Në thelb | Shqipëria

Me mendje në Kabul

Nga - 31.08.2021

Refugjatët e parë afganë arrijnë në Shqipëri.

Lina kishte dalë nga shtëpia e saj në paraditën e 25 gushtit, disa ditë pasi talebanët morën pushtetin në Kabul. Për më shumë se 24 orë kishte qëndruar në aeroportin e Kabulit mes një rrëmuje dhe frike për veten, foshnjën dhe bashkëshortin e saj.

“Ishte një kaos i vërtetë, çdo njeri dëshironte që të ikte nga Afganistani, gjithçka po ndodhte shumë shpejtë dhe në mënyrë të rrëmujshme”, tregon ajo. “Të gjithë donin të iknin nga ai ferr, madje edhe ata që nuk kishin dokumentacionet e rregullta dhe vizat, pasi nëse nuk ia dilnin do të mbetnin përgjithmonë aty”.

Tani e gjendur në Shqipëri, 24 vjeçarja që u identifikua si Lina dhe që nuk dha një mbiemër, në krahë mbante foshnjën 9 javëshe. Ajo kishte punuar në organizatën ndërkombëtare për mbrojtjen e grave “Women for Women International” në degën e Kabulit. 

“Kisha ndërtuar gjithçka atje, jetën time, punën, familjen dhe të ardhmen, por të gjitha u rrënuan brenda pak orësh” tregon ajo teksa i mbushen sytë me lot.

Megjithëse ajo arriti me avionin e parë që ateroi në Shqipëri, familja e saj mbeti prapa në qytetin e uzurpuar nga talebanët. Lina është e frikësuar për sigurinë e tyre.

Më 15 gusht, talebanët pretenduan fitoren pasi morën në kontroll kryeqytetin afgan, Kabul. Vetëm dy javë para se të përmbushej tërheqja e trupave ushtarake të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), e paralajmëruar nga presidenti, Joe Biden, talebanët rimorën kontrollin e qyteteve më të mëdha në Afganistan duke e kurorëzuar kthimin e tyre me rënien e Kabulit.

Talebanët, lëvizje politiko-religjioze islamiste dhe organizatë ushtarake, e kishin udhëhequr Afganistanin gjatë të 90-tave deri kur në vitin 2001 trupat amerikane shkuan për herë të parë në Afganistan dhe rrëzuan qeverinë talebane që strehonte al-Kaedën, grupi terrorist përgjegjës për sulmet e 11 shtatorit 2001.

Rikthimi i kontrollit taleban në Afganistan nxiti një valë të re të refugjatëve. Brenda orësh, aeroporti i Kabulit u mbush me afganë që synonin të iknin nga vendi i tyre. Shumë nga ta i frikësohen hakmarrjes talebane ndaj bashkëpunimit të tyre me ShBA-të, organizatat ndërkombëtare, ose me qeverinë tashmë të rrëzuar afgane. Përveç kësaj, afganët kanë frikë se në këto rrethana mund të rivihet në zbatim ligji islamik. Gjatë qeverisjes së tyre të mëparshme, talebanët imponuan interpretimin e tyre të ligjit islamik përmes së cilit gratë dhe vajzat nuk mund të shkonin në shkollë apo të punonin, duhej të vishnin burka dhe të dilnin jashtë shtëpisë vetëm nën përcjelljen e një burri; ndërkaq hajdutët dënoheshin me prerje gjymtyrësh, ndër tjera.

Nga frika e persekutimeve hakmarrëse të talebanëve, të rritur e fëmijë papritur gjetën veten në një botë të re. Foto: Isa Myzyraj.

Evakuimi i personelit të vet dhe afganëve të rrezikuar filloi shumë shpejt nga të gjitha shtetet deri atëherë të pranishme në Kabul. Deri tash janë evakuuar mbi 100,000 persona. Ndërkaq Shqipëria është një nga tri vendet e Ballkanit që pranoi kërkesën e ShBA-së që të strehonte një numër të pacaktuar shtetasish afganë në një periudhë kohore të afatshkurtër. Grupi i parë i refugjatëve arriti rreth ores tre të mëngjesit të 27 gushtit.

