Blogbox | Të drejtat e njeriut

Mungesë shprese dhe ndjesi e krizës së pashmangshme

Nga - 04.12.2020

Hulumtuesja e Amnesty International mbi një krizë “të parashikueshme dhe plotësisht të shmangshme”.

Ndërsa temperaturat vazhdojnë të bien, mijëra refugjatë, migrantë dhe azilkërkues të ngujuar në Bosnjë e Hercegovinë përballen me perspektivën e zymtë të kalimit të muajve rëndues dimërorë të pastrehë.

Mbi 2,000 njerëz janë momentalisht jashtë qendrave zyrtare “për akomodim të përkohshëm”. Ata janë të detyruar të flenë në parqe apo të kërkojnë strehë në shtëpi të braktisura dhe fabrika jofunksionale. Disa kanë ndërtuar kampingje në pyje të ashpra, jashtë syve të policisë dhe autoriteteve. 

Për shumicën e njerëzve që udhëtojnë përgjatë të ashtuquajturit Shteg Ballkanik, udhëtimet e gjata përfundojnë në Kantonin e Una-Sanas në qoshkun veri-perëndimor të Bosnjës. Kantoni kufizohet me Kroacinë dhe është në derë të Bashkimit Evropian. 

Njerëzit të cilët shtyhen dhunshëm nga policia kroate apo detyrohen të kthehen në Bosnjë përfundojnë në një nga kampet e përkohshme të ndërtuara me ndihmën financiare të BE-së dhe të menaxhuar nga agjencia e migrimit të OKB-së, IOM. 

Përderisa kampet ofrojnë strehë, ushqim bazik dhe mbështetje mjekësore apo tjetër bazike, shumica janë të mbipopulluar dhe të pistë deri në rrezikshmëri, dhe nuk ofrojnë privatësi apo kushte për një jetë të denjë. Afro 6,000 njerëz janë duke qëndruar momentalisht në këto kampe, shumica e të cilave janë në Kantonin Una-Sana.

Masa shtrënguese ndaj migrantëve dhe azilkërkuesëve

Kohët e fundit, autoritetet e Kantonit, të frustruar nga mungesa e mbështetjes nga pjesët tjera të vendit dhe të trimëruar nga retorika e ngritur nga periudha paraprake e zgjedhjeve lokale në fillim të nëntorit, kanë shtuar zullumin ndaj migrantëve.

Ata kanë urdhëruar mbylljen e kampit Bira në Bihaq, objekti më i madh i tillë në zonë. Policia lokale i kanë dëbuar me dhunë dhe i kanë përcjellur me autobusë banorët deri në periferi të Kantonit, duke i lënë të kujdesen për veten jashtë, me temperatura afër ngrirjes. 

Mbyllja e kampit Bira vetëm sa ka ngritur numrin tashmë alarmues të personave që flenë pa strehë. Një vendim politik i pakujdesshëm po rrezikon jetët e njerëzve, ndërsa kampi i pajisur me kapacitete për të strehuar afro 2,000 persona tash mbetet i zbrazët. 

Aktivistët lokalë që u kanë dhënë ushqim, rroba dhe ilaçe njerëzve në nevojë u janë nënshtruar fushatave të bashkërenduara të shpifjeve dhe madje edhe kërcënimeve me vdekje.

Më herët gjatë verës, qeveria e Kantonit vendosi një seri masash kufizuese — disa prej tyre haptazi diskriminuese — për të limituar lirinë e lëvizjes së njerëzve. Përpos ndalimit të ardhjeve të reja në Kanton, qeveria ua ndaloi migrantëve dhe azilkërkuesve grumbullimin në vende publike dhe përdorimin e transportit publik apo taksive, si dhe ka kërcënuar të gjobisë këdo që u ofron akomodim privat atyre.

Aktivistët lokalë që u kanë dhënë ushqim, rroba dhe ilaçe njerëzve në nevojë u janë nënshtruar fushatave të bashkërenduara të shpifjeve dhe madje edhe kërcënimeve me vdekje, por nuk mund të llogarisnin në mbrojtjen nga autoritetet. Për disa javë në shtator, policia vendosi bllokada nëpër rrugë, ndërpreu transportin dhe largoi migrantët e dyshuar nga autobusët dhe trenat, duke lënë shumë njerëz, përfshirë këtu familje me fëmijë, të ngujuar në territorin administrativ të askujt. 

Ndërsa dimri afrohet, imazhet e tendave të dobëta në djerrinat e mbushura me shi, të njerëzve të mbështjellur me batanije të grumbulluar rreth zjarrit për t’u ngrohur dhe një ndjenjë e përhapur e mungesës së shpresës ndjellin një mbresë të krizës së pashmangshme. 

