Pikëpamje | Sindikatat

Me qeverinë a me sindikatën?

Nga - 16.09.2022

Jo grevistët, por qeveria është përfundimisht përgjegjëse për cilësinë në arsim.

Nuk më kujtohet në detaje shtatori i vitit 2005 kur fillova klasën e pestë në shkollën fillore “Tetë Marsi” në Pejë, por e mbaj mend që kisha pak frikë. Ishte moment me rëndësi –– kishim mbaruar një cikël të shkollimit dhe mësuesja po ua lëshonte vendin arsimtarëve të lëndëve të ndryshme.

Arsimtari im i gjuhës shqipe qëlloi të jetë Rrahman Jasharaj.

Nuk ma merrte mendja atëherë që arsimtari Rrahman do të bëhej figurë me rëndësi, jo veç për mua si nxënës i tij, por edhe për tërë shoqërinë kosovare, si njeri i përfolur (edhe i sharë) gjithandej për shkak të rolit që do ta merrte më pas.

Rrahman Jasharaj, siç dihet tashmë, është kryetar i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës e Kulturës (SBAShK). Aktualisht, ai po e udhëheq këtë sindikatë në një grevë për punëtorët e arsimit që ka nxitur një përplasje të ashpër me njërën prej qeverive me mbështetjen më të madhe që prej shpalljes së pavarësisë në Kosovë.

Para se ta ndërmerrte këtë rrugëtim, Rrahmani ka pasur ndikim të madh në formimin tim, jo vetëm arsimor. Ai ma ka ngjitur dashurinë për librin dhe gjuhën. Thënë troç: përgjatë shkollimit tim kam njohur shumë mësimdhënës të niveleve të ndryshme –– të shkollës fillore, të mesme, fakultetit në Prishtinë e atij në Mbretërinë e Bashkuar dhe Rrahmanin e rendis në mesin e më të mirëve.

Atë e karakterizonte një energji e madhe. Ecte shpejt e fliste me pasion; sytë gjithnjë hapur deri në fund e duart, që i lëvizte pa ndalë teksa shpjegonte mësimet, shpesh duke fshirë djersët. Sa isha në shkollë, ai ishte i përfshirë në sindikatën e arsimit në degën në Pejë. Nuk jam çuditur aspak kur u bë kryetar i sindikatës në nivel të Kosovës në vitin 2014.

Kur e shihnim rrugës jashtë mësimit, rrallë na përshëndeste. Më vonë na pati treguar në klasë që kur ecte rrugës me nxitim, zakonisht ishte duke shkuar në zyrën e një gazete ku mbante një punë tjetër me honorar sa për ta ndihmuar sadopak financiarisht.

Grevë e re, përplasje të reja                                         

Më 25 gusht 2022, Bashkimi i Sindikatave të Pavarura informoi publikun për nisjen e grevës së përgjithshme për rritjen e pagave. Me në krye Jasharajn, në këtë grevë hyri edhe SBAShK, si masë përshkallëzuese në kërkim të realizimit të kësaj kërkese plotësisht legjitime, duke marrë parasysh mos-rritjen e pagave për 12 vite për sektorin e arsimit dhe rëndesën në koston e jetesës në Kosovë. 

Si njeriu me të cilin u personifikua kjo grevë, Rrahmani, si individ, përtej punës së tij, u bë cak i sulmeve të ndryshme, që kryesisht i cilësuan qëllimet e tij si të ngushta politike e jo si përpjekje për përmirësim të kushteve të punëtorëve. Sulmet po i drejtohen prej studiove televizive përplot me etiketime nënçmuese nga mbështetës të partisë në pushtet, te komentet e rënda nëpër rrjetet sociale nën një fushatë të ashpër poshtërimi e deri te kanosja nga një qytetar më 5 shtator, gjatë vizitës së tij në shkollën “Ismail Qemali” në Prishtinë.

Edhe anëtarë të rëndësishëm të Lëvizjes Vetëvendosje! (LVV) kanë bërë deklarata publike kundër kryetarit të sindikatës së arsimit. Ndër ta, Elvis Hoxha, bëri një postim në Facebook ku tha se Jasharaj “po e përdor grevën e mësuesve pikërisht kur duhet të forcohet sovranitetit në veri” e shtoi se “e dhimbshme është pjesëmarrja e mësuesve në këtë grevë që ka për shef anëtarin e partisë serbe”, duke aluduar tutje se agjenda e Jasharajt lidhet me organizim të bandave në veri të Kosovës. Më pas Hoxha kërkoi falje për postimin, paçka se lajmi veç kishte marrë dhenë.

Edhe kryeministri Albin Kurti, në një konferencë për media pas takimit me Jasharajn më 11 shtator, u përpoq të arsyetohet për mungesën e një marrëveshje me sindikatën duke aluduar që sindikata ka qëllime të tjera, jashtë kërkesave të parashtruara publikisht.

