Pikëpamje | Punë të jashtme

Fitorja zgjedhore e Milos Zeman-it në Çeki mund të jetë lajm i keq për Kosovën

Nga - 30.01.2018

Pritet të vazhdojnë raporte të pezulluara ndërmjet Kosovës dhe Çekisë.

Fitorja e Milos Zeman-it në balotazhin e zgjedhjeve presidenciale në Çeki në fundjavë kaloi kryesisht e pavërejtur në Kosovë. Politikat e brendshme çeke rrallëherë zënë kryetitujt në këtë rajon, dhe Zeman tashmë ishte në pushtet në mandatin e kaluar. Në një farë mënyre, zgjedhja e tij për herë të dytë – duke siguruar 51 për qind të votave në balotazh kundër rivalit të tij Jiri Drahos – e ruan status kuonë.

Megjithatë, pikërisht kjo status kuo ka shkaktuar një ndjenjë shqetësimi në mesin e liberalëve në Europë, e njëlloj duhet të jetë edhe me Prishtinën. Politikani veteran popullist 73-vjeçar është kundër migrimit, pro-rus dhe ka qasje kritike ndaj pavarësisë së Kosovës.

Fushatën e zhvilloi me slloganin “Ndale migrimin dhe Drahos-in – ky shtet është i joni”. Fitorja e Zeman-it është pjesë e një trendi në rritje në Europën Qendrore. Polonia dhe Hungaria tashmë kanë shfaqur tendenca të ngjashme të politikave populliste dhe të brendshme.

Por zgjedhja e Zeman-it për herë të dytë në Kështjellën e Pragës i cënon në veçanti marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet Kosovës dhe Çekisë. Ndonëse Çekia është demokraci parlamentare dhe Presidenti nuk është figura më e fuqishme politike, rizgjedhja e tij për një mandat tjetër nuk jep shpresë për progres, e madje edhe mund t’i përkeqësoje lidhjet diplomatike me Prishtinën.

Dinamika e së kaluarës mund të rrezikohet.

Vladimir Dordevic, asistent profesor i lëndës së marrëdhënieve ndërkombëtare në Mendel University në Brno, beson se në nivel europian, ndikimi i Zeman-it do të jetë i kufizuar meqë agjenda e tij është kryesisht e papopullarizuar, por për Prishtinën kjo do të jetë periudhë frustruese. “Besoj se nuk mund të bëhet ndonjë dëm i madh… por gjithashtu mendoj se nuk do të ketë përmirësime të mëdha të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Çekisë”, tha ai për K2.0.

Shumëkush e konsideron Zeman-in aleat të Putin-it. Ai nuk ka shfaqur qëndrim miqësor diplomatik ndaj shtetësisë së Kosovës në mandatin e kaluar. Zeman nuk emëroi ambasador çek në Prishtinë – duke i vazhduar politikat e paraardhësit e tij Vaclav Klau – dhe gjithashtu e ka vënë në dyshim të drejtën e Kosovës për pavarësi, duke e krahasuar herë pas here me Krimenë.

Fatmirësisht për Kosovën, Presidentët dhe Kryeministrat e Çekisë kanë histori mospajtimi sa i përket temës së Kosovës. Qeveria e këtij vendi është treguar më e dobishme për sa u përket marrëdhënieve dypalëshe, duke e mbështetur kandidaturën e Kosovës në UNESCO në vitin 2015, si dhe në përpjekjet e tjera për anëtarësime ndërkombëtare.

Megjithatë, kjo dinamikë e pasigurtë mund të vihet në rrezik. Në tetor të vitit 2017, partia Veprimi për Qytetarë të Pakënaqur (ANO) u bë partia më e madhe në zgjedhjet parlamentare çeke, me multimiliarderin dhe mikun e Zeman-it, Andrej Babis, në krye të saj.

Babis formoi një qeveri për një periudhë të shkurtër pas zgjedhjeve, por dha dorëheqje nga pozita e Kryeministrit në janar pas akuzave për korrupsion dhe një mocioni të mosbesimit. Megjithatë, Zeman ka premtuar se do t’ia japë edhe një mundësi për ta formuar Qeverinë, pra ekziston mundësia për zgjedhje të parakohshme. Nëse Babis zgjedhet përsëri, qëndrimi i Çekisë ndaj Kosovës do të bëhet gjithnjë e më i pasigurtë, dhe mbështetja ndërkombëtare nuk do të ishte e garantuar.