Imazhe të ngjashme gjatë disa dimrave të kaluar kanë provokuar paralajmërime të ashpra nga aktivistët dhe organizatat për të drejtat njerëzore që duhet të gjehen zgjidhje afatgjata për të shmangur rrezikimin e jetëve. Por dhjetori erdhi sërish dhe ndërsa mijëra njerëz duke flenë pa strehë dhe përballen me trajtim gjithjë e më armiqësor, situata në Bosnjë rrezikon të bëhet krizë humanitare që ka qenë e parashikueshme dhe plotësisht e shmangshme. 

Neglizhimi sistematik 

Përkundër mbështetjes së konsiderueshme financiare dhe logjistike nga BE-ja, autoritetet boshnjake deri më tash nuk kanë vepruar.

Nuk ka pasur përpjekje të bashkërenduara për ta menaxhuar krizën, për të siguruar akomodim të përshtatshëm për migrantët dhe azilkërkuesit dhe për t’i adresuar nevojat e tyre bazike. Në vend të kësaj, kemi qenë dëshmitarë të një situate me neglizhim thuajse sistematik. 

Përgjatë viteve, Ministria e Sigurisë e Bosnjës, e cila është përgjegjëse për çështjet e ndërlidhura me migrim, nuk ka arritur të udhëheqë dhe të punojë me autoritetet nga pjesët tjera të vendit për të identifikuar objekte të përshtatshme për akomodim në të gjithë territorin e Bosnjës. 

Në Bosnjë është e paqartë se kush është vërtet përgjegjës për kampet ekzistuese.

Edhe pse nën ligjet ndërkombëtare dhe vendore Bosnja është e obliguar të sigurojë mbështetje bazike për njerëzit brenda territorit të vet, autoritetet shtetërore kanë vepruar si vëzhgues pasivë përderisa IOM-i dhe organizatat e tjera ndërkombëtare kanë ndërhyrë për të mbushur zbrazëtirën dhe për të menaxhuar reagimin humanitar. 

Si rezultat i marrëveshjeve të dyshimta ligjore dhe protokoleve mes Ministrisë së Sigurisë së Bosnjës dhe organizatave ndërkombëtare, është e paqartë se kush është vërtet përgjegjës për kampet ekzistuese. 

Në vend se të prioritizohet mbështetja për njerëzit e ngujuar pa zgjidhje tjetër në vend, Ministria e Sigurisë së voni ka nënshkruar me ngut një marrëveshje të ripranimit me Pakistanin dhe ka kërcënuar të kthejë me dhunë shtetasit e Pakistanit të cilët i sheh parimisht si “migrantë ekonomikë”, në vend se refugjatë potencialë. Marrëveshja ende s’është ratifikuar, mirëpo retorika zyrtare për t’i trajtuar automatikisht personat të cilët mund të kenë nevojë për mbrojtje ndërkombëtare si grup, në vend se si individë, është një shenjë shqetësuese.

Deportimet — pa shqyrtuar plotësisht rastet individuale — janë kundër ligjit ndërkombëtar dhe atij vendor dhe mund të rezultojnë në persona të kthyer në vende ku jetët e tyre mund të jenë në rrezik. 

Boshllëqet sistematike në sistemin e azilit të Bosnjës dhe mungesa e vazhdueshme e burimeve në Ministrinë e Sigurisë rrisin shqetësime serioze për kapacitetin e saj për të vlerësuar siç duhet një rrezik të tillë dhe si rezultat, të zbatojë kthimet prapa. Përgjatë viteve, më pak se 5% të mijëra njerëzve të cilët kanë shprehur qëllimin për të aplikuar për azil në Bosnjë kanë arritur të paraqesin kërkesën e tyre dhe vetëm disa prej tyre kanë pranuar çfarëdo statusi në vend.

Portierët e Evropës 

Zyrtarët e Bosnjës tash e sa kohë insistojnë që situata e tanishme me migrantë dhe azilkërkues nuk është shkaktuar nga ta dhe që nuk duhet të pritet nga ata ta rregullojnë. Me të vërtetë, shumica e njerëzve të ngujuar në vend janë aty për shkak të zmbrapjeve të dhunshme nga Kroacia.

Si shteti më i ri anëtar i BE-së dhe aspirues i zonës së Shengenit, Kroacia ka qenë kujdestar i mprehtë i kufirit të jashtëm të BE-së. Grupet e të drejtave njerëzore përgjatë viteve kanë dokumentuar shkelje sistematike të të drejtave të njeriut nga policia kroate: dëbime kolektive, deportime të dhunshme dhe dhunë serizoze dhe abuzim të personave të zënë brenda territorit të saj.

