Homazhet që iu bënë në Kosovë gjeneralit britanik, Mike Jackson, i cili vdiq së fundmi, reflektojnë një çështje që qëndron në thelb të historisë më të re të vendit. Roli i Jackson në ndërhyrjen e NATO në vitin 1999 — si i dyti në zinxhirin komandues ushtarak të NATO — e bëri atë hero në Kosovë dhe udhëheqësit/et politikë/e kosovarë/e shprehën pikëllim për vdekjen e tij. Presidentja Vjosa Osmani e përshkroi atë si “kampion lirie” dhe kryeministri Albin Kurti u shpreh se ishte “thellësisht i pikëlluar” dhe nderoi “karrierën e tij të gjatë dhe të shquar”.
Në fund të karrierës, Jackson shërbeu si udhëheqës i Ushtrisë Britanike nga viti 2003 deri në vitin 2006 dhe vdekja e tij, më 15 tetor 2024, u vajtua në masë të gjerë në Mbretërinë e Bashkuar. Kryeministri Keir Starmer e përshkroi atë si “udhëheqës frymëzues që shërbeu me shquarsi” dhe Ushtria Britanike u shpreh se “do të na mungojë shumë dhe do të mbahet mend gjatë”.
“The Guardian” e portretizoi atë si “njeri të ndjeshëm” dhe theksoi “inteligjencën e tij të veçantë dhe mprehtësinë diplomatike”. BBC e përshkroi si “ushtar shumë i dashur dhe i respektuar … [i cili do të] mbahet mend me dashuri”. Financial Times e vlerësoi “karrierën e shkëlqyer ushtarake” të këtij “ushtar e shkuar ushtari dhe adhuruesi të pijes”, i cili, sipas tyre, ishte gjithmonë në kërkim të paqes dhe nuk ishte “luftënxitës”.
Duke qenë se jam nga Irlanda, ishte dëshpëruese të shihja tek nderohej një njeri që ishte thellësisht i përfshirë në disa prej akteve më të tmerrshme të dhunës, të kryera nga ushtria britanike kundër popullit irlandez. Shumë prej tyre — si Jackson — që shihen si heronj nga shqiptarët e Kosovës, për shkak të përfshirjes së tyre në ndërhyrjen e NATO në vitin 1999, treguan përbuzje ndaj të drejtave të njeriut në kontekste të tjera. Kjo shpërfaq një të vërtetë më të gjerë me ndërlikime të rëndësishme bashkëkohore; interesi i Perëndimit në Kosovë ka qenë gjithmonë kryesisht strategjik.
“Ai bëri kërdi”
Më 30 janar të vitit 1972, që sot kujtohet si E diela e Përgjakshme, ushtarët britanikë nga Batalioni i Parë i Regjimentit të Parashutës hapën zjarr drejt një marshi për të drejtat civile në Derry, duke vrarë 13 civilë irlandezë dhe duke plagosur shumë të tjerë. Jackson, atëherë kapiten, ishte pjesë e operacionit.
Ushtria dhe qeveria britanike u përpoqën ta mbulonin rastin, duke pretenduar se së pari zjarri ishte hapur drejt ushtarëve. Pavarësisht se ishte në vendngjarje gjatë 17 minutave që ndodhën të shtënat, Jackson pretendoi se nuk ishte dëshmitar i asnjë të shtëne nga regjimenti i tij. Në mbrëmjen e së “Dielës së përgjakshme”, ai përpiloi një “listë të të shtënave” në të cilën rrejshëm shkruhej, “ata që ishin qëlluar ishin ose ndërtues bombash me material të mprehtë, bombardues ose persona të armatosur”. Në vitin 2010, qeveria britanike përfundimisht pranoi se vrasjet ishin “të paarsyeshme dhe të pajustifikueshme”.
