Lumi rrjedhte në shtratin e tij, por nuk ndjehej njejtë si gjithmonë.
Kishte pas qenë një kohë, para shumë kohe, kur Lumi ishte më i ri, në një kohë kur titanët dhe hyjnitë dhe të vdekshmit bridhnin së bashku nëpër tokë, dhe Lumi zotëronte magji nga më të ndryshmet.
Na ishte kjo koha kur në Lumi jetonin krijesa magjike dhe rrjedha e tij prodhonte melodi aq hipnotizuese saqë thuhej të ishin shkaku i vërtetë për gjumin e stërgjatur të Bukuroshes së Fjetur. Por tani nëpër shtratin e tij njëherë madhështor tani rrjedhë veç një prrockë. Sidoqoftë, në ditët kur uji nuk është shumë i turbullt, akoma mund ta dalloni reflektimin tuaj.
Ah, na ishte kjo koha kur më të bukurit dhe të hijshmit e të vdekshmive kënaqeshin nga një reflektim aq i qartë, aq i vërtetë, saqë gjenerata të tëra të rinjësh u shndërruan në lule nga më të bukurat.
Narcisi, Trëndafili, Zambaku, Manushaqja — që të gjithë viktima të magjepsjeve reflektive të Lumit. Tani të gjitha i gjeni në një prej kopshteve të shumta të Prizrenit dhe si në ndonjë sanatorium, ato qëndrojnë të bukura dhe mezi kujtojnë jetët që dikur i kanë jetuar. Por tek e fundit, një jetë bukurie nuk i duhen shqetësime të tilla.
Dhe ndërsa Lumi kujtonte dhe reflektonte mbi lavditë e vjetra, buzë tij, për herë të parë pas aq shumë kohësh, u afrua një e re, sytë e saj të ngulura në ekranin e telefonit të saj. Dhe Lumi ishte i lumtur.
“Më në fund”, tha ai, “dikush që ja vlenë ta magjepsi”. Ishte ditë e mirë për metamorfozë. Dielli vizatoi hije të rënda mbi muret e Kejit. Flladi i butë solli erën e barit të sapo prerë. Gurtë e lumit nisën një simfoni që nuk ishte dëgjuar që kur ai klubi i ri kishte filluar të lëshonte muzikë me zë të lartë.
Nara u ul buzë lumit. I hoqi këpucët dhe i zhyti këmbët në ujë. Era iu turr flokëve të saja dhe i shndërroi në një tufë shqiponjash të zeza. Njërën dorë e mbështeti mbi tokë, e drejtoi shpinën, dhe — ndërsa Lumi ishte i bindur se ajo do ta shikonte ujin dhe në të të gjente reflektimin e saj — ajo e ngriti krahun tjetër, me telefon në dorë. Nara e shikoi ekranin plotë shkëlqim dhe në të gjeti reflektimin e saj.
“Nuk është e drejtë”, mendoi Lumi, “nuk janë këto rregullat e lojës”. Por Ekrani thjeshtë qëndroi dhe inçizoi nga këndi i lartë. Bit për bit, pixel për pixel, Nara ngadalë-ngadalë u gëlltit dhe u ngarkua në ekran. Ngadalë, ekzistenca e saj u fshi nga rrafshi fizik.
Dhe Lumi u pikëllua për fundin e magjisë së vjetër, deri sa krejt çfarë kishte mbetur nga Nara ishin pëlqimet, nja dy hashtag-a, dhe një emoji e re për lulen e sapo zbuluar të Narës.
Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.