Dy raste të fundit të vrasjeve që përfshinë gra, kanë nxitur revoltë në mesin e një grupi të studentëve në Shqipëri, të cilët organizuan një protestë “kundër vrasjes së grave dhe vajzave” para Deparatmentit Policor të Tiranës më 16 qershor.
Një grup i vogël, i cili u rrit nga kalimtarët e rastit që u tërhoqën nga kauza, ngritën sllogane për zyrtarët e zbatimit të ligjit dhe shoqërinë në përgjithësi. Një prej temave kryesore të protestës ishte ndalimi i trajtimit të grave si prona të burrave, pra u kundërshtua nocioni që burrat kanë të drejtë t’i vrajnë gratë nëse ato zgjedhin t’i lënë ata.
“O Romeo, pse vret o Romeo? dhe “Vrasja nuk të bënë të guximshëm, të bënë vrasës”, ishin dy nga shumë slloganet që lidheshin me dy raste që ndodhën së fundmi, në të cilat dy burra vranë gra të reja për shkak se ato i refuzuan ata. Të dy burrat bënë vetëvrasje pas kryerjes së vrasjeve. Mediat i etiketuan rastet si ‘krime pasioni’, e protestuesit ishin të mendimit se mediat e përzien vrasjen me dashuri.
Protestuesit gjithashtu sollën vëmendjen tek fakti se disa njerëz i kishin justifikuar veprimet duke i fajësuar viktimat. Në një shenjë të zezë ishin te shkruara komente nga rrjetet sociale nëpërmjet të cilave fyheshin viktimat. Këto komente u lexuan me zë të lartë para publikut.
Arjola Hajdini, një prej organizatorëve të protestës, tha për K2.0 se lokacioni para Departamentit Policor të Tiranës u zgjodh për shkak se organizatorët besojnë se zyrtarët përgjegjës për zbatimin e ligjit mund të bëjnë shumë më shumë për t’i parandaluar këto krime. Ajo iu referua rastit të Fildes Hafizit, një gjykatëse e cila u vra nga ish-burri i saj vitin e kaluar, pavarësisht faktit se kishte një urdhër ligjor mbrojtës nga ai.
Pas vrasjes së Hafizit, në dhjetor Parlamenti shqiptar e miratoi një rezolutë për t’i përmirësuar mekanizmat për parandalim të krimeve të tilla. Megjithatë, më shumë se gjashtë muaj më vonë, ky problem ende është i pranishëm.
Organizatorët e protestës thanë për K2.0 se u detyruan ta marrin çështjen në dorë, për shkak se e panë sa pak janë duke vepruar institucionet dhe i përdorën rrjetet sociale për ta organizuar protestën. Organizatorët i fajësojnë politikanët e të gjitha anëve si përgjegjës për shkallën aktuale të vrasjes së grave.
Një nga protestueset, Joridana Hoxha, tha për K2.0: “Unë jam këtu për t’u siguruar që askush nuk do të ma cenojë lirinë kurrë. Do të bëja gjithçka për ta garantuar këtë, sepse policia sot nuk i zbaton urdhërat e kufizimit”.
Mbrojtja e grave nga vrasjet dhe dhuna
Si pjesë e çështjeve që lidhen me mbrojtjen e grave nga vrasjet, protestuesit e theksuan mungesën e veprimeve policore në lidhje me dhunën në familje, që mund të ketë pasoja vdekjeprurëse.
“Ne kërkojmë që policia t’i marrë parasysh më me seriozitet rastet e raportuara të dhunës në familje”, tha Hajdini për K2.0. “Në shumë raste ata as që janë paraqitur pas thirrjeve për ndihmë, ose thjeshtë i kanë marrë në pyetje të dyshuarit për një kohë të shkurtër dhe i kanë liruar si rrjedhojë e premtimeve verbale që nuk do ta përsërisin abuzimin”.
Akuzat për neglizhencë policore në lidhje me dhunën në familje, dolën vitin e kaluar pas rastit të sulmit fizik ndaj gruas australiane që jeton në Tiranë nga dashnori i saj shqiptar.
Ajo pretendon se kur kishte shkuar në stacionin më të afërt policor, zyrtarët ishin munduar ta bindin që t’i tërheqë akuzat. Ajo tregoi në një emision televiziv hulumtues se askush nuk i ndihmoi siç parasheh urdhëri për mbrojtje të cilin e kishte siguruar. Në fakt, ajo e fitoi vetëm një ftesë nga një polic për t’u kënaqur me të në jetën e natës në Tiranë. Ai i shkroi mesazhe për disa ditë radhazi.