Jackson, jo vetëm që ishte në detyrë në mënyrë aktive gjatë së Dielës së Përgjakshme, por pesë muaj më parë, batalioni i tij kishte kryer atë që u bë e njohur si Masakra e Ballymurphy. Përgjatë tri ditëve, batalioni pushtoi lagjet republikane irlandeze në Belfast, duke vrarë 10 civilë, përfshirë një prift dhe një nënë të tetë fëmijëve. Ushtria Britanike pretendoi se të vrarët ishin terroristë; një hetim i vitit 2021 përcaktoi se ata ishin “krejtësisht të pafajshëm”.
Siç pritej, për vdekjen e Jackson nuk u mbajt zi në Irlandë. Kryetari i Fondit të së Dielës së Përgjakshme u shpreh: “S’do të ketë ceremoni vajtimi për vdekjen e këtij njeriu… Ai bëri kërdi në Derry dhe vende tjera në vitet e ’70-a”.
Motivi dhe rezultatet
Kontrasti i ashpër mes veprimeve të Jackson në Irlandë dhe statusit të tij si “kampion lirie” për disa në Kosovë, nxjerr në pah një aspekt të rëndësishëm të së kaluarës së Kosovës, me ndërlikime të rëndësishme për të ardhmen e vet; ata/o që shpëtuan shqiptarët/et e Kosovës në vitin 1999, nuk ishin thjesht njerëz “të mirë”, që u motivuan të ndërmerrnin masa vetëm se brengoseshin për mirëqenien e shqiptarëve/eve të Kosovës.
Sigurisht, ndërhyrja e NATO në vitin 1999 — dhe, normalisht, fatmirësisht — i shpëtoi shqiptarët/et e Kosovës nga fushata shfarosëse e Slobodan Milošević. Por rezultati pozitiv i një veprimi nuk do të thotë se motivet e atyre që e ndërmorën atë veprim ishin fisnike. Kur gjykojmë nivelin moral të njerëzve që ndërhynë në vitin 1999, duhet ta shohim karakterin e tyre, veprimet e tyre, çfarë ata bënë — dhe nuk bënë — diku tjetër. Kur bëhet kjo, shpërfaqen shumë të vërteta të pakëndshme për njerëzit, që disa në Kosovë, i shohin si heronj.
Në Kosovë ka statuja të Bill Clinton, Tony Blair dhe Madeleine Albright, por të bëmat e tyre në shkallë më të gjerë sugjerojnë se ata/o, në rastin më të mirë, ishin me dy mendje për të drejtat e njeriut dhe kryesisht të shtyrë nga të të kuptuarit e ngushtë e interesave përkatëse kombëtare të shteteve të tyre.
Reagimi hezitues i Clinton ndaj gjenocideve në Ruandë në vitin 1994 dhe Srebrenicë në vitin 1995, shpërfaqi se ai më shumë shqetësohej se si ta shmangte rrezikimin e trupave amerikane, sesa për mbrojtjen e të drejtave të njeriut; Blair sot njihet si njeriu që urdhëroi forcat e Britanisë së Madhe të merrnin pjesë në pushtimin e udhëhequr nga ShBA të Irakut, në vitin 2003, pushtim që përfundimisht mori jetën e afërsisht 200,000 civilëve irakianë; Albright e përshkroi raportimin për vdekjet e gjysmë milioni fëmijëve irakianë si pasojë e sanksioneve të OKB në vitet 1990, si “çmim që ia vlen të paguhet”.
NATO nuk ndërhyri në vitin 1999 sepse anëtarët e saj ishin thellësisht të shqetësuar për mirëqenien e shqiptarëve/eve të Kosovës; në fakt, gjendja e vështirë e shqiptarëve/eve të Kosovës ishte shpërfillur me vetëdije nga Perëndimi deri rreth vitit 1998. Ndërhyrja e vitit 1999 ishte pasojë e kalkulimeve gjeopolitike; shqetësimet morale luajtën rol dytësor.
