Në shkurt, Sabina Tanović gjeti një grup të disa burrave të rinj në një stacion të autobusëve në Plevël, qytetin e vogël në veri të Malit të Zi. Pasi iu afrua, ajo zbuloi se ishin refugjatë nga Siria, të cilët kishin udhëtuar nëpër Turqi, Greqi dhe Shqipëri, gjatë rrugës për në Bosnje dhe Hercegovinë (BiH), dhe më tej me shpresë për të arritur në Evropën perëndimore.
Tanović i mori ata për të pushuar në shtëpinë ku takohet organizata e saj, grupi feminist nga Plevla, Bona Fide. “Prej atëherë e deri në fund të prillit, 389 persona janë strehuar përkohësisht në shtëpinë tonë”, tha Tanović për K2.0. “Ne i japim ushqim, tesha, këpuca, një vend për të pushuar, trajtim mjekësor… çfarëdo që kemi mundësi”.
Ajo shton se deri më tani grupi ka punuar në mënyrë të pavarur nga shteti dhe organizatat e tjera ndërkombëtare të cilat janë të përkushtuara për t’i ndihmuar emigrantët dhe refugjatët në vend. Megjithatë, pas katër muajve të punës vullnetare, grupi tani po kërkon donacione për të ofruar gjëra bazike si produktet ushqimore. Tanović pretendon se numri i emigrantëve dhe refugjatëve në Mal të Zi është duke u rritur, dhe se ajo bashkë me aktivistët e tjerë po presin një verë të gjatë dhe të vështirë.
Pretendimet e Tanović mbështeten nga të dhënat për numrin e njerëzve që kanë kërkuar azil në Maqedoni. Sipas shifrave të siguruara nga K2.0, 458 kërkesa për azil u dorëzuan në tre muajt e parë të vitit 2018, më shumë se totali i vitit 2016 dhe më shumë se gjysma e 849 kërkesave të dorëzuara vitin e kaluar.
Me gjasë shumë pak prej atyre që kanë kërkuar azil do të mbesin në Mal të Zi, pjesërisht për shkak të faktit se ky shtet rrallëherë ofron mbrojtje për ta. Në vitin 2017, prej mbi 800 aplikimeve, vetëm shtatë njerëz morrën statusin e mbrojtjes dhe vetëm një morri statusin e refugjatit. Sivjet, deri më tani asnjë kërkesë nuk ka marrë përgjigje pozitive.
Gjithashtu, ata të cilët aplikojnë rrallëherë i nënshtrohen procedurës së plotë, pjesërisht për shkak të mungesës së mundësive për t’i ikur varfërisë e cila mbretëron tek ky komunitet, si dhe kushteve të vështira në të cilat jetojnë deri sa janë duke pritur përgjigje.
Milanka Baković nga Ministria e Punëve të Brendshme e Malit të Zi tha për K2.0 se Mali i Zi përballet me një sfidë shumë të madhe sa i përket akomodimit të njerëzve të cilët kanë hyrë në këtë shtet prej gushtit të vitit të kaluar.
Kushtet për akomodimin e azilkërkuesve urdhërohen nga konventat ndërkombëtare, por reagimi ndaj rrethanave të tilla ka dalë të jetë sfidë e vështirë për Malin e Zi, pasi gjendet në një situatë ku fluksi i refugjatëve i ka tejkaluar drastikisht mundësitë e shtetit për t’i akomoduar në mënyrë adekuate njerëzit të cilët kanë nevojë për mbështetje. Sipas burimeve nga Ministria, planifikohet të themelohet një kamp për pritje të refugjatëve afër kufirit me Shqipërinë.
Kalimi nëpër Ballkan
Një prej njerëzve të cilët po akomodohen aktualisht në Mal të Zi është Aliu, i cili u largua nga Siria para tre muajve, bashkë me bashkëshorten dhe tre fëmijët të tyre të mitur. Tani ata banojnë në Shpuzë, një qendër e azilit në Mal të Zi e cila u themelua në vitin 2015.
Aliu tregoi për K2.0 se si ai dhe familja e tij e hulumtuan rrugën të cilën do ta kalonin para se ta nisnin këtë udhëtim të rrezikshëm nëpër Ballkan. Gjatë udhëtimit të tyre drejt Malit të Zi, ata kaluan nëpër katër shtete. Tani janë të përkushtuar për ta vazhduar udhëtimin e tyre drejt Gjermanisë, ku kanë të afërm familjarë.
