Zoja, gjithnjë zemërhapur e çel derën e oborrit. Qe tri vjet e gjysmë, asaj ditët ia zgjat vetmia në shtëpinë me fasadë të verdhë. Netët i janë bërë edhe më të gjata. Dikur, oborri i vogël vlonte prej zhurmës së fëmijëve të saj. Pastaj, prej zërave të mbesave e të nipave. Sot, topi i llastikut në një qoshe ia ngjall kujtimet e shumta. Hapat e parë të fëmijëve. Të qeshurat në grup. Lojërat. Brohoritjet e shënimit të golit të fitores. Shpërthimet e triumfit të përbashkët kur i fundit prej lojtarëve “pështynte” me “phu për krejt” për t’i shpëtuar të gjithë në lojën “Fshehtas”.
Ulur në freksinë e hijes poshtë rrushit dhe kivit gjethegjelbër në fundshtator, Zoja në këtë vend kujton edhe të qarat e fëmijëve të lënduar gjatë lojërave. Edhe ethet e ditëve të liga të familjes dhe gjithë Kosovës gjatë vitit 1999. Sot, ajo jeton fikall vetëm.
Trokitjet e zërat e Elita Cenës dhe Ajshe Morinës ia ndërrojnë çehrën. Vizitat e riosheve 14-vjeçare për qejf e zor ia kthejnë gjallërinë oborrit dhe shtëpisë. Atyre u rrëfen edhe për gëzimet. Për hallet e dertet e familjes. Më me qejf u rrëfehet gjerë e gjatë për burrin, sepse prejse vdiq ai, nuk ka me kë të ndërrojë një llaf brenda katër mureve.
“Prejse m’ka dekë burri qe tri vjet e gjysmë jetoj hu vetëm”, thotë 73-vjeçarja nga Rahoveci.“Ma kurrë s’kam pi kafe në mëngjes se gjithë bashkë e kemi pi. Bile kaniher’ them ‘pse u vonojsha hajt edhe ni punë, hajt edhe ni tjetër’ e kafet u ftofshin”.
Zoja ndërron temë. Mallëngjimit ia marrin anën kujtimet e bukura.
“E thirrsha Bill Clinton se u kanë i hijshëm si Clintoni i Amerikës”, thotë Zoja teksa krahason bashkëshortin me ish-presidentin amerikan.
Pos vullnetareve, Zojës nuk ia hap kush derën. Fotografia: Majlinda Hoxha / K2.0.
Është ditë e ngrohtë fillimvjeshte në qytetin e rrushit. Zoja ngulmon me çdo kusht që Elita e Ajshja, që kohë pas kohe kujdesen për të, të çojnë nga një gotë lëng të ftohtë pasi rrallëherë i kthehet kështu gjallëria oborrit.
“Mirë, shyqyr prej Zotit mirë jam. Po vijnë edhe këto me shku me m’ble diçka, po më thonë ‘çka ki dëshirë me t’ble? A po do me shku n’ambulantë?’” tregon Zoja, nënë e dy vajzave dhe tre djemve.
Të gjithë të martuar që jetojnë në Gjermani. “Krejt kanë dalë pa viza e atje masnej i kanë ba. I mrami prej djemve ka dalë mas lufte n’Gjermani. Tash po vijnë niher n’vjet, e sivjet janë kanë dy herë”, thotë ajo. “Vallahi zor boll vetë, edhe tash jam kanë pak smutë, po vijnë këto çikat”. Derisa flet, Zoja hedh shikimin kah Elita e Ajshja. Zoja e ka të hapur derën e djemve dhe vajzave në Gjermani, por pas vdekjes së bashkëshortit nuk vizitoi asnjëherë më Gjermaninë.
Druan se edhe mund t’u bëhet pengesë fëmijëve. “Sa të jam e fortë, ma mirë po rri këtu se pasha Zotin djemtë e çikat m’kanë lutë ‘hajde be nanë këtu’, po nuk ka ma mirë se n’shpi tem”, thotë ajo. “Kur po vijnë n’pushim po kënaqemi kejt bashkë, por ata e kanë jetën e vet atje. Kurrë s’jam shku ma pa burrin. Kur e kisha burrin, shkojsha. Kemi shëtitë dorë për dore në Gjermani, u kënaqshmi”.
