Në thelb | Siguria

Një vrasje si pikë kthese

Nga - 06.02.2018

Ekzekutimi i Ivanoviqit: frika, kërcënimi e pasiguria që u injoruan në veri.

Një burrë i shtrirë me gjashtë plumba të shkrepur në gjoks, derisa po hynte në zyrën e partisë së tij në orën tetë të mëngjesit të 16 janarit, ishte parë i përgjakur nga disa nxënës në rrugën “Sutjeska”, në veriun e Mitrovicës.

“Sutjeska” është rruga që mban emrin e një lumi në jugun e Bosnjës dhe Hercegovinës dhe beteja e njohur që kishte ndodhur në afërsi të tij më 1943, e njohur si “ofensiva e pestë e armiqve”, gjatë Luftës së Dytë Botërore. Forcat e Boshtit të përbëra nga Gjermania, Hungaria, Bullgaria dhe Italia kishin dështuar në operacionin ushtarak “Case Black” (Rasti i zi) kundër partizanëve jugosllavë të udhëhequr nga marshalli Josip Broz Tito. Kishte dështuar po ashtu arrestimi i tij. Kështu, kjo betejë u bë e njohur edhe si pika e kthesës së Jugosllavisë, apo e ringritjes së saj, gjatë luftës partizane kundër fashizmit.

Por prej 16 janarit të këtij viti, “Sutjeska” do të mund të kujtohet në të ardhmen edhe për një pikë tjetër kthese, atë të bashkëpunimit të dy komuniteteve me një histori të së kaluarës me rivalitet, në tentimin për të zbardhur një vrasje brutale të burrit 65-vjeçar.

I vrari qëlloi të jetë askush tjetër pos lideri më kundërthënës serb nga Kosova: përfaqësuesi i opozitës serbe në Kosovë nga Nisma qytetare “Demokraci, Serbi, Drejtësi” Oliver Ivanoviq.

Vrasje kriminale dhe e organizuar në mënyrë tejet profesionale – kështu e cilëson kryeprokurori i Mitrovicës Shyqri Syla atentatin i cili la të vdekur këtë politikan. Pesë plumbat e parë, siç tregoi ai, u shkrepën nga një veturë në lëvizje para selisë së partisë që ai udhëhiqte. I gjashti u shkrep nga një person që doli nga automjeti për t’u siguruar që Ivanoviq mbeti i vdekur në vendin ku e kishte nisur karrierën e tij politike, e cila, siç thoshte shpesh vet ai, përherë u pengonte shumë personave në veri.

Makina nga e cila dyshohet se u krye sulmi, e që sipas Policisë del të jetë nga një “zingjir pronarësh nga Serbia”, u gjet e djegur jo larg vendit të ngjarjes, por jo edhe atentatorët.

Rrezikun për jetën e tij dhe të atyre që e përkrahin politikën e tij prej një opozitari në veriun e  Mitrovicës, ish-deputeti i legjislaturës së parë të Kosovës, asokohe përfaqësues i partisë “Lista serbe për Kosovë dhe Metohi”, dhe ish-sekretari i zyrës së Qeverisë serbe për “Kosovë dhe Metohi” gjatë viteve 2008-12, Ivanoviq, vazhdimisht e kishte potencuar përballë autoriteteve në Prishtinë dhe atyre në Beograd.

“Gjendja ka ndryshuar për të keq, është e jashtëzakonshme frika që mbretëron te populli. Nga qindra njerëz me të cilët kam biseduar prej se jam në liri, asnjëri nuk la pa përmendur çështjen e sigurisë në fjalitë e para të bisedës. Por të kuptohemi që në fillim, ata nuk frikësohen nga shqiptarët por nga serbët”, ishte deklarata e Ivanoviqit për revistën serbe “Vreme”, më 28 shtator 2017, shtatë muaj pasi ishte liruar për t’u mbrojtur në liri nga masat e sigurisë në të cilat kishte kaluar gati tre vjet, ngase ishte duke u gjykuar për akuzat për krime lufte.