“U shkatërrua gjithçka për 20 minuta…”

Rashed Amad Azizim nuk e kishte menduar ndonjëherë që do të përfundonte si refugjat në vendin e vogël të Evropës Juglindore. Azizim as kishte dëgjuar ndonjëherë për Shqipërinë as dinte gjë për të. Por, për të dhe afganët e tjerë që kanë arritur ― dhe vazhdojne të arrijnë ― Shqipëria do të jetë streha e tyre larg të qenit cak i presekutimeve hakmarrëse të talebanëve.

Azizim, 30 vjeçar, deri para pak javësh punonte për një kompani indiane në kryeqytetin afgan. Por, rutina e tij e përditshme u ndërpre teksa talebanët po e vendosnin Kabulin nën kontrollin e tyre.

“U shkatërrua gjithçka për 20 minuta, gjithçka që kisha ndërtuar”, thotë Azizim nga provinca e Parwanit, i veshur tërësisht me të bardha, ndërsa ndryshe nga shumë të tjerë thotë se nuk e ka problem që t’i publikohen fotografitë e tij dhe identiteti i plotë.

Ndërsa vetë ka arritur të largohet nga Kabuli, familja e tij mbeti prapa. 

“Unë kam kontaktuar me ta, por jam shumë i frikësuar për sigurinë e tyre, pasi askush nuk e di si mund të sillen talibanët nga ora në orë”, thotë Azizi teksa tymos një cigare pak metra larg disa policëve që ruajnë 24 orë godinat në Tiranë ku po qëndrojnë refugjatët e sapo ardhur. “Në bazë të asaj që po ndodh tani, unë gjykoj se situata është e tmerruese atje”. 

Me 27 gusht, në një njoftim për mediat në rrjetet sociale, Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë lajmëroi se në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza” në Rinas, në pjesën ushtarake të tij do të ulej një avion i nisur nga Kabuli, që në bord kishte 121 shtetas afganë. 

Shqipëria pritet të strehojë deri në 4000 afganë. Foto: Isa Myzyraj.

Gjatë dy ditëve të ardhshme, zbarkuan edhe katër avionë të tjerë që e çojnë në 457 numrin e qytetarëve afganë të vendosur në Shqipëri deri të dielën. Pasi u regjistruan, disa prej tyre u vendosën në struktura hotelerie në Durrës, të tjerët në Tiranë.

Më pak se 24 orë pasi kanë lënë prapa aeroportin kaotik “Hamid Karzai” në Kabul, disa fëmijë nga Afganistani morën lodrat e dhuruara dhe nisën të luanin në oborrin e godinave 11 dhe 12 në “Qytet Studenti” në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë.

Rreth 5480 kilometra nga shtëpitë e tyre, ata papritur e kanë gjetur veten në një kontinent tjetër, në një shtet tjetër, në një botë të re, dhe në një hapësirë të rrethuar me shiritë të policisë shqiptare, ndërsa me të vetmit që mund të flasin janë punonjësit shtetërorë shqiptarë dhe vullnetarët që po ndihmojnë në operacionin humanitar që ka marrë përsipër Shqipëria. Edhe pse larg shtëpive të tyre, ata tanimë janë të sigurtë.

Pak metra nga të vegjlit e tyre, ulur në disa stola me ngjyra në oborrin e konvikteve të studentëve, prindërit nuk janë aq të lumtur e të gëzuar, pasi kanë përjetuar para syve të tyre pamjet nga aeroporti i Kabulit që kanë shokuar botën dhe që nisën në mesin e gushtit.

Pasiguri dhe frikë

Jashtë rrethimit të konvikteve, një refugjat tjetër, Ahmed së bashku me dy gra dhe një tjetër djalë, sapo kishin qenë në stacionin e policisë që ndodhet rreth 100 metra larg godinës ku po qëndrojnë. Rrugës për në kthim, ai thotë se është i shokuar me atë që po ndodh në vendin e tij.