Në atë kohë, fuqia perëndimore ishte e pakrahasueshme, por besimi i përgjithshëm në vullnetin dhe kapacitetin e Perëndimit për ta përdorur atë ishte në rënie. Një vazhdimësi fatkeqësish në gjysmën e parë të viteve të ’90-a — më së shumti, tërheqja e ShBA nga Somalia në vitin 1994, pas vdekjes së 18 trupave amerikane atje, si pjesë e një misioni për ta mbrojtur ndihmën humanitare dhe përgjigjet e paefektshme, si ndaj gjenocidit në Ruandë, ashtu edhe ndaj masakrave të forcave serbe të Bosnjës — bënë që shumë njerëz ta vinin në dyshim përkushtimin e deklaruar të ShBA në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut në mbarë botën. Agresioni i pakontrolluar i Milošević kundër shqiptarëve/eve të Kosovës e thelloi dyshimin rreth aftësisë dhe vullnetit të Perëndimit për të vepruar në kohë dhe në mënyrë të fuqishme.
Gjithashtu, në shtator të vitit 1998, gjenerali Wesley Clark — Komandanti suprem i NATO për Evropë — u takua me Presidentin e Estonisë, Lennart Meri, i cili paralajmëroi se “NATO po dështon në Ballkan. Çdo ditë që po kalon, po e humbni besueshmërinë”. Diçka duhej bërë për ta kthyer sërish besimin në udhëheqjen botërore të Perëndimit dhe veçanërisht aftësinë dhe vullnetin e vet për t’u ballafaquar me tiranët që masakrojnë popujt e tyre; Kosova ofroi këtë mundësi. Prandaj, shqiptarët/et e Kosovës ishin përfituesit fatlumë të kalkulimeve gjeopolitike, e jo thjesht të solidaritetit apo shqetësimit moral.
A ka lidhje kjo?
Vetëm më naivët mund të paramendojnë se njerëzit, të cilëve ndërhyrja e NATO në vitin 1999 praktikisht ua shpëtoi jetën, s’do të ishin përgjithmonë mirënjohës ndaj atyre që ishin të përfshirë. Atëherë, çka ka lidhje që njerëzit, që u detyrohen me jetë udhëheqësve të NATO, ende i nderojnë ata?
Ka lidhje sepse pasi ta kuptosh se fati i shqiptarëve/eve të Kosovës në vitin 1999 shërbeu në funksion të kalkulimeve gjeopolitike, mbështetja e Perëndimit ndaj Kosovës shpaloset si kontigjente dhe transaksionale. Rëndësia e Kosovës për Perëndimin gjithmonë është bazuar në interesa strategjike dhe jo në solidaritet; kur interesat perëndimore kanë ndryshuar, ka ndryshuar edhe rëndësia e Kosovës.
Siç po bëhet gjithnjë e më e qartë, Perëndimi nuk është më superfuqi e pakrahasueshme; fuqia perëndimore është në rënie që nga viti 2008. Si rezultat, politika e jashtme perëndimore është bërë më pak ambicioze. Kësisoj, janë bërë ri-kalkulime strategjike dhe ish-aleatët janë shpërfillur; shihni se si ShBA braktisi kurdët në Siri dhe popullin e Afganistanit. Kjo shpjegon faktin pse, viteve të fundit, Kosova u trajtuar kaq keq nga partnerët e vet të dikurshëm perëndimorë.
Udhëheqësit/et perëndimorë/e kanë përllogaritur se përkëdhelja e Serbisë tash është e nevojshme për ta ndaluar ndikimin rus në Ballkan. Përderisa shumë — përfshirë dhe veten — besojnë se kjo është e pamoralshme dhe kalkulim i gabuar strategjik, ekziston një logjikë gjeopolitike lidhur me të; Serbia është partneri më i afërt i Rusisë në Ballkan dhe largimi i Beogradit nga Moska dhe afrimi me Perëndimin është tani synimi kryesor i politikës së jashtme perëndimore në rajon.