Apeli në shkurt të vitit të kaluar e kishte kthyer rastin në rigjykim, por aktvendimin final për krimet për të cilat akuzohej – organizim të vrasjeve dhe dëbim të shqiptarëve nga jugu i Mitrovicës në 1999 – do të mbetet pa u dhënë.

Më pak se pesë vjet pasi zyra e tij ishte sulmuar nga persona të panjohur, Oliver Ivanoviq u vra pikërisht në hyrje të saj. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Krejt çka mbeti, tash, në vendin ku ai u vra është fotografia e Ivanoviqit si lider i Nismës serbe, bashkë me qirinjtë dhe lulet e homazhit. Policia e Kosovës thotë se është vënë në kërkim të atentatorëve, madje ka ofruar 10 mijë euro shpërblim për ata që kanë informata për zbardhjen e rastit. Departamenti i krimeve të rënda në Prokurorinë Themelore të Mitrovicës me vendim të kryeprokurorit Shyqri Syla tashmë ka caktuar një prokuror shqiptar dhe një serb që të hetojnë rastin. Ata janë Nijazi Rexha dhe Jovan Radoviq.

Kësisoj, pas më shumë se dy dekadash, dy komunitete që vështirë kanë komunikuar me njëri-tjetrin që prej periudhës së pasluftës, bëhen bashkë për zbardhjen e një vrasjeje që bëri bashkë në detyrë ligjore edhe dy shtete që përveç dallimeve politike, ndajnë edhe një histori edhe ashtu të përgjakshme të së kaluarës, dy shtete që mëtojnë të kenë shtrirje dhe autoritet në pjesën veriore të qytetit të minierave të Kosovës – veriun e Mitrovicës, pjesën më jo stabile të vendit nga aspekti i sigurisë.

Në fakt, vrasja e Ivanoviqit ndodhi pikërisht në ditën kur këto dy shtete, Kosova dhe Serbia, do të takoheshin në Bruksel në kuadër të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve, të ndërmjetësuara nga Bashkimi Europian, dhe takimit të parë ndërmjet dy palëve pas një ndërprerjeje njëvjeçare. Lajmi për vdekjen e Ivanoviqit bëri që të ndërpritej takimi i dialogut ndërmjet përfaqësuesve kosovarë dhe atyre serbë në Bruksel atë ditë, ngase pala serbe kishte lëshuar takimin.

Për herë të parë në cilësinë e një lideri serb që nga 99-ta, presidenti Aleksandër Vuçiq gjatë vizitës më 20 janar tha se përgjegjësinë për sigurinë në këtë pjesë të Kosovës e kishte Prishtina.

Një dekadë pas shpalljes së pavarësisë, Serbia ende refuzon ta pranojë shtetin e Kosovës. Por vdekja e Ivanoviqit ishte një pikë kthese edhe sa i përket njohjes së jurisdiksionit të Kosovës në territorin e saj, sidomos në veri.

Për herë të parë në cilësinë e një lideri serb që nga viti 1999, Presidenti Aleksandar Vuçiq gjatë vizitës më 20 janar tha se përgjegjësinë për sigurinë në këtë pjesë të Kosovës e kishte Prishtina. Këtë ai e tha në një takim me qytetarë serbë në Fakultetin Teknik në veri të Mitrovicës kur ata i kërkuan mbrojtje.

“Në këtë pjesë ku jemi ne, jurisdiksionin dhe kontrollin efektiv e kanë institucionet e Prishtinës dhe të atyre që ua kanë siguruar efikasitetin. Flas pikësëpari për forcat e sigurisë: kemi mbi 1,000 policë serbë që janë pjesë e Policisë së Kosovës dhe prej atyre presim rezultate të ndjeshme”, tha Vuçiq në konferencën për shtyp gjatë vizitës së tij.

“Do të donim të shkëmbenim jo vetëm informata, por edhe të marrim pjesë direkt në hetimin e vrasjes. Më vjen keq se ata na kanë refuzuar, mendoj se ne me punën tonë do të ndihmonim ta gjenim se kush e vrau Ivanoviqin. Në tërë këtë çështje për Serbinë nuk është me rëndësi se a është vrasësi serb apo shqiptar apo ndërkombëtar”.