“Historia ime është një histori lufte, e dhunshme dhe e frikshme”, tregon Ahmed, i cili thotë se ka punuar si pedagog universiteti. “E ardhmja? Cila e ardhme? Neve na është shkatërruar e tashmja dhe e ardhmja”.  

Dhe pastaj zhduket brenda rrethimit ku media nuk mund të hyjë. 

Megjithëse 417 afganë tashmë janë strehuar në Shqipëri, është e paqartë ende se sa qytetarë afganë në total do të strehohen aty. Kryeministri i vendit, Edi Rama në ditët e para të situatës tha se Shqipëria do të strehojë disa qindra afganë, ndërsa më vonë në një intervistë për një media italiane ai tha se Shqipëria do të pranonte deri në 3000 persona, ndërsa ky numër u rrit në një tjetër intervistë të kryeministrit Rama për mediumin “CNN” ku deklaroi se do të strehoheshin deri në 4000 afganë. Ndërkaq, në një intervistë për BBC, kryeministri Rama e theksoi se “shqiptarët kanë qenë dikur afganë”, duke nënkuptuar migrimin masiv të mijëra qytetarëve shqiptarë pas shembjes së regjimit komunist në vitin 1990.

Të gjithë refugjatët afganë që kanë ardhur në Shqipëri, po ruhen nga policia shqiptare 24 orë në ditë. Foto: Isa Myzyraj

Të gjithë refugjatët afganë që kanë ardhur në Tiranë dhe në Durrës, po ruhen vazhdimisht nga policia shqiptare, ndërsa zona ështe e rrethuar me shiritë të policisë, ku qytetarët nuk lejohen të kalojnë. Afganët që duan të blejnë diçka në markete, që duan të kryejnë vizita mjekësore, apo edhe të shkojnë në stacionin e policisë, shoqërohen nga të paktën një person që është punonjës i shërbimit shtetëror shqiptar, ndërsa në asnjë rast nuk lejohet të qarkullojnë të vetëm.

Autoritetet qeveritare në Shqipëri, njoftuan në fillim se afganët do të strehoheshin përkohësisht në Shqipëri, derisa të bëhen gati dokumentacionet dhe vizat për Shtetet e Bashkuara ku do të vendosen përfundimisht.

Por, kjo gjë përsëri ndryshoi. Rama, tha se afganët mund të qëndrojnë në Shqipëri përgjithmonë nëse ata do të duan të qëndrojnë.

Pavarësisht kaosit dhe terrorit të talibanëve, Azizim nuk ka humbur shpresat se një ditë kombi i tij do të ringrihet.

“Unë shpresoj që dikush do të mund ta menaxhojë të ardhmen e afganëve, sepse ne jemi një popull i zgjuar, punojmë shumë”, thotë Azizim. Ai shpreson se dikush do t’i bëjë ballë talibanëve që gratë të shkojnë në spitale, e në shkolla, të punojnë dhe fëmijët e tyre t’i fuqizojnë. 

“Sot jemi të gjithë të trishtuar, por realisht shpresoj se gjërat e bukura do të rikthehen në Afganistan”, thotë ai, teksa nxjerr telefonin e tij nga xhepi, dhe tregon i buzëqeshur provincën e Parwanit ku ai ka lindur.

Lina e ndien veten me fat që ka rritur që të arratiset.

“Gratë dhe vajzat nuk mund të dalin nga shtëpitë e tyre, është e tmerrshme ta mendosh se ato janë izoluar, dhe më keq pritet të bëhet”, thotë ajo. Megjithatë, ajo vazhdon të shpresojë që një ditë do të mund të rikthehet, të paktën të takojë familjarët e saj.

Imazhi i ballinës: Isa Myzyraj.

 

Ky artikull është prodhuar me mbështetjen financiare të “Balkan Trust for Democracy”, projekt i Fondit Gjerman Marshall të Shteteve të Bashkuara dhe Ambasadës Mbretërore Norvegjeze në Beograd. Opinionet e shprehura në këtë artikull nuk paraqesin domosdoshmërisht ato të Ambasadës Mbretërore Norvegjeze në Beograd, Balkan Trust for Democracy, Fondit Gjerman Marshall të Shteteve të Bashkuara, apo partnerëve.