Një ditë pune me mjekun e fshatit të largët.
Nga Ferdi Limani - 05.06.2018Feti Salihu nuk e vuri në pikëpyetje për asnjë sekondë kthimin në vendlindje kur iu dha mundësia. Në fund të viteve të 70-a, diplomoi nga Fakulteti i Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës. Më pas, e kreu shërbimin ushtarak dhe pastaj praktikën mjekësore në spitalin e Prizrenit. Dy vite pas diplomimit, ai hoqi dorë nga jeta në qytet për t’u kthyer në fshatin Bresanë, në jug-perëndim të Kosovës.
Gjashtëdhjetë vjeçari, hijerëndë në shikim të parë, është bërë një nga personat më të dashur të këtij fshati. Katërmijë banorët e fshatit Bresanë, të komunës së Dragashit në jugperëndim të Kosovës, mbështeten në të dhe ia besojnë atij shëndetin e tyre.
Përveç që punon në Qendrën e Mjekësisë Familjare të komunës së Dragashit dhe në klinikën e tij private, Salihu shkon derë për derë dhe u ofron pa kushte dhe pa pagesë ndihmën mjekësore atyre që kanë nevojë urgjente për të. Gjithashtu, e ndalin rregullisht në rrugë e në kafene për të marrë këshilla të shpejta mjekësore.
Doktori më i vjetër i Bresanës, përpos konsultimeve të zakonshme apo diagnostikimit të problemeve shëndetësore, ka raste kur ndihmon gjatë lindjes dhe bën intervenime urgjente kirurgjike.
Ekipi mjekësor në këtë fshat përbëhet kryesisht nga mjekët familjarë, infermierët si dhe një dentist dhe një farmacist.
Qendra e mjekësisë familjare së fshatit është e pajisur me laborator bazik, një aparat ECHO, një defibrilator dhe një elektrokardiogram të vjetër, pajisje këto, që i përmbushin minimalisht nevojat e personelit. Megjithatë, doktorët thonë se nuk i kanë serumat të cilat nevojiten për trajtimin e kafshimeve të gjarpërinjëve, të cilat janë të shpeshta në malet e Sharrit, veçanërisht gjatë pranverës.
Gjithashtu, fshati më i madh i Komunës së Dragashit ka në dispozicion një auto-ambulancë për raste emergjente që shumicën e kohës shërben për transportin e të sëmurëve për në qendrën spitalore të Prizrenit. Këtë automjet e nget një shofer vullnetar.
Salihu e ka një asistent, infermierin 36 vjeçar Vehab Ramadanin, i cili ndihmon me mbajtje të inventarit, si dhe e zëvendëson sekretareshën (bashkëshorten e Salihut) kur ajo nuk është në punë. Ramadani gjithashtu ndihmon me dokumente, pret pacientë dhe performon procedura të vogla mjekësore.
Salihu i ndante detyrat profesionale me një pediatër, por Qendra e Mjekësisë Familjare tani operon me dy doktorë dhe një dentist.
Qendra e Mjekësisë Familjare në Bresanë, ka parë ndryshime prej kur Salihu filloi punën aty në fund të viteve të 90-a, duke u rindërtuar krejtësisht pas luftës.
Pacientët e Salihut janë të moshave të ndryshme, prej foshnjeve të sapolindura e deri te Muhamet Muhameti, i cili është 100 vjeç. Salihu gjithashtu kujdeset për një pacient i cili është në koma për më shumë se një dekadë.
Fshatarët që nuk kanë mundësi të shkojnë në qendër Salihu i viziton në shtëpitë e tyre. Mjafton ta thërrasin në telefonin e tij mobil.
Në pushimet e rralla të tij, Salihu shpeshherë porosit kafe nga restoranti përballë që drejtohet nga vëllau i tij.