Ministria e Drejtësisë e Kosovës tashmë ka vendosur t’i përgjigjet bashkëpunimit me Prokurorinë e Krimeve të Rënda në Beograd sa i përket shkëmbimit të informacioneve. Kjo do të zhvillohet me ndërmjetësim të EULEX-it që ka memorandum bashkëpunimi me Serbinë për çështje penale, në mungesë të një bashkëpunimi të tillë mes dy shteteve.

Ani pse Serbia ishte ankuar javën e kaluar në misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë – UNMIK, se ende nuk ka pranuar asnjë informatë, ministri i drejtësisë në Kosovë i ka treguar K2.0 se po përgatitet një përgjigje, por pa informata që do të ndikonin në hetimin e rastit që u takon institucioneve kosovare të rendit dhe ligjit.

Kërcënimet që u injoruan

Katër vite më parë, në dhjetor të vitit 2013, Ivanoviq e humbi betejën e parë për kreun e Mitrovicës së Veriut kundër Kërstimir Pantiqit, nga Nisma Serbe për Kosovën. Në atë kohë Ivanoviq arriti të shkonte në balotazh, por dështoi të fitojë garën megjithëse fitoi 45 për qind të votave qytetare në raundin e dytë.

Ai dështoi ta fitojë garën edhe herën e dytë, në zgjedhjet lokale të 2017, kundër Goran Rakiqit të Listës Serbe, i cili mori 67 për qind të votave. Në një bisedë me K2.0 në tetor të vitit të kaluar, gjatë fushatës së zgjedhjeve lokale, Ivanoviq e akuzoi kundërshtaren e tij politike – Listën Serbe – për përdorim të politikave të frikësimit.

Ivanoviq kishte adresuar një varg ankesash ndër vite në lidhje me sigurinë e tij dhe të përkrahësve të tij, duke përfshirë një kallëzim penal para zgjedhjeve lokale të tetorit 2017. Foto: Eraldin Fazliu / K2.0.

“Ndonjëherë njerëzit kanë frikë dhe pikërisht atë frikë po e shfrytëzojnë këta djem të këqinj”, pati thënë ai. “Duke u bërë presion e duke i detyruar të mendojnë se nëse votojnë ‘gabimisht’ mund t’i humbin pensionet. A mund ta paramendoni këtë?”

K2.0 ka siguruar një kallëzim penal të cilin Ivanoviq e kishte dorëzuar në Prokurorinë Themelore të Mitrovicës me datën 7 shtator 2017. Në këtë kallëzim Ivanoviq kishte raportuar dhe kishte kërkuar hetim penal për kërcënim me jetë, frikësim, shantazh, si dhe ndikim tek tre anëtarë të partisë së tij për tërheqjen e kandidaturës së tyre për zgjedhjet komunale në veri të Mitrovicës.

Fjala është për tre anëtarët të cilët një javë pasi që ishte dorëzuar lista me kandidatët për zgjedhjet lokale në KQZ në fund të gushtit 2017, ishin tërhequr nga gara. Bëhet fjalë për Tatjana Ivazin, Dalibor Antiqin dhe Tomislav Dejanoviqin. Antiq dhe Ivaz kanë qenë kandidatë për asambleistë në komunën e veriut të Mitrovicës, ndërsa Dejanoviq për komunën e Zveçanit nga partia e Ivanoviqit.

“Vetëm disa ditë pas paraqitjes së kandidaturës prej anëve të ndryshme kanë filluar presionet dhe kërcënimet ndaj shumë kandidatëve tanë, jo vetëm ndaj atyre të cilët përmenden këtu, me qëllim që t’i shtyjnë të heqin dorë nga kandidaturat”, thekson Ivanoviq në kallëzimin penal. Tutje Ivanoviq kishte thënë se kërcënimet dhe shantazhet ishin pohuar edhe nga vet kandidatët e tërhequr, por të cilët pastaj kishin ndryshuar fjalët kur ishin pyetur nga Policia.