Kërkesa kryesore e sindikatës është që qeveria të shtojë 100 euro në muaj mbi pagën e çdo mësimdhënësi deri në hyrjen në fuqi të Ligjit të Pagave. Ndërkohë, në fillim të këtij muaji, qeveria prezantoi një pako ndihmëse për zyrtarët publikë dhe punëtorët e ndërmarrjeve publike “me qëllim të zbutjes së inflacionit”, ku është paraparë ndarja e 50 eurove në muaj mbi pagë për zyrtarët publikë.

Sulmet në personin e Jasharajt nxjerrin në pah një element tjetër problematik –– LVV paraqitet si organizatë politike e majtë, ideologji që tradicionalisht mbron sindikatat dhe thërret për më shumë të drejta për punëtorët.

Në fakt, përgjatë viteve në opozitë, LVV ka mbështetur sindikatat, përfshirë atë të arsimit, në kërkesat e tyre. Si opozitar, Kurti e ka takuar Jasharajn më shumë se një herë dhe ka premtuar mbështetje për ta. Me ndërrimin e pozicionit, LVV-ja ka ndryshuar qasjen ndaj sindikatës, duke vënë në pikëpyetje edhe përkushtimin ndaj parimeve të së majtës, të cilat po i shohim gjithnjë e më pak në praktikë edhe në fusha të tjera të qeverisjes.

Njëra prej akuzave nëpër rrjete sociale e deklarata që iu bë ishte se Rrahmani qenka pasuruar, e paska pagën e madhe e të tjera si këto që aludojnë në pasurimin e tij mbi supet e punës sindikale. E përqeshën edhe për dhëmbët, thua ti na qenka bërë standard minimal në Kosovë që secili person ta ketë me detyrim gojën plot dhëmbë vezullues.

Rrahmanin nuk e njoh për të pasur. Në njërin prej udhëtimeve të mia si student për në Prishtinë pak vite më parë, po prisja të nisej autobusi nga stacioni në Pejë. Mëngjes i hershëm në ditë pune. Kur autobusi nisi të lëvizte ngadalë, i fundit në të u ngjit Rrahmani.

U ul afër meje dhe biseda rrodhi vetë. Po më tregonte se si kishte filluar punën në krye të sindikatës dhe i duhej të shkonte çdo ditë në Prishtinë. Kur erdhi koha për të paguar udhëtimin, po ia shpjegonte konduktorit, gjithnjë me mënyrën e tij plot pasion, që kishte bërë marrëveshje me kompaninë që udhëtimet e tij të përditshme për në Prishtinë të kushtonin më lirë se çmimi i rregullt.

Kush duhet të përgjigjet?

Teksa ka me bollëk kritikë që drejtojnë gishtin kah grevistët duke kërkuar prej tyre cilësi në arsim, kritikat drejt Ministrisë së Arsimit, të udhëhequr nga LVV duhen kërkuar me mikroskop.

Kur bëhet fjalë për qeverinë dhe grevistët duhen shtruar një varg pyetjesh:

Për faktin që pagat e mësimdhënësvenuk janë rritur qe 12 vite, kush është përgjegjëse, qeveritë e njëpasnjëshme apo sindikata? 

Për faktin që Ligji i Pagave s’është miratuar ende, i kanë fajet qeveritë e njëpasnjëshme apo sindikata? 

Për mungesën e reformave të nevojshme në arsim, si dhe mungesën e një vizioni të artikuluar për këtë sektor, duhet pyetur qeveritë e njëpasnjëshme apo sindikata?

Projektligji për Paga nuk ka arritur të hyjë asnjëherë në zbatim për shkak që pas miratimit të tij në shkurt të vitit 2019, Avokati i Popullit e kishte dërguar në Gjykatë Kushtetuese për vlerësimin e përputhshmërisë së tij me Kushtetutën. Në qershor të vitit 2020, Gjykata Kushtetuese kishte konstatuar një numër shkeljesh në të, duke bërë që drafti pastaj të zhagitet kryesisht për shkak të ndërrimeve të shpeshta të qeverive përgjatë kësaj kohe. Më pas, Qeveria Kurti nuk e kishte dërguar projektligjin e rishikuar në Kuvend në mars të këtij viti, përkundër premtimeve. Dje, më 15 shtator, qeveria ka nxjerrë projektligjin për dëgjim publik, që shënon fillimin e një procesi të ndërlikuar e që mund ta shtyjë hyrjen e ligjit në fuqi deri vitin e ardhshëm.

Kjo qeveri ka ardhur në pushtet me një platformë të titulluar “drejtësi dhe punësim”. Ndërkohë që mandati i saj po ecën shpejt, reformat në arsim dhe aftësim profesional që do të duhej të ishin të ndërlidhura ngushtë edhe me politikat qeveritare për punësimin, nuk duken në horizont.