Dhuna në familje është problem serioz në Shqipëri për shkak të disa faktorëve. Madje u shënua edhe në raportin e publikuar në prill nga Komisioni Evropian. Vitin e kaluar u raportuan 3,243 raste të abuzimit, megjithatë shumëkush konsideron se numri real i viktimave që kanë vuajtur nga dhuna në familje është tepër më i madh – numër alarmues.
Sipas të dhënave zyrtare, kërkesat për mbrojtje dhe raportet e regjistruara nga policia janë shtuar në vitet e fundit, ndërsa numri i vdekjeve ka rënë nga 28 vrasje në vitin 2013, në 13 vrajse në vitin 2017. Megjithatë, vitin e kaluar 129 prej këtyre urdhërave për mbrojtje nuk u respektuan.
Entenela Ndrevataj është një tjetër organizatore e protestës. Ajo e ngjyrosi veten simbolikisht me ngjyrë të kuqe për këtë ngjarje. Ndrevataj beson se, shumëkush duhet fajësuar për situatën në lidhje me mbrojtjen e grave, por thekson se faj të veçantë ka gjyqësori.
“Dënimet për njerëzit që kryejnë dhunë në familje dhe janë me gjasë të rrezikshëm, janë ekstremisht të shkurtra dhe ndonjëherë në favor të agresorit, i cili lirohet dhe lejohet të vazhdojë të ushtrojë dhunë”, thotë Ndrevataj për K2.0.
Xhoni Merkohasanaj, një tjetër organizator i protestës, i referohet rasteve në të cilat viktima dhe agresori janë lejuar të jetojnë në të njëjtën shtëpi për shkak të varfërisë ekonomike, diçka që besohet gjerësisht të jetë shkaktar fillestar i dhunës. “Këto gra, që kanë urdhër të mbrojtjes që nuk funksionon dhe i vendosë në të njëjtën shtëpi me agresorët… ato nuk janë të mbrojtura”, tha ai për K2.0. “Rreziku jeton nën të njëjtin kulm dhe mundësia për të qenë përsëri viktimë është shumë e lartë”.
Në protestën e së shtunës u bashkuan edhe shumë burra, të cilët dolën në ballë të turmës për të bërë apel për ngritje të nivelit të ndërgjegjësimit për çështje që lidhen veçanërisht me dhunën në familje. “Pse nuk janë më shumë gra këtu sot? Pse nuk janë më shumë burra? Pse nuk ka politikanë të pranishëm?”, e pyeti publikun një burrë 50-të e ca vjeç. “A ka shqiptarë që nuk ka nënë, motër apo vajzë që ka vuajtur nga dhuna në familje?”, vazhdoi ai.
Në ditët pas protestës, në Shqipëri ndodhën dy incidente të tjera në lidhje me dhunën në familje. Më 17 qershor, një grua 35 vjeçare e qëlloi bashkëshortin e saj katër herë me armë, duke e vrarë në vend në mes të tregut në Milot, në veri-perëndim të Shqipërisë. Kur e morri në pyetje policia, gruaja pretendoi se e vrau bashkëshortin për shkak se ai luante kumar dhe e keqtrajtonte atë.
Më pak se 24 orë më vonë, në Memaliaj në jug të Shqipërisë, një burrë 65 vjeçar e sulmoi bashkëshorten e tij, duke e goditur me sëpatë. Gruaja e lënduar rëndë, më vonë deklaroi për media nga shtrati i spitalit se është e hutuar dhe se nuk po mundet të vendosë a ta falë a ta lejojë të shkojë në burg. “Kam frikë se do të më vrasë”, deklaroi 57 vjeçarja.
Grupi i studentëve që e organizoi protestën është i përkushtuar për t’i vazhduar demonstratat dhe për të kërkuar më shumë veprime, deri sa gratë të ndihen më të sigurta dhe vrasjet të parandalohen. Ata besojnë se ndryshimi nuk vjen lehtë, por shpresojnë që fjalitë si “Dashuria jep jetë, nuk e merr atë”, mund të ndikojnë tek shoqëria. K
Foto kryesore: Angelo Haruni / K2.0.