“…tre kandidatët i kanë tërhequr kandidaturat e tyre në rrethana që janë shumë të dyshimta për çdo person të arsyeshëm dhe janë rrethana që çojnë te ekzistimi i dyshimit të bazuar që ndaj tyre është kryer ndonjë vepër penale…Të gjithë ata kanë folur për kërcënime. Kërcënimi i drejtuar ndaj tyre nuk i ka prekur vetëm ata, por edhe anëtarët e familjeve të tyre, bashkëshortët dhe fëmijët e tyre dhe ka pasur të bëjë me jetën e tyre”, thuhet më tutje në dokumentin e siguruar nga K2.0.

Ivanoviq po ashtu kishte raportuar se kur ka provuar të flasë me anëtarët e partisë së tij, ata ia kanë arsyetuar tërheqjen si “diçka që atyre u është dashur ta bëjnë”.

“Ka qenë e dukshme frika e tyre e madhe por nuk kanë dashur të thonë asgjë përveç se kanë qenë të kërcënuar dhe se frikësohen për vete dhe për të dashurit e tyre” kishte thënë Ivanoviq në kallëzimin penal.

Ivanoviq kishte kërkuar hetim për këtë, në mënyrë që të gjinden “kërcënuesit dhe shantazhuesit”. Mirëpo një gjë e tillë nuk ishte bërë ngase Prokuroria asnjëherë nuk kishte shkuar tutje me hetime.

Që të tre kandidatët e SPD-së, Antiq, Ivaz dhe Dejanoviq kishin nënshkruar një deklaratë të njëjtë të adresur për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve lidhur me tërheqjen e kandidaturave të tyre.

“Nga ana e subjektit tim politik jam mashtruar, ndërsa emri im është përdorë për fushatë nga njerëzit nga ky subjekt që po e prishin unitetin e popullit serb për shkak të interesave personale. Njëkohësisht, publikisht ofroj ndihmë për Listën Serbe e cila si e vetme vazhdon luftën për vazhdimin e ekzistencës së serbëve në këto troje”, thuhet në tekstin e deklaratës së tërheqjes së kandidaturës. Kopjet me nënshkrimet e Tatjana Ivazit, Dalibor Antiqit dhe Tomislav Dejanoviqit i ka siguruar K2.0.

Ivanoviq kishte ngritur shqetësimet e tij lidhur me këtë deklaratë, dhe me faktin se të tretë e kishin nënshkruar atë t dhe kishin shprehur përkrahje për Listën Serbe, kundërshtaren e tyre politike. Ai i ka thënë Prokurorisë se “është e ditur se deklarata është shkruar nga dikush tjetër për ta [kandidatët e tij] paraprakisht dhe ka kërkuar prej tyre [kandidatëve] ta nënshkruajnë”.

Ivanoviq kishte kërkuar hetim për këtë, në mënyrë që të gjinden “kërcënuesit dhe shantazhuesit”. Mirëpo një gjë e tillë nuk ishte bërë ngase Prokuroria asnjëherë nuk kishte shkuar tutje me hetime.

Kryeprokurori i Mitrovicës Shyqri Syla i ka thënë K2.0 se nuk kanë identifikuar asnjë kërcënues dhe se nuk kanë shkuar tutje me hetimet pasi që anëtarët e partisë së Ivanoviqit kanë mohuar të jenë kërcënuar.

Kryeprokurori i Mitrovicës Shyqri Syla foli për ndërprerjen e hetimeve të kërcenimeve të raportuara ndaj kandidatëve të SDP-së, ngase ata mohuan të jenë kërcenuar. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Megjithatë, K2.0 ka kontaktuar edhe KQZ-në për të verifikuar tërheqjen e kandidaturës nga ana e anëtarëve të SPD-së. Miradije Mavriqi, e cila është drejtoreshë e departamentit për certifikimin e partive dhe kandidatëve, ka mohuar të jetë pyetur nganjëherë nga organet e rendit lidhur me pohimet e Ivanoviqit.

