S`fundmi | Viza

M’vyn një vizë për një vizë për…

Nga - 20.02.2023

Data: 23.02.2023

Ora: 17.30

Vendndodhja: Hub 2.0

“M’vyn një vizë për një vizë” nuk është thjesht lojë fjalësh. Për kosovarët e kosovaret është realitet. Po, nganjëherë atyre u duhet një vizë për një vizë për të udhëtuar në Bashkimin Evropian (BE).

Para disa ditësh në K2.0 botuam “Jemi në një geto të vërtetë”, që hulumton procesin e shtrenjtë, rraskapitës dhe demoralizues nëpër të cilin duhet të kalojnë kosovarët/et për të aplikuar për vizë për të hyrë në BE. 

Në artikullin tonë, kemi mbledhur shumë shembuj se si ky regjim i vizave është kapitalizuar për përfitim nga kompanitë private, që tani trajtojnë aplikimet për viza për shumicën e vendeve të BE-së. Artikulli vë në pah gjithashtu disa shkelje të Kodit të Vizave edhe nga ambasadat e edhe nga kompanitë e jashtme private që ambasadat i kanë kontraktuar për t’i përpunuar vizat. 

Por, fatkeqësisht, e dimë se ka më shumë rrëfime, më shumë përvoja e histori nga ky proces i mundimshëm. Kjo është arsyeja pse duam të mblidhemi në HUB 2.0 më 23 shkurt, në orën 17:30 dhe t’i ndajmë këto përvoja.

Që nga viti 2010, të gjitha vendet e Ballkanit janë liruar nga regjimet e vizave, përveç Kosovës. BE-ja ka dështuar në mbajtjen e premtimit për të ofruar lëvizje pa viza. Kosovarët/et janë disa nga evropianët e fundit që vazhdojnë të mbesin të izoluar.

Zëri i kosovarëve/eve nuk është dëgjuar tash e sa kohë. Prandaj, duam të diskutojmë se si ka ndikuar në jetën tënde ky izolim. A ta ka humbur mundësinë për të studiuar në BE? Ta ka humbur shancin për ta parë familjen për Vitin e Ri? Të është mohuar mundësia për të udhëtuar lirshëm? Kemi frikë se përgjigjja është po. Eja dhe të flasim.

Ndodhemi në Prishtinë, kështu që s’të duhet vizë të na bashkohesh.

Për ta ndihmuar vazhdimin e bisedës, do të na bashkohen:

  • Aulonë Kadriu, redaktore në K2.0 dhe autore e “Jemi në një geto të vërtetë”, artikull me raportim dhe shkrim shtesë nga Vjosa Musliu.
  • Eraldin Fazliu, redaktor dhe autor i emisionit “Interaktiv”, të Kohavisionit – KTV.
  • Bekim Baliqi, profesor në Departamentin e Shkencave Politike në Universitetin e Prishtinës.

 

Biseda do të moderohet nga kryeredaktorja e K2.0, Besa Luci.

Do të ketë përkthim në gjuhët angleze dhe serbe. Kjo ngjarje do të xhirohet.

Kjo ngjarje mbështetet nga National Endowment for Democracy.