Pikëpamje | Politika

Muaj i kalkulimeve politike

Nga - 16.08.2019

Mbretëron pasiguria në politikën kosovare.

Që nga dorëheqja e kryeministrit Ramush Haradinaj më 19 korrik, skena politike dhe qytetarët po jetojnë me ethet parazgjedhore. Ndonëse zyrtarisht ende nuk është vendosur që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme, de facto që të gjithë janë pajtuar me idenë që brenda pak javësh të kemi zgjedhje.

Për rrjedhojë, secila nga partitë politike, akoma pa u shpallur zgjedhjet është futur në modus operandi parazgjedhor në të gjitha aspektet. Marrëdhëniet me publikun, tipike për fushata zgjdhore, aktivizimi në rrjete sociale i liderëve dhe i “ushtarëve të tyre kibernetikë”, moralizimet me dukuritë negative që e shoqërojnë vendin tonë, ngarendja për të marrë merita të proceseve e vendimeve të perceptuara si pozitive, akuzimi i njëri-tjetrit për ato që perceptohen si negative, diskursi me erëza premtimesh elektorale, kalkulimet dhe koalicionet e mundshme, janë vetëm disa nga tiparet që të bindin se Kosova po i afrohet ciklit zgjedhor të radhës.

Hutia fillestare

Pas dorëheqjes së kryeministrit Haradinaj, pasoi një huti në opinionin publik nëse dorëheqja e tij nënkuptonte rënien e qeverisë dhe futjen në zgjedhje, apo e linte të hapur mundësinë për një mandatar të ri.

Në fakt, që në ditët e para pas dorëheqjes, kryeministri Haradinaj vazhdoi të thërriste mbledhje të kabinetit qeveritar dhe të dilte si rëndom në punë për çdo ditë. Por, për shumë analistë politikë ky ishte veprim i gabuar, sepse në momentin e dorëheqjes vendi është pa qeveri. Sipas Enver Hasanit, ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese, kur jep dorëheqje kryeministri, aty pushon veprimtaria e tij dhe nuk mund të cilësohet si “kryeministër në dorëheqje”, sikurse as qeveria e tij si “qeveri në dorëheqje”.

Neni 95, pika 5, i Kushtetutës së Republikës së Kosovës tregon hapat që duhet të ndiqen pas dorëheqjes së kryeministrit të Kosovës. “Nëse Kryeministri jep dorëheqjen ose për arsye të tjera, posti i tij/saj mbetet i lirë, Qeveria bie, dhe Presidenti i Republikës së Kosovës, në konsultim me partitë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën në Kuvend, mandaton kandidatin e ri, për të formuar Qeverinë”, thotë Kushtetuta e Republikës së Kosovës.

Megjithëse ka dhënë dorëheqje më 19 korrik, Ramush Haradinaj ka vazhduar ta drejtojë qeverinë, ndërsa analistët po thonë se nuk duhet të jetë kështu. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj, iu drejtua Gjykatës Kushtetuese me kërkesën që të interpretohet dorëheqja e tij nga posti i kryeministrit dhe të definohen kompetencat e funksionimit të qeverisë pas këtij akti. Haradinaj shkroi në llogarinë e tij në Facebook se qëllimi i kësaj kërkese është  jo vetëm që të kërkohet sqarim për situatën juridike të krijuar pas dorëheqjes dhe të shmanget vakuumi institucional, por edhe që ky interpretim nga Gjykata Kushtetuese t’i qartësojë situatat e ngjashme në të ardhmen.

Kurse, që me datë 30 korrik, Presidenti Thaçi nisi konsultimet me partitë politike për hapat e mëtutjeshëm pas situatës së re të krijuar me dorëheqjen e Haradinajt.

Ndonëse vërtet ka ekzistuar hutia kushtetuese nëse Presidenti duhet ta mandatojë një kryeministër të ri apo duhen mbajtur zgjedhje dhe nëse kemi në rastin konkret “qeveri në dorëheqje”, megjithatë ka qenë e qartë që nga fillimi gatishmëria e të gjitha partive politike për të shkuar në zgjedhje të parakohshme.

Drejt zgjedhjeve

Me kalimin e ditëve, situata filloi të qartësohej dhe vullneti politik i partive për të shkuar në zgjedhje me shumë gjasë do të triumfojë mbi paqartësitë kushtetuese. Kryesia e Kuvendit të Kosovës, në fillim të muajit gusht e caktoi 22 gushtin si datën kur deputetët e Kuvendit do ta kenë mundësinë që ta shpërbëjnë këtë legjislaturë, duke votuar një mocion të mosbesimit në qeveri.

Veprimi i tillë do t’i hapte rrugë zgjidhjes së ngërçit, sepse e detyron Presidentin që t’i shpallë zgjedhjet e parakohshme jo më larg se 45 ditë pas datës së shpërbërjes së Kuvendit.

Janë disa arsye të mundshme pse nuk është shpërbërë ende Kuvendi. Sipas kreut të grupit parlamentar të Nismës, arsyeja kryesore është sugjerimi i Bashkimit Evropian për vonesë në mënyrë që të themelohet një ekip për monitorimin e zgjedhjeve.

Deputetët pritet të votojnë nëpërmjet një mocioni mosbesimi në qeveri të enjten më 22 gusht, i cili, nëse kalon, do ta çojë vendin në zgjedhje brenda 45 ditësh. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Arsyeja e dytë pse Kuvendi nuk do të shpërbëhej më herët ishte se të gjitha partitë politike – përpos AAK-së që sikur është rritur në sondazhe nga dorëheqja e Haradinajt e perceptuar si heroike – kanë interes që zgjedhjet të prolongohen sa më shumë, d.m.th. të shtyhen rreth vjeshtës. Partitë janë zënë të papërgaditura nga ideja e zgjedhjeve mu në kohën kur politikanët po planifikonin pushimet. Për ta thënë shkurt, ato kanë nevojë për më shumë kohë që ta mobilizojnë elektoratin e tyre.