Elita dhe Ajshja ndërkohë e ndihmojnë në korridor derisa Zoja sjell edhe biskota në tavolinën jashtë. “Ne kalojmë shumë mirë, folim, qeshim, kohën kam qejf me kalu këtu. Na tregon pak për jetën e saj, për shumë gjëra”, thotë Elita. “Gjithnjë [Zoja] rri duke qeshur”.
“Unë kam qejf me ngu për të kaluarën e vet. Ka histori të dhimbshme dhe ne duhet t’i japim më shumë përkrahje”, thotë Ajshja. Para martesës, Zoja kishte punuar në njërën prej fabrikave shtetërore në Rahovec në Kosovën në Jugosllavinë. Pas martesës, familja e bashkëshortit e ndali nga puna.
Disa vullnetare, si Elita dhe Ajshja, i kanë shoqëruar të moshuarit në kohën e tyre të shëtitjes, vizitave mjekësore e gjatë blerjes së ushqimit dhe ilaçeve. Fotografia: Majlinda Hoxha / K2.0
“Çikat”, qysh ka qejf t’u drejtohet Elitës dhe Ajshës 14-vjeçare që asnjëherë nuk i shkojnë duarthatë, janë dy prej vullnetarëve të organizatës lokale “Hareja” që për gjashtë muaj ka zbatuar projektin “Të jetosh vetëm”, në kuadër të të cilit vullnetarët/et kanë ndihmuar dhjetëra të moshuar/a në Rahovec për të cilët nuk ka kush të përkujdeset për nevoja të domosdoshme. Zoja është një prej 65 të moshuarve/ave nga zona e Rahovecit që morën mbështetjen e vullnetarëve/eve.
Shoqata “Hareja”, e themeluar në vitin 2000, gjatë ofrimit të shërbimeve piskologjike, fizioterapeutike dhe aktiviteteve të ndryshme psikosociale në qytet e rrethinën e Rahovecit, kishte vërejtur numrin në rritje të të moshuarve/ave që po jetonin vetëm për shkak të migrimit të fëmijëve brenda e jashtë vendit, por kishte edhe të moshuar/a që nuk kishin fëmijë.
“Gjatë punës tonë në terren, rastësisht jemi takuar me gra të moshave të ndryshme, me persona të ndryshëm, ku kemi biseduar dhe e kemi parë se shumica e të moshuarve kanë mbetur pa përkujdesje”, thotë Adelina Paçarizi, drejtore e shoqatës. Ajo tregon se menjëherë kishin nisur hartimin dhe zbatimin e projektit përmes së ciliy u identifikuan 65 të moshuar/a që jetojnë vetëm. Prej tyre, 33 janë gra shqiptare, 30 serbë – 19 gra dhe 11 burra – dhe dy romë.
Për projektin “Të jetosh vetëm”, “Hareja” mori edhe licencën e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale për t’u kujdesur dhe për t’i trajtuar me programe profesionale të moshuarit përfitues. Paçarizi thotë se ky projekti, i cili nisi në shkurt 2023 dhe zgjati gjashtë muaj donte t’u tregonte të moshuarve të vetëm se shoqëria nuk i kishte harruar pavarësisht mungesës së kujdesit të njëmendtë institucional.
Adelina Paçarizi, drejtore e shoqatës “Hareja” thotë se projekti synonte t’u tregonte të moshuarve se shoqëria nuk i kishte harruar pavarësisht mungesës së kujdesit të njëmendtë institucional. Fotografia: Majlinda Hoxha / K2.0.
Përgjatë gjashtë muajve, të moshuarit/at janë mbledhur në objektin e “Hareja” në Rahovec, ku kanë takuar bashkëmoshatarët e tyre nga vendbanime dhe etni të ndryshme. Aty edhe kanë gatuar së bashku dhe më pas kanë ftuar njëri-tjetrin nëpër shtëpi për t’i fuqizuar lidhjet e tyre shoqërore, duke i ndarë hallet që i përbashkon një element: jeta në vetmi. Të moshuarit po ashtu kanë vizituar vende të ndryshme në Kosovë, si burimin e Drinit të Bardhë, malet e Rugovës.
