Blogbox | Trillim

Pasqyrë, Pasqyrë: Mëkatari dhe Besimtari

Nga - 07.08.2018

Kapitulli 2

Qyteti është vërtetë qytet kur mëkatari dhe besimtari ecin bashkë rrugëve të tija me kalldrëm. Prej drejtimeve të kundërta afrohen, e përshëndesin njëri tjetrin, dhe kështu vërejnë diçka të njohur në fytyrat e njëri tjetrit. “Mbase”,  ulëriu Qyteti nëpërmjet rrugëve të ngushta të tij, “gjatë gjithë kësaj kohe keni qënë duke ecur nëpër hapat e njëri tjetrit”.

“S’ka shanca”, tha besimtari, “si guxon të më krahasosh me atë harbut të pështirë? Të gjitha pasuritë i kumbi në kumar. Krejt dhembjet me raki i ka zhytë, e me të dashurit e tij i ka përmbytë. Me gënjeshtra e ka nxjerrë të vërtetën, ka vjedhur prej hajnave dhe vet Dreqin e ka mashtruar. Madje thonë se edhe e ka vrarë njërin, vetëm për ta pa të lyer në gjak! Unë as që i afrohem atij përbindëshi”.

E as mëkatarit s’ju bë qejfi. “Si guxon të na konsiderosh si të barabartë?”, tha ai. “Tymi i zi t’i çorroftë kalldrëmat”. Kur tjetri është i kërrysur si top, tek dergjet nga rënia e madhe, dhimbja bëhet e papërballueshme kur tjerët tallen me fatkeqësitë e tij dhe ja kujtojnë përsosmëritë e të tjerëve. Disfatat e mëdha asnjëherë nuk ke nevojë t’u përkujtosh.

Dhe Qyteti, si qytet, i kallxon të gjitha. Besimtari bënë mëkate, i verbuar nga lutjet e vazhdueshme. Mëkatari beson se mbase me veprat e mira që bënë kohë pas kohe mund të fitojë pikë shtesë për ta arritur atë vendin special. Të njejtin vend në ndjekje të së cilit besimtari braktisi gjithkënd dhe gjithçka: Krejt pasurinë e kishte bërë rrush e kumbulla veç për t’iu afruar, e prapëseprapë larg mbeti.

“Thjeshtë nuk është ashtu”, tha mëkatari dhe besimtari menjëherë u pajtua se asgjë s’mund t’i binte bashkë natyrat e tyre të kundërta, përveç këtij mospajtimi të përbashkët.

“E vërtetë”, u përgjigj Qyteti, “asgjë s’ju lidhë, përveç pasionet që i drejtojnë jetët tuaja dhe gëlltitin gjithçka rreth jush”.

Dhe Qyteti, si qytet, i di të gjitha. Sepse ishin rrugët e tij të ngushta që nga i njëjti kallëp i krijoi të dytë, për të kërkuar shpengim, për të ecur të njejtët hapa në drejtime të kundërta, si dy imazhe në anë të kundërta të pasqyrës.

Dhe në ndjekjet e tyre — mëkatare dhe të devotshme — ata harrojnë dhe braktisin krejt, të verbuar nga pasioni për manitë e tyre. Një qytet që është vërtetë qytet të bënë mëkatar dhe besimtar.

Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.