Si pjesë e kësaj politike, shtetet perëndimore kanë synuar t’ia plotësojnë kërkesat e Serbisë në kurriz të Kosovës; kjo është manifestuar në forma të ndryshme, si presioni i Perëndimit ndaj qeverisë së Kosovës që të pajtohet me Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe në vitin 2013 dhe imponimi për krijimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës në vitin 2014. Dialogu “Beograd-Prishtinë” i ndërmjetësuar nga BE është bërë farsë; edhe pse presidenti serb Aleksandar Vučić e ka përbuzur haptazi procesin, qeveria e Kosovës është fajësuar për dështimin në arritje të marrëveshjes.
Ambasadori i ShBA në Kosovë tani për ditë kritikon qeverinë e Kosovës, ndërsa ambasadori Washington-it në Serbi vazhdimisht deklaron se “Serbia po shkon drejt Perëndimit” pavarësisht përshkallëzimit të autoritarizmit, sulmeve ndaj lirisë së medieve dhe korrupsionit të shfrenuar. Sulmi terrorist në Banjskë në shtator të vitit 2023, i zbatuar nga milicia serbe, mbështetur nga Beogradi, është shpërfillur plotësisht nga Perëndimi.
Të thuash se kjo është e padrejtë, është nënvlerësim, por a është befasi? Nëse dikush beson se shtetet perëndimore kujdesen njëmend për mirëqenien e popullit të Kosovës, atëherë përgjigja është po. Megjithatë, nëse vlerësohet se marrëdhënia mes Perëndimit dhe Kosovës ka qenë gjithmonë e udhëhequr kryesisht nga gjeopolitika, përgjigja është jo.
Realiteti i rëndësisë së Kosovës
Përfundimisht, të thuash se Jackson ishte “kampion lirie”, nuk është thjesht ofendim për familjet e atyre që u vranë nga regjimenti i Jackson, por është, në mënyrë të rrezikshme, naivitet dhe pasqyron një mendësi të përgjithshme që nuk arrin ta vlerësojë realitetin e rëndësisë së Kosovës për Perëndimin.
Gjersa qeveria e Kosovës bën përpjekje ta sigurojë mbijetesën e vendit në epokën e re me shumë pole, populli i Kosovës duhet ta kuptojë se sot — si përherë — qasja e Perëndimit ndaj Kosovës — dhe rajonit në përgjithësi — udhëhiqet kryesisht nga gjeopolitika.
Populli i Kosovës s’duhet të bjerë në kurth dhe të supozojë se udhëheqësit/et perëndimorë/e kanë për synim interesat e tyre më të mira, kur e udhëzojnë Kosovën t’i bëjë lëshime Serbisë. Kërkesat që tani shtetet perëndimore në mënyrë të përsëritur ia shtrojnë Kosovës të bëjë “kompromise”, duhet të shihen për atë që janë; përpjekje gjeopolitike me interesa personale për ta ledhatuar Serbinë, në kurriz të Kosovës.
Pavarësisht postimeve të Osmanit dhe Kurtit pas vdekjes së Jackson, qeveria e tanishme ka qenë e matur në rezistimin e presionit nga kryeqytetet perëndimore. Qeveria nuk mund të lejojë të udhëhiqet nga nostalgjia, nocionet naive për rëndësinë e vazhdueshme të Kosovës për Perëndimin dhe thirrjet e ngjashme brenda vendit për “koordinim” me partnerët perëndimorë.
Interesat gjeopolitike të Perëndimit dhe mirëqenia e shqiptarëve të Kosovës u bashkërenduan në vitin 1999; sot nuk është e njëjta situatë.
Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla / K2.0
Dëshironi të mbështetni gazetarinë tonë? Anëtarësohuni në “HIVE” ose konsideroni një donacion. Mëso si këtu.