Më herët gjatë muajit u zbuluan planet për ta rrëzuar ndërtesën në të cilën funksionoi Teatri Kombëtar i Shqipërisë për gati tetëmbëdhjetë vjet. Kjo nxiti një protestë nga komuniteti artistik. Kryeministri Edi Rama, i njohur si promovues i arteve gjatë kohës kur shërbente si kryebashkiak i Tiranës, i kundërshtoi protestat duke njoftuar se një ndërtesë e re dhe më moderne do të jetë vend më i mirë për teatrin.
Por aktorët e Teatrit Kombëtar po e refuzojnë idenë e zëvendësimit të ndërtesës së vjetër dhe po bëjnë thirrje jo vetëm për rindërtimin e ndërtesës ekzistuese, por dhe për mënyrën se si i trajton shteti artistët në përgjithësi, dhe punëtorët e Teatrit Kombëtar në veçanti.
Largoje të vjetrën?
I ndërtuar në vitin 1939, Teatri Kombëtar i Shqipërisë, i cili dikur quhej Teatri Popullor, u përdor si kinema deri në fund të Luftës së Dytë Botërore, e më pas grupet teatrale nga qytetet e ndryshme të vendit filluan të luanin në këtë skenë.
Teatri Kombëtar është përshkruar si institucioni më i rëndësishëm teatral në Shqipëri, një prej vlerave madhështore të kulturës shqiptare, një ‘tempull’ dhe një zemër e rëndësishme artistike e botës shqiptare.
Por në vitin 2016, Qeveria kumtoi planet për ta ndërtuar Qendrën e Arteve Turbina, si pjesë e planeve të ashtuquajtura të ‘Rilindjes Urbane’. Kjo Qendër, mes tjerash, duhet të ketë hapësirë për një teatër të së ardhmes, edhe pse ende duket se nuk është përfunduar. Pavarësisht kësaj, në tetor u bë e ditur se së shpejti aty do të vendosej Teatri Kombëtar derisa të rinovohej ndërtesa origjinale.
Megjithatë, artistët, duke përfshirë këtu disa prej emrave më të njohur të botës kulturore shqiptare, po pretendojnë se as Qendra e Arteve Turbina, as ndonjë ndërtesë e re nuk janë vende të përshtatshme për Teatrin Kombëtar.
Robert Ndrenika, një prej aktorëve më të vjetër dhe më të njohur në vend, e ka kritikuar Qendrën e Arteve Turbina dhe ka nënshkruar një peticion si dhe ka bërë thirrje publike për ndalimin e planeve për rrëzimin e ndërtesës së vjetër të Teatrit Kombëtar.
“Ndërtesa ekzistuese e teatrit i përket popullit”, tha Ndrenika në një deklatratë më herët gjatë muajit. “Ne nuk mund ta lejojmë shkatërrimin e teatrit pa shpjegim të qartë për të ardhmen. Ndërtesa e re Turbina është për t’u tallur. Nuk mund të përdoret si teatër”.
Aktori erdhi në përfundim se ndërtesa ekzistuese duhet të mbrohet, duke theksuar shembuj në shtete të tjera të Ballkanit, si në Beograd dhe Bukuresht, ku teatrot kombëtare janë monumentale.
Por Rama beson se teatri i vjetër duhet të zëvendësohet me “një hapësirë teatrale europiane”, siç e bëri të qartë gjatë diskutimit parlamentar për këtë çështje. Ai i kundërshtoi protestat e artistëve duke thënë se “betejës së tyre po u mungon substanca reale”.
Për më tepër, në një debat televiziv, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, deklaroi se teatri ekzistues nuk ka ndonjë vlerë arkitektonike. Ai e përshkroi këtë ndërtesë të vjetër si “konglomerat i tallshit” i ndërtuar ndërmjet dy luftërave, dhe deklaroi se ajo nuk mund t’i shërbejë më qëllimit të vet.
Veliaj gjithashtu tha se ajo u ndërtua duke përdorur materiale të cilat janë të dëmshme për njerëzit, dhe se i ka shkaktuar probleme të ndryshme shëndetësore artistëve. “Nuk do të ketë më teatër të asbestit dhe të kancerit në qytet”, erdhi në përfundim ai, duke iu referuar spekulimeve të mediave për vdekjen e disa aktorëve nga kanceri në mushkëri.