Ivanoviq kishte kërkuar nga Prokuroria po ashtu që të hetojë faktin se kush i kishte dërguar përfaqësuesit e partisë së tij, respektivisht kandidatët e tërhequr, deri në Prishtinë tek selia e KQZ-së në ditën kur ata kishin dërguar listën pa kandidaturat e tyre.

Mirëpo, kryeprokurori i Mitrovicës Shyqri Syla nuk i është përgjigjur kërkesës së revistës kur është pyetur për detaje të hetimit.

Përgjigje për pretendimet e Ivanoviqit nuk kanë dhënë as nga partia të cilën ky e kishte akuzuar për shantazh e frikësim – Lista Serbe. Kryetari aktual i komunës veriore të Mitrovicës, Goran Rakiq, nuk iu përgjigj pyetjeve të K2.0 të parashtruara përmes telefonit.

Ky rast ndërkaq nuk është i pari që ishte injoruar nga organet kosovare të ndjekjes sa i përket sigurisë së Ivanoviqit dhe pohimeve të tij për kërcënime. Vetëm dy muaj para se të raportonte për kërcënime ndaj anëtarëve të partisë së tij, Ivanoviqit iu dogj vetura. Në mëngjesin e 28 korrikut, ai e gjeti veturën e tij të markës “Passat B5”, krejtësisht të djegur në parkingun para banesës ku jetonte me gruan dhe djalin.

"Mund të them se ka vrasje që kanë ndodhur në këtë pjesë e që nuk janë zbardhur dhe ato kanë konotacion politik”, Oliver Ivanoviq në gushtin e 2017-es.

Oliver Ivanoviq në gushtin e 2017-es

Ivanoviq bashkë me Dragisha Milloviqin, ish-kryetarin e Zveçanit, të cilit po ashtu në korrik i ishte djegur makina personale, patën dalur në një konferencë për media më 10 gusht të vitit 2017, pak para zgjedhjeve lokale.

“Unë kam vetëm një gjë: dikujt po i pengon angazhimi dhe qëndrimi im politik, dikujt nuk po i pëlqen kjo. Qeveria e Kosovës duhet të reagojë sepse unë nuk jam kushdo. Mund të them se ka vrasje që kanë ndodhur në këtë pjesë e që nuk janë zbardhur dhe ato kanë konotacion politik”, pati thënë Ivanoviq.

Dragisha Milloviq ndërkaq në të njëjtën konferencë pati thënë:“dikujt po i pengon që ne jemi bashkë dhe frikohen që mund të kemi koalicion për zgjedhjet lokale”. Në kohën kur ndodhi rasti, Milloviq ishte pjesë e Koalicionit të gjerë të qytetarëve serbë të veriut, ku bënte pjesë edhe SDP-ja e Ivanoviqit.

Organet e rendit në Zveçan kanë nisur hetime për këtë djegie të makinave, por pa rezultat.

E kursyer nga sulmet nuk kishte mbetur as familja e Ivanoviqit. Më 12 shtator të vitit 2013 bashkëshortja e tij Milena ishte sulmuar në prani të djalit të tyre nga persona të panjohur dhe me maskë para shtëpisë në të cilën jetonin në veri të Mitrovicës, përpara se të shpërnguleshin në një banesë më afër urës. Atë vit, Ivanoviq për herë të parë si kryetar i Nismës qytetare SDP garonte si kandidat për kryetar të veriut të Mitovicës.

“Nuk kam konflikt me askënd, nuk i kam askujt para borxh dhe askush nuk më ka borxh, prandaj kjo është krejtësisht me motive politike”, pati deklaruar ai pas këtij sulmi për të cilin asnjëherë nuk ishin gjetur fajtorët. Vetëm dy javë pas vrasjes së tij, më saktësisht më 31 janar të këtij viti, një sulm pësoi edhe shtëpia e nënës së bashkëshortes së parë të Oliver Ivanoviqit, e cila gjendet në rrugën e njëjtë ku u vra ai – Sutjeska.

