Lirie Sadrija dhe Gentiana Hasani janë të bindura që nëse do të kishte më pak keqkuptime dhe paragjykime nga punëdhënësit kosovarë, personat me aftësi të kufizuara nuk do të ishin skajmërisht të përjashtuar nga tregu i punës.
Liria dhe Gentiana janë me aftësi të kufizuar fizike, dhe dinë gjithçka për barrierat me të cilat përballen personat me aftësi të kufizuara në gjetjen e një pune. Ndonëse në masë dërrmuese të papunë, edhe numri i vogël i atyre që kanë vend pune, përballen me mungesën e infrastrukturës adekuate dhe sigurimin kushteve për lëvizje të pavarur, çka ua vështirëson çfarëdo pjesëmarrje si në treg të punës si në sferë publike.
Personat me aftësi të kufizuara dhe aktivistët e të drejtave të njeriut vazhdimisht theksojnë faktin se personat me aftësi të kufizuara janë të përjashtuar nga tregu i punës, ndonëse ana ligjore do të duhej ta siguronte të kundërtën. Sipas Ligjit për Aftësimin Profesional dhe Punësimin e Personave të kufizuara, çdo punëdhënës të punësojë nga një person me aftësi të kufizuara në çdo pesëdhjetë punonjës.
Organizata Botërore e Shëndetësisë vlerëson se deri në 15% e popullsisë botërore është me aftësi të kufizuara. Nëse kjo përqindje vlen për Kosovën, do të ishin 200,000 apo më shumë persona me aftësi të kufizuara në vend.
Liria dhe Gentiana rrëfejnë për rritjen e tyre me aftësi të kufizuar, përvojën në punë, dhe këmbëngulin që Kosova ende dështon t’i njohë zotësitë dhe mundësitë e personave me aftësi në kufizuar për të bërë gjëra të mëdha në punët e tyre.