Marrëdhënie të tensionuara ndërmjet aktorëve dhe shtetit
Por artistët të cilët kanë punuar në këtë ndërtesë me dekada nuk po binden. Më 12 shkurt, ata e okupuan Teatrin Kombëtar në shenjë proteste. Aktori Bujar Asqeriu foli në një konferencë për shtyp bashkë me artistë të tjerë duke denoncuar “kushtet e tmerrshme” me të cilat përballen aktorët përtej faktit se po detyrohen ta lënë skenën që e duan aq shumë.
“Njëri prej artistëve më të mirë paguhet më pak se një punëtor i rëndomtë në Ministrinë e Kulturës”, tha Asqeriu në një fjalim i cili u shpërnda shumë pothuajse menjëherë pasi e kishte bërë. “Kaq i vlerësojnë ministria dhe Qeveria artistët. Përderisa artistët që po vdesin po injorohen, zyrtarët qeveritarë jetojnë në vila që vlejnë 5-10 milionë euro. Kjo është drama e madhe e këtij vendi”.
Ai gjithashtu pretendoi se kjo ndërtesë është lënë pas dore qëllimisht ndër vite për ta shkatëruar dhe për ta ndërtuar një ndërtesë të re moderne.
“Po ta shohësh teatrin sot, mund edhe të qash”, tha Asqeriu për Ora News më vonë gjatë muajit. “Çfarë do të bëhet me këtë vend ku i kemi kaluar karrierat tona? Çfarë të bëjmë për dashamirët e teatrit?”
Megjithatë, disa artistë besojnë se nevojitet një ndërtesë e re. Artan Imami, aktor dhe producent, beson se ndërtesa e re duhet t’i ngjajë ndërtesës ekzistuese, dhe thekson nevojën për autonomi financiare të teatrit, i cili aktualisht drejtohet nga Ministria e Kulturës.
“Unë jam për një ndërtesë të re në lokacionin e njëjtë, me arkitekturë dhe infrastrukturë në harmoni me frymën moderne të shekullit XXI”, tha Imami për K2.0. “Jam pro çdo ndryshmi që çon te autonomia, veçanërisht autonomia financiare. Ka shembuj që mund të merren, si teatri Piccolo di Milano apo Comedie Francaise”.
Mbështetja e qytetarëve
Shumë qytetarë e kanë shprehur mbështetjen e tyre për aktorët në protestat e tyre kundër shkatërrimit të ndërtesës së vjetër. Në bisedë me K2.0, Fjorda Llukmani, 23-vjeçare nga Tirana, e shpjegoi domethënien që e ka kjo ndërtesë për gjeneratën e saj.
“Ne shkonim në atë teatër si pjesë e aktiviteteve shkollore”, shpjegon ajo. “Kam kujtime në atë teatër. Nuk duhet të ketë ndërtesa mbi një ndërtesë historike si ajo. Jam krejtësisht kundër planit për rrëzimin e saj. Ka ende shumë njerëz të cilët shkojnë në teatër”.
Megjithatë, Inva Hasanaliaj, e cila shkon shpesh në teatër, mendon se kushtet në Teatrin Kombëtar ekzistues nuk janë në të mirën e institucionit më të rëndësishëm teatror në vend.
“Nëse ndërtesa ekzistuese e teatrit mund të rindërtohet, atëherë OK. Ne duhet t’i ruajmë vlerat historike. Por Shqipëria ka nevojë për një teatër të vërtetë, ndoshta me një ndërtesë të re dhe kushte të reja”, tha ajo për K2.0, duke shtuar se nuk e mbështet Qendrën e Arteve Turbina si lokacion alternativ për shkak se është shumë larg teatrit ekzistues dhe qendrës së Tiranës.
Ndërtesa e hirtë në qendër të Tiranës dallohet si ndërtesa e vetme që nuk është rindërtuar në këtë zonë. Pavarësisht protestave, me sa duket qendra e Tiranës, e cila po ndryshon shpejt, do ta ketë një element të ri, dhe teatri kombëtar do të zhvendoset diku tjetër për një periudhë, para se të kthehet në fund në një shtëpi të re.
Foto kryesore: Merxhan Daci