“Ne zakonisht e kalojmë kufirin me taksi”, shpjegon Aliu. “Pastaj ecim. Kur hymë në një shtet tjetër, shpeshherë e thërrasim Kryqin e Kuq apo dikë tjetër për të na ndihmuar më tej, në mënyrë që të arrijmë në një vend ku mund të qëndrojmë për disa ditë… Kemi frikë nga rreziqet e rrugës, por jemi optimistë se do ta arrijmë synimin tonë, me ndihmë nga Zoti”, thotë ai.
Aliu dhe familja e tij udhëtuan nga Greqia përmes Shqipërisë, siç kanë bërë shumë të tjerë para tij. Më pas, disa prej tyre trafikohen përtej kufirit me kombi busa. Emigrantët thanë për K2.0 se çmimi për një shërbim të tillë është rreth 250 euro.
Tjerët marrin rrugë nëpërmjet peizazheve malore dhe rrugëve të vështira për ta kaluar kufirin, para se të zbresin në Mal të Zi për ta gjetur rrugën që shkon drejt qytezës së Tuzit. Në Tuz është një xhami në të cilën këta udhëtarë shpeshherë e kalojnë natën. Disa prej tyre përpiqen të vazhdojnë dhe ta kalojnë kufirin për të dalë në Bosnje dhe Hercegovinë, duke iu shmangur regjistrimit nga shteti.
Nëse kapen nga policia gjatë këtij procesi, emigrantët dhe refugjatët mund të kërkojnë azil në përputhje me ligjin dhe shteti malazias, si çdo shtet tjetër, obligohet t’i sigurojë kushte për qëndrim të sigurt deri sa të merren vendimet përfundimtare për kërkesat e tyre përkatëse.
Dejan Andrić, kreu i Seksionit për Persona të Huaj, Viza dhe Kundërshtim të Emigrimit të Jashtëligjshëm në Policinë Kufitare, beson se policia malaziase ka arritur t’i regjistrojë të gjithë ata të cilët kanë hyrë në shtetin e tyre. “Ata të cilët janë regjistruar janë kryesisht azilkërkues në territorin malazias”, tha Andrić për K2.0. “Qëndrojnë këtu për rreth dy ditë, dorëzojnë kërkesë azili, marrin dokumenta të identifikimit dhe pastaj mund të lëvizin lirshëm brenda vendit”.
Sidoqoftë, ekspertët konsiderojnë se të pakta janë gjasat që të gjithë njerëzit të cilët kanë kaluar në Mal të Zi të jenë regjistruar deri më tani. Kjo do të thotë se është e vështirë të vlerësohet numri i saktë i refugjatëve dhe emigrantëve në Mal të Zi. Dega malaziase e Agjencisë së Refugjatëve të OKB-së (UNHCR) shpjegoi për K2.0 se edhe ata mbështeten në të dhënat zyrtare, por “duke i patur parasysh trendet e migrimit në rajon, pritet se një numër i caktuar i personave kanë kaluar përmes Malit të Zi pa u regjistruar fare”.
Të ngecur ndërmjet shteteve
Z. vjen nga Lindja e Mesme. Ai e nisi udhëtimin e tij para pesë vitesh. E kaloi një kohë të gjatë në Greqi, por pastaj vendosi të kthehet drejt Evropës veriore. Tani Z. jeton në Qendrën e Azilit në Shpuzë. Kjo qendër mund t’i strehojë rreth 80 persona – por është duke u përballur me shumë vështirësi për t’i strehuar të gjithë personar të cilët po kërkojnë azil aktualisht.
Z. është munduar të hyjë në BiH dhe në Kroaci nga Mali i Zi, por është parandaluar nga policia. Këto parandalime, të kryera nga rojet kufitare, të cilat ua mohojnë të drejtën për t’i shprehur rastet e tyre individuale apo për ta kundërshtuar dëbimin e tyre, janë regjistruar në gjithë Ballkanin.
Sipas Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut, secili person ka të drejtë të kërkojë azil në shtete tjera. Në përputhje me Deklaratën, shtetet zhvillojnë instrumente për të ofruar azil, ku procedurat dhe përcaktimet e statuteve të refugjatëve mbesin në duar të atyre shteteve.
Megjithatë, marrëveshjet për ripranim të cilat nënshkruhen ndërmjet shteteve fqinje, ofrojnë mundësi për t’i kthyer njerëzit nga një vend në tjetrin. Sipas këtyre marrëveshjeve, secili shtet është i obliguar t’i regjistrojë të gjithë azilkërkuesit dhe tu lëshojë dokumente në bazë të së cilave ata persona mund të kthehen nëse kapen duke kaluar kufirin.