Për Zojën, udhëtimi në grup ishte qejf i madh, ku pos shakave e muhabetit serioz, mund ta njihnin edhe jetën e tjetrit. Zoja thotë se bashkë me shoqe ia kanë thënë këngës dhe kanë rrokur valle për ta harruar përkohësisht mërzinë e vetmisë.
Disa vullnetare, si Elita dhe Ajshja, i kanë shoqëruar të moshuarit në kohën e tyre të shëtitjes, vizitave mjekësore e gjatë blerjes së ushqimit dhe ilaçeve.
Vetmia — ndjenjë e rëndë për të moshuarit/at
Zoja nuk ka pranuar të tregojë identitetin e t’i fotografohet fytyra vetëm nga frika se, siç thotë ajo: “djemtë dhe çikat n’Gjermani mujnë me ni fjalë ‘këqyre qysh e paskan lanë nanën vetë’, e ata nuk kanë faj pse unë s’kam dashtë me nejtë me ta atje”.
Në Kosovë vazhdon të ekzistojë pritshmëria shoqërore, sipas të cilës, fëmijët duhet duhet të kujdesen për prindërit e tyre në pleqëri.
Artan Krasniqi, ligjërues i sociologjisë së kulturës në Departamentin e Sociologjisë në Universitetin e Prishtinës, thotë se të moshuarit e tanishëm, në rini kishin projektuar pleqërinë e tyre nën përkujdesin e pasardhësve, apo familjarëve të tyre të ngushtë.
“Kjo pra ka qenë, e në masë të madhe vazhdon të jetë, norma dominante në shoqëri. Shmangia nga kjo normë përcillet me gjykim e sanksion moral, që për shoqëritë tradicionale është damkë goxha e rëndë”, thotë Krasniqi. “Të vetëdijshëm për etiketën,stigmën, që mund të marrin fëmijët që ‘braktisin’ prindërit e tyre, këta të fundit vendosin ta heshtin apo të tregojnë për një gjë të tillë më lehtë në kushte anonimiteti. Është një përpjekje për të ruajtur nderin e familjes, në mënyrën që e kanë krijuar vetë”.
Numri i të moshuarve që jetojnë vetë ka shkuar duke u rritur në Kosovë, veçanërisht për shkak të migrimit në vendet evropiane, por edhe për shkak të thyerjes së normës tradicionale.
Gjatë intervistës në zyrat e “Haresë”, psikologia e angazhuar në projektin “Të jetosh vetëm”, Almedina Jaha, thotë se izolimi në pleqëri ndikon negativisht te personat si Zoja, që pjesën më të madhe të jetës e kanë kaluar në familje të mëdha.
“Të moshuarit kanë kërkuar mbështetje tek familjarët e tyre gjithmonë dhe kjo ka ndikuar negativisht. Këtu bëhet pjesë edhe lëvizja e popullsisë fshat-qytet, apo jashtë vendit”, thotë ajo, duke shtuar se shoqëria kosovare nuk është përgatitur për ndikimin e ndryshimeve në mesin e pleqve. “Nuk kemi menduar se do të ketë lëvizje kaq të madhe të popullsisë”.
Krasniqi thotë se gjeneratat më të vjetra janë më rezistente dhe më refuzuese ndaj ndryshimeve shoqërore, “sepse ato ua prishin zonën e rehatisë ose në këtë rast, projeksionin e tyre për zonë të rehatisë. Kjo përcillet me një traumë dhe presion psikologjik e social te ata”.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, mosha mesatare në 1.7 milionë banorët e Kosovës është 30 vjet dhe vetëm 6.2% prej tyre janë të moshës 65 ose mbi 65 vjeç. Dhe “meqenëse për të moshuarit gati gjithmonë përkujdesen familjet e tyre, interesat e tyre në masë të madhe shpërfillen nga shoqëria”, shkruan që në krye të hyrjes së hulumtimit “Mos u plaksh”, botuar më 2018 nga instituti kërkimor, Iniciativa Kosovare për Stabilitet (IKS).
