Pikëpamje | Editorial

Mirësevini në numrin tonë special të revistës së shtypur: ‘SHPRESË’

Nga - 08.07.2020

Ndërsa K2.0 mbush 10 vjet, ka arsye për shpresë — dhe shumë më tepër arsye për zemërim.

Ja ku jemi. Një dekadë më vonë, duke e eksploruar se çfarë do të thotë shpresa sot.

Ky është një numër i veçantë i K2.0, i publikuar për ta shënuar dhjetëvjetorin tonë dhe për t’i shqyrtuar disa nga çështjet më akute në fillin e dekadës së re.

Brenda kësaj kornize është vështirë ta shpërfillim pikënisjen e mëhershme: Shpalljen e Pavarësisë së Kosovës në vitin 2008.

Para 10 vjetësh, kur K2.0 veç sa po bënte hapat e parë, ishte kryesisht ky “fillimi i ri” që përcaktoi në masë të madhe atë se si ne, si qytetarë, perceptuam dhe përjetuam marrëdhëniet tona me vendin dhe me botën. Në fund të fundit, pavarësia kishte qenë projekti dhe aspirata përfundimtare politike që pritej të shërbente si pikë kthese për shtetin tonë.

Pritjet ishin sa të mëdha, aq edhe të qarta; pritje për një jetë më të mirë, për një të ardhme më të mirë. Në thelb të të gjithë kësaj qëndronte shpresa dhe ajo luante role të ndryshme varësisht se kush kujt ia atribuonte atë. Të qenit “ardhmëri e shtetit” iu mvesh rinisë, kategorisë demografike të cilës asokohe i përkisnim edhe ne.

Jepini shtetit dhe jepni për shtetin, i cili ekziston vetëm si pasojë e sakrificave dhe kompromiseve të paraardhësve tuaj — na thuhej.

Punoni me zell për ta zhvilluar e përparuar shtetin (por vetëm për çështjet që u takojnë të rinjve) — na thuhej.

Përqafoni “vlerat evropiane” se ndoshta një ditë do t’ju jepet e drejta të udhëtoni lirshëm nëpër vendet evropiane ose do t’u lejohet të jeni pjesë e Bashkimit — na thuhej.

Na ngarkoheshin përgjegjësi e obligime dhe udhëzoheshim se si të sillemi e si ta bëjmë politikën tonë. Role që na parashkruheshin në një dramë që drejtohej prej tjetërkujt. Dhe e gjitha ndodhte në një kohë kur nevoja për kundërshtim ishte vendimtare.

E ne në K2.0, vendosëm t’i vëmë në pyetje e t’u kundërvihemi mënyrave të shumta përmes së cilave politikat shtrënguese dhe narrativat përjashtuese përreth nesh jo vetëm na zhgënjenin e linin në lloç, por edhe përpiqeshin të na zhveshnin nga çdo ndjenjë e agjencisë individuale dhe kolektive. Roli politik që pritej ta bartnim ne si rini u bë pikërisht retorika politike që duhej sfiduar. Rezistenca kërkonte orvatje të vazhdueshme jo vetëm për t’iu përgjigjur ngjarjeve që ndodhnin përreth nesh, por edhe për t’i kuptuar këto ngjarje brenda konteksteve të gjera ku zhvilloheshin dhe brenda sistemeve të pushtetit që i mbanin gjallë ato.

Më kujtohet kur nisi lëvizja Occupy (“Okupo”) në ShBA më 2011, e cila dënonte pabarazinë në të ardhura dhe ndikimin politik të bankave e të korporatave. Ajo u parapri nga kryengritjet prodemokratike të Pranverës Arabe kundër regjimeve autoritare në Afrikë Veriore dhe Lindje të Mesme. Këto lëvizje dhanë shembuj të revoltës dhe të kundërshtisë për ata që vëzhgonin nga e tërë bota, teksa për ne në Kosovë ato po ashtu ofruan edhe mënyra të tjera për t’u identifikuar me atë që po ndodhte, dhe për ta menduar shpresën.

Rënkimi i Pranverës Arabe për demokraci ishte më i afërt me fjalorin tonë atëbotë. Shpresa e tyre për shembjen e regjimeve, për liri e të drejta politike dhe kulturore, ishte e ngjashme me mënyrën se si ishte formësuar shpresa gjatë viteve të 90-ta në Kosovë. Ndërkohë, protestat në rrugët e Nju-Jorkut, të Barcelonës dhe të Stambollit parathonin luftërat tona që po merrnin udhë.

Në atë kohë, nisma Occupy Prishtina mblodhi vetëm rreth 30 njerëz. Por dy vjet më vonë, në janar të vitit 2013, kur kosovarëve u faturohej rryma tri herë më shtrenjtë se zakonisht, ankesat e qytetarëve u sendërtuan me protesta në kryeqytet; u tubua një publik i shumëllojshëm e aktiv, prej pensionerëve deri te një numër i madh i të rinjve — ata që përndryshe shpërfilleshin. Ngritja e çmimit s’dukej të ishte as më pak e as më shumë sesa një kapje fitimi nga rrjeti i privatizuar i shpërndarjes së energjisë elektrike, i cili thuhej se kishte lidhje të dyshimta me pushtetin vendor.