Edhe pse arsimi konsiderohet një prej sektorëve më të rëndësishëm dhe me shumë probleme që janë vështirë të zgjidhshme, diskutimet për arsimin zakonisht bëhen vetëm para zgjedhjeve –– për t’ua mbledhë votat mësimdhënësve, si një prej grupeve më të mëdha shoqërore –– ose kur bëhet fjalë për veprime sindikale.

Në programin për mandatin 2021-2025 qeveria zotohet që të kujdeset edhe për mësimdhënësit, përmes mbështetjes për zhvillim profesional dhe banim me kosto të përballueshme për ta, ndër të tjera. Aty përmendet edhe sigurimi i një modeli të vlerësimit dhe shpërblimit për performancën e mësimdhënësve. Testimi i mësimdhënësve ka qenë një prej propozimeve të qeverisë në këtë drejtim, gjë që është refuzuar nga sindikata.

Mësimdhënësit, bashkë me sistemin arsimor, janë lënë prapa përgjatë shumë viteve në Kosovë, prandaj mund të imagjinohet çfarë rezultati që do të dilte nga një testim individual. Kështu, testimi i mësimdhënësve lexohet më tepër si formë presioni ndaj tyre dhe tentim për t’i shtypur zërat kundërshtues, që vijnë nga sindikata drejt qeverisë. 

Prandaj, nuk është rastësi që për arsimin në opinionin publik kryesisht diskutohet vetëm kohë pas kohe dhe diskutimet zakonisht nuk ndizen nga ndonjë iniciativë serioze e Ministrisë së Arsimit për të ndërhyrë në këtë sektor me qëllim përmirësimin e gjendjes.  

Testi PISA, ku zakonisht nxënësit kosovarë dalin keq, përdoret gjithashtu si argument kundër mësimdhënësve, rrjedhimisht sindikatës, duke thënë që kërkesat e tyre për paga më të larta nuk përkojnë me rezultatet në mësimdhënie. Sigurimi i cilësisë në arsim nuk është përgjegjësi e sindikatës, por e qeverisë, gjegjësisht ministrisë së arsimit, që është e thirrur dhe e ka detyrë të ndërmarrë reforma për ta arritur cilësinë.

Edhe sindikata duhet të kuptojë nevojën për reforma në arsim dhe të tregohet bashkëpunuese sidomos në raport me përmirësimin e nivelit të mësimdhënies, por iniciativa dhe veprimet konkrete duhet të vijnë nga qeveria, ashtu edhe siç edhe është premtuar qindra herë përgjatë viteve. Kështu, diskutimi për cilësinë në arsim në vend se të bëhet në formë të argumenteve kundërshtuese ndaj sindikatës –– kur kjo e fundit  shpreh kërkesat me greva ose forma tjera –– duhet të bëhet me qëllim të përmirësimit të sektorit në përgjithësi.

Në këtë pikë, Jasharaj i shërben për mrekulli shoqërisë kosovare në mënyrë indirekte si promovues i madh i diskutimeve për arsimin, më i madh edhe se vetë qeveria. Komunikimi i rregullt me grupet sindikale është më e pakta që qeveria mund të bëjë e kompromisi për kërkesat e tyre është i domosdoshëm.

Përtej diskutimeve ditore për të drejtën e sindikatës apo për pozicionimin e qeverisë lidhur me grevën, shoqëria kosovare do të duhej të tregonte pjekuri më të madhe në zgjedhjen për t’u rreshtuar me qeverinë apo sindikatën. Sepse përtej diskutimit për pagat e arsimtarëve, kjo është mbi të gjitha përplasje e forcave që në thelb ka diskutimin për të drejtat e punëtorëve, që shtrihen apo të paktën do të duhej të shtriheshin përtej gjendjes në një sektor të caktuar apo jetëgjatësisë së një qeverie.

Shoqëria jonë ka nevojë urgjente për diskutim më përmbajtësor përtej argumenteve sipërfaqësore, me përmbajtje mbështetur në teori lidhur me problemet me të cilat përballet, duke përfshirë këtu pozicionin e mësimdhënësve në veçanti dhe trajtimin e problemit të arsimit në përgjithësi.

Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla / K2.0

Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi vetëm e K2.0. Pikëpamjet e shprehura në të janë të autorit/es dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e K2.0.

A jeni kurreshtarë ta dini se si financohet gazetaria që prodhojmë? Klikoni këtu për të mësuar më shumë.

  • 25 Sep 2022 - 21:23 | Sadri:

    Artikull që rrallë lexohen ne shtypin Kosovar. Kisha këshillu lexusit të lexojnë me vëmendje të shtuar,vertet meriton autori lëvdata.

KOMENTO