Në thelb | Shtyp | SHPRESË

Ndryshimi shkallë-shkallë

Nga , Ngadhnjim Avdyli - 30.07.2020

Kriza klimatike s’do të zgjidhet lehtë — por këta kosovarë po fillojnë diku.

Në ditët e fundit të shtatorit 2019, si çdo vit, familja Mulaj nga fshati Isniq në perëndim të Kosovës ishte e zënë me punët e fundverës. Hasani 40 vjeç, më i madhi nga dhjetë fëmijët e Mehmetit dhe Zykës, po u rrinte në krye pothuajse të gjitha punëve të shtëpisë në fshatin e sheshtë rrëzë Bjeshkëve të Nemuna dhe pranë Lumbardhit të Deçanit. 

“Kah 20 shtatori i korrim arat, i bojmë sillazhat [ushqimin nga misri] për lopë, e masnej e qërojmë kallamoqin, e qesim n’kosh edhe bohët gati për dimër m’u terë”, thotë ai.

Në kryeqytet, më 20 shtator, disa dhjetëra nxënës dhe të rinj të brengosur për të ardhmen e planetit iu bashkuan moshatarëve nëpër botë në grevën për ndryshimet klimatike, të nisur nga aktivistja suedeze Greta Thunberg dhe të njohur si “Të premtet për të ardhmen”.

Njëra nga pjesëmarrëset ishte 23-vjeçarja Dije Rizvanolli, punonjëse civile që iu bashkëngjit marshit gjatë pauzës njëorëshe të drekës atë ditë me diell. S’kishte kaluar as një vit prej se kishte marshuar me mijëra të tjerë për të njëjtën kauzë, nën shi nëpër rrugët e Amsterdamit, gjatë studimeve postdiplomike për menaxhimin e ambientit dhe të energjisë. 

Në Prishtinë, në marshin nga statuja e Skënderbeut para Qeverisë deri te ish-Rilindja, disa të rinj mbanin pankarta me thirrje që qeveria të prioritizonte interesat e njerëzve dhe të planetit, ndërsa të tjerë shprehnin zemërim për gjendjen e mjerueshme ku është katandisur Toka.

Në njërën prej pankartave ishte vizatuar rruzulli me një çajnik — nga ata që gjenden në shtëpinë e familjes Mulaj dhe secilën shtëpi kosovare — që vlonte sipër, duke i dhënë nuanca lokale alarmit rreth ndryshimeve klimatike që po ua vështirësojnë jetesën gjithnjë e më shumë njerëzve në botë.

Dimri me smog

Gjatë muajve që vijuan, Prishtinën — si shumë qytete tjera në rajon — e pushtoi smogu ngulfatës. Edhe pse dimri ishte më i butë (siç po vërehet nga viti në vit), termocentralet dhe oxhaqet e shumë shtëpive lëshonin shtëllunga tymi të thëngjillit të djegur për ngrohje.

Një analizë mjedisore e vitit 2013 nga Banka Botërore gjeti se ajri jashtëzakonisht i ndotur në Kosovë shkakton vdekje të parakohshme, sëmundje të kanaleve të frymëmarrjes dhe cilësi më të ulët të jetës. Pas vetëm dy vjetësh, më 2015, Qeveria e nënshkroi një kontratë prej 1.3 miliard eurosh për ndërtimin e termocentralit me qymyr “Kosova e Re”.K

Ky është fragment nga një shkrim i hollësishëm në botimin tonë të ri në shtyp SHPRESË. Për ta lexuar artikullin e plotë, bleni kopjen tuaj të revistës tani — klikoni këtu për më shumë informata.

Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla / K2.0.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO

Kthehu n'fillim

THANKS FOR YOUR COMMENT

AFTER A QUICK CHECK IT WILL BE PUBLISHED HERE. PLEASE BE PATIENT.

THANKS FOR SUBSCRIBING

THANKS FOR YOUR COMMENT

AFTER A QUICK CHECK IT WILL BE PUBLISHED HERE. PLEASE BE PATIENT.