Megjithatë, Dejan Andrić tha për K2.0 se shumë njerëz të cilët arrijnë në Mal të Zi nga Shqipëria, nuk kanë ndonjë dëshmi për qëndrimin e tyre në Shqipëri. “Në disa raste kemi dëshmi, por kryesisht nuk gjejmë asgjë dhe pastaj nuk mund të dorëzojmë kërkesa për t’i kthyer këta njerëz në Shqipëri”, tha ai. “Edhe në ato raste në të cilat kishim dëshmi për kohën që ata kanë kaluar në Shqipëri, zyrtarët shqiptarë nuk kanë reaguar pozitivisht ndaj kërkesave tona”.
Shumë prej atyre të cilët parandalohen gjatë kalimit të kufirit për në BiH përfundojnë në Shpuzë, por shpeshherë në burgun e kësaj qyteze, e jo në qendrën e azilit.
Pasi zbulohen refugjatët duke e kaluar kufirin, ata i kthejnë në Mal të Zi në përputhje me marrëveshjen e ripranimit. “Ne e procesojmë kundërvajtjen e atij personi dhe e njoftojmë Zyrën e Azilit se ai person është munduar ta kalojë në mënyrë të paligjshme kufirin, për t’u larguar nga territori malazias gjatë zhvillimit të procedurës”, shpjegoi Andrić.
Sipas ligjit, në këtë situatë autoritetet malaziase obligohen t’i procesojnë për shkak të kundërvajtjes së kalimit të kufirit në mënyrë të paligjshme. Këto raste zakonisht përfundojnë në Gjykatën për Kundërvajtje dhe përfundojnë me dënime në formë të gjobës minimale në vlerë 200 euro. Megjithatë, pjesa më e madhe e njerëzve nuk kanë para për ta paguar gjobën, e pastaj duhet të kalojnë kohë në burg, zakonisht katër apo pesë ditë në burgun e Shpuzës duke jetuar në kushte të tmerrshme. Në bisedë me K2.0, një grup i algjerianëve, të cilët e gjetën vetën në burg, zbuluan se ata nuk kishin as shtretër.
Pavarësisht këtyre dhe akuzave tjera të bëra nga azilkërkuesit për sistemin e burgjeve, zyra malaziase e UNHCR i mohon akuzat e keqtrajtimit. “UNHCR i viziton shpesh këta njerëz dhe u ka ofruar atyre ndihmë për dorëzimin e kërkesës për azil. Gijthashtu nuk kemi marr ankesa nga këta njerëz në lidhje me trajtimin e tyre në këtë objekt”, tha UNHCR në një bisedë me K2.0 nëpërmjet email-it. “Ligji ndërkombëtar nuk parashesh që t’i falen gjobat njerëzve të cilët largohen në mënyrë të paligjshme nga një shtet në të cilin kanë kërkuar azil”.
Rruga për në Bosnje
Sidoqoftë, një numër i madh i personave të cilët dëshirojnë të vazhdojnë më tej, arrijnë ta kalojnë kufirin për në BiH. Rruga që e përdorin më së shumti kalon tek zona kufitare perëndimore, rruga nga Nikshiqi deri në Trebinjë.
Nga 1 janari deri më 31 mars, në zonën e Hercegovinës lindore, policia boshnjake gjeti 92 njerëz të cilët kishin hyrë në vend nga Mali i Zi, ndërsa 595 persona u parandaluan gjatë përpjekjeve të tyre për të hyrë nga shteti fqinj i Bosnjes. Vendasit e fshatrave malazias në këtë rrugë thanë për K2.0 se shpeshherë kanë parë njerëz duke ecur drejt kufirit, veçanërisht gjatë muajve të dimrit, duke shtuar se shumë prej tyre kanë kërkuar strehim të përkohshëm nga i ftohti i dimrit në shtëpitë e braktisura.
Policia Kufitare e BiH tha për K2.0 se nga fillimi i vitit 2018, në mesin e atyre që kanë hyrë në këtë shtet ka familje nga Siria, ndërsa në periudhën e kaluar kishte kryesisht “emigrantë ekonomikë”. Ata gjithashtu dalluan se numri i grave dhe fëmijëve është rritur.
Emigrantët dhe refugjatët të cilët jetojnë aktualisht në Mal të Zi, thonë se janë munduar disa herë dhe pa sukses ta kalojnë kufirin e BiH. Por ata nuk do të dorëzohen, sepse shpresojnë se përmes kësaj rruge do të kenë mundësi të udhëtojnë më tej brenda Evropës. Farbut Farmani nga Irani tha për K2.0 se miku i tij kishte bërë përpjekje pesë apo gjashtë herë, ndërsa ai vet dy herë.