“Jemi duke e hetuar rastin, dhe ka dyshime që mund të ketë ndërlidhje me vrasjen por nuk ka asgjë konkrete ende”, i ka treguar revistës sonë zëvendësdrejtori i PK-së në veri të Mitroivicës, Besim Hoti.

Në vitin 2013, disa ditë pas takimit që kishte zhvilluar me serbë të jugut dhe politikanin slloven Jelko Kacin, saktësisht më 2 prill 2013, Oliver Ivanoviqit i ishte djegur edhe zyra e partisë, para se cilës në janarin e këtij viti e gjeti edhe vdekjen.

Atentati ndaj Oliver Ivanoviqit nuk është i pari ndaj një politikani serb të Kosovës në veri të Mitrovicës. Më 16 janar të vitit 2014 gati në të njëjtën mënyrë si Ivanoviq ishte vrarë me plumba politikani i ri serb në veri të Mitrovicës, Dimitrije Janicijeviq, asambleist në Komunën veriore të Mitrovicës. Ai ishte vrarë para shtëpisë së tij në Lagjen e Minatorëve. Janjiqevic, 35-vjeçar, ka qenë anëtar i partisë së pavarur liberale SLS. Vrasësit e tij nuk janë zbuluar.

Ashtu siç nuk janë zbuluar asnjëherë as kryesit e sulmit me armë ndaj zyrës së ish-kryetarit të Leposaviqit, dhe babait të ish-deputetit Aleksandar Jabllanoviq të Listës Serbe, në qershor të vitit 2017, Dragan Jabllanoviq. Incidenti kishte ndodhur kur djali i tij Aleksandri garonte për kryetar të Listës Serbe.

Mediat ndërkombëtare e kanë krahasuar vrasjen e Oliver Ivanoviqit me atentatin ndaj ish-kryeministrit serb Zoran Gjingjiq në mars të vitit 2003. Vdekja e tij ishte konsideruar si mbyllje e tentativës së fundit serbe për t’u pastruar nga politikat e ish-Presidentit serb Sllobodan Millosheviq. Duke ngritur paralele mes vrasjes së Gjingjiqit dhe Ivanoviqit, revista amerikane “Foreign Policy” e cilëson këtë si një vepër tjetër të bandave kriminale në veri, por edhe si një akt që përfundimisht shuan iluzionet e Serbisë se ka autoritet territorial mbi Kosovën.

Autoritetet në alarm

Vrasja e Oliver Ivanoviqit ka shtuar debatin edhe ashtu të gjatë mbi sigurinë në vend, në veçanti rreth përgjegjësive të institucioneve të sigurisë, si vendore ashtu edhe ndërkombëtare, por edhe rreth asaj se sa në praktikë po gjejnë zbatim marrëveshjet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që ishin arritur si nevojë për të luftuar krimin në veri dhe për të shtrirë institucionet kosovare të rendit dhe ligjit në atë pjesë të vendit.

Dy marrëveshje janë arritur në fushën e sigurisë dhe të drejtësisë, me qëllim të integrimit të serbëve në pjesën veriore të Kosovës. Në bazë të marrëveshjes së parë të Brukselit në mes të Kosovës dhe Serbisë, të arritur më 19 prill 2013, pjesëtaret e sigurimit të brendshëm serb – MUP-it – që prej vitit 1999 funksionuan si pjesë e strukturave paralele serbe në veri, u integruan në Policinë e Kosovës, respektivisht në stacionin policor për pjesën veriore të Mitrovicës. Po ashtu, kjo marrëveshje përcakton që komandanti i policisë për këtë pjesë të jetë serb.

Marrëveshja për drejtësi mes Kosovës dhe Serbisë e arritur në shkurt të vitit 2015, përcakton qartë se në Gjykatën Themelore, në Prokurorinë Themelore dhe në Gjykatën e Apelit për regjionin e Mitrovicës shumica e të punësuarve si gjykatës e prokurorë do të jenë serbë. 