Vargu i fundit i incidenteve në të cilat njerëzit u janë nënshtruar torturës, rrahjeve brutale dhe dhunës seksuale kanë nxitur një reagim të fortë, jo-karakteristik të Komisionit Evropian dhe një vizitë me paralajmërim të shkurtër nga Komiteti për Parandalim të Torturës i Këshillit të Evropës.

Shtetet në kufijtë e jashtëm të Evropës kanë përdorur dhunë dhe kanë shkelur ligjet e BE-së për të ndaluar kalimin përmes shteteve të tyre.

Megjithatë, do të ishte gabim të fajësohej vetëm Kroacinë për këso praktika të paligjshme. 

Vërtet, masat drakoniane në kufij janë po aq pasojë e politikave të BE-së për të ulur hyrjet e parregullta dhe për të mbajtur njerëzit jashtë territorit të vet duke forcuar sigurinë në kufij, duke ngritur gardhe dhe duke përdorur kontraktorë të jashtëm për proceset e migrimit. 

Shtetet në kufijtë e jashtëm të Evropës — Kroacia, Greqia, Hungaria dhe Bullgaria — të gjitha kanë përdorur dhunë dhe kanë shkelur ligjet e BE-së për të ndaluar kalimin përmes shteteve të tyre. Dështimi i BE-së për të ndaluar me vendosmëri praktikat e tilla ngrit pyetje mbi përkushtimin e vërtetë që e ka për të drejtat themelore njerëzore dhe vlerat dhe e bën bashkëpunëtore potenciale në shkeljet e vazhdueshme të të drejtave njerëzore.

Vendimi i fundit i Avokatit të Popullit Evropian për të hapur një hetim të bazuar në ankesën e Amnesty International për të përcaktuar nëse Komisioni Evropian ka bërë mjaftueshëm për të siguruar që operacionet kufitare në Kroaci respektojnë të drejtat themelore, është një hap i rëndësishëm në etablimin e përgjegjësisë së BE-së. Përgjatë viteve, politikat e pakontrolluara dhe masat e shteteve anëtare të BE-së të cilat kanë synuar të fortifikojnë kufijtë dhe të mbyllin dyert ndaj migrimit vetëm kanë inkurajuar kontrabandimin dhe shfaqjen e shtigjeve të reja dhe më të rrezikshme. Ato gjithashtu kanë çuar në përhapjen e kampeve të mjerueshme dhe skandaloze dhe grumbullimeve në periferinë e BE-së. 

Pakti i ri i BE-së mbi Azilin dhe Migrimin, i cili është shpallur në shtator, ishte një mundësi për fillim të mbarë. Fatkeqësisht, në vend se të prezantoheshin lajme ambicioze për rrugë të sigurta të qëndrueshme dhe ligjore për ata që i ikin persekutimit dhe varfërisë, Pakti nuk ka ofruar perspektiva reale për përmirësim.

Parandalimi i krizës humanitare në Bosnjë

Përderisa politikat e BE-së padyshim kanë kontribuar në zhvillimin e krizës humanitare në Bosnjë, kjo nuk i shfajëson autoritetet vendore nga përgjegjësia për t’u siguruar urgjentisht strehë dhe për t’i mbështetur personat të cilët janë brenda territorit të vet, si dhe për të forcuar sistemin e azilit. 

Në kontekstin e hapjes së negociatave për pranim në BE, Komisioni Evropian duhet të punojë në mënyrë aktive me autoritetet e vendit për t’u pajtuar për zgjidhje sistematike, duke përfshirë gjetjen urgjente të lokacioneve të reja të përshtatshme për akomodim. BE-ja gjithashtu duhet të vazhdojë t’i ofrojë mbështetje finaciare të rregullt dhe të parashikueshme Bosnjës për të siguruar që nevojat e migrantëve dhe azilkërkuesëve të plotësohen në mënyrë adekuate.

Autoritetet në Bosnjë duhet të tërheqin masat ndaluese dhe diskriminuese që shënjestrojnë migrantët dhe azilkërkuesit dhe të marrin hapa për të mbrojtur aktivistët dhe mbrojtësit e të drejtave njerëzore. Masa të tilla nuk janë vetëm të paligjshme por në mënyrë indirekte rrezikojnë jetët e mijëra njerëzve të cilët veçse janë të margjinalizuar dhe shpërfillin shtetin e së drejtës. 

Dështimi për të vepruar tani mund të shpie jo vetëm në një krizë humanitare, por gjithashtu mund të destabilizojë më tutje shtetin veçse mjaft të paqëndrueshëm.

Imazhi i ballinës nga Alba Domínguez Pena/No Name Kitchen.