Protestat e energjisë mund të mos jenë quajtur Occupy, por këto protesta në mënyrë të ngjashme kapërcyen makineritë e vendosura politike që synonin t’i kontrollonin “narrativat dhe realitetet e pranuara” dhe kundërshtuan një sistem eksploatues politik dhe ekonomik. Në thelb, ato ishin përnjëmend protestat e para qytetare kundër një shteti të kapur — gjendje e cila tash është konsoliduar dhe ka hyrë me lehtësi në zhargonin tonë të përditshëm.

Kur kujtoj zanafillën e K2.0 përmes idesë së shpresës, i veçoj këto ngjarje në fillim të asaj dekade sepse besoj që flasin shumë për mënyrën se si jemi rritur — edhe si gjeneratë, edhe si revistë.

Prej atyre ditëve të para, format e ndryshme të padrejtësisë, të pabarazisë dhe të shtypjes u shndërruan shpejt në përvojat kryesore që do ta udhëhiqnin punën tonë. Këto përvoja nuk ishin aty vetëm për të na i risjellë në kujtesë të kaluarat dhe fëmijëritë tona të shtypura, por edhe të mospërfilljes së vazhdueshme e madje edhe përbuzjes nga një klasë politike e dhënë kryesisht pas përfitimit dhe interesit personal. Sistemi i vrazhdë neoliberal që po çahej gjetiu në “demokracitë e zhvilluara” u bë i dukshëm edhe në përvojat e qytetarëve të Kosovës.

Përmes K2.0, ne donim ta vendosnim Kosovën në hartë duke i parë të përbashkëtat dhe përvojat kolektive, në komunitetet e lëvizjet për drejtësi shoqërore në vend dhe jashtë tij. Kur i kujtoj 10 vitet e gazetarisë, diskutimeve dhe veprimeve tona, unë besoj se çfarëdo që kemi bërë ka pasur për themel pyetjen e thjeshtë, por jetike, se çfarë shteti e demokracie duam.

Nuk e refuzuam shpresën; e përqafuam me kushtet tona. E përziem me zemërim. Dhe përgjatë dekadës së fundit, ka pasur shumëçka që na ka zemëruar:

Në Kosovë, një klasë politike që sundon me dekret të vetëshpallur. Brenda veç një dekade, katër qeveri nuk e çuan dot deri në fund mandatin — dhe kjo çdo herë ka ndodhur si rrjedhojë e pazareve politike për ta kapur pushtetin ose për ta zgjeruar atë.

Një kapje e shtetit e maskuar si patriotizëm i gënjeshtërt; një kapje që tash duket se është mënyra institucionale dhe e pritur e jetesës.

Një shtet fqinj që nuk pranon të japë llogari për të kaluarën e tij shkatërrimtare, të dhunshme e shtypëse, me qeveri të njëpasnjëshme që janë shkrirë në një fushatë armiqësore për ta zhvleftësuar dhe penguar ekzistencën e Kosovës si shtet, duke cenuar të ardhmet e 2 milionë njerëzve.

Një rajon i ngulitur në një garë revizioniste, udhëhequr nga autokratë që as që brengosen a mundohen për ndonjë përpjekje të përbashkët rajonale, për drejtësi të merituar ose për mirëqenien e qytetarëve të vet.

Një komunitet ndërkombëtar që ka luajtur kartën e së ardhmes duke e maskuar me mësime demokratike që duhet të jepen e të nxihen.

Një botë që s’i bëhej vonë teksa shihte vdekjet e fëmijëve në brigjet e kontinentit, aty ku shpresonin se do të gjenin siguri dhe një jetë më të mirë. Një botë që vazhdoi të shikonte kur në një kontinent tjetër, fëmijët ndaheshin nga prindërit dhe vendoseshin në kafaze brenda qendrave të mbajtjes.

Individë, grupe e aktorë që, duke u bazuar në bindjet e sektarizmit dhe të sistemit patriarkal, sillen si policë moralë për trupat e të tjerëve, ku gratë dhe personat LGBTQ+ ndodhen në qendër të sulmit.

Qeveri dhe shoqëri që s’arrijnë ose s’duan ta kuptojnë se edhe planeti si shtëpi e përbashkët nuk është i garantuar nëse vazhdojmë ta ndotim pandalë.

Dhe tani një pandemi që ka shpërfaqur pabarazi të përhapura, ka treguar që qasja në shëndetësi nuk shihet si e drejtë universale dhe ka vënë në shesh liderët që përdorin pasigurinë për ta forcuar sundimin autoritar.

Vetë demokracia është tash e një kohë në krizë. Në thelb të kësaj krize është mungesa e përfaqësimit, e vëmendjes për zërat e të tjerëve.

Pse SHPRESË në vitin 2020?

Pra, ja ku jemi, 10 vjet më vonë, kur shpresa mund të ngjajë si sentiment idealist e madje naiv.