“Me një pjesëmarrje të vogël në elektorat, të moshuarit janë shpërfillur për një kohë të gjatë nga politikanët tanë dhe ndryshe nga disa prej fqinjëve tanë, ne nuk kemi parti të fuqishme të pensionistëve”, thuhet në hulumtimin e IKS-së. Sipas hulumtimit, as natyra e shoqërisë kosovare nuk ndihmon shumë në këtë aspekt. Me ligjin për familjen, shteti ia delegon familjes kujdesin për të moshuarit. Të rralla janë aktivitetet për ta.
Në anketimin e kryer në kuadër të “Mos u plaksh” nga IKS, shumica e pensionistëve të Kosovës, asnjëherë nuk kanë shkuar në teatër, apo nuk kanë parë ndonjë film ose ekspozitë.
“Përveç kësaj, me shumë pak klube për penionistë dhe thuajse asnjë qendër të kujdesit ditor me hapësira të përshtatshme për të moshuarit, izolimi dhe mungesa e ushtrimeve fizike e mendore, mund t’i kontribuojnë mirëqenies së dobët fizike dhe mendore, që me shumë gjasë shkakton pasoja, siç është dementia dhe Alzhaimeri”, thuhet në raport, derisa 90% për qind e të anketuarve deklaronin se familjet i mbështesin me shpenzimet për barna dhe se asnjëri prej tyre nuk kishte sigurim shëndetësor privat.
Anketa e IKS spikat se 88% e pensionistëve të anketuar do të donin të përfshiheshin “në aktivitete, që i kushtohen grupmoshës së tyre nga organizatat e shoqërisë civile, ta zëmë në fushën e vullnetarizmit”.
Paçarizi thotë se në mjediset e selisë së “Haresë”, në ditë hyjnë e dalin rreth 200 persona për nevoja të ndryshme. Gjatë fushatave vetëdijësuese u angazhuan edhe vullnetarët për përkujdes për të moshuarit e vetëm. “Ka pasur vajza të interesuara që janë lajmëruar këtu tek ne se duan të kontribuojnë diçka vullnetarisht pasi të kryejnë mësimin”, thotë ajo.
Almedina Jaha, psikologe, thotë se ndjenja e vetmisë mund të ketë ndikim të madh në shëndetin mendor të të moshuarve. Fotografia: Majlinda Hoxha /K2.0
Psikologia Jaha thotë se ndihma për të moshuarit pa përkujdesje është shumë e rëndësishme në shumë aspekte.
“Për të moshuarit, ndjenja e vetmisë mund të ketë ndikim të madh në shëndetin mendor të tyre, ndërsa ndihma dhe kujdesi ndaj tyre ndikon pozitivisht qoftë në përmirësimin e gjendjes emocionale, qoftë në zbutjen e ndjenjës së vetmisë, apo edhe të ankthit në disa raste”, thotë ajo.
Jaha thotë se pas seancave psiko-sociale, kolektive e individuale, të moshuarit kanë arritur t’i menaxhojnë më mirë emocionet e tyre, duke u ndërgjegjësuar edhe për nevojat e tyre fizike dhe psikologjike. “Gjatë aktiviteteve psiko-sociale, të moshuarit i kemi dërguar në vende të ndryshme, kemi vizituar qytetet të ndryshme të Kosovës, ku kanë mundur të socializohen pak më shumë me bashkëmoshataret e tyre, duke iu dhënë ndjenjën e lumturisë, ndjenjën e kënaqësisë, ndjenjën e ndarjes së problemeve të cilat i kanë”, tregon Jaha.
Zoja rrëfen për shyhretin në autobus gjatë rrugës nëpër qytete e bukurive malore të Kosovës. “Vallahi kënaqemi me def e kangë. Qe ku i ki këto, le t’kallxojnë”, thotë Zoja, me shikimin hedhur nga Jaha e Paçarizi, të cilat na shoqërojnë në vizitën te Zoja. Ato pohojnë me kokë atë që thotë Zoja.