E treta, nëse zgjedhjet do shpalleshin më herët, fushata do të duhej të zhvillohej gjatë gushtit – muaj i verës, pushimit e dëfrimit – dhe partitë druanin se kjo do ta irritonte qytetarin që mu në mes të pushimeve të lodhej nga premtimet elektorale.

Kësisoj, nëse Kuvendi e shpërndan veten më 22 gusht, atëherë zgjedhjet me gjasë do të mbahen të dielën e fundit të muajit shtator ose të dielën e parë të muajit tetor.

Kalkulimet politike

Zgjedhjet parlamentare të vitit 2017 me sa duket u kanë dhënë një leksion të rëndësishëm partive politike: shmangni koalicionet e mëdha parazgjedhore! 

Në përpjekje për ta “luajtur” sistemin zgjedhor pas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese në vitin 2014 që i dha efektivisht më shumë peshë koalicioneve parazgjedhore sesa pakteve paszgjedhore në formimin e qeverisë, PDK dhe LDK formuan koalicione të mëdha parazgjedhore më 2017, por në fund me sa duket ato u kushtuan.

P.sh. PDK-ja ka humbur shumë vota brenda koalicionit PAN, sepse struktura e saj ishte demobilizuar për dy arsye: 1. Nuk ka pasur vullnet të punojë për një kandidat për kryeministër si Haradinaj me të cilin kanë pasur hatërmbetje të mëhershme; 2. Meqë PDK-ja e ka dorëzuar një pjesë të madhe të listës zgjedhore tek kandidatët për deputetë të AAK-së dhe Nismës, kandidatët potencialë të PDK-së, të ngelur jashtë liste, nuk e kanë mobilizuar elektoratin e vet.

Të gjitha partitë aktualisht janë duke bërë kalkulime politike se si t’u qasen më së miri zgjedhjeve të pritura. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Prandaj, mësimet nga pësimet e PDK-së në vitin 2017 mund të bëjnë që këtë herë partitë politike të jenë më skeptike ndaj koalicioneve parazgjedhore.

Megjithatë, më 13 gusht u raportua për një takim mes kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa, dhe kryetarit të Vetëvendosjes, Albin Kurtit. Gjuha e butë e përdorur nga dy ish-rivalët e mëdhenj politikë befasoi shumëkë, por asnjëri prej tyre pas takimit nuk u shpreh nëse janë marrë vesh për një koalicion parazgjedhor.

Është përfolur shumë koalicioni LDK-VV, por përkundër takimeve, duke parë pozicionet aktuale, gjasat janë të vogla që ai të jetësohet. 

Politika është e paparashikueshme dhe nuk mund të përjashtohen tërësisht as koalicionet eventuale.

LDK-ja është në pozicion të favorshëm – pasi i shpëtoi përçarjes në Kuvend pas zgjedhjeve të fundit të lidershipit të saj – dhe prandaj të pakta janë gjasat që do të lëshonte pe ndaj Vetëvendosjes për postin e kryeministrit. Pikat e tjera për të cilat mund të ketë mospajtime  ndërmjet tyre janë programi qeveritar (LDK është parti konservatore e qendrës së djathtë, ndërsa Vetëvendosja është socialiste nacionaliste), vlerësimi i figurës së Ibrahim Rugovës (te LDK respektohet e admirohet ndërsa Vetëvendosja nuk e do shumë), vendet në listën e deputetëve, ndarja e resorëve qeveritarë dhe qasja ndaj dialogut (LDK e ka mbështetur për një kohë të gjatë, ndërsa VV është vendosmërisht kundër tij).

Por, politika është e paparashikueshme dhe nuk mund të përjashtohen tërësisht as koalicionet eventuale. Në atë motërzim, AAK-ja dhe LDK-ja janë në pozicionin më të favorshëm sepse janë parti të cilat nuk i ka refuzuar a priori asnjëra prej partive të tjera politike, kështu që ato mund të kombinohen më së lehti me të tjerët.

Në këtë aspekt, PDK-ja është më e hendikepuara, sepse plot parti janë deklaruar kategorikisht kundër formimit të koalicionit me ta, sepse gjatë gjithë këtyre viteve në pushtet kanë qenë të njollosur nga korrupsioni dhe nepotizmi.

Me gjasë, gjithçka do të varet nga rezultatet e zgjedhjeve. Rezultati, në fund të fundit, do t’i përcaktojë edhe koalicionet. Partia që do të dalë e para, do të mundohet t’i shmangë për koalicion partitë që kanë rritje ose kanë marrë numër të madh votash, sepse ato do të ishin më vështirë të menaxhueshme si partnerë. Partia e parë do të mundohet të shkojë me 2-3 partnerë më të vegjël, të cilët nuk e kalojnë 10%-shin, dhe kësisoj ta kontrollojë më lehtë kabinetin e ri qeveritar.K

Foto kryesore: Atdhe Mulla / K2.0.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO

Kthehu n'fillim

THANKS FOR YOUR COMMENT

AFTER A QUICK CHECK IT WILL BE PUBLISHED HERE. PLEASE BE PATIENT.

THANKS FOR SUBSCRIBING

THANKS FOR YOUR COMMENT

AFTER A QUICK CHECK IT WILL BE PUBLISHED HERE. PLEASE BE PATIENT.