmë tani për t’i rritur shanset për më shumë normalitet në të ardhmen.

Mosveprimi dhe zbrapsja do të çojnë në shumë më shumë vdekje që përndryshe mund të parandaloheshin.

Së fundi, luftimi i keqinformimit dhe rritja e besimit në vaksina. Qeveria duhet ta drejtojë një fushatë informimi publik për t’i bindur njerëzit se vaksinat janë të sigurta për të gjitha gratë shtatzëna dhe ato gjidhënëse, ata me alergji ndaj penicilinës dhe ata që ishin infektuar më parë me koronavirus. Ekziston një dezinformatë se vaksinat shkaktojnë sterilitet, por kjo nuk është e vërtetë dhe shkencërisht nuk ka asnjë mekanizëm që lidh vaksinimin me humbjen e fertilitetit. Të dhënat e dala nga Britania e Madhe dëshmojnë vazhdimisht efikasitetin e vaksinës. Një raport i publikuar rishtazi nga Public Health England tregon se vaksinat në përdorim në Britani kanë parandaluar mbi 100,000 vdekje dhe mbi 24 milionë infeksione deri më datën 20 gusht.

Pandemia menaxhohet me masa proporcionale, efektive dhe të matshme, e jo me ndërhyrje kozmetike për ta krijuar perceptimin e menaxhimit. E unë kam drojë se kjo është pikërisht ajo që po ndodh momentalisht. Delta, si një variant me përhapje më të lartë dhe më vdekjeprurës, do ta ndryshojë ekuacionin këtë dimër. Prandaj është detyrë e qeverisë që t’i marrë parasysh rekomandimet e mësipërme që synojnë ta stabilizojnëe situatën.

Sot, mosveprimi dhe hamendja karshi vendosjes së kufizimeve dhe përshpejtimit të fushatës së vaksinimit, do të garantojë nesër nevojën për mbyllje të ardhshme. Mjerisht, këto mbyllje do të duhet të jenë jashtëzakonisht kufizuese dhe shumë më agresive në mënyrë që ta shtypin rritjen e rasteve dhe vdekjet e larta që do të të ndodhin në një Kosovë pak të vaksinuar dhe që lëngon nga Delta. Jo gjithçka është tragjike, por mosveprimi dhe zbrapsja do të çojnë në shumë më shumë vdekje që përndryshe mund të parandaloheshin.

Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla / K2.0

  • 03 Sep 2021 - 21:51 | Agron Ramadani:

    Përmbledhje standarde e asaj që tani më dihet botërisht, asgjë e re. Në Kosovë nuk kanë nevojë për ligjërime sepse kanë shkencëtarë të mjaftueshën në këtë lëmi. Kosova ka nevojë për ndihmë financiare në menyrë që të asistohet me ndihma konkrete bizneseve në pandemi. Shteti i varfër është gjithmonë në mes të ketyre dilemave jetike. Të mbyllemi dhe te vdesim nga uria apo te hapemi dhe te vdesim nga virusi. Në cilën do variant masat parandamuese janë të donosdoshme deri në fund kur OBSH shpall fundin e pandemisē, edhe nëse merr vite.

KOMENTO