“Kur kemi shku në Bogë, në hotel kishte disa instrumente të vjetra muzikore dhe kjo i pyeti se a mundet me marrë. I ka ra defit e jemi kënaq”, shton Paçarizi.
“Unë kam qejf me ba atsmoferë e me ba hajgare. Nuk du m’i lodh gratë me hjekat e mia. Du me folë e me u shoqëru”, shton Zoja, e cila ishte rritur në familje të madhe tradicionale.
“Askund nuk shkojmë pa të se ka çka me kallxu”, bashkohet Jaha.
Zoja është një prej 65 të moshuarve/ave nga zona e Rahovecit që përfituan nga projekti 6-mujor. Fotografia: Majlinda Hoxha / K2.0.
Jaha mendon se shoqëria dhe institucionet, lokale e qendrore, duhet të aktivizohen shumë më shumë me këtë këtë kategori të qytetarëve.
Saranda Sallteku, drejtoreshë e Shëndetësisë dhe e Punëve Sociale në Komunën e Rahovecit thotë se ky projekt mund të shërbejë si kornizë pozitive që mund të përdoret edhe në të ardhmen. Sipas saj, Komuna e Rahovecit mbështet projektet që synojnë njohjen dhe ofrimin e ndihmës ndaj kategorive të cenueshme. “Këto projekte kanë një ndikim pozitiv në mënyrën se si njerëzit njëri-tjetrin dhe janë të rëndësishme për disa arsye: toleranca dhe mëkëmbja e marrëdhënieve, përparimi i diversitetit, mbështetja për komunitetet në nevojë, ndryshimi i stereotipeve dhe ndihma ndaj komuniteteve” thotë Sallteku.
Zoja po lutet që të ketë shëndetin sa të mund t’u shkojë e t’i ftojë shoqet e lagjes kafe. “Sa me ndërru naj llaf se vetë t’ha shpija. Këto çikat s’po pritojnë me ardhë dhe po më qesin kapak, por nuk muj m’i ngarku me halle t’mia se janë t’reja m’i ngarku e m’i mërzitë”, thotë Zoja si në faj.
“Jo, na kemi mësu shumë prej saj. Edhe kur kujdesemi për të moshuarit, ne në të vërtetë tregojmë respekt për mundin e tyre për ne”, thotë Elita fytyrëqeshur. Zojës i bëhet qejfi.
Në përfundime, hulumtimi “Mos u plaksh” përkujton se është detyrë e shoqërisë në përgjithësi dhe e Qeverisë në veçanti që të sigurojë nivel të dinjitetshëm të kujdesit për çdo qytetar nga lindja deri në vdekje.
“Përveç Shqipërisë, secili fqinj i yni dhe pjesa më e madhe e Evropës ka popullsi të vjetër në moshë, e edhe Kosova po shkon në këtë drejtim. Për t’u përkujdesur për 23%të njerëzve tanë, të cilët do të mbushin 65 vjet deri në vitin 2050, ne duhet ta planifikojmë e të punojmë që të kujdesemi për ta nesër”, thuhet në hulumtim.
Derisa Komuna e Rahovecit është zotuar se do t’i shqyrtojë mundësitë që leksionet e projektit “Të jetosh vetëm” t’i integrojë në politikat lokale për të moshuarit, Paçarizi thotë se “Hareja” se po bën përpjekje që të gjejë donatorë që projekti të mos ndalet.
Elita e Ajshja do të vazhdojnë t’ia zgjasin dorën e ndihmës Zojës pavarësisht zhvillimeve të lidhura me projektin. Do t’ia çelin derën. Shpresojnë, më shpesh për qejf e më rrallë për zor.
Imazhi i ballinës: Majlindë Hoxha / K2.0
Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi vetëm e K2.0.
A jeni kurreshtarë ta dini se si financohet gazetaria që prodhojmë? Klikoni këtu për të mësuar më shumë.