Por, përkundër faktit se kanë kaluar më shumë se katër vjet nga arritja e këtyre marrëveshjeve, funksionimi i prokurorisë dhe gjyqësorit në veri ka nisur në tetorin e vitit të kaluar me integrimin e prokuorëve dhe gjyqtarëve serbë në pjesën veriore të Mitrovicës. Por megjithatë nuk ka akoma rezultate konkrete të luftimit të bandave kriminale dhe ka ende punë për t’u bërë në drejtim të krijimit të komunikimit mes organeve në veri dhe jug.

Për më tepër, si institucionet kosovare të rendit dhe ligjit ashtu edhe misionet ndërkombëtare shpesh kanë hasur në vështirësi gjatë kryerjes së detyrave të tyre në veri.

Jo më larg se në mbrëmjen e 14 shtatorit të vitit të kaluar, pjesëtarë të Policisë dhe AKI-së gjatë bastisjes së organizatës së Kryqit të Kuq të Serbisë në veri të Mitrovicës ishin sulmuar nga një grup njerëzish.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës në veriun e Mitrovices, Besim Hoti, konfirmoi për K2.0 se forcat e rendit dhe të sigurisë së Kosovës kanë qenë viktima të sulmeve në atë pjesë. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

“Dyert e zyrave ku ishte planifikuar bastisja kanë qenë të hapura. Pas hyrjes së policisë grupet e qytetarëve i kanë sulmuar ata duke i rrahur”, kishte raportuar gazeta Insajder dhe këtë e kishte pohuar edhe zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës në veri të Mitrovicës, Besim Hoti, që kishte pranuar se ka policë të lënduar.

Rasti Ivanoviq u bë shkak që Komisioni Parlamentar për Mbikëqyrje të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), ta ftojë në raportim drejtorin e kësaj agjencie, Driton Gashin.

Pas një takimi gati dyorësh, me dyer të mbyllura për media, të enjten më 25 janar 2018, kryetarja e komisionit, Donika Kadaj-Bujupi vetëm në pika të trasha pohoi se AKI i ka njoftuar me kohë organet e rendit dhe ligjit në veri për rreziqe të mundshme.

“Nuk ka neglizhencë për marrje të informatave nga ana e agjencisë, po ashtu është njoftuar edhe policia për shqetësimet e ngritura, pra kanë qenë të njoftuar me kohë për gjendjen atje”, ka thënë Kadaj-Bujupi, e cila ndër tjerash pohoi se deputetët e Komisionit Parlamentar kërkuan që të shtohet vigjilenca nga ana e AKI-së në veri të vendit. “Do të kërkojmë informacione edhe nga policia se a ka pasur neglizhencë dhe a ka mundur të parandalohet rasti. Ky nuk do të jetë raportimi i fundit ngase do të marrim informata edhe nga institucionet e tjera”.

Ajo më tej shtoi se kanë kërkuar shpërbërjen e bandave atje në mënyrë që rendi dhe ligji të shtrihen edhe në veri. Megjithatë, nuk tregoi se si do të arrihet kjo, kur dihet se këto banda arritën t’i çarmatosin dhe t’i rrahin edhe vet pjesëtarët e Policisë së Kosovës.

Në fakt, nevoja për të shuar strukturat dhe bandat kriminale në veri është adresuar me vite të tëra, por në praktikë kjo asnjëherë nuk ka arritur të jetësohet. Kosova ende nuk ka arritur të shtrijë në tërësi autoritetin e saj në veri, dhe ka shumë pak bashkëpunim me qytetarët në atë pjesë.

E derisa kjo të mos ndodhë, siguria është më e pakta për të cilën mund të flitet në qytetin që për dallim nga sot kur është pllakosur me qetësinë mortore, njihet për zhurmën e rokut dhe minierave.

Rasti “Ivanoviq” është një mundësi për ta ndryshuar këtë, një pikë kthese për shtetin të cilit i ka ardhur koha të tregojë se ka shtrirje dhe drejtësi funksionale në gjithë territorin e vendit, e edhe në veriun problematik të Mitrovicës ku pas gati një dekade u arrit të funksionalizohet Gjykata dhe Prokuroria me gjyqtarë e prokurorë shqiptarë e serbë.  K

Foto kryesore: Atdhe Mulla / K2.0.