“Isha në tokën boshnjake. E kontaktova UNHCR BiH. Ata më thanë se do të më ndihmonin. Isha shumë keq me shëndet, pasi kisha ecur 55 kilometra nëpër pyje me borë – ishte shumë e vështirë”, kujton Farmani. “UNHCR Sarajevo premtoi se do të kujdesej për neve dhe do të na çonte në Sarajevë. Në vend të kësaj, policia erdhi dhe na ktheu qetësisht në Mal të Zi”.
Disa mundohen të kalojnë nga Mali i Zi në Kroaci, shteti i parë i BE-së në këtë rrugë pas Greqisë. Nga vera e vitit 2017 e deri në fund të prillit të vitit 2018, Policia Kufitare e Kroacisë i regjistroi 163 persona të cilët u munduan ta kalojnë kufirin shtetëror nga Mali i Zi, ndërsa në të njëjtën periudhë në vitet 2016/18 u regjistruan 128 raste të tilla.
Në mesin e njerëzve të ndaluar ishte një numër i madh i atyre të cilët kishin ardhur nga Lindja e Mesme dhe shteteve të prekura nga lufta, por kishte edhe shumë nga Shqipëria e Kosova dhe disa nga Turqia.
Ngriten mure
Policia Kufitare e Kroacisë pretendon se ata janë duke i performuar detyrat e tyre në përputhje me marrëveshjen ndërmjet qeverive të Kroacisë dhe Malit të Zi.
Megjithatë, nga vera e kaluar, në kufijtë kroatë ka patur skena të dhunës; vullnetarët kanë dokumentuar dhunë në zonën kufitare ndërmjet Serbisë dhe Kroacisë – siç ka ndodhur ndërmjet Serbisë dhe Hungarisë – por aktualisht nuk është duke e monitoruar askush kufirin ndërmjet Kroacisë dhe Malit të Zi.
Kufiri kroat me sa duket është shtrënguar, e me gjasë edhe kufijtë e tjerë do ta bëjnë të njëjtën. Në shkurt, Shqipëria e nënshkroi një marrëveshje me Agjencinë e BE-së për Mbrojtje të Kufijve – Frontex – e cila planifikohet të hyjë në fuqi në qershor. Kjo marrëveshje, parasheh arritjen e policisë Frontex në kufij si dhe trajnimin dhe pajisjen e policisë lokale, që të jenë më të aftë për t’i mbrojtur kufijtë e tyre në mënyrë më të rreptë. Si pjesë e marrëveshjes është dhe një fond për të ndihmuar me arritjen e këtij synimi.
Ndërkohë qeveria hungareze ka lajmëruar se do ia dërgoj Malit të Zi një tel spiral për t’i mbuluar 25 kilometrat e kufirit shtetëror të saj; ende nuk është e qartë se në cilën pjesë të kufirit do të ngritet ky tel, por ky premtim erdhi pas nënshkrimit të një marrëveshjes për mbrojtje të kufijve ndërmjet këtyre dy shteteve. Sipas kësaj kontrate, Hungaria do ta transportojë telin – i cili konsiderohet si donacion dhe si i tillë lirohet nga dogana dhe taksat – dhe do të angazhojë ekspertë për ta ngritur atë.
Nuk ka të ardhme në Ballkan
Nga refugjatët dhe emigrantët me të cilët foli K2.0 në Mal të Zi, pothuajse asnjëri nuk e sheh të ardhmen e tyre në Ballkan. Megjithatë, kufijtë e mbyullur të BE-së, nënkuptojnë se do të detyrohen të qëndrojnë aty ku janë të paktën edhe për një kohë.
Nëse ndodh kjo, ata kanë frikë se mund t’i pret i njëjti fat si i refugjatëve nga Kosova, të cilët erdhën në Mal të Zi gjatë bombardimit të NATO-s në vitin 1999. Ndonëse pjesa më e madhe e refugjatëve nga ajo periudhë arritën të largohen nga Mali i Zi për t’u kthyer në vendlindje apo për të shkuar në Perëndim, shumë rom, egjiptian dhe ashkalinj kanë qëndruar në Podgoricë prej atëherë e deri më sot, duke jetuar në kushte të skajshme në Vrela ribnićka, afër deponisë së qytetit.
Objektet në të cilat jetojnë, janë ndërtuar në vitin 2001 për qëndrim të përkohshëm, maksimum dy vjet, por shumë njerëz kanë qëndruar aty për më shumë se një dekadë e gjysmë. Për shkak se këtë verë pritet të kalojnë shumë më shumë njerëz nëpër Ballkan, ekziston nevoja për përgatitje dhe politika për të parandaluar që askush tjetër të mos mbetet në një situatë të ngjashme dhe të pasigurt.K
Redaktuar nga Jack Robinson.
Foto kryesore: Mirko Bošković.