Është ndjenjë dhe praktikë delikate. Sepse, sado që ofron besim në ndryshim, po ashtu rrezikon t’i shndërrojë pritjet në zgjidhje të largëta. Shpresa jep pamje të shkurtër të një rezultati ndryshe, por edhe mund ta dobësojë vullnetin për t’iu bashkuar debatit. Shpresa premton një të ardhme, por gjithashtu mund ta tejzgjasë të tashmen.

Në këtë numër, ne përqafojmë një shpresë që është e përzier me zemërim.

Shpresa është po ashtu sentiment i rrezikshëm sepse përqafohet e eksploatohet nëpër spektër. Edhe skajet ekstreme të së djathës dhe së majtës, popullistët dhe autokratët mbështeten me gatishmëri në një vizion shprese. Por përmes kësaj, ata përpiqen të përjashtojnë, të cenojnë dhe të delegjitimojnë këdo që u del në rrugën e tyre drejt pushtetit dhe kontrollit.

Kjo është arsyeja përse në këtë numër, ne përqafojmë një shpresë që është e përzier me zemërim; i dimë rreziqet e saj dhe e vendosim brenda një mundësie të re politike që shtyhet përpara nga fuqia e protestës, e rezistencës dhe e lëvizjeve shoqërore. Ne e njohim dhe e përdorim gjuhën si fuqi jo thjesht sa për të treguar prezencën në vete, por për ta përdorur këtë prezencë si kërkesë për ndryshim. Kjo nënkupton ripërfytyrimin e terrenit të mundshëm politik dhe rimendimin e agjencisë personale dhe individuale.

Dhe ka njerëz të shumtë që po e bëjnë pikërisht këtë, jo vetëm duke e ripërfytyruar ndryshimin, por edhe duke e jetësuar atë.

Janë ata, qytetarët që po e mësojnë se demokracia s’duhet të merret si e mirëqenë dhe se të drejtat dhe liritë e tyre nuk janë gjithmonë garanca të mundësive, të drejtësisë dhe të barazisë për të gjithë — sidomos kur “të tjerët” shihen shpesh si të ndryshëm.

Ata po mësojnë se nuk mjafton më ta kesh vetëm të drejtën e fjalës dhe të shprehjes, por se si ajo duhet të shoqërohet me të drejtën për t’u dëgjuar; se shtetndërtimi nuk duhet t’u përkasë vetëm “burrështetasve” dhe “pushtetarëve”, por që të gjithë ne jemi pjesë e pandashme e këtyre proceseve përmes angazhimit dhe përfshirjes publike.

Janë feministet dhe feministët që duke njohur përvojat dhe përpjekjet e së kaluarës shpërfaqin mllefin fort të nevojshëm të ditëve të sotme kundër praktikave të vazhdueshme të shtypjes.

Janë individët që refuzojnë të trajtohen si dele të zeza ose të reduktohen nga etiketat e fiksuara — qofshin ato etnike, racore ose të lidhura me identitetin gjinor a orientimin seksual.

Janë të rejat dhe të rinjtë revolucionarë që po bëjnë gjithçka për ta përditësuar vetëdijen kolektive me identitetet dhe të drejtat e njerëzve të margjinalizuar, sidomos ato të personave LGBTQ+, përmes demonstratave që ishin të paimagjinueshme para 10 vjetësh.

Janë rioshët e Të Premteve për të Ardhmen që po i thyejnë ndasitë artificiale në luftën për ta shpëtuar gjënë e vetme natyrale — mjedisin. Janë vullnetaret e vullnetarët në kampet e refugjatëve dhe të migrantëve ose në ujërat e hapura, ata që ndihmojnë fqinjtë e cenueshëm gjatë ngujimit, ose ata që zgjasin dorën çdo ditë në komunitetet e tyre duke e kuptuar nevojën për secilin akt solidariteti në botën e sotme.

Janë ato pak politikane e politikanë, shërbyese e shërbyes civilë — qofshin të moshuar a të rinj — që shkojnë kundër vijave partiake apo të establishmenteve më të mëdha në luftën për parimet, vlerat dhe platformat politike.

Janë individët, mediat, artistët dhe aktivistët për të drejtat e njeriut — pa marrë parasysh numrin e tyre — të cilët me vendosmëri dhe qëndrueshmëri kërkojnë që të pushtetshmit të japin llogari. 

Këta janë njerëzit që kanë vendosur të luftojnë pa kushte dhe të ekzistojnë pa pendesë. Janë ata që kuptojnë domethënien e demokracisë. Se, siç ka thënë një shkrimtare, “paradoksi i demokracisë është se mënyra më e mirë për ta mbrojtur atë është duke e sulmuar”.

Këtë jemi përpjekur ta bëjmë në K2.0 gjatë 10 viteve të fundit: duke përdorur gazetarinë për të krijuar kritikë të patrembur dhe për të sjellur në radhë të parë rrëfimet e përpjekjeve individuale, të komunitetit dhe të shoqërisë. Dhe kështu e shohim ne shpresën për dekadën në vijim: përmes fuqisë së kundërshtisë gazetareske. Shpresoj që ky numër të shërbejë si një kontribut shtesë se pse duhet të këmbëngulim.K

Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla / K2.0.