“Marrëdhënie të shkëputura”

Gjendja aktuale e marrëdhënieve dypalëshe ndërmjet Kosovës dhe Çekisë pasqyron një situatë në të cilën është arritur shumë pak progres prej kur Republika Çeke e mbështeti Kosovën në dy momentet më definuese të historisë moderne.

Presidenti i atëhershëm i Çekisë, Vaclav Havel, u shpreh në masë të madhe në favor të ndërhyrjes së NATO-s që i dha fund luftës në Kosovë dhe u bë njëri prej burrështetasve të parë që vizituan Kosovën në qershor të vitit 1999 pas ndërhyrjes së trupave tokësore të NATO-s. Në vitin 2009, shteti i ri i Kosovës e shpërbleu atë me Medaljen e Artë për Paqe, Demokraci dhe Humanizëm – Dr. Ibrahim Rugova. Kjo ishte hera e parë që u dha kjo medalje.

Edhe vet Zeman, i cili atëherë ishte Kryeministër, e mbështeti ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë. Megjithatë, kjo mund të ketë pasur më shumë lidhje me faktin se Çekia ishte anëtarësuar në NATO 12 ditë para fillimit të fushatës së bombardimit, sesa me konsideratën që ai e kishte për situatën në Kosovë.

Çekia e njohu sovranitetin e Kosovës më 21 maj, 2008, vetëm disa muaj pas shpalljes së pavarësisë. Këtë vendim e mori pas përpjekjes së dytë, me mbështetjen e 11 prej 18 anëtarëve të kabinetit.

Përveç ketyre momenteve të mëdha, pavarësisht potencialit të këtij shteti për të ndikuar te fqinji i tij i afërt, Sllovakia – e cila ende nuk e njeh sovranitetin e Kosovës – marrëdhëniet ndërmjet Prishtinës dhe Pragës kanë qenë disi të ngecura.

“Përfaqësuesit e Kosovës duhet të jenë ta gatshëm të argumentojnë publikisht në favor të vendit të tyre kur të jetë e nevojshme”

Tomas Dopita, dhjetor 2017

Si pjesë e raportit (dhjetor 2017) të Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS) për angazhimin ndërmjet shteteve anëtare të BE-së dhe Kosovës, studiuesi çek Tomas Dopita aludon se shkaktar i pjesshëm i kësaj mund të jenë rrënjët historike. “E rëndësishme është ta kuptojmë se populli çek ndjen afërsi kulturore me popujt sllavë në Ballkan dhe se ka marrëdhënie të kahmotshme dhe të veçantë me kombin serb të cilat datojnë nga shekullin XIX, gjatë kohës së lëvizjes pansllave”, shkruan Dopita.

Megjithatë, Kosova nuk ka shfaqur shumë interesim për t’i përmirësuar lidhjet diplomatike me Pragën. Pozita e ambasadorit të Kosovës në Çeki ka mbetur boshe për më shumë se një vit, ndërsa uebfaqja e ambasadës së Kosovës në Çeki nuk ka përkthim në gjuhën çeke.

Edhe sa u përket çështjeve praktike, Kosova dhe Republika Çeke nuk kanë arritur t’i intensifikojnë marrëdhëniet me njëra-tjetrën. Kosovarët të cilët aplikojnë për viza Shengen të cilat i lëshon shteti çek, atë duhet ta marrin në Shkup.

Dopita i përshkruan përgjithësisht këto marrëdhënie dypalëshe si “të shkëputura” dhe aludon se Prishtina në veçanti duhet të ndërmarrë iniciativë.

“Kjo është shumë e rëndësishme sepse mund të presim që në përbërjen e re politike pas zgjedhjeve të përgjithshme të tetorit të vitit 2017 dhe zgjedhjeve presidenciale të janarit të vitit 2018, marrëdhëniet me Kosovën mund të bëhen përsëri çështje të diskutimit të madh publik dhe politik”, shkroi ai para zgjedhjes së Zeman-it. “Përfaqësuesit e Kosovës duhet të jenë të gatshëm të argumentojnë publikisht në favor të vendit të tyre kur kjo të jetë